Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Adrian Devolli: Ministria e Kulturës dhe GKA si zyrat e Gestapos, mungon klima artistike në vend

Postuar: 21/07/2019 - 07:51

Përballë problemeve, që janë në aktivitetin artistik artistë të ndryshëm shprehen se nuk gjejnë mbështetjen te institucionet në vend. Sipas tyre, është një situatë kur ndjehen të pastimuluar për aktivitetin me krijimtarinë në art. Piktori i njohur Adrian Devolli, një nga zërat kritik ndaj institucioneve për probleme të ndryshme që janë sot në jetën artistike, pohon se është një situatë kur mungon vëmendja për artin dhe autorët shqiptarë. Në intervistën për “SOT” piktori Adrian Devolli shprehet se Ministria e Kulturës apo dhe GKA janë dy institucione, që nuk kanë dëgjuar zërin e artistëve. Për piktorin Devolli, në Galerinë Kombëtare të Arteve vazhdon të tregohet se janë të mbyllura dyert për artistët nga Shqipëria, dhe në kohën kur dhe sallat e ekspozimit sot janë të pakta problemet shtohen për aktivitetin e tyre. Disa muaj më parë piktori çeli për publikun ekspozitën e tij personale “Përgjithmonë kanavac”. Ekspozita u prezantua në galerinë e artit “Kalo” dhe në fokus të punimeve të tij qëndronte figura njerëzore. Ndërsa ka marrë pjesë me pikturat e tij në ekspozita që janë hapur me grupe piktorësh, këtë pranverë ai prezantoi 20 tablo në pikturë në dimensione të mëdha.

-Ditët e verës si po kalojnë për ju?

Unë jam çdo ditë në studio dhe do të bëj programin tim të punës. Unë vazhdoj programin tim si piktor, që nuk ka lidhje as me ambientin, me kohën, me politikën, me situatën e këtij vendi. Po të merresh me këto i bie, që të jesh njeri i vdekur. Ne si artistë i përkasim një brezi, që kemi pasur një ideal, pasion, këtë gjë ne sa të kemi do të bëjmë dhe ta mbështesim.

-Një ekspozitë personale ju hapët para disa kohësh me punimet tuaja. Kur pritet e radhës?

Për një ekspozitë personale serioze duhet të paktën 4-5 vjet punë. Unë e hapa një ekspozitë para disa muajsh dhe tani po vijoj punën me krijimtarinë time në studio, por kam dhe të tjera projekte. Kam një projekt për Umbrian, ku është një ekspozitë e përbashkët dhe atje na presin shumë mirë. Ish ambasadori italian në Shqipëri Paolo Foresti është po nga ajo zonë aty pranë, dhe ai i ka bërë një pritje të mrekullueshme shqiptarëve, por po merret dhe me organizimin e disa ekspozitave në zonën e Umbrias. Mendimi është, që ne një grup artistësh që kemi qenë në këtë zonë, të bëjmë një ekspozitë me motive nga Umbria në Tiranë, dhe besoj do të jetë nga vjeshta. Kjo ekspozitë të jetë në shenjë mirënjohje dhe dashamirësie për dashurinë e madhe që tregojnë ata njerëz ndaj shqiptarëve dhe ndaj artistëve shqiptarë, jo me fjalë por me vepra.

-Galeria Kombëtare e Arteve ka hapur ekspozitën me veprat e Kol Idromenos. U mirëprit kjo ekspozitë, por sipas jush sa është bërë deri tani për autorët shqiptarë?

Që u hap ekspozita me veprat e Kol Idromenos është bërë shumë mirë, sepse nga një përgjumje e llahtarshme ajo ekspozitë është minimumi i një pune rutinë, që duhet te Galeria Kombëtare e Arteve. Unë e kam thënë dhe herë të tjera që Shqipëria në situatën që është sot kur nuk ka salla ekspozimi, kur nuk bëhet asnjë përpjekje dhe investim për artin, duhet jeta artistike dhe jeta burokratike e këtyre njerëzve të jetë shumë më e gjallë, dhe nuk duhet të jetë kjo fjetje e llahtarshme, që kanë këto njerëz. Nuk bëjnë asgjë në qenien e tyre, kështu që është turpshme që është kjo situatë. Por kjo ekspozitë duhet të shoqërohet dhe me botime. Botime nga institucioni duhen dhe për autorët e tjerë, duhet të jetë një antologji për autorëve shqiptarë. Madje nuk kanë asnjë lloj dëshire për të bërë gjë për autorët shqiptarë.

