Intervista

Pandeli Koçi: Mundësitë për botimin e librave sot janë zero, nuk ka ndihmë për autorët

Pandeli Koçi: Mundësitë për botimin e librave sot

Në krijimtarinë letrare autori Pandeli Koçi është një emër i vlerësuar dhe i njohur për librat e tij ndër vite. Edhe këto ditë të muajit të parë të këtij viti ai tregon se po punon për një libër të ri, por këtë herë do të jetë një vëllim me poezi. Por në intervistën për “SOT”, shkrimtari pohon se vështirësitë për botime janë të shumta për shkrimtarët. Ai tregon se librat ka raste që mbeten dhe në sirtar, sepse nuk gjenden dot sponsorë për të botuar. Por kur flasim për institucionet që duhet të ndihmojnë autorët, shkrimtari pohon se ky është një problem që kërkon angazhimin e të gjithë atyre që merren me librin dhe botimin e tij. Problem për autorin është sot dhe fakti që në Bibliotekën Kombëtare nuk ka më emra të shkencës si dikur, ndërsa pohon se duhet të bëhen dhe ndryshime, që janë të domosdoshme. Pandeli Koçi shkrimtar, (emri letrar Sazan Goliku) ka lindur në Vlorë më 1942 dhe ka kryer Fakultetin Histori - Filologji në Tiranë, pas të cilit ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1981 - 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Ka botuar 12 libra për të rritur dhe 31 libra për fëmijë. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë. Nga viti 1960 dhe në vazhdim ka botuar studime, kritika e recensione letrare në organe të shtypit letrar në Tiranë, Prishtinë e Shkup.

-Në krijimtarinë letrare, me çfarë po merreni këto kohë?

Unë kam shkruar libra, që janë botuar gjatë këtyre viteve, por kam dhjetë vjet që unë po punoj për një libër me poezi. Unë shkruaj vazhdimisht, por libri që ka dhjetë vite që e ripunoj, mendoj që këtë vit ta botoj. Titullin e ka “Gjysmëdielli”, që është dhe titulli i një poezie. Ka një nëntekst, që përfshin gjithë gjendjen kaotike të këtyre viteve të fundit, dhe të tëra janë refleksione, nga kjo botë që po e përjetojmë. Pra në poezitë e mia motivet dhe tematika është sa vetjake aq dhe shpirtërore. Pra kemi të bëjmë me refleksione të ndryshme të botës gjatë këtyre viteve, por dhe nga e kaluara. Janë pesë cikle, që ndahen poezitë. Librin do t’ia jap për recesion miqve dhe shokëve të mi. Disa poezi janë botuar gjatë këtyre dhjetë viteve, por kanë në këtë libër edhe përpunime, si dhe do ketë edhe seleksionime të tjera.

-Sa e vështirë është sot botimi i një libri?

Mundësia është pothuajse zero për ta botuar nga shtëpitë botuese një vëllim poetik të një autori. Zakonisht këto botohen me paratë e autorit, ose me ndonjë sponsorizim që mund t’i bëjë dikush. Në kushtet që ne jemi sot, si autorë të krijimtarisë letrare është e vështirë botimi i një libri. Por kjo mund të jetë përjashtim për ndonjë autor si Kadare, apo ndonjë emër tjetër të letërsisë, që botuesi e ka siguruar fitimin dhe ai mund ta botojë, ndërsa pjesa tjetër e autoreve shqiptarë duhet të gjejnë sponsorë ose me paratë e tyre. Edhe mua ky libër me poezi mund të më mbetet në sirtar nëse nuk do të kem dot mundësi ta botoj. Por për problemet sot nuk mund t’i vëmë përgjegjësinë vetëm Ministrisë së Kulturës, por të tërë atyre institucioneve që kanë përgjegjësi, sepse gjërat vijnë zinxhir. Nëse ata nuk interesohen për librin dhe autorin kjo tregon, që nuk po luajnë rolin kryesor për librin. Problemi qëndron se kush e bën këtë seleksionim të autorëve nga Ministria e Kulturës? Sa të hapur janë ata në ministri, sa transparentë janë, apo mbahen vetëm tek disa emra.

