Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Luan Përzhita: Copëzimi i institucioneve shkatërrues për trashëgiminë kulturore, Instituti i Arkeologjisë merr fond vetëm për rrogat

Luan Përzhita: Copëzimi i institucioneve shkatërrues për trashëgiminë kulturore, Instituti i Arkeologjisë merr fond vetëm për rrogat

Postuar: 21/05/2015 - 08:23

Në Tiranë ka nisur punimet Konferenca e VI Ndërkombëtare “Iliria e Jugut dhe Epiri në Antikitet”. Edicioni i parë i saj është organizuar në vitin 1984 në Clermont-Ferrand, ndërsa i fundit u zhvillua në Grenoble, në tetor të vitit 2008. Në çdo gjashtë vjet kjo konferencë mundëson mbledhjen e gjithë komunitetit shkencor që punon në Ballkan nga periudha pre- dhe protohistorike deri në periudhën mesjetare bizantine.
 
Qëllimi i konferencës së organizuar nga Instituti i Arkeologjisë, pranë QSA dhe Qendra Shkencore Hisoma, pranë Universitetit Lyon 2, France është i dyfishtë. Ajo zhvillohet së pari për të bërë të njohur dhe për të ndarë zbulimet më të fundit në fushën e arkeologjisë, dhe objektivi i dytë është që të paraqesë përmbledhje historike në një fushë të caktuar. Konferenca ka mbledhur në Tiranë rreth 100 studiues nga 19 vende dhe drejtori i Instituti të Arkeologjisë shqiptare prof. dr. Luan Përzhita, e vlerëson jo pak qëllimin e konferencës. Por kjo konferencë ndërkombëtare e gjen arkeologjinë shqiptare me shumë probleme. Në intervistën dhënë për gazetën, drejtori Luan Përzhita flet për jo pak probleme mes institucioneve, që duhet të merren me trashëgiminë arkeologjike, mungesë fondesh për ekspedita, etj. Drejtori i IA, prof. dr. Përzhita thekson se sot edhe ajo që u pohua reformë nga Ministria e Kulturës është vetëm një ndryshim numrash.
 
Konferenca e VI Ndërkombëtare “Iliria e Jugut dhe Epiri në Antikitet”, po zhvillohet në Tiranë, por për ju çfarë do të sjellë kjo konferencë?
 
Janë prezent rreth 100 studiues të huaj, që kanë ardhur nga Europa dhe përtej detit, tema e diskutimeve të kumtesave lidhet me Ilirinë e Jugut dhe Epirin. Është konferenca e gjashtë ndërkombëtare që zhvillohet, por është hera e parë që zhvillohet në Tiranë. Jo rastësisht në Tiranë, sepse territori kryesor ku bëhen hulumtime për ilirët dhe Epirin, natyrisht që është dhe Shqipëria përveç vendeve të tjera që shtrihen në territorin e Mesdheut. Gjithë ky kërkim që bëhet gjatë viteve 2009-2014 do të reflektohet gjatë këtyre ditëve, por do të prezantohen dhe problematika që lidhen me arkeologjinë. Pavarësisht se kjo konferencë ka numrin saj të gjashtë, ne kemi qenë prezent që në vitin 1984 më profesorët tanë të nderuar.
 
Çfarë mund të na thoni mbi problemet rreth asaj që quhet muzealiteti i aseteve arkeologjike dhe nevojave kulturore për ti parë ndryshe dhe për t’u trajtuar pak më ndryshe, edhe në aspektin e zhvillimit të zonave ku këto site arkeologjike janë?
 
Në fakt falë kërkimeve arkeologjike, ne tashmë kemi në rezervat tona objekte shumë të rëndësishme, pothuajse unikale, që mund ti shërbejnë mjaft mirë pasurimit të eksponateve në muze të ndryshëm në Shqipëri. Për këtë ne jemi menduar dhe kemi përgatitur dhe një plan ku do të përcaktojmë hap pas hapi gjithë zhvillimin se si do të bashkëpunojmë dhe me institucione të tjera, respektivisht dhe me Ministrinë e Kulturës, për të krijuar atë që quhet rrjeti i muzeologjisë në sitet arkeologjike shqiptare. Është fjala për ato site si Bylis, Foiniken, Dimalin, Lezhën, Shkodrën, që ashtu si dhe në shumë site të tjera arkeologjike në territorin e Mesdheut, të kenë dhe ata muzeun e tyre, që lidhet me atë që quhet kultura materiale. Por nuk është vetëm kjo, së fundi ne kemi prurë një rrjet që është rrejti i gjithë vendeve të Adriatikut, ndërmjet Shqipërisë, Italisë, Kroacisë dhe Greqisë për dixhitalizimin dhe një shikim të ri të muzeologjisë në këto vende. Natyrisht që kjo është një nismë e shtetit italian, që po fillojmë të krijojmë projekte për secilin vend, që ti paraqesim më pas dhe për investime në unionin evropian. Mendoj që për këtë jemi në rrugën e duhur. 
 
