Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shyqyri Rreli: Ëndrra ime u realizua, por sporti ynë ka nevojë për strategji kombëtare

  Shyqyri Rreli: Ëndrra ime u realizua, por sporti ynë ka nevojë për strategji kombëtare

Postuar: 13/10/2015 - 08:39

Suksesi i skuadrës kombëtare në eliminatoret e “Euro-2016” ka prekur fort edhe ndjenjat e ish-lojtarëve e ish-teknikëve të skuadrës kombëtare, të cilët për vite me radhë e kanë dëshiruar këtë arritje, madje duke dhënë edhe kontributin e tyre të rëndësishëm në këtë vazhdimësi shprese e sakrifice për pjesëmarrje të futbollit tonë në një event madhor të futbollit kontinental. Duke folur për këto arritje, ish-trajneri i përfaqësueses, Shyqyri Rreli, ndau me ne emocionet e tij dhe bëri një përshkrim të sakrificës së shumë njerëzve për të arritur deri në këtë ditë, duke e quajtur një ëndërr personale të realizuar. Megjithëse drejtoi ekipin në një periudhë të vështirë, ku vendimet dhe formacionin e përcaktonin shpesh njerëz të korridoreve të Komitetit Qendror, ai dha një kontribut të çmuar për kohën dhe sportdashësit e asaj kohe mbajnë të freskët në kujtesën e tyre emocionet e mëdha që përcolli Kombëtarja e Rrelit, e cila ishte vetëm një pikë larg historisë. Pas tre dekadash, ëndrra e Rrelit bëhet realitet, pasi përfaqësuesja kualifikohet për herë të parë në Europian, një arritje e futbollit shqiptar.
 
Jeni tekniku që mbaheni mend për shumë vite si ai që ishit më afër me një aktivitet madhor (Botërori 1986), që nuk e arritët për pak. Tashmë ndodh një pjesëmarrje e rëndësishme në Europian. Si ndiheni pas këtij suksesi?
 
Pas humbjes me Serbinë në Elbasan nuk e mohoj që ndjemë trishtim, ishte ai makthi i minutave të fundit ku ndëshkohemi vazhdimisht, por fitorja me Armeninë na ktheu gjallërinë, na ktheu entuziazmin dhe këtë atmosferë të bukur. Suksesi i ekipit kombëtar në këto eliminatore është i rëndësishëm dhe është njëherazi edhe për të gjithë brezat që luftuan dhe u përpoqën për këtë objektiv. Ky sukses ishte konkretizim i mundit të shumë njerëzve, të cilët e kanë dashur këtë status të futbollit të ekipit përfaqësues. Unë kam drejtuar dy herë ekipin kombëtar dhe e di vështirësinë e këtyre ndeshjeve, por edhe të menaxhimit të grupit. Ka vështirësitë e veta kjo punë, nuk është e lehtë. Por suksesi ishte i rëndësishëm, i merituar dhe unë i përgëzoj lojtarët për këtë arritje.
 
Ka festë gjithandej, megjithëse mund të ishte më emocionale nëse fitonim me serbët në Elbasan. A nuk është kështu?
 
Në ndeshjen me Serbinë skuadra nuk luajti keq dhe këtë mund ta argumentojmë edhe me faktin e Serbia si ekip ka lojtarë të mirë, që janë të njohur. Por ekipi ynë nuk e uli veten, luajti si i barabartë dhe me përkushtim për ta fituar takimin. Gjatë kësaj kohe më kanë pyetur shumë vetë si është e mundur që humbi. Unë mendoj se në atë ndeshje ne duhet të luanim me zgjuarsi. Këto humbjet në minutat e fundit nuk janë të mira, kanë ndodhur dhe në kohën time, pra nuk është hera e parë. Kjo ndodh ngaqë ne shqiptarët fryhemi një çikë, kënaqemi para kohe dhe kjo kushton shumë përballë skuadrave që kanë profesionalizëm. Barazimi do të ishte rezultat shumë i mirë në aspektin sportiv, kurse politikisht është çështje tjetër. Pra ishte një gabim i minutave të fundit, një shthurje, gjë që s’duhet të ndodhë me ekipet që kanë pretendime. Kur u mor vesh që Portugalia po fitonte, duhej që ekipi të tërhiqej. Kam marrë vesh që këtë urdhër trajneri e ka dhënë, por nuk e ka zbatuar kapiteni. Madje Cana e mori vetë përgjegjësinë për këtë. Megjithatë, kjo iku tashmë dhe rëndësi ka fitorja që erdhi me Armeninë. Dhe fitorja na dha të drejtën e kualifikimit historik.
 
