Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agim Janina: Situata e rëndë në GKA detyron artistët të protestojnë, ai drejtor s’e ka vendin aty...

Postuar: 09/04/2019 - 07:31

Studiues i artit Agim Janina shprehet se në Galerinë Kombëtare të Arteve ka një varfëri artistike. Sipas tij GKA është një institucion i rëndësishëm i artit, por mënyra e paraqitje së veprave të artit lë për të dëshiruar. Në intervistën për “SOT” studiuesi Agim Janina pohon se bashkësia artistike ndihet jo thjesht në qejfmbetje me mbylljen e dyerve të galerisë dhe kjo tashmë është bërë normë pune, por ndihen të braktisur edhe nga institucionet e tjera si ministria përkatëse. Ai shprehet se është e trishtueshme, se jo vetëm, që i kanë të mbyllur dyert e galerisë, por askush nuk u vjen në përurimet e ekspozitave që artistët hapin. Sipas tij edhe drejtori i ri në GKA është po në këtë linjë. Studiuesi Agim Janina tregon se shumë artistë ndihen të braktisur dhe të pavlerësuar nga institucioni dhe nga drejtuesi i sotëm. Ata kërkojnë të bëjnë ekspozita retrospektive dhe dera u mbyllet. Por sipas tij ata janë themelues të saj dhe galeria është shtëpia e tyre, ndaj mospranimi i tyre është përtej dhimbjes.

-Si e shikoni si institucion GKA dhe aktivitetin e saj?

Galeria e arteve është një institucion tejet i rëndësishëm dhe përfaqëson kulturën shqiptare në artet pamore, por ajo vuan dhe lëngon se ende nuk po arrihet t’i jepet përgjigje një pyetje thelbësore “Ç’është”? Domethënë ç’përfaqëson Galeria Kombëtare e Arteve Pamore me një emër kaq të madh? Pyetja nuk ka të bëjë me statusin apo emërtimin e saj. Institucionit i jep jetë përmbajtja dhe qëllimi që ka. Në të është mbrujtur një pasuri e madhe nga breza e breza artistësh, për t’u mirëmbajtur dhe paraqitur në sytë e shikuesve. Ka një fond tejet të madh, por është keq e paraqitur. Po të bësh një vizitë në galeri shikon me keqardhje një varfëri artistike në mungesën e shumë veprave të arrira. Por, edhe shumë artistë mungojnë, duke i pasur veprat në fond dhe gjithnjë e më shumë, për fatin e keq, po mungojnë artistë të pas viteve ’90. Galeria është kthyer në “tabelë qitjeje”, si për të thënë, se sa keq është krijuar në vitet e diktaturës. Mohimi i gjithçkaje të krijuar nën diktaturë, nuk sjell asgjë të mirë kulturës dhe historisë sonë. Mënyra e paraqitjes dhe veprat lenë shumë për të dëshiruar. Mungesa e një qasjeje serioze ka sjellë përplasje punësh, autorësh dhe vlerash. Për autorë shpesh janë përzgjedhur punë të dobëta, skematike dhe të detyruara për t’u bërë. Arti nën diktaturë ka një stekë shumë të lartë, të pakapërcyeshme deri tani, veprën e shkrimtarit Ismail Kadare. Ajo dëshmon, se nuk është diktatura, që bën artin, por artistët. Në galeri ka vepra të fondit dhe artistë jashtë saj me vepra dinjitoze, por ende vazhdon këndvështrimi politik dhe jo ai i vlerave. Në galeri duhet të pasqyrohen punët më të mira, duke marrë fund tranzicioni mendor i qëndrimit ndaj krijimtarisë së kaluar. Sa më parë politika dhe pushteti t’i qëndrojë larg galerisë, aq më mirë do të jetë për të. Shikohet që ekspozimi është rrudhur dhe janë krijuar mungesa të mëdha në autorë, vepra dhe gjini të ndryshme. Kjo mungesë është e frikshme dhe një dëm i madh, që i bëhet artit shqiptar. Po folur këtu për shkatërrimin e studiove të artistëve dhe shpërdorimin, humbjen dhe vjedhjen e veprave të shumta, ç’ka përbën një problem më vete. Në 29 vjet demokraci prurjet e veprave në galeri kanë qenë thuajse të pandjeshme. Kjo ka krijuar ngecjen e vijueshmërisë së artistëve të përfaqësuar dhe mungesën e thellë dhe të frikshme të artistëve të pas ’90-tës dhe që nuk janë pak. Mungesa e fondeve në blerje veprash ka sjellë një ngërç të madh. Nuk mund të pasurohet e mbahet galeria vetëm me dhurime të rastësishme. Sa jemi të hapur ndaj afrimeve bashkëkohore, aq duhet të jemi të mirëkuptuar me atë ç’ka është krijuar në të kaluarën. Jemi një popull me një vokacion të fortë artistik dhe të vjen hidhur, kur sheh, që gjithë ky mund artistik, nuk mirëmbahet dhe më keq akoma nuk tregohet kujdesi i duhur. Galeria mund të ndalet si krijimtari deri në vitin’90 dhe të ngrihet një galeri arti bashkëkohore, ku artistët të kenë mundësi të ekspozojnë veprat e tyre dhe të ballafaqohen, duke e pasuruar krijimtarinë artistike të vendit dhe pasqyrimin më të mirë të tij. Dua të shpresoj se kjo gjendje e paqartë do të marrë fund një ditë. qeveritë dhe ministrat ikin, arti dhe vepra mbesin.