-Më parë jeni shprehur se që nga viti 1969 vini në Bibliotekën Kombëtare. Çfarë përfaqëson për ju ky institucion?

Biblioteka Kombëtare për mua është banka e mendimit shqiptar.

-Si e shikoni sot këtë institucion?

Biblioteka ka edhe probleme, që e kanë shoqëruar këtë institucion ndër vite. Në këtë bibliotekë kanë studiuar kokat e kulturës shqiptare, të shkencës shqiptare. Ajo ka shërbyer pavarësisht kufizimeve, që mund të ketë pasur në libra të caktuar në vitet para ’90, por biblioteka ka vazhduar. Por është vënë para disa kohësh një rregull, që librat nuk jepen më për lexuesit jashtë Bibliotekës Kombëtare. Librat duhet ti lexosh vetëm aty brenda. Në kohën kur në kushtet, që në bibliotekë salla poshtë është vetëm për shtypin, salla shkencore lart është edhe për studentët dhe nuk ka njeri ku ulet. Nuk ka mundësi të ulesh të lexosh për diçka, që ke marrë nga arkivi apo shtypi i kaluar, sepse nëse arrin pak më vonë duhet të ngresh një student nga tryeza ose kur shkon mund të jenë zënë të gjitha vendet. Pra të mbetet koleksioni i madh në duar dhe ti nuk di se ku të ulesh. Mbeten në një pozitë të vështirë edhe punonjëset e sallës. Për mua ky problem duhet të rregullohet. Nga një anë ne ankohemi që kemi libra dhe nuk kemi ku i vëmë, por nga ana tjetër nuk japim libra jashtë. Në të gjithë bibliotekat e botës jepen libra, që merren dhe në shtëpi, por tek ne nuk jepet, sepse është një rregull i vënë që para 2 vitesh.

-Ju çfarë kërkoni që të bëhet për këtë problem?

Mendoj që edhe nga Ministria e Kulturës duhet parë ky problem, të hiqet ky urdhër që libri të qarkullojë te lexuesit. Natyrisht unë e kuptoj, që nuk jepen libra të arkivit dhe studiohen aty dhe kjo është normale. Por kur janë pesë kopje dhe ti kërkon librin të thonë që nuk është? Po janë pesë kopje? Nëse ka pasur problem nga djegia, që ra në këtë institucion kjo mbetet ende një mister. Bilanci pas zjarrit, që doli ish drejtoresha e bibliotekës dhe foli mes të tjera tha që vetëm dy rafte janë djegur, por janë libra pas viteve ’90. Pas 7 muajsh doli në shtyp një listë me koleksione, që janë djegur, libra që janë djegur dhe më pas ra përmbytja në atë institucion. Ky ka qenë një tjetër problem. Nuk u mor vesh se çfarë ndodhi. Pasdite drejtoresha tha që 99 për qind e librave janë tharë. Por po u lag libri, ai nuk është më me vlerë. Më pas u tha që librat e fondit kanë ikur te një depo te Rrapi i Treshit. Por tani që në krye të këtij institucioni është drejtori i ri Piro Misha, një njeri me kulturë të gjerë, njeri i librit duke filluar që nga vitet ’70 që ka punuar si redaktor dhe përthyes, një njeri i librave, mendoj që mund të ndikojë që libri të jepet jashtë për lexuesit. Sallat në bibliotekë të rishikohen, ku mund të jenë studentët, studiuesit, etj. Mos harrojmë që në Bibliotekën Kombëtare kanë studiuar Eqerem Çabej, Mahir Domi, Aleks Buda, Nasho Jorgaqi, etj, që kanë qenë shkrimtarë dhe studiuesit tanë më të shquar. Por sot nuk i shikon më këta njerëz në bibliotekë. Nuk shikon më sot njerëz të shkencës në Bibliotekën Kombëtare, mendoj që nuk vijnë më në bibliotekë. 80 për qind në sallën shkencore janë vetëm studentë dhe shumë mirë që ata vijnë, por nuk shikojmë më sot emra të shkencës. Unë e shikoj drejtorin e ri Piro Misha si njeriun, që mund të ndryshojë shumë gjëra në këtë institucion.