Kjo fitorja e fundit sikur po zbehet. Dua të them ka fjalë...
 
Po, ju kuptoj, aludohet për allishverishe. Mund të ndodhë, sepse këto gjëra i bëjnë edhe të mëdhatë. Por ne duhet të arsyetojmë sipas logjikës së ndeshjes. Armenia u fut në këtë takim pa motiv. Skuadra jonë kishte motivim të madh sepse i duhej fitorja, kurse ata të gjendur në fund dhe pa objektiva. Presioni i tanëve i detyroi të shënojnë autogol. Një gol i tillë nuk është dobësi e skuadrës që mbrohet, por meritë e skuadrës që sulmon. Ishte pra meritë e përfaqësueses tonë.
 
Skuadra nuk ka yje në gjirin e saj, madje në kohën që keni drejtuar ju ka pasur shumë talente, tjetër gjë që bënit pak ndeshje ndërkombëtare. Si ia ka dalë de Biazi me këtë grup?
 
Që të bëjmë një krahasim vulgar, kështu..., ky merr ata “gjela” që ka tregu. Ka seleksionuar 50 e kusur lojtarë. Pra ka pasur fushë veprimi dhe kjo nuk është pak, është diçka thelbësore. Trajneri nuk prodhon lojtarë, nuk ka meritë për këtë. Trajneri ka meritë për zgjedhjen e lojtarëve dhe në këtë drejtim e ka bërë punën mirë. Për këtë kualifikim, unë jam gëzuar më shumë se sa të isha vetë trajner. Mos harrojmë se sa presion dhe përgjegjësi ka trajneri, sidomos kur lëviz me formacionin. Kur humb ekipi fajin e merr trajneri, kurse kur fiton meritën e kanë lojtarët. Kjo duket fort e padrejtë, por kështu thuhet e perceptohet. Sa i takon faktit që është trajner i huaj, mund të them se bota kështu operon tani. Anglia, psh., që ka shkollë të njohur futbolli, vendos shpesh teknikë të huaj në krye të kombëtares së saj. Nuk ka asnjë të keqe, ky është një proces shumë normal që sjell eksperienca të reja dhe suksese. Që të kthehem tek suksesi i ekipit, dua të shtoj se kjo është një arritje e madhe për futbollin tonë dhe këtu ka meritë federata dhe stafi i saj, skuadra e stafi teknik. Të gjithë meritojnë lëvdata për punën e mirë që kanë bërë. Këtë përgëzim e bëj edhe në emër të brezave, të cilët e kanë ëndërruar këtë moment. Janë kohëra më të mira tani për të operuar, kurse ne patëm vështirësi. Nuk e harroj kurrë që më hoqën dy lojtarë të formacionit me urdhër të Komitetit Qendror, në një kohë që ne për një pikë shkonim në “Meksikë 1986”. Ishte njëlloj sikur orkestrës simfonike t’i heqësh violinën e parë e të fusësh në vend të saj daullen. Çfarë tmerri!
 
Krahas suksesit ka dhe një problem. Ju e dini, Kosova po lufton fort dhe është shumë pranë anëtarësimit në UEFA e FIFA. Këta që luajnë sot me Kombëtaren tonë do të mbeten, por të tjerë të talentuar logjikisht do të zgjedhin Kosovën. Çmendim keni për këtë?
 
Më së pari unë dua të përgëzoj djemtë e Kosovës për këtë sukses të madh të ekipit përfaqësues, për kontributin e tyre real e të çmuar. Ata janë sot 80% e ekipit kombëtar. Pra, gëzuar edhe vetë Kosovës për suksesin! Duhet të jetë krenare për djemtë e saj, sepse po japin kontribut të çmuar në ekipin tonë përfaqësues, por edhe në Kategorinë Superiore. Dallime nuk duhet të ketë, bashkimi bën fuqinë dhe është ai që jep sukses.
 
Megjithatë punohet pak me moshat, shumë pak, dhe kjo është dëshpëruese....
 
