Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sokol Kushta: CAS rrëzoi padrejtësinë e UEFA, i tregoi Serbisë se nuk shkohet në Europian me dhunë

Sokol Kushta: CAS rrëzoi padrejtësinë e UEFA,  i tregoi Serbisë se nuk shkohet në Europian me dhunë

Postuar: 12/07/2015 - 08:49

Futbolli shqiptar dhe shqiptarët në tërësi morën një lajm të bukur dy ditë më parë, pasi Gjykata e Arbitrazhit për Sport me seli në Lozanë vendosi t’i japë Shqipërisë tre pikët në tavolinë për ndeshjen ndaj Serbisë të luajtur më 14 tetorin e shkuar e të ndërprerë për shkak të dhunës ndaj Kombëtares Shqiptare ende pa u mbyllur pjesa e parë. Ishte një vendim i shumëpritur nga tifozët kuqezi, nga ekipi kombëtar dhe stafi i tij dhe të gjithë sportdashësit në Shqipëri e diasporë.
 
Një vendim që e ngjit Shqipërinë automatikisht në vend të dytë me 10 pikë, po kaq sa Danimarka, por me një golavarazh më të mirë. Duke folur për vendimin dhe reflektimet pas kësaj ngjarjeje, ish-sulmuesi i Kombëtares, Sokol Kushta, shprehu gëzimin e tij të madh për këtë trepikësh të merituar, duke thënë se kishte besuar deri në fund se trepikëshi do të jepej dhe Serbia do të thyhej. Për Kushtën durimi gjithë këta muaj ia ka vlejtur, sepse Shqipëria mori në fund atë që meritonte e po ashtu edhe Serbia mori atë që meritonte, madje duke shtuar se për serbët mund të kishte një vendim akoma më të rëndë, sepse meritonin përjashtim. Për Kushtën vendimi për të ndëshkuar Shqipërinë me 100 mijë euro gjobë për dronin është sërish i tepërt, i parsyetuar dhe i palogjikshëm. Megjithatë, ai i gëzohet trepikëshit që e ngjit ekipin tonë në vend të dytë dhe e bën pretendent për kualifikim. Për ish-sulmuesin kuqezi, Kombëtares i nevojiten katër pikë në tre ndeshjet e ardhshme, për të besuar kualifikimin në Euro-2016, duke llogaritur minimalisht një barazim me Danimarkën dhe fitoren me Serbinë, e në fund të mbetej për kualifikim ndeshja përmbyllëse me Armeninë. Në analizën e Kushtës, Kombëtarja ka punuar mirë dhe sipas tij, De Biazi ka gjetur ilaçin e duhur se si të punohet me lojtarët shqiptarë.
 
Këshilli i Arbitrazhit Sportiv i ka dhënë të drejtë Shqipërisë, duke vendosur fitoren e saj në tavolinë në ndeshjen ndaj Serbisë. Është folur shumë rreth kësaj, por ne deshëm një mendim prej jush jo vetëm si ish-lojtar i Kombëtares dhe ndjekës i flaktë i saj, por edhe si njëri prej atyre pak shqiptarëve që ishin prezent në stadiumin e Beogradit. Si do ta përkufizonit këtë vendim?
CAS mori një vendim të shkëlqyer për ne dhe plotësisht të drejtë. Natyrisht, dje dëgjoheshin elozhe gjithandej dhe është e kuptueshme e gjitha kjo. Ne jemi popull emocional dhe kemi reagim të fortë. Gjatë këtyre muajve të tjerët janë përpjekur të gjejnë defektet tona në atë ndeshje, por unë, duke qenë atje, isha i bindur se do të na jepej trepikëshi. Këtë bindje e kisha nga fakti se organizatorët dështuan të organizonin ndeshjen, ushtruan dhunë dhe arbitri kishte pasaktësi në interpretim. Unë kam parë dhe Armandon (Duka, president i FSHF-së) të shqetësuar. Na takojnë pikët më tha, por dukej se ishte skeptik. Këshilla ime ishte të vazhdohej të luftohej për drejtësinë, sepse na takonte. Arsyet e dhënies së një vendimi të tillë janë të shumtë dhe Arbitrazhi pati një qasje të drejtë rreth problemit, por unë mendoj se sjellja e arbitrit na ka ndihmuar. Në kuptimin që ai duhet të kishte zbritur në fushë dhe të respektonte rregulloren. Por ai nuk doli, nuk fërshëlleu për të mbledhur ekipet në fushë dhe nuk doli të priste. Kur unë i thoja këto gjëra shumë syresh më dolën kundër, nuk ma morën seriozisht mendimin, por unë rregulloren e dija dhe ky gjyqtar ishte fajtor, se nuk kishte dhënë urdhër për zbritjen në fushë, pavarësisht sjelljes së njërit apo tjetrit ekip. Për mendimin tim, ky vendim ishte vënie e drejtësisë në vend dhe rrëzim i padrejtësisë së UEFA-s ndaj një vendi të vogël. UEFA veproi me dy standarde dhe në rastin tonë veproi politikisht dhe keq, gjë që CAS e rregulloi. Pas këtij vendimi unë e përshëndeta zotin Duka, pasi në këtë rast ai ka meritën e tij së bashku me stafin e tij të ngushtë dhe të gjithë ata që ndihmuan. Ishte rezultat i shkëlqyer dhe një trepikësh i merituar. I mposhtëm, pavarësisht lobimit të tyre.
 