-Ka piktorë, që janë shprehur se studiot e piktorëve po mbyllen për shkak të problemeve dhe nga shteti nuk ka ndihmë. Ju çfarë mund të na thoni?

Një qeveri, e cila nuk kupton që këtu po i ikën dhe brezi i fundit i artistëve, kur nuk ka dashamirësinë për ti stimuluar artistët, kur ka ligësinë për ata, nuk mund ti shkojë ndërmend që të stimulojë artistët për rregullimin e studiove. Këta njerëz nuk kanë arritur dot të bëjnë një libër për ato figura që kanë qenë rilindës të artit shqiptar, jo më pastaj të rregullojnë studiot e piktorëve, ku aty janë autorë të njohur, piktorë të traditës. Piktorët i kanë lënë në mjerim, ku dhe çmimi i energjisë në studio atyre iu llogaritet sikur të jenë biznese. Çfarë biznesi do të bëjë një piktor me artin? Ai lë shpirtin e tij dhe nuk fiton asgjë. Nuk flitet për biznes këtu. Pra artistët nuk kanë asnjë lloj mbështetje dhe përkrahje, kur në gjithë botën artistët mbështeten, ka forma të ndryshme që ndihmojnë për aktivitetin e tyre. Po ju them që Ministria e Kulturës ekziston de jure, por de facto jo.

-Pse e thoni këtë?

Për mua ajo Ministri Kulture nuk bën asgjë për artistët, një situatë që vazhdon prej vitesh. Nuk bën asnjë lëvizje. Në ministri janë disa zyra, që duhet të ekzistojnë në një shtet, është një ministri kukull, që nuk bën asnjë përpjekje për artistët. Ne nuk e ndjejmë ndihmë nga ministria. E para, ministria të gjithë artistët që janë të brezit të vjetër duhet ti ftonte për një mendim, diskutim, një takim për problemet dhe çfarë po ndodh me artin sot. Kemi Galerinë Kombëtare të Arteve dhe për artistët nga Shqipëria dyert janë të mbyllura. Vazhdon e njëjta situatë në galeri. Është shkak pasojë. Kur kemi një ministri inekzistente dhe një Galeria Kombëtare e Arteve që varet po nga kjo ministri është e tillë. Pra nuk mund të ketë një ministri aktive dhe një galeri pasive. Janë të lidhura gjërat me njëra-tjetrën. Pra si ministria dhe galeria funksionojnë de jure, por po të pyesësh në ministri çfarë kanë bërë për artin figurativ në këto dhjetë vjet, nuk kanë asnjë përgjigje, sepse nuk kanë bërë. Ata i shmangen kësaj gjëje. Ne si artistë kemi folur në shumë intervista, dhe kur janë bërë gjithë këto akuza në drejtim të institucioneve duhet të kishte një përgjigje prej tyre, por heshtje. Pse kalon çdo gjë në heshtje nga institucionet tona? Pse nuk ka asnjë përgjigje? Kanë gjetur një metodë, që kalohet në heshtje. Në shtetin tonë ne nuk kemi në Tiranë dhe një sallë ekspozimi për veprat e artistëve. U tha dikur që do bëhej nga bashkia dhe asgjë deri tani. Ne nuk kemi më çfarë ti kërkojmë institucioneve, i çuan njerëzit në depresion. Depresioni ka vetëm braktisje dhe përbuzje. Artistët janë tej mase të lodhur. E shikojnë Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Ministrinë e Kulturës si institucione të brendshme të kohës së partisë, çfarë psikologjie jepte ajo atëherë. I shikojnë si zyrat e tmerrit të Gestapos. Janë institucione që nuk ke asnjë lloj dëshire të shkosh atje, nuk krijojnë asnjë lloj klime artistike. Artisti kërkon klimën artistike, kërkon atmosferë. Çfarë politike kanë bërë për artin? Që kanë marrë një drejtor nga Kosova dhe e kanë sjellë në Galerinë Kombëtare të Arteve? Ai nuk ka lidhje me atë vend. Depresioni sjell mosreagim. Mendoni që në Kosovë të hapen vetëm ekspozita të piktorëve nga Shqipëria, nuk do të ekzistonte ai drejtori atje më në atë post jo më shumë se një javë. Kur gjërat i kalojnë masat dhe nuk ka asnjë lloj reagimi krijon depresion, u lodhëm ne si artistë. Nëse një artist që prej 50 vitesh vazhdon krijimtarinë dhe ti këtyre njerëzve i tregon derën e GKA është gabim, por kur ta kuptojnë do të jetë shumë vonë. Këtu u bë çdo gjë vetëm çështje tallavaje, nuk ekziston kritika në art, as publicistika. Në artin shqiptar nuk do të thotë kjo vetëm tallava në muzikë, por dhe tallava në mendim, në veprim, në psikologji. Kur nuk kanë respekt në institucionet tona për artistët, që janë dhe nga 70 apo 80 vjeç dhe kanë kontribuar shumë për këtë vend atëherë çfarë mund të presësh nga këta njerëz?

