Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Alfred Bualoti: Arti dhe kultura në kaos, por s’kemi kujt t’i drejtohemi, nuk ka alternativë...

Postuar: 01/07/2018 - 07:13

Arti dhe kultura në amulli dhe nuk ke ku të drejtohesh për problematikën. Regjisori Alfred Bualoti njëkohësisht dhe drejtor i festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint tregon se në jetën artistike është një situatë, që artistët nuk dinë më se kujt ti drejtohen për problemet. Jo vetëm mungesa e transparencës nga Ministria e Kulturës, por dhe të tjera probleme me infrastrukturën në institucione apo dhe zhvillimin e aktiviteteve vijojnë të jenë shumë shqetësuese për artistët. Në intervistën për “SOT” regjisori dhe aktori Alfred Bualoti tregon se Ministria e Kulturës gjykon që të ketë një politikë se kush duhet mbështetur nga aktivitetet që zhvillohen përgjatë vitit, bën të kundërtën. Për regjisorin Alfred Bualoti kjo është një situatë absurde që vetëm flitet dhe gjërat nuk kanë marrë zgjidhje. Regjisori Bualoti njëkohësisht dhe drejtori i festivalit të Butrintit që këtë vit vjen në edicionin e 16 me emri “Butrinti Summer Festival” tregon se dhe për këtë vit buxheti ka qenë shumë i paktë dhe janë vetëm pesë shfaqje.

-Festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint mbërrin pas disa ditësh në edicionin e 16. Ky vit çfarë sjell?

Festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint, që është më i madhi në Shqipëri për sa i takon fushës së teatrit, fatkeqësisht shihet me vëmendje periferike nga Ministria e Kulturës. Festivali jonë është unik, por institucionet e kanë lënë pa mbështetje. Është shumë pak ndihma financiare që jepet për zhvillimin e tij. Ne kemi fatin që të jemi me festivalin tonë brenda një teatri të mrekullueshëm antik, sepse kam dëgjuar dhe shpesh që i thonë amfiteatër dhe kjo duhet eliminuar që nga zyrtarët më të lartë deri tek ata më poshtë, që të shohin se çfarë do të thotë amfiteatër dhe teatër. Në Butrint kemi të bëjmë me teatrin antik, dhe jo me amfiteatrin. Të gjithë ata që do përmendin Butrint do thonë teatri antik i Butrintit. Edhe te liqeni artificial i Tiranës nuk është amfiteatër, por një teatër veror, sepse kam dëgjuar që dhe atë e quajnë amfiteatër. Këtë vit në festivalin marrin pjesë 5 trupa, njëra është e teatrit Metropol, që vjen me “Natën e 12”, shfaqja e një trupe që vjen nga Athina me dy regjisorë që titullohet “Personazhe nga antikiteti”, e treta është shfaqja që ne na vjen nga Maqedonia, dhe trupa është indipendente dhe titullohet “Njeriu dhe zjarri”, një shfaqje është dhe “Monger”, që vjen nga TOB, dans teatër vepër e një koreografi izraelit si dhe “Kopshti i qershive”, që vjen nga Ukraina. Ne nga rreth 50 shfaqje këtë vit zgjodhëm pesë prej tyre, sepse dhe nuk kemi mundësi për më tepër në festival. Festivali ynë ka nisur që në vitin 2000, por nga ana financiare nuk kemi mundësi për më shumë shfaqje.

-Vijojnë problemet financiare me aktivitete dhe projekte, që zhvillohen jo vetëm në Tiranë por dhe në vende të tjera. Artistët dhe organizatorët vijojnë të akuzojnë Ministrinë e Kulturës. Çfarë po ndodh?