Duket se Danimarka është acaruar shumë, ka reflektime nervoze nga zyrtarët e saj të futbollit. Si ju duken shqetësimet e tyre?
 
Danimarka sheh interesin e saj, por është e pasinqertë. Mos harrojmë se ajo ka përfituar vite më parë, kur Jugosllavia e asaj kohe u përjashtua dhe në vend të saj u fut në Europian Danimarka, duke e fituar aktivitetin. Në atë kohë Jugosllavia u përjashtua për shkaqe politike, kurse Danimarka, që në atë periudhë mbante qëndrim të njëjtë me Europën, duhet të mbajë të njëjtin qëndrim dhe sot. Këto sjellje nuk janë të mira. Ne kemi një shprehje të bukur që thotë mos i hap gropën shokut se bie vetë brenda. Me serbët dhe danezët duhet të ketë vend kjo shprehje. 
 
Pas këtij trepikëshi ndodhemi në vend të dytë, me golavarazh më të mirë se danezët. Përpara janë dhe katër takime të vështira, më së pari në një ndeshje direkte me Danimarkën. Si e sheh të ardhmen e ekipit në këto eliminatore?
 
Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Më vjen mirë se kam qenë i drejtë në vlerësimin tim, në një kohë që të tjerë më kanë kritikuar për parashikimet e mia. Koha po më jep të drejtë. Unë kam parë gjëra pozitive tek kjo skuadër. De Biazi ka profilin e një tekniku të suksesshëm, ka përmirësim në lojë dhe imazh, rrjedhimisht dhe në rezultate. Këto rezultate që ka arritur Kombëtarja nuk vijnë rastësisht, por është bërë një punë konkrete. Pranë ëndrrës kemi qenë disa herë, ka ndodhur dhe më parë, por unë shoh sot realisht se ekipi është në pozita të forta. Megjithatë, ëndrra që ne kemi duhet lidhur me lojën dhe rezultatet.
 
Po flisnim për ndeshjet konkretisht, se janë përballje të vështira, ndaj danezëve luajmë së shpejti dhe në transfertë...
 
Për mendimin tim ndeshje vendimtare është ajo ndaj Serbisë që do ta luajmë këtu në fushën tonë. Nëse ne mbetemi me dhjetë pikë, atëherë nuk shkojmë gjëkundi. Unë e di atë rengun e keq të pjesës së dytë të sezonit, prandaj ka rëndësi të marrim pikë në këto përballje të mbetura. Ëndrra që ne të gjithë kemi bëhet realitet me punë dhe rezultate. Është hera e parë që jemi kaq afër një aktiviteti të rëndësishëm, prandaj edhe e besoj kualifikimin.
 
Dukeni që jeni optimist, megjithëse skuadrën e presin ndeshjet më të vështira, ndërkohë gjysma e eliminatoreve nuk është zhvilluar. Është siguruar “play-off”-i në një farë mase, por jo kualifikimi. Ku e bazoni optimizmin tuaj?
 
Nuk jam optimist, por jam realist. Unë shoh konkretisht që për herë të parë ne kemi shansin e madh të kualifikimit dhe jemi fare pranë. Logjika ime më thotë se një barazim me Danimarkën dhe një fitore me Serbinë na bën thuajse të kualifikuar. Kjo sepse mbetet dhe një ndeshje në fund, ajo ndaj Armenisë, e cila të mban me shpresë. Ky qëndrim realist lidhet me punën që ka bërë skuadra, jo me dëshirën tonë të madhe. Barazimi me Danimarkën na mban në të njëjtat pozita. Unë mund të them edhe që mundim Italinë, Argjentinën e kështu me radhë, pra mundim botën, por kjo nuk ndodh, s’mund të konceptohet në këtë formë. Një barazim me Danimarkën dhe fitore me Serbinë, për mua si Sokol justifikon ecurinë e Kombëtares. Sa i takon Portugalisë, mua më duket të jetë ekipi më i fortë i grupit. Unë i kam parë ata dhe janë shumë të fortë edhe kur nuk kanë Ronaldon në skuadër. Me Ronaldon bëhen akoma më të fortë. Që të kthehem te shanset tona, dua të shtoj se për tre sfidat e ardhshme ne na bëjnë punë katër pikë. Do të ishte fantastike të kualifikohemi. Në këndvështrimin tim, De Biazi ka gjetur ilaçin e duhur për të folur me lojtarët shqiptarë.
 
Cili është mendimi juaj për qëndrimin e palës serbe pas vendimit të CAS-it?
 