Po, është problematike dhe kjo kërkon përkushtim të madh, kërkon studime, kërkon strategji. Bujqësia, për shembull, ka ecur shumë, sepse ulliri nga 20-30 vjet më parë, tani futet në prodhim për 4-5 vjet. Por një futbollist, që të bëhet tamam kërkon dhjetë vjet punë. Futbolli ynë ka nevojë për bazë dhe shqetësimi kryesor është se nuk kemi shpresë për të ardhmen. Pse? Sepse mungon baza. Këtu hyn në lojë klubi, federata, shoqëria, shteti. Na ka mbetur në histori suksesi i vitit 1946 me fitimin e Ballkaniadës. Kjo është pak. Që të kemi sport konkurrues duhet të kemi një strategji kombëtare për sportin, me pjesëmarrjen e specialistëve më të mirë të të gjitha fushave, në mënyrë që të bëhet diçka serioze, afatgjatë dhe fitimprurëse. Sot futbolli është një industri e vërtetë fitimi, bota e ka kuptuar këtë, por duhet ta kuptojmë edhe ne. Para së gjithash unë dua ta shoh sportin si një mënyrë për të larguar stresin nga shoqëria, sidomos nga rinia. Unë gjykoj se duhet të kthejmë me shpejtësi klasat sportive, janë mëse të domosdoshme për çdo sport. Është absurde kur sheh që bëhen kaq shumë projekte e planimetri, por nuk gjen në to një fushë, një terren sportiv. Sot futbollin e luajnë talentet, por talentet dalin 2-3 nga 100 që garojnë. Pra nuk është e lehtë të rrisësh një futbollist e të jesh i suksesshëm.
 
Kjo strategjia për sportin diskutohet shpesh, madje edhe në media flitet shumë, por pse këmbëngulni në një diçka kur vetë politikanët dhe drejtuesit e dinë që kjo duhet bërë?
 
E përsëris sepse nuk po punohet në drejtimin e duhur. Nuk po kuptohet misioni i madh që ka sporti në tërësi e futbolli në veçanti. Sporti largon të këqijat, largon stresin, largon sëmundjet, largon parazitizmin e shumë gjëra të këqija. Investimi në sport është investim në shëndet, kjo është kryesorja. Unë nuk them zgjidhe sot qesen e bëj mrekullira, por të mbledhësh ekspertë për të hartuar një strategji për sportin nuk është e vështirë. Ne kemi rini aktive, kemi talente, kemi energji, por këto duhen kanalizuar në rrugën e drejtë, u duhen krijuar mundësitë, ndryshe nuk shkojmë gjëkundi dhe suksesi mbetet sporadik e harrohet. Unë po ju jap disa shembuj që mund të ndiqen. Turqia investoi shumë në sport dhe ata dy herë dolën kampionë me Shpresat, e një herë vend i tretë në botë. Islanda, një shtet shumë i vogël, arriti të kualifikohet. Në kohën time ka pasur vetëm një palestër, sot ka shumë. Rinia e saj ishte pijanece (vend i ftohtë), por sot konkurron si e barabartë në kontinent, madje sfidon me sukses edhe emra si Holanda. Nuk bëhesh futbollist duke u stërvitur tek kodrat e Liqenit, por në terrene sportive moderne. Që ta them shkoqur, rritja e sportit është sot një problem kombëtar, prandaj nevojitet një strategji kombëtare afatgjatë.
 
Pavarësisht viteve, ju vijoni të jeni aktiv. I ndiqni ndeshjet?
 
Po, i ndjek. Merrem me punë, dua të mos humbas kohën për asgjë. Tifoz nuk jam, me përjashtim të Mirelit (Mirel Josa, trajner i Skënderbeut dhe dhëndër i Rrelit), që e ndjek profesionalisht. Bashkëpunoj dhe me shoqatën “Tirana”, shkruaj, por edhe jap mendime. Jam i kënaqur për atë që më ka ofruar jeta dhe uroj të gjithë që të kenë një pleqëri si e imja. Kam një familje të çmuar, fëmijët më kanë nderuar dhe për këtë ndihem shumë krenar, jam i privilegjuar. Në aspektin profesional përpiqem të jap mendime dhe ndjek ecurinë e profesionit të trajnerit, sepse është temë interesante dhe në këtë fushë kemi nevojë. Kam shkruar broshura e kam bërë libra për këtë.
 
Intervistoi: Adriatik BALLA
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 103

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mosvëmendja e institucioneve tregon se sistemi nuk ka funksionuar si duhet.

Postuar: 07/12/2018 - 07:36

Problemet në jetën artistike për piktorin Agim Sulaj tregojnë se ka munguar vëmendja dhe mbështet

Postuar: 06/12/2018 - 10:20

 Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komentoi dje marrëdhëniet e tens

Postuar: 01/12/2018 - 07:22

Piktori Besim Tula shprehet se Tirana nuk ofron asnjë gjë për artistët vizualë.

Postuar: 30/11/2018 - 07:27

Problemet në jetën artistike për artistët po tregojnë që Ministria e Kulturës deri tani më politi

Postuar: 29/11/2018 - 08:13

Kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë Thoma Konduri e ka cilësuar pozitive nismën e

Postuar: 28/11/2018 - 07:35

Jeta artistike i përball aktorët me jo pak probleme.