- Artistët shprehen se drejtori i GKA ka mbyllur dyert. Pra, nuk ka krijuar hapësira për ekspozita të artistëve. Ju çfarë mund të na thoni, sa është shqetësuese?

Shqetësimi i artistëve është i natyrshëm. Bashkësia artistike ndihet jo thjesht në qejfmbetje me mbylljen e dyerve të galerisë dhe kjo tashmë është bërë normë pune, por ndihen të braktisur edhe nga institucionet e tjera si ministria përkatëse. Është e trishtueshme, se jo vetëm, që i kanë të mbyllur dyert e galerisë, por askush nuk u vjen në përurimet e ekspozitave që artistët hapin. Drejtori i ri është po në këtë linjë, krejt të papërcaktuar të institucionit dhe plotësisht jashtë një përcaktimi të përmbajtjes. Ai mund të jetë një organizator shumë i zoti, por pyetja që vjen vetvetiu është, kë do të pasqyrojë? Veprat që mban galeria? Atëherë nuk e ka vendin aty, nga se galeria në masën më të madhe është pasqyrë e asaj kohe. Ai nuk ka njohuritë e duhura për artin shqiptar të përfaqësuar aty dhe që është zhvilluar nën diktaturë. Edhe ndryshimi i emërtimit në muze nuk e zgjidh problemin. Le të emërtohet muze apo galeri, emërtimi s’ka rëndësi, por duhet t’i përcaktohet qartë dhe në mënyrë shteruese linja paraqitëse e galerisë dhe jo të mbetet në dorë të çdo drejtori të ri që emërohet. Si drejtuesi i galerisë ashtu dhe ministria, as që i ndjekin veprimtaritë artistike, që zhvillojnë artistët. Ndërmjet tyre është ngritur një mur i frikshëm moskomunikimi. Kjo gjendje nuk ka filluar sot. Problemi është më i majisur. Pas viteve ’90, galeria pësoi një ndryshim të thellë. Ishte i kuptueshëm, i pritshëm dhe i dëshirueshëm ky ndryshim. Por bashkë me ujin nuk duhet të hedhim edhe foshnjën. Kjo nuk do të thotë të jemi nostalgjikë për të shkuarën, por të duam çdo gjë të mirë, që është krijuar. Dihet që ka shumë vepra skematike, butaforike, që nuk thonë asgjë artistikisht. Shumë vepra u hoqën nga ekspozimi dhe të reja u vendosën, pa pasur një strukturë të mirëpërcaktuar, ç’ka varej nga politika dhe oreksi i drejtuesit të institucionit. Edhe bordet e krijuara nuk kanë qenë shpesh profesionalë dhe të duhurit, të ngritur politikisht dhe aspak profesionalisht.

-Një problem që pohojnë artistët është dhe fondi i veprave të GKA. Ata janë shprehur që fondi nuk mund të qëndrojë mbyllur, por herë pas here duhet të ekspozohet? Për ju, sa rëndësi ka kjo?

Fondi është i një rëndësie të madhe. Vlera e një institucioni është pikërisht fondi që mban. Ai është vlera burimore, asnjëherë shteruese, por gjallëruese në freskinë, që mund t’i japë veprimtarisë së galerisë. Freskimi dhe rifreskimi i sallave me veprat e fondit në organizime të ekspozitave me punët e fondit, i bën mirë, jo thjesht galerisë, por edhe shikuesve. Veprat e artit janë bërë për t’u ekspozuar dhe ky është qëllimi i tyre. Kaloi në një heshtje të plotë 100- vjetori i lindjes i gjithë një plejade të tërë artistësh akademikë dhe me ndonjë përjashtim tejet të rrallë bërë nga familjarët, galeria nuk bën asgjë. Ata janë shenjtorët e artit pamor shqiptar si Paskali, Buza, Kaceli, Nikolla, Pëllumi, Stamo, Zajmi etj, etj për të mos folur për përvjetorë apo ekspozita retrospektive, që shumë artistë kërkojnë të bëjnë në galeri dhe u mbyllet dera.

-Ka pasur artistë që kanë protestuar para GKA dhe kundër drejtorit të institucionit. Çfarë sjell kjo?