Duhet të nisemi nga vendimi që dha UEFA për ndeshjen Mali i Zi-Serbi. I dha trepikëshin Rusisë dhe nuk u dëgjua asnjë koment. Nuk u bë asnjë diskutim. U godit portieri mik dhe u ndërpre ndeshja, fitorja shkoi në tavolinë direkt për rusët. Pse? Sepse ishte Rusia. Unë mund të konstatoj se nuk mund të bëhet një shtet që shkel mbi gjakun e fëmijëve e pleqve. Ata, serbët, kanë komplekse. E quajnë të drejtë edhe kur vret, edhe kur thonë Kosova është djep i Serbisë, se çdo gjë shqiptare është e keqe dhe çdo gjë serbe është e mirë etj. Pra ata nuk e përtypin dot që CAS i ka dhënë tri pikët Shqipërisë. Kanë megalomani, por kanë dhe përplasje të brendshme, por bëjnë dhe lobim të fortë. Por mua s’më intereson çfarë bëjnë e çfarë thonë. Një gjë nuk e kuptoj: Pse nuk arrijnë ta konceptojnë se kanë krejt Europën kundër dhe tani gjenden minus dy pikë? Në çdo sezon kanë të njëjtat probleme, shkaktojnë kaos, s’organizojnë ndeshje normale. Sa më takon mua, ndihem mirë që jemi vlerësuar pozitivisht. U përpoqëm shumë, por në fund na u dha e drejta, megjithëse, më duket e tepruar tej mase gjoba 100 mijë euro, për një dron që ende sot zyrtarisht nuk ka version zyrtar si ndodhi (ka vetëm një autor të vetdeklaruar) dhe fajtore është pala serbe për organizimin.
 
 Pati skepticizëm për vendimin s’duhet ta mohojmë këtë...
 
Ngjarja në Beograd u pa qartë. Pati dhunë, kërcënim, huliganizëm, racizëm e gjithçka tjetër të keqe. CAS ka operuar drejt, sepse ka konstatuar se veprimet e gjyqtarit nuk kanë qenë në përputhje me rregulloren. Arbitri duhet të dalë në mes të fushës e t’i bjerë bilbilit, gjë që nuk e ka bërë. Ndërkohë, CAS nuk ka marrë në shqyrtim shumë anë të tjera të ndeshjes, që kishin të bënin me huliganizmin dhe racizmin. Nëse këto elementë do të merreshin në konsideratë, sot Serbia do të ishte përjashtuar. Në fushën e lojës janë futur të burgosur, njerëz të dënuar për huliganizëm. Unë mendoj se serbët ishin me fat që nuk morën dënim më të rëndë.
 
Po dalim pak jashtë teme, si e sheh ecurinë e skuadrave tona në Europa League?
 
Unë pata besim se Partizani kishte goxha shanse për kualifikim, por edhe pse luajti mirë nuk arriti të kualifikohej. Dhe s’mund të shkosh më tej nëse nuk shënon. Sado që luan mirë, vendimtar është goli. Për Partizanin luajti rol, mendoj unë, edhe fakti se norvegjezët ishin në mes të kampionatit, pra aktivë. Sa i takon Laçit, mendoj se ishte krejtësisht i pafat dhe vuajti mungesën e epërsisë nga ndeshja e parë. Duhej të shënonte më shumë se një gol në takimin e parë. Për Kukësin nuk ka nevojë për koment, e meritoi dhe u kualifikua. Personalisht mendoj se ecuria e ekipeve tona ishte pozitive dhe më intereson fort e madje jam i lumtur që nuk dëgjova fjalë të këqija për përfshirje në trukime, se ekipet tona kanë namin e keq. Madje kjo më gëzoi më shumë, se s’pati akuza për kurdisje.
 
Intervistoi: Adriatik BALLA
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 04/12/2019 - 07:38

Simpoziumi i tetë shkencor i polifonisë mblodhi para disa ditësh studiues dhe bartës të saj, duke pasur në vëmendje mbrojtjen e kësaj trashëgimie shpirtërore.

Postuar: 01/12/2019 - 07:55

Me një aktivitet të vlerësuar në art, piktori Nikolin Ivanaj me punët e tij është prezantuar këtë

Postuar: 01/12/2019 - 07:45

Futbolli në këtë edicion nuk e ka nivelin e viteve të shkuara, ky është të paktën mendimi i shumi

Postuar: 27/11/2019 - 07:32

Partizani është padyshim klubi më famoz në sportin shqiptar dhe prej tij kanë dalë sportistë e tr

Postuar: 26/11/2019 - 08:28

Arkeologu i njohur Moikom Zeqo shprehet se Ministria e Kulturës ka një qëndrim antishkencor nda

Postuar: 24/11/2019 - 08:01

Teatri në vend kërkon më shumë mbështetje nga institucionet për zhvillimin e jetës artistike.

Postuar: 24/11/2019 - 07:53

Faruk Kalleshi është një prej emblemave të peshëngritjes shqiptare.