Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agim Sulaj: Galeria Kombëtare e Arteve po promovon heshtjen dhe dyert e mbyllura si “formë arti”

Postuar: 21/05/2019 - 07:24

Piktori i njohur Agim Sulaj shprehet se nga Galeria Kombëtare e Arteve ruan vetëm kujtime të bukura, pasi sot institucionin më shumë e sheh mbyllur nëse flasim për pjesën e aktivitetit që duhet të zhvillohet. Në intervistën për “SOT” piktori shprehet se duket se sot GKA po promovon më shumë heshtjen si “formë arti”. Sipas tij, drejtori i GKA duhet të dëgjojë artistët dhe ti vlerësojë ata, pasi ankimet e tyre janë ndihmesë edhe në punën e tij në atë institucion. Duke folur për Galerinë Kombëtare të Arteve ai shprehet se ka edukuar artistë të mrekullueshëm dhe publiku shqiptar aty gjen mishërimin e vlerave më të mira të piktorëve e skulptorëve, dhe shton se e sheh me dashamirësi protestën e artistëve dhe shpreson që zëri i tyre të dëgjohet. Artisti Agim Sulaj në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në shtete të ndryshme si Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Luksemburg etj. Por në Shqipëri piktori tregon se deri tani nga institucionet nuk ka pasur vëmendje për promovimin e veprave të tij. I vlerësuar në botë dhe së fundmi dhe me çmime të tjera, piktori Agim Sulaj vijon se në Shqipëri gjithmonë e ka promovuar vetë artin e tij.

 -Jeni i vlerësuar këto kohë në aktivitete të ndryshme. Si ndiheni?

 Përqendrimi kryesor këtë vit kanë qenë konkurrimet e karikaturës dhe pikturës. Në karikaturë së shpejti në datën 23 qershor 2019 çelet ekspozita dedikuar krijimtarisë sime (rreth 100 vepra) në qytetin e Portos në Portugali. Vepra që prezanton bidonin prej plastike, që gllabëron botën fituese e çmimit të dytë vitin e kaluar ka fituar përsëri çmimin e parë këtë vit me votën e publikut. Për këtë vlerësim Muzeu i Kombëtar i Shtypshkronjës në Porto i dedikon krijimtarisë sime këtë ekspozitë retrospektive.

 

-Ju në punën tuaj si artist vijoni me tema që prekin probleme të ndryshme. Çfarë ju shqetëson në shoqëritë sot?

Mendoj se kriza e sotme është politike, për rrjedhojë ekonomike e si pasojë çdo element i shoqërisë arti, letërsia të drejtat e njeriut vuajnë të parat këtë krizë. Pa përmendur vështirësinë e brezit të ri për të gjetur një të ardhme të qartë. Veprat e mia sidomos ato të para me syrin e njeriut që kritikon difektet e politikës, të varfërisë korrupsionit e emigrimit apo mbrojtjes se ambientit godasin shpesh këto fenomene. Karikatura e fundit, që fitoi në Belgjikë në qytetin e Knnoke Heist shpreh të pasurin, që jeton mbi të varfrin. Një konkurrim ndërkombëtar i karikaturës, çmimi më jepet në 29 qershor në Knokke Heist.

-Cili do të jete konkursi i radhës që do të merrni pjesë këtë vit?

Unë do të jem edhe në Barcelonë, ku piktura me titull "letra" është seleksionuar për fazën e parë të konkurrimit ndërkombëtar figurativas 2019. Konkurrimi më i rëndësishëm në botë për pikturën figurative, organizuar e sponsorizuar nga Muzeu Europian i Artit MEAM. Po ashtu në aktivitetin tim jam duke përgatitur tema të ndryshme për pjesëmarrje në Turqi, Poloni e Gjermani në karikaturë.

-Ju përmendët pjesëmarrjen në konkurse të ndryshme dhe vlerësime në veprat tuaja. Si i shikoni institucionet në Shqipëri për interesin që kanë treguar ndaj punës suaj?

Përkrahja e krijimtarisë sime nga institucionet shqiptare ka qenë gati zero. Një ftesë në bashkinë e Vlorës vjet, ku prezantova një ide për një skulpturë dedikuar emigrimit dhe kaq. Vepra në fjalë nuk u aprovua për mungesë fondesh. Boceti i saj në terakotë që ishte ekspozuar në bashki së shpejti do të jetë pjesë në Muzeun Europian Ecc Kruishoutem në Belgjikë. Ndërkohë në tridhjetë vjet larguar kam qenë vetëm unë promovuesi i punës sime në Shqipëri. Në vitin 2004 ishte një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve kur drejtor ishte Abaz Hado, shkas për këtë ekspozitë në ato vite ishte një nismë e mëparshme e kryeministrit të asaj kohe zoti Fatos Nano për të ekspozuar në galeri të gjithë veprat e krijuesve shqiptarë të emigruar, që krijojnë e punojnë jashtë. Këto vitet e fundit duke parë interesin e artdashësve kam çelur tre ekspozita vetjake në hollin e hotel Plaza, në Tiranë, por kjo është një përgatitje personale që nuk ka lidhje me institucionet, duke ju sjellë artdashësve krijimtarinë time.

-Kur do t’ju kemi në Tiranë me një ekspozitë të re?

Unë kam një ftesë nga zoti Dorian Koçi drejtor i Muzeut Historik kombëtar për të çelur një ekspozitë në ambientet e Muzeut. Jam akoma duke e menduar këtë, sepse nuk kam vendosur. Një ekspozitë ndërkombëtare të karikaturës botërore unë mund ta organizoj në fundviti për këtë më duhet dhe mbështetje nga ministria dhe galeria.