Kur artistët protestojnë tregon një gjendje të rëndë të institucionit. Protesta artistike është lloji më i dhimbshëm i protestës. Pa art nuk ka shoqëri. Është një protestë më shumë e heshtur. Shumë artistë ndihen të braktisur dhe të pavlerësuar nga institucioni dhe nga drejtuesi i sotëm. Kërkojnë të bëjnë ekspozita retrospektive dhe dera u mbyllet. Ata janë themelues të saj. Galeria është shtëpia e tyre. Mospranimi i tyre është përtej dhimbjes. Nga ana tjetër janë disa ekspozita të rëndësishme si “Nëntori”, “Pranverart”, “Plein Art” etj, për të cilat galeria nuk shfaq asnjë interes.

-GKA varet nga Ministria e Kulturës, ju çfarë kërkoni për galerinë?

Nuk është problem vartësia. Nga dikush ajo do të varet. Problem është konceptimi i galerisë. Ana strukturore e trajtimit të artit. Si do të jetë qëndrimi i galerisë me krijimtarinë e së kaluarës dhe atë të sotme? Këto pyetje ende mbesin pa përgjigje. Moskomunikimi që ka zgjedhur drejtori nuk është rruga më e mirë. Është më e keqja. Se veç nënvlerësimin, shfaq edhe ngurtësim mendimi dhe dëshmon mosnjohje të artit, që zhvillohet në vend dhe për të cilin je vënë për të drejtuar institucionin.

- Ju jeni studiues i artit, por sa bëhet për artin dhe kulturën në vend nga institucionet?

Në një vend të varfër si vendi ynë dhe me një shtresë të kamur me shpejtësi marramendëse larg kulturës, nuk mund të presësh, që arti të ndihmohet e nxitet nga ana financiare. Ende piktura dhe skulptura me larminë e saj nuk kanë zënë vend në mjediset tona. Artistët kanë nevojë të shesin dhe ne ende nuk kemi një treg shitjeje të mirëfilltë. Në mëdyshjen e financimit nga qeveria apo ministria të një koncerti apo një ekspozite është koncerti që fiton, sepse thjesht sjell më shumë vota dhe bën më shumë zhurmë.

-Po kur institucionet e artit kanë mungesë transparence, çfarë ndodh?

Transparenca është domosdoshmëri shumë përfituese, sepse sjell ballafaqime konkurruese ndërmjet artistëve, ç’ka fiton vlera. Por shpesh shohim ngritje të befasishme monumentesh me porosi nga “lart” dhe që kur e shikon thua, më mirë të mos ishin bërë se sa në këtë formë. Mund të bëhen me qindra artistë, që punojnë dhe ekspozojnë rregullisht, duke kaluar krejtësisht jashtë vëmendjes së institucioneve përkatëse, që as nuk thërriten dhe as njoftohen.

-Çfarë sjell sipas jush mbyllja e konkursit “Onufri”?

Konkursi “Onufri” erdhi si një risi e bukur, shumë i mirëpritur, një hapje ndaj botës, por shpejt u rrënua në koncept dhe krahas prurjeve artistike, u sollën dhe u ekspozuan apo u shfaqën edhe “gjëra”, që vetëm me artin nuk kishin lidhje. Konkursi me emër të madh, erdhi dhe u braktis nga pjesa më e madhe e artistëve, mbeti dhe u shua rrugës nga se nuk pati një platformë të mirë dhe të qartë. Për fatin tonë të keq ende jemi në një izolim artistik nga bota që na rrethon dhe ende nuk po gjenden rrugët e duhura për të bërë ballafaqimet e nevojshme artistike në takime ndërkombëtare. Shpresoj se kjo gjendje nuk do të vazhdojë gjatë, sepse arti është një forcë që nuk ndalet.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/06/2019 - 08:03

 "Open Cinema" sezonin e tretë e nisi në qytetin e Belshit, ku për shtatë net me radhë u shfaqën filma të ndryshëm.

Postuar: 23/06/2019 - 08:02

Festivali “Fabrika e pejzazheve muzikore” po vijon me koncertet e tij në skena.

Postuar: 23/06/2019 - 07:59

 Në jetën artistike me teatrin regjisori Dhimitër Orogocka po vijon aktivitetin e tij, duke

Postuar: 22/06/2019 - 07:32

Festival “Open on Tour” po vijon në skena të ndryshme të vendit.

Postuar: 22/06/2019 - 07:30

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina është përzgjedhur në &l

Postuar: 22/06/2019 - 07:29

Një grup fëmijësh të talentuar me vështirësi në shikim, të Institutit “Ramazan Kabashi&rdqu

Postuar: 22/06/2019 - 07:27

Specialistët e trashëgimisë kulturore shprehen se në dy dekadat e fundit ata që cilësohen si prof