Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zamira Kita: Rrogat e aktorëve të teatrit sa një asistencë, më mirë kontrata dinjitoze se role për të justifikuar vendin e punës

Zamira Kita: Rrogat e aktorëve të teatrit sa një asistencë, më mirë kontrata dinjitoze se role për të justifikuar vendin e punës

Postuar: 30/11/2014 - 10:27

 Zamira Kita e vlerësuar si një nga aktoret më të mira në vend, vazhdon me angazhimet e saj artistike, duke sjellë para publikut personazhe nga më të ndryshmet. Vetëm para disa kohësh ajo u vlerësua me rolin e saj në shfaqjen “Një kafkë në Konemara”, një vepër që pas premierës në teatrin “A. Z. Çajupi” nuk mungoi dhe në Tiranë. Në intervistën dhënë për gazetën, Kita flet për vështirësitë e rolit dhe mesazhet që përcjell këtë herë komedia e zezë në skenën shqiptare. Jo vetëm si aktore, por dhe si drejtuese e teatrit të qytetit të Korçës, Zamira Kita gjithmonë thekson vëmendjen e saj për jetën artistike. Duke folur për aktivitetet dhe veprimtaritë, Kita ndalet dhe tek problemet financiare, që sipas saj çdo projekt duhet parë me vëmendje kur flitet për financime. Kita në vijim të intervistës ndalet dhe tek festivali i komedisë në Korçë “Koko-Fest”, që sipas duhet të kishte më shumë vëmendje për buxhete nga institucionet. 
 
Shfaqja teatrore “Një kafkë në Konemara” e autorit Martin McDonagh dhe regji të Ilir Bokshit ka marrë vlerësime nga publiku. Si erdhi bashkëpunimi me regjisorin Bokshi?
 
Premiera erdhi në Korçë me regji të Ilir Bokshi, një emër i njohur për teatrin shqiptar. Ishte një sukses i madh që ai pranoi të vijë në Korçë, jo se teatri i Korçës është më poshtë se teatri në Tiranë apo në Prishtinë, Shkup apo Gjakovë ku ai ka punuar, por sepse nga ana financiare qytetet tona janë më të vogla dhe kanë më pak mundësi. Ne ramë dakord që të paguanim në mënyrë të tillë që ai të ishte i kënaqur dhe ai sigurisht që pranoi me kushtet dhe mundësitë tona të punojë në Korçë. Ramë dakord të ishin dhe aktori Marin Orhanasi dhe Ylber Bardhi, të dy aktorë shumë të mirë të humorit, por jo vetëm të humorit. Pjesa është një komedi e zezë, ndërtuar mbi humorin, mesazheve të forta dhe mbi ngjarje shumë tronditëse, që ne na prekin.
 
“Një kafkë në Konemara” e ndërtuar mbi ngjarje tronditëse, por si i përcjell mesazhet para publikut?
 
Në vepër trajtohen vrasje që janë të dyshimta, zhvarrosje, etj. Dhe ne po të hedhim sytë në zonat tona të thella, në periferi në zonat rurale dëgjojmë që vëllai vret vëllain, djali vret babain. Sigurisht që nuk janë këto që duhet të ngrihen në art, por ajo që ne duhet të ngremë në art është që duhet të luftojmë injorancën, të luftojmë mungesën e socializimit, të jemi më të socialë, të përpiqemi më shumë të shkollohemi vetë dhe fëmijët tanë, që e ardhmja e shoqërisë shqiptare të jetë më e mirë dhe të mos i përngjajë aspak jetës së këtyre 4 personazheve irlandezë në jug të Irlandës në një vend të izoluar, të varfër, pa shpresë. Autori i veprës është një nga autorët më të mirë kontemporanë dhe është një emër i suksesshëm.
 
Një vepër e njohur në botë, që pas premierës së Korçës nuk mungoi dhe në Tiranë e Kosovë, por për ju gjen dhe mesazhe për realitetin shqiptar. Me personazhin tuaj, ju morët dhe vlerësime në Ferizaj, si vjen në vepër roli juaj?
 