E di Ministria e Kulturës se çfarë po bën. Ministria gjykon që në vend që të bëjë pak projekte dhe të ketë një politikë se kush duhet mbështetur nga aktivitetet, që zhvillohen përgjatë vitit, bën të kundërtën. Ministria bën 150 dhe nuk bën asgjë. Por festivali i Butrintit nuk mund të jetë kështu. Ne do të gjejmë forma të tjera për ta vazhduar, që të mos të stopohet festivali, sepse për dy vite rresht u ndërpre. Ne e rifilluam dhe me shumë vështirësi po e mbajmë festivalin, por ne do ta zhvillojmë. Ne artistët dhe organizatorët e aktiviteteve gjithmonë jemi me mendime që në menaxhimin e fondeve publike apo në drejtimin e drejtpërdrejtë të artit dhe kulturës ata që do të vijnë do të kuptojnë se cilët janë aktivitetet që duhet të mbështeten. Por dhe këta që erdhën në drejtim të Ministrisë së Kulturës e mbështetën me këto shuma që ne po flasim, që janë shumë të pakta, qesharake. Këtë quan mbështetje ministria. Por ajo që unë shikoj me shqetësim, arti në amulli. Kemi një kaos në art dhe kulturë. Por kujt ti drejtohesh? Më vjen keq që këtu ka filluar të thuhet që nuk ka alternativë, dhe kjo përmendet kudo dhe në ekonomi, në politika financiare etj. Pra duhet të gjejmë alternativa, duhet të gjejmë një gjë që jo ti rezistojë kohës. Pra si mundet ne të dalim nga kjo amulli ku jemi tani? Unë po them që arti dhe kultura duke qenë në amulli, janë dhe një nga alternativat që mund të dali nga rrokopuja ky vend. Këtu nuk është fjala për art dhe kulturë me një shprehje teorike. Por është fjala për të hyrë në rrafshin edukimit. Nuk është asgjë tjetër në themel arti dhe kultura përveçse edukim. Këtë vit po të shikosh fletëpalosjen e festivalit kemi hyrë në llogjikën e disa disiplinave artistike jo vetëm teatër, por dhe dans teatër, muzikë, koncert, etj. Te fletëpalosja kemi vënë në qendër fëmijët. Aty janë fotografuar disa fëmijët që rrinin dhe shikonin në Butrint, dhe duke parë fytyrat e tyre unë mendoja se ata e shohin si një nga të vetmet alternativa për t’u edukuar për Europën. Pra e vetmja alternativë për edukimin e tyre si europianë është arti dhe kultura. Ministrja Kumbaro në gjithë këto vite shikon axhendën e vet. Nuk ka ardhur në festivalin e Butrintit.

-Ju e keni ftuar?

Ne nuk mundemi mos të ftojmë Ministrinë e Kulturës, edhe pse jep një buxhet absurd për festivalin. Ne i çojmë librin, posterin, ftesën për festivalin dhe çfarë do të ndodhë çdo vit me “Butrintin 2000”. Por kjo nuk ka rëndësi për mua. Unë them që ky vend më shumë se kurrë ka nevojë për kulturën dhe edukimin. Nuk ka asnjë referencë për në rrafshin e edukimit. Çdo ditë dëgjojmë vjedhje, vrasje, etj, por janë vite e vite të tëra. Çfarë do të bëjmë me brezat? Mos mendohet vetëm Tirana por dhe rrethet. Arti dhe kultura është bazamenti i marrshit të edukimit. Unë nuk i njoh politikat e Ministrisë së Kulturës në art dhe kulturë. Unë shikoj aq sa mund të bëj vetë me festivalin që të them fjalën time. Mos harrojmë që teatrot në rrethe ka disa institucione në mjerim.

-Teatrot në rrethe lënë për të dëshiruar, janë shprehur disa artistë. Janë godina që presin investime. Çfarë kërkoni?

Nëse shteti nuk ka ndjesi shumë të mëdha në fushën e artit dhe kulturës për ta ndrequr këtë vedn, të ardhmen e këtij vendi ajo është e sëmurë. Duhet menduar për infrastruktura e teatrove me shumë përparësi dhe nuk është fjala vetëm për të rregulluar 5 tulla, por infrastruktura e mendjes, kush e drejton, çfarë bëjnë artistët, çfarë repertori duhet të ketë etj. Disa teatro në rrethe duhet ti marrë Ministria e Kulturës, mund ti quajë dhe teatro rajonalë, por çadra që do ti mbulojë të jetë shteti, që deri më sot nuk ka bërë asgjë. Shteti duhet të koordinojë konceptin politik të mbështetjes financiare me pushtetin vendor. Kjo nuk ka ndodhur deri tani. Ne si artistë nuk e dimë se çfarë ndodh në politikat e shtetit shqiptar në rrafshin e edukimit dhe kulturës. Por unë di këtë, që nëse nuk do ketë vëmendje të mprehtë për artin dhe kulturën, për institucionet, ky vend të nesërmen e ka të sëmurë.