-Ju u shprehët se artistët janë lodhur duke folur për probleme dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse vijon kjo situatë sipas jush çfarë ndodh?

Artistët janë lodhur dhe shikon një ministri, që prej vitesh nuk do t’ia dijë. Kush do të jetë e ardhmja? Ju tregova, tek ne nuk kanë respekt për artistët, edhe Pisaco të ishte do ta shkelnin me këmbë. Duan ti zerojnë të gjitha, sepse kanë kompleksin e inferioritetit. Në institucionet tona gjithmonë flitet do të bëhet, por kur do të bëhet? Ajo ministre duhet ti dëgjojë artistët, cili është mendimi i tyre. Nuk kemi në vend një kritikë artistike, nuk kemi një organizim ekspozitash artistike, nuk kemi promovim të artistëve, si mund të dimë ne si zhvillohet arti figurativ sot? Nuk bëhet minimumi për ti ndihmuara artistët sot, me sa kemi parë janë të braktisur, por dhe përbuzur.

-Ekspozita si ajo e artistëve të grupimit “Nëntori” dhe të tjera nuk kanë gjetur mbështetjen, që prisnin nga ministria. Ju si e keni parë këtë?

Nuk duan të bëjë asgjë. Ka mbetur një brez Don Kishotësh si puna ime dhe do të ekzistojë deri në një farë kohe. Jemi një vend që flitet vetëm për krime, për hajdutëri, dhe këta artistë që mund të rregullonin imazhin e vendit ti si institucion i përbuz. Në fakt duhet të kishin stimuluar këta artistë sot.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 08:23

Restaurimi i një objekti për të është një formulë kimie ose fizike. Me orë të tëra për të kërkuar një zgjidhje, e cila mes shumë alternativash duhet të jetë e duhura, përndryshe dëmi do të jetë i pakthyeshëm.

Postuar: 24/08/2019 - 07:59

Filmi “The Van” po garon me 14 filma të tjerë për të fituar “Zemrën e Sarajevës

Postuar: 24/08/2019 - 07:57

Arkeologjia shqiptare është vënë në “lupën” e francezëve dhe italianëve.

Postuar: 23/08/2019 - 07:57

Që kur ka nisur diskutimi për teatrin e ri, kam pasur rastin të takoj shumë nga miqtë e mi aktorë

Postuar: 23/08/2019 - 07:55

Biseda e parë në Art House School do të bëhet me artistët Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita.

Postuar: 23/08/2019 - 07:54

Filmi “Derë e hapur” me regji nga Florenc Papas është në garën kryesore të Festivalit

Postuar: 22/08/2019 - 07:37

Ditën e djeshme në Qendrën e Kulturës “Vaçe Zela” u hap ekspozita me titull “Di