Ke qytete të vogla, por dhe në Tiranë, ku njerëz të veçantë janë mësuar me një gotë vodka, raki, dhe rrinë gjithë ditën ashtu. Këtu ka dhe personazhe, siç është dhe personazhi që interpretoj, që ka dëshirë të pijë uiski, që bën gjithçka dhe fsheh dhe mendimet e saj, ato çka ajo dëgjon poshtë e lart nuk i thotë atje ku do të pijë një gotë uiski, dhe atje ku duhet ngacmon me ato që dëgjon apo trillon. Pra kështu janë këto personazhe, punojnë në prapaskena, janë intrigantë, hipokritë, dallaveraxhi dhe interesaxhi. Merixhon personazhi im është një plakë e madhe e në moshë, e shëndoshë, e kërrusur, e lodhur nga jeta, e varfër. Një femër që vjen fle te komshiu, pi uiski, i thotë atij gjëra që ti pëlqejnë atij me qëllim që ti japë një gotë uiski, dhe fillon dhe mban në gojë dhe të tjerët. Pra bëhet me njërin personazh apo tjetrin në varësi të asaj që ndodh, dhe ku ajo mund të ketë përfitimin e saj. Është një karakter shumë i bukur dhe mua realizimi i rolit më dha dhe çmimin e aktores më të mirë për rol të dytë në Ferizaj, Kosovë.
 
Sa ka qenë e vështirë për ju për të sjellë personazhin e Merixhon?
 
Unë jam një aktore e komedisë dhe personazhet që kanë karakter të veçantë dhe të spikatur si Merixhon, mua m’u duk sikur e kisha të lehtë, por nuk e kisha të tillë, edhe pse e kisha shumë të dashur. 
 
Ju folët mbi shfaqjen teatrore më të fundit në Korçë, por si po zhvillohet jeta artistike në qytet?
 
 Ju keni të drejtë, kur flasim për aktivitetet kulturore përfshihen të gjitha. Unë jam dhe drejtore e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, pra kam nën përgjegjësinë time gjithçka që ndodh në fushën e artit dhe kulturës. Ministria neve nuk na mbështet për asnjë aktivitet, sepse ne jemi totalisht në varësi të bashkisë së qytetit, të cilën unë e falenderoj. Në sajë të tyre ne bëjmë premiera teatri, që në numër nuk i ka as Teatri Kombëtar, dhe janë të një niveli shumë të mirë. Ne zhvillojmë koncerte me instrumentistët tanë, sepse kemi shkollë muzikë, ftojmë dhe nga Tirana instrumentistë dhe artistë. Ne çelim ekspozita të pikturës që janë shumë të mira. Ato që veçoj në artet pamore janë Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës, që në e bëjmë me artistë të ftuar nga e gjithë bota. Këtë vit kishte më pak pjesëmarrës, sepse të tilla ishin mundësitë ekonomike, ku dhe Ministria e Kulturës na ndihmoi, por pak me 3 mijë euro. Ne përfunduam dhe Koloninë e Pikturës “Vangjush Mio”, ku vijnë artistë nga gjithë rajoni dhe këtë herë kishim, nga të gjitha trevat shqiptare, nga Mali i Zi dhe Maqedonia. Pra janë aktivitetet që Korçën e vënë në krye, dhe do të vijojnë deri në fund të vitit.
 
Kur flasim për politikat e artit dhe kulturës, meqë jemi dhe në muajt e fundit të vitit, çfarë mund të na thoni mbi problemet?
 