-Vijon mungesa e transparencës në institucione dhe ju i jeni bashkuar artistëve të tjerë për këtë që po ndodh me Ministrinë e Kulturës, po kërkoni transparencë...

Mungesa e transparencës ka vite e vite. Është vetë titullarja, që duhet të thotë pse ka mungesë transparence, pse x apo y projekte kanë këto shifra buxheti kur shpallen. Ministria e Kulturës deri tani ka treguar mungesë transparence dhe për projektligje, etj. Prezantohen dhe as nuk dihet se çfarë ka ndodhur.

-Ligji i të drejtës së autorit vijon me probleme. Sa shpresoni të rregullohen gjërat?

Ka vite kjo punë. Për komedinë shqiptare “Pallati 176” asgjë nuk kemi marr deri më sot. E përsëris kjo vijon sepse tek ne çdo gjë është në amulli. Ndoshta është komedia, që ka numrin më të madh në historinë e teatrit të shfaqjes, por kjo nuk do të thotë gjë, sepse të gjithë këtu notojmë në një amulli. Kush mundet të marrë dy lek është i lumtur, kush nuk merr asgjë nuk di se ku të përplaset.

-Pse jeni kundër aktivitetit “Leximi i dramës shqipe” në Teatrin Kombëtar?

Historia e dramës shqiptare është e hershme. Për hir të dëshirës për ta pasur këtë pranë teatrit dhe të jetë në repertor, janë bërë lloj- lloj eksperiencash, një ka qenë ai i Teatrit Kombëtar që u futën autorët dhe lexonin tekstet në një kohë gati behar. Një gjë krejt jo vetëm jashtë logjikës, por dhe u bë komike. Nuk kuptohej se çfarë përzgjidhej dhe kush. Unë jam kundër këtij aktiviteti, sepse është një përzgjedhje jo vetëm amatoreske, por dhe pa dobi. Dramaturgët e teatrit duhet të jenë pranë teatrit, por si kanë mbajtur. Duhet të bashkëveprojnë me teatrin dhe materiali i tyre hyn në laboratorin e teatrit para se të shohi dritat në skenë, kështu janë bërë veprat më të mira shqiptare.

-Në skenën e teatrit ishte me rolin kryesor në shfaqjen “Nji mbret pa mbretni” premierë në teatrin“Skampa” të Elbasanit. Çfarë solli ky bashkëpunim?

Vepra e shkruar nga Primo Shllaku erdhi në skenë nga regjisori Stefan Çapaliku. Publiku në dramën komike “Nji mbret pa mbretni”, në teatrin “Skampa” përjetoi një satirë, ngjarje që përmbajnë elementë filozofikë brenda dhe metafora, pra një vepër për të gjitha diktaturat. Unë luaja mbretin dhe ngjarjet e veprës zhvillohen në një oborr mbretëror. Kjo dramë synonte të zbulonte sesa të dobët dhe fatkëqij janë diktatorët, pamja e të cilëve rrezaton madhështi e force. Diktatorët i mundon vetmia dhe absurdi i dëshirave të tyre që alternohen me shpejtësi pa i lënë radhë njëra-tjetrës që të zëvendësohen. Në vepër përcillen mesazhe për shoqërinë. Ishte një bashkëpunim shumë i mirë për mua. Unë kam dhe vetë projekte me tetarin, por janë të vështira për tu realizuar.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 22

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/09/2018 - 07:48

Aktori Ndriçim Xhepa në një reagim të tij shprehet se produktet skenike vitet e fundit kanë nivel të ulët artistik.

Postuar: 26/09/2018 - 07:46

Xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve” kanë nisur

Postuar: 26/09/2018 - 07:44

I angazhuar në projektin e Kinës me 16 vende të Europës Lindore kompozitori i njohur Endri Sina t

Postuar: 25/09/2018 - 09:41

Ambasada Franceze fton në Tiranë kompaninë “Transe Express” e themeluar më 1982, e ci

Postuar: 25/09/2018 - 08:05

Këtë rradhë grupimi i piktorëve pleneristë nga Shqipëria ishin të ftuar nga disa komuna të jugut

Postuar: 25/09/2018 - 07:59

Opera “Carmen” zyrtarisht realizon aktin e parë të protokollit të bashkëpunimit të TO

Postuar: 25/09/2018 - 07:57

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit ka nisur