Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Alfred Bualoti: Arti në një situatë tragjikomike, titullarët vijnë e shkojnë por statusi i artistit mungon

Postuar: 06/01/2019 - 08:12

Për teatrin në vend nuk është bërë asgjë që të ketë më shumë mundësi për zhvillimin e jetës artistike. Probleme të shumta shoqërojnë artistët, por përgjegjësia sipas tyre shkon te institucionet. Regjisori Alfred Bualoti këtë fillim viti shprehet se nga Ministria e Kulturës nuk u bë për teatrin këto pesë vite, mungoi statusi i artistit, madje dhe buxhetet për të marrë pjesë teatri shqiptar në festivale nuk pati. Për regjisorin dhe aktorin Alfred Bualoti kjo është një situatë që kërkon të tjera politika në zhvillimin e teatrit në vend. Në intervistën për “SOT” regjisori Alfred Bualoti njëkohësisht dhe drejtor i festivalit ndërkombëtar të teatrit “Butrinti 2000” tregon se nga Ministria e Kulturës ka munguar mbështetja e duhur me financim. Ai tregon se janë disa festivale që zhvillohen në vend dhe nuk mund të jenë më bashkë në aplikim me projektet e tjera, por duhet të ketë një tjetër vështrim për zhvillimin e tyre.

-Festivali “Butrinti 2000” është pohuar nga ju dhe të tjerë artistë me vlera për jetën artistike në vend. Me çfarë vështirësish jeni përballur ndër vite?

Sigurisht që ne e kishim një largpamësi dhe ishim të sigurt që festivali do të kishte jetë dhe këtë na e bënë më të sigurt artistët e shquar që vinin aty, personalitet e mëdha që kanë kaluar qoftë si të ftuar apo dhe nga skena magjike e Butrintit, të cilët thonin që festivali do të jetojë sa gurët e Butrintit. Kjo do të thotë që pavarësisht nga gjithë këto problematika dhe shqetësime apo gjëra të paparashikuara, që i kanë ndodhur festivalit tonë ai vijon rrugëtimin e tij dhe do të jetë shumë i gjatë.

-Në festival vijnë dhe trupa nga vendet e largëta, çfarë përshtypjesh kanë për festivalin?

Së fundmi ne kishim të ftuar në festivalin tonë teatrin nacional të Pekinit. Kjo nuk ishte pak për një festival, që teatri i Pekinit të vinte me “Rikardin e tretë” në “Butriti 2000”. Ne kemi pasur dhe nga SHBA me shfaqje nga Nju Jorku, tani na erdhi një kontinent tjetër dhe na u bashkua në festivalin tonë, pra skaje të largëta të botës me emra të mëdhenj siç ishte dhe Teatri Kombëtar i Pekinit. Kjo nuk është një rastësi, sepse ky teatër mund të kishte shkuar kudo në Europë dhe Ballkan, por zgjodhi Butrintin dhe jo pa qëllim, sepse emri i tij për ata ishte i mbarë ishte një gjë e rrallë, skena e tij, kushte të atilla që ata pa ngurrim donin të merrnin pjesë në festival edhe pse ne nuk