Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Haxhi Rama: Drama e huaj e mundi dramën shqipe në teatro, ja arsyet

Postuar: 20/10/2017 - 07:44

Me aktivitetin teatror regjisori Haxhi Rama është nga emrat më të vlerësuar. Aktor, regjisor dhe si autor ai ka një aktivitet shumë të larmishëm me krijimtarinë e tij në skenën e teatrit. Por jo vetëm në teatër, pasi varieteja ka qenë një tjetër pjesë e rëndësishme e tij. Vepra e fundit që ka vënë në skenë si regjisor ka qenë “Hajduti ka shumë duar”, një komedi që u mirëprit shumë nga publiku. Në intervistën për “SOT”, regjisori Haxhi Rama pohon se edhe pse këto kohë është pak i tërhequr nga teatri nuk mungojnë idetë për zhvillimin e projekteve në skenë. Por ai shpreh shqetësimin për mungesën e dramës shqipe. Ai pohon se i takon Ministrisë së Kulturës që të ndajë buxhete për dramën shqipe që të mos mungojë dhe në skena të teatrove të tjera, por dhe të zhvillojë një festival të veprave kombëtare, një kërkesë kjo e bërë më parë dhe nga autorë të tjerë shqiptarë. Në intervistën e tij ai shpreh dhe shqetësimin që sot nuk janë më si dikur estradat, pohon se varieteja është një gjini e dashur dhe duhet të rikthehet. I pyetur se sa vlerësohet sot artisti si autor dhe regjisor “Mjeshtër i madh” Haxhi Rama vijon se ka shumë pak vlerësime dhe arti duket se është i harruar, ndaj ai kërkon vëmendje.

-Me çfarë po merreni këto kohë në aktivitetin tuaj krijues?

Unë tani jam pak më i tërhequr, jam me ritmin që po mendoj projekte, kam dëshirë që të shkruaj një libër të vogël xhepi me tregime. Kam një tjetër ide që të shkruaj një komedi për korrupsionin në përgjithësi apo dhe një variete. Janë në mendjen time këto, ende duan kohë, por i kam të piketuara. Por më ka shqetësuar dhe vijoj të jem për gjendjen e teatrit sot.

-Jeni autor dhe regjisor i njohur, çfarë vërejtjesh keni për teatrin?

Mendoj që dramaturgjia shqiptare është lënë pas dore. Ky është një nga problemet e rëndësishme të teatrit sot në vend. Drama shqipe është lënë pas dore, rrallë shohim në skena krijimtari të autorëve shqiptarë. Madje disa regjisorë janë hedhur dhe në ato veprat e autorëve më të hershëm, që janë shkruar më parë. Nuk mund të vesh dot ligje që patjetër të ketë dramë shqipe, por ama patjetër në jetën e një teatri duhet bërë kjo gjë, në 4 premiera apo 5 të jetë një pjesë shqiptare komedi apo dramë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë kur do të kultivohet drama shqipe në skena? Ne për disa kohë nuk kemi pasur shumë kontakte me dramën e huaj, por kur erdhën ndryshimet tani merret shumë drama e huaj për të qenë në skena. Në skenën e Durrësit, komedia e fundit që unë kam parë ishte “8 Femra” shkruar që në 1958 dhe po vijon të shfaqet me shumë sukses në skena. Në Durrës nuk kishte bileta për këtë komedi. Dhe gjithmonë po shfrytëzohet për teatrin drama e huaj dhe sigurisht që është gjë e mirë, por ama po lihet në hije drama shqiptare. Kjo po ndodh jo vetëm në skenën e Teatrit Kombëtar, por dhe në teatrot e tjerë. Për mua si autor dhe regjisor duhet që si drama shqipe dhe ajo e huaj të kultivohen paralelisht. Drama e huaj në skenë, por duhet t’i bëjmë vend dramës shqipe, sepse nëse s’e bëjmë këtë, kur do të rritet ajo? Nuk duhet të harrojmë se drama apo komedia shqiptare ka avantazhin se trajton problemet e vendit tonë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Njerëzit kanë nevojë të shikojnë veten e tyre në këto vepra ndaj duhet të ndihmohet dhe stimulohet drama shqipe.

-Dramaturgët kërkojnë një festival për dramën kombëtare me organizimin nga Ministria e Kulturës. Ju si mendoni?

I bashkohem këtij mendimi. Kjo do të ishte një stimul shumë i rëndësishëm për autorët shqiptarë. Nuk e di nëse kanë tentuar apo jo ta mendojnë këtë gjë teatrot, por duhet që të jetë në vëmendjen e një organizimi që të ketë dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

-Sa po mbështeten autorët sot për dramën shqipe?