-Galeria Kombëtare e Arteve sipas artistëve ka mbyllur dyert dhe nuk jep mundësinë për ekspozita. Ju si e shikoni këtë problem?

Unë kam folur edhe në artikuj të tjerë për Galerinë Kombëtare të Arteve. Sa herë vij e shoh të mbyllur. Që ditën që ju pre ai lisi madhështor në oborrin e saj, duket sikur u tha dhe galeria. Nga Galeria Kombëtare e Arteve kam kujtime të bukura dhe shumë miq që më kanë pritur me dashuri. Tani kanë dalë në pension ose nuk janë më. Galeria Kombëtare e Arteve sot që shkruajmë po promovon heshtjen dhe dyert e mbyllura si “formë arti”.

-Sipas artistëve, përgjegjësia është e drejtorit Erzen Shkololli me politikat që ai ndjek. Ju çfarë mund të na thoni?

Unë i propozoj drejtorit të saj të dëgjojë artistët dhe ti vlerësojë ata, pasi ankimet e tyre janë ndihmesë dhe në punën e tij.

-Në këtë situatë ka pasur artistë që kanë protestuar para GKA, si psh., skulptori Ermir Grezda. Po ju sa i përkrahni?

Protestat e artistëve i bashkëngjiten atyre të teatrit dhe mbajnë shijen e hidhur të artistëve të braktisur të cilëve po ju ikën terreni nën këmbë. Galeria Kombëtare e Arteve ka edukuar artistë të mrekullueshëm dhe publiku shqiptar aty gjen mishërimin e vlerave më të mira të piktorëve e skulptorëve. E shoh me dashamirësi protestën e kolegut dhe shpresoj ta dëgjojnë.

-Si gjithmonë artistët i drejtohen edhe Ministrisë së Kulturës...

 Çelësin e Galerisë Kombëtare të Arteve e ka Ministria e Kulturës.

 -Nuk ka më asnjë aktivitet nga ministria dhe GKA për piktorët, më herët edhe konkursi “Onufri” u mbyll. Si ndikon kjo për artin dhe artistët?

Mbyllja e ekspozitës “Onufri” i hoqi kulturës shqiptare një nyje të bukur që e lidhte me jetën krijimtarinë dhe zhvillimet e artit pamor në vendin tonë. Ishte gati që kjo ekspozitë të kthehej në një traditë të bukur fundviti, por sa filloi të marrë jetë u mbyll. Artistët e kolegët e mi sot janë të detyruar të mbijetojnë në një realitet të vështirë artistik, vlerësimi i punimeve bëhet shpesh nga shije të privatëve, apo individëve të veçantë. Komisionet që vlerësojnë veprat e artit duhet të vazhdojnë të jenë mundësisht dhe me autorë të huaj, të cilët të gjykojnë pa ndikime miqësish apo rekomandime nga lart.

Aktiviteti ndër vite

Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar. 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga "Hosteni". Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te "Hosteni (revistë)", e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij "Valixhja e emigrantit" punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në "Aydin Dogan International Cartoon Competition". Në vitin 1992 hap një ekspozitë Rimini e në vitin 1993 një tjetër në Brindisi. Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini në Itali, ku tashmë është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta dhe merr vlerësimet maksimale. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në "karikaturizimin e personit". Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit. Në mars të këtij viti artisti shqiptar Agim Sulaj u nderua edhe me një tjetër çmim për aktivitetin e tij krijues. Në qytetin Prato në Toskana të Italisë edhe këtë vit emra të njohur të artit, kulturës dhe më gjerë u mblodhën në ceremoninë e çmimeve. Mes të vlerësuarve ishte dhe artisti Agim Sulaj. “Me mesazhin e fortë që përcjell vepra e Sulajt, bëhet ndihmëse dhe përkrahëse e idealeve më të larta njerëzore, për një botë e shoqëri civile më të mirë” vlerëson juria e çmimit “Prato” për punën e artistit shqiptar. Çmimi ndërkombëtar “Prato” i jepet artistëve, gazetarëve, shkrimtarëve të njohur, që kanë dedikuar krijimtarinë e tyre mbi problemet sociale.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 08:23

Restaurimi i një objekti për të është një formulë kimie ose fizike. Me orë të tëra për të kërkuar një zgjidhje, e cila mes shumë alternativash duhet të jetë e duhura, përndryshe dëmi do të jetë i pakthyeshëm.

Postuar: 24/08/2019 - 07:59

Filmi “The Van” po garon me 14 filma të tjerë për të fituar “Zemrën e Sarajevës

Postuar: 24/08/2019 - 07:57

Arkeologjia shqiptare është vënë në “lupën” e francezëve dhe italianëve.

Postuar: 23/08/2019 - 07:57

Që kur ka nisur diskutimi për teatrin e ri, kam pasur rastin të takoj shumë nga miqtë e mi aktorë

Postuar: 23/08/2019 - 07:55

Biseda e parë në Art House School do të bëhet me artistët Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita.

Postuar: 23/08/2019 - 07:54

Filmi “Derë e hapur” me regji nga Florenc Papas është në garën kryesore të Festivalit

Postuar: 22/08/2019 - 07:37

Ditën e djeshme në Qendrën e Kulturës “Vaçe Zela” u hap ekspozita me titull “Di