Sa objekte arkeologjike numëron Instituti i Arkeologjisë?
 
Ne me Institutin e Arkeologjisë numërojmë rreth 70 mijë objekte arkeologjike, deri tani të ekspozuara janë diku te 10 mijë, pra kemi dhe 60 mijë të tjera të paekspozuara, që kërkojnë në planifikimin e tyre një strategji të përfshirjes së gjithë këtyre objekteve. 
 
Sa bëhet punë shkencore në Shqipëri, sa gërmime arkeologjike bëhen?
 
Kërkimi shkencor në Shqipëri ka disa drejtime, ai bazë është kërkimi tradicional, që ne gërmojmë në ato qendra tradicionale të Shqipërisë, si Durrësi, Apollonia, Shkodra, etj, paralel me këtë kemi dhe kërkime të tjera, që bëhen në kuadrin e projekteve që ne i quajmë ekspedita përnjohëse, që kanë të bëjnë me vjeljen në terren të atyre të dhënave arkeologjike të siteve antike në mënyrë që të shohim nëse ia vlen që ne të fillojmë të bëjmë kërkime arkeologjike apo vetëm shënohen në hartë si asete për tu mbrojtur gjatë punimeve të ndryshme. Një drejtim tjetër ka të bëjë me shkollën doktorale, që bëjnë dhe kërkime me qendra të ndryshme. Ne si institucion kërkimor planifikojmë 31 projekte në vit, sa i takon konservimeve ne përpiqemi që së bashku me kolegët tanë që vijnë nga universitete si Franca, Italia, etj, që brenda kuadrit tonë krahas kërkimeve dhe gërmimeve ne të bëjmë dhe konservimin e siteve që ai të ketë një pamje sa më estetike dhe për zhvillimin turistik. 
 
Ju keni pohuar se keni dorëzuar 31 projekte në Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë në Ministrinë e Kulturës, a janë miratuar ato projektet që ju i keni çuar këtë vit si institut për të vijuar gërmimet?
 
Jemi në proces ende diskutimi, nuk ka ende një vendim. Ne, projektet tona i kemi dorëzuar që më 5 shkurt të 2015 dhe jemi në maj dhe nuk kemi asnjë përgjigje.
 
Sa shqetësuese janë për ju sot problemet mes institucioneve, pushteti lokal apo ai qendror në punën tuaj?
 
Arkeologjia ka shumë probleme në lidhje me ecurinë dhe punën kërkimore, që bëjmë në teren por dhe punën studimore në fonde të ndryshme. Ligji i 2007 Institutit të Arkeologjisë ia hoqi muzeumet dhe ia kaloi Ministrisë së Kulturës për menaxhim, dhe sot muzetë arkeologjikë janë në varësi të MK apo DRKK në site të ndryshme arkeologjike. Po ashtu u krijua dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, një institucion në gërmime shpëtimi, sondazhe dhe mbikëqyrje, e ushtron veprimtarinë e saj kryesisht në terren për të ofruar shërbime të cilat janë atribut i saj, ndërsa Instituti i Arkeologjisë ka për detyrë kërkimin shkencor dhe publikimin e tyre. Problemi i parë, mungesa e financimit. Institutit i Arkeologjisë nuk ka financa të mjaftueshme, që të realizojë pikësynimet për të cilat vepron. Neve na mungon buxheti, ne kemi vetëm një buxhet të limituar që lidhet me marrjen në punë të disa punëtorëve sezonalë të pakualifikuar dhe nuk kemi buxhet mbështetës për arkeologët dhe studentë të ndryshëm, të cilët e kanë për detyrim ligjor që të bëjnë praktikën në kërkimin shkencor të arkeologjisë, pra ata që i janë dedikuar. Shumica e ekspeditave që ne marrim, janë si rezultat vetëm në bashkëpunim me universitet e huaja, të cilat kanë një lloj partneriteti me IA. Ky është një problem, sepse të zbeh mundësinë e një pune të pavarur dhe të kufizon në publikimin e rezultateve. Tjetër problem, është se mungesa e financimeve të shmang edhe nga disa orientime bazë, që kanë të bëjnë me kërkimet në ato fusha, ku bashkëpunimet tona nuk i mbulojnë bashkëpunimet me të huajt, pra ne jemi të zbuluar në lidhje me tematikën që arkeologët kërkojnë të bëjnë. Përshembull mund të jenë kërkime që kanë të bëjnë me materiale në fushën e studimit materialo arkeologjik, qoftë në Shqipëri apo jashtë shtetit, apo dhe kërkime që kanë të bëjë me ilirët dhe arbrit. Janë dy gjëra, që në mungesë të fondeve nuk ecim më tej. 
 
Ndarja e institucioneve për ju është problem, por vetë Institutin e Arkeologjisë si e shikoni sot?
 
Ne tashmë jemi institucion, që jemi brenda QSA që deri tani ka qenë në varësi të Ministrisë së Arsimit, por me ligjin e ri ne nuk jemi tek MAS dhe nuk e dimë se si do bëhet. Na kanë thënë që mund të bëhet një ligj i ri për kërkimin shkencor. Nga ana tjetër ky copëzim nuk sjell asgjë të mirë, është baraz me copëzimin e përgjegjësive. Nëse do shkojmë në një muze arkeologjik, që është në varësi të Institutit të Ministrisë së Kulturës ose Ministrisë së Kulturës, ata nuk kanë varësi të fondeve arkeologjike që ka IA ose të siteve apo gërmimeve arkeologjike. Kjo reformë u bë dhe unë nuk e di arsyen se si u bë. Unë do të mendoja që ka ardhur momenti që njerëzit të ulen dhe të mendojnë për këtë problem. Kjo Shqipëria jonë kaq e vogël të mos copëzohet kaq shumë në trashëgiminë kulturore, duhet të jetë tepër e unifikuar dhe të dihet se kush është përgjegjësi drejtpërdrejt i gjithë kësaj që ndodh. Jo diku një muze, diku një DRKK, diku një ASHA. Ky copëzim është tepër shkatërrues sa i takon trashëgimisë kulturore. Përshembull kush i ruan sitet arkeologjike në rajone të ndryshme të Shqipërisë? Normalisht këtë e ka të drejtë ta bëjë Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare e caktuar për këtë. Por një DRKK me kaq pak njerëz sa ka në varësi, si mund ta ruajë një territor kaq të gjerë? Pra ne duhet të mendojmë për atë që quhet mbulim territori. Shqipërisë i mungon një hartë dixhitale e siteve arkeologjike, askush deri tani nuk është interesuar ta bëjë, por e ka dhe Kosova dhe ne jo. 
 
Folët për reformën nga Ministria e Kulturës e cila solli dhe reduktim të DRKK nga 9 u bënë 6, sipas jush sa e ka përmirësuar situatën?
 
Mendoj që ne nuk kemi nevojë shumë për emrin reformë, kjo që u bë nga Ministria e Kulturës nuk është reformë, është një ndryshim që u bë. Të bësh reformë është tjetër gjë, kjo është ndryshim numrash, reformë do të thotë të bësh tjetër gjë. Reformë do të thotë, që gjithçka të jetë e mbrojtur, gjithçka ti nënshtrohet ligjshmërisë që duhet, gjithçka të ketë një vend ku të jepet llogari. Ju thashë që ky copëzim institucionesh nuk i shërben askujt. DRKK duhet të jenë në IMK, specialistët të jenë pjesë e DRKK, nuk duhet të vuajë asnjë drejtori rajonale sot për specialistë apo për njerëz, që duhet të mbrojnë sitet arkeologjike.
 
Ju folët mbi disa probleme, por sa është buxheti për IA?
 
Ne marrim vetëm rrogat, për projekte arkeologjike ne nuk kemi buxhet nga shteti, me përjashtim të një fondi të vogël që ju thashë lidhet me punonjës sezonalë, që ne i marrim gjatë kohës që dalim në terren për pastrime, etj.
 
Intervistoi: Julia Vrapi
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/06/2019 - 13:00

Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek përplasjet e fundit mes Qeverisë dhe Presidencës, zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ecurinë e reformës n

Postuar: 25/06/2019 - 07:25

 Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” gjatë këtij sezoni artistik k

Postuar: 25/06/2019 - 07:15

Futbolli shqiptar po përjeton një moment transformues si në kampionatin kombëtar, ashtu dhe në ni

Postuar: 20/06/2019 - 09:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se reforma në drejtësi në Shqipëri do të bëhet sipas modelit r

Postuar: 20/06/2019 - 08:55

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka komentuar aktualitetin politik, duke e ndalur

Postuar: 20/06/2019 - 07:37

Piktori Rakip Shabani shprehet se në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk gjen artistët shqiptarë, nd

Postuar: 18/06/2019 - 07:34

Teatri i Operës dhe Baletit është një nga institucionet e rëndësishme të artit dhe kulturës në ve