Unë di që në teatrin “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës, drejtoresha Zamira Kita kur kemi biseduar më ka treguar që ka një buxhet për një festival të përvitshëm që quhet “Kokofest”, një festival për komedinë që bën bashkë trupa të ndryshme teatrore. Ndaj dhe për të vënë veprat në skenë më kanë thënë që kanë një fond të veçantë. Po flas për dramën shqipe duke kërkuar që Ministria e Kulturës të ndajë një buxhet të veçantë për dramën shqipe, që të jetë në skena të teatrove, të jetë vetëm për pjesët shqiptare në teatrot e qyteteve të ndryshme. Pra siç po ndodh në Korçë që ka një buxhet të veçantë për festivalin, ata kanë dhe një x buxhet tjetër që stimulojnë veprat për të qenë në skenë. Teatrot dikur kanë qenë në varësi të ministrisë dhe besoj që ajo e njeh më mirë se sa në qytete krijimtarinë e autorëve dhe duhet ti mbështesë më mirë. Pra konkurs për dramën shqipe, një festival për dramën shqipe, fond të veçantë për dramën shqipe që të jetë në skena nga Ministria e Kulturës. Dramat që do të fitojnë nga konkursi të vendosen në skena të teatrit.

-Shfaqjet e komedisë shkruar dhe vënë në skenë nga ju janë të njohura për publikun dhe vlerësimet e shumta. Po aq i angazhuar keni qenë ndër vite dhe me Estradën. Sot çfarë humori kemi?

Më vjen keq, sepse shikoj që sot humorit i mungon serioziteti. Me këtë kuptojmë mesazh. Bëhet pak si humor për humor sot. Madje kam përshtypjen se mos ka kaluar pak dhe në kufijtë e një banaliteti. Kjo nuk është e bukur në humor. Ideja ime është që materialet e humorit duhet të kenë një mesazh.

-Estradat sot në qytete kanë mbetur vetëm në kujtime...

Keqardhje të madhe për këtë. Kemi Estradën e Durrësit që para dy vitesh doli në pension dhe aktori më i fundit Muharrem Hoxha. Unë isha i angazhuar aty part time, por kur doli dhe ai aktor në pension iu thashë as unë nuk kam pse të rri. Kur ishte aktori Muharrem Hoxha dhe një tjetër merrnim dhe ndonjë aktor nga teatri dhe bënin ndonjë shfaqje, por kjo nuk është jeta normale e një varieteje. Varieteje është një gjini shumë popullore e dashur që e duan njerëzit. U shkrinë estradat në rrethe, sepse asnjë nga bashkitë nuk pati interes ti mbante. Nuk e di se si janë sot në Vlorë më duket se tre prej aktorëve po mundohen të mbajnë gjallë estradën. Tani janë shkrirë trupat dhe ato pak aktorë të estradës që mbetën janë bërë me trupat e teatrit, por kjo nuk shkon. Ka një specifikë aktori i estradës. Mendoj se duhet ta ringjallim varietenë, sepse është një gjini shumë popullore.

-Në aktivitetin tuaj ju nuk keni munguar dhe si autor tekstesh me këngën ndër vite në festivale. Tekstet e këngëve sot për ju?

Unë nuk e di se çfarë tekstesh këngësh po bëjnë sot, por ka dhe një pjesë që janë këngë të bukura. Në tërësi është rendur pas një muzikë dhe tekste që e përsërisin 7 herë një fjalë dhe se kuptoj. Mbase jam unë pas me moshën që kam, por nuk ma merr mendja që një tekst i tillë të quhet i bukur në këngë. Kemi këngëtarët e mirë dhe kompozitorë të mirë, që sjellin një pjesë këngësh që janë të bukura, por pjesa dërrmuese lë për të dëshiruar. Janë më tepër këngë komerciale pa vlerat, që duhet të ketë një tekst dhe muzika. Mua kjo pjesë që sot është dërrmuese nuk më pëlqen dhe nuk e di se si e justifikojnë këtë ata që i bëjnë këto këngë.

-Për ju sa vlerësohet artisti shqiptar sot?

Ka shumë pak vlerësim artisti sot. Teatri dhe arti në përgjithësi është i harruar dhe duhet të ndihmohet patjetër nga politikat shtetërore. Unë e kuptoj momentin që po kalon vendi ynë me probleme dhe vështirësitë veta, por jo ta lanë kaq në harresë artin. Unë jam pensionist sot, por ama më vjen keq që e shikoj sa pak ndihmohen artistët dhe arti.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2017 - 07:53

Specialistë të trashëgimisë kulturore pohojnë se Ministria e Kulturës kryen ndërhyrje minimale te monumentet dhe miraton dhe leje që janë në shkelje me ligjin.

Postuar: 19/11/2017 - 08:01

Gjashtë dekada Ansambli Kombëtar u shënuan përmes koncertit në skenën e Teatrit Kombëtar.

Postuar: 19/11/2017 - 07:20

Ballkani ka një nivel shumë të lartë të basketbollit, që është dhe një nga më të zhvilluarit në botë.

Postuar: 17/11/2017 - 07:49

Jeta artistike për artistët ka probleme, buxhetet e pakta apo dhe dispozitat ligjore po kundërshtohen për artistët.

Postuar: 16/11/2017 - 07:36

Ministria e Kulturës duhet të konsiderojë grupimet e piktorëve dhe të ketë një plan ndihme e inkurajimi pohojnë artistët.

Postuar: 12/11/2017 - 07:57

Pagat dhe buxhetet e teatrit vijojnë të jenë problem për artistët.

Postuar: 10/11/2017 - 07:37

Shkrimtarët shqiptarë nuk vlerëson dhe nuk kujtohen nga Ministria e Kulturës.