Për teatrin tonë në Korçë do të preferoja të mos kishim aktorë rrogëtarë, të cilët marrin rrogën dhe shumë rrallë aktivizohen, ose jemi të detyruar ti aktivizojmë për të justifikuar rrogën. Të jenë të gjithë me kontrata, që duhet të jenë të mira dhe dinjitoze. Ne themi që bëjmë projekte në Korçë, por rrogat e aktorëve permanent janë shumë të vogla, gati një asistencë. Janë hequr dhe shpërblimet, nuk lejohet që një aktor të marri një shpërblim plus, gjë që do ti ndihmonte. Kur në skenë luajnë aktorë shumë të mirë, siç është Marko Bitraku, Sotiraq Bratko, Albano Prodani, Ligoraq Riza, etj., që janë më të aktivizuarit, sigurisht që duhet të kenë një shpërblim. Këto duhet të jenë në politikat e Ministrisë së Kulturës për aktrimin. Ajo që duan të theksoj, unë vërtetë këtë vit fillova një festival komedie, ku na mbështeti shumë bashkia e qytetit, por sigurisht nuk ia dola dot. Kam shumë defiçenca me festivalin, edhe pse doli bukur. Kam ende probleme financiare për të shlyer. Unë e dija që do të më ndodhte kështu, sepse ne bëmë një festival të madh dhe mundësitë i kishim të vogla. Ministria e Kulturës na mbuloi financiarisht vetëm me 500.000 lekë të reja. Mendoni se çfarë ndihme është kjo, kur ne kishim 70 të ftuar permanentë që ndoqën 8 ditë festivalin dhe 12 trupa teatrore që morën pjesë? Ministria e mbështeti pak festivalin, dhe aktivitete të tilla duan një vlerësim më të madh. Vetëm Gjakova erdhi me 26 persona. Sigurisht që vihet një limit, por kur ti ke dëshirë që të të vijë një shfaqje e mirë, je gati të sakrifikosh që ajo të vijë. Festivali kishte të meta për shkak të anës financiare, por ama tregoi që ky është niveli i teatrit tonë, çfarë duhet të bëjmë. Ajo që ne duhet ta shohim dhe ta kemi primare është që ne të kujdesemi për kualifikimin e regjisorëve tanë. Nëse kemi regjisorë të mirë, ne bëjmë shfaqje të mira.
 
Jo vetëm me angazhime në teatër por dhe në kinema, ku edhe filmi shqiptar duket se ka të njëjta probleme me financimet?
 
Bëhen filma, por bëhen shumë pak. Regjisorët i zgjedhin vetë artistët. Kemi parë pak filma të rinj. Disa prej tyre kanë dhe subjekte që nuk e kupton dot se çfarë trajtohet, por nuk mund dhe ti paragjykoj. Megjithatë ka pasur raste kur kemi pasur dhe filma shumë të mirë. Sigurisht që Qendra Kombëtare e Kinematografisë bashkë me bordin e vet duhet të bëjë një përzgjedhje më të mirë për projektet e filmit.
 
Në teatër, komedi, dramë, monodramë, po ku e gjeni më shumë veten?
 
Monodrama është shumë e vështirë, është e lodhshme dhe nuk do ti kthehesha më. Drama më pëlqen po aq sa komedia dhe kam lozur dramë. Por drama është ajo që më lodh më shumë se komedia, e cila rri brenda meje, fle bukur shumë.
 
Si do të vijojnë projektet në vijim me aktrimin?
 
Do të jem pjesë e një kinokomedie që do të realizojë RTSH në muajin janar me skenar të Koloreto Cukalit dhe regji të Ylli Pepos. Por më tej do të kem dhe një tjetër rol shumë të mirë në veprën që do të vërë në skenë Qëndrim Rijani, ndërkohë që do të kemi bashkëpunime dhe regjisorët Spiro Duni dhe Ilir Bokshi.
 
Intervistoi: Julia Vrapi
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 108

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mosvëmendja e institucioneve tregon se sistemi nuk ka funksionuar si duhet.

Postuar: 07/12/2018 - 07:36

Problemet në jetën artistike për piktorin Agim Sulaj tregojnë se ka munguar vëmendja dhe mbështet

Postuar: 06/12/2018 - 10:20

 Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komentoi dje marrëdhëniet e tens

Postuar: 01/12/2018 - 07:22

Piktori Besim Tula shprehet se Tirana nuk ofron asnjë gjë për artistët vizualë.

Postuar: 30/11/2018 - 07:27

Problemet në jetën artistike për artistët po tregojnë që Ministria e Kulturës deri tani më politi

Postuar: 29/11/2018 - 08:13

Kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë Thoma Konduri e ka cilësuar pozitive nismën e

Postuar: 28/11/2018 - 07:35

Jeta artistike i përball aktorët me jo pak probleme.