-Ju jeni shprehur më parë me kritika, që nga institucionet nuk ka aktivitete për figura të njohura të letërsisë në vend. Çfarë ka ndryshuar?

Është fat, që ne kemi Bibliotekën Kombëtare, që në data përkujtimore bëhen aktivitete për këta autorë, ndërsa institucionet e tjera si Ministria e Kulturës, varet nga programet që kanë. Por nuk kemi ende programe për figurat e letërsisë. Uroj që të bëhen edhe pse është një vit i shtrënguar nga ana financiare në vend. Por ai buxhet, që do të jetë për kulturën dhe letërsinë në ministri të ndahet dhe për këto programe për figurat e letërsisë në vend.

-Që nga viti 1969 e disa vite me radhë, ju keni qenë dhe redaktor. Pse ju jeni shprehur dikur, që vazhdon një agresion kundër gjuhës shqipe?

Problem për mua është, që vazhdon një agresion kundër gjuhës shqipe. Në radhë të parë përmes një fjalori të fjalës, që fillojnë që nga krerët e shtetit e deri tek gazetari më i thjeshtë, që përdorin fjalë të huaja. Ne kemi fjalën shëtitore, por i themi pedonale. Ne kemi buzëdetëse, i themi lungomare. Kemi në shqip fjalën kryetar, i themi lider. Pse duhet të përdorim këtë? Apo sepse është në anglisht, për të treguar që jemi bashkëkohorë. Ky quhet snobizëm, që ka brenda kompleksin e inferioritetit. Ne kemi Akademinë e Shkencave dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, që kjo e dyta përfshin dhe Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë, që besoj ata kanë bërë botime për gjuhën, kanë programe që sensibilizojnë. Kanë qenë dhe do të jenë ata, që do të hartojnë projektligjin për gjuhën, ata do të propozojnë, ata janë studiuesit shkencorë. Por tek ne quhet gjuhëtar dhe një ka mbaruar për veterinari dhe bën dy faqe gazetë për gjuhën shqipe, që nga pellazgët e deri në ditët e sotme. Sot përballemi me një agresion kundër gjuhës shqipe, që vjen nga përdorimi i fjalëve të huaja pa kriter, por dhe nga ndërtimet morfologjike dhe sintaksore.

-Si autor për krijimtarinë në letërsinë për fëmijë çfarë shpresoni, që të ndryshojë në ndihmë të autorëve?

Vitin e kaluar nga Ministria e Kulturës u hap një fond për këtë krijimtari, që iu kërkonte shtëpive botuese, që ata të çojnë librat në ministri, jo autorët. Autorët duhet ti çonin te botuesi. Pra të kapësh veshin e djathtë me dorën e majtë i bie. Kur nuk ishte që autori librin e pabotuar t’ia paraqiste ministrisë si dikur, dhe ata me bordin e jurinë e tyre do të vlerësonin. Pse duhej të kalonte kjo për mes një shtëpie botuese? Këtu kemi një jo mençuri. Kjo e kufizoi shumë, sepse shtëpia botuese mbase nuk do që t’ia çojë librin. Më pas problemi tjetër janë juritë, që zgjidhen. Unë kam pyetu gjithmonë, Ministria e Kulturës kë zgjedh për juri, që bën vlerësimin e krijimtarisë? Juria duhet të jetë me personalitete të fushës.

Më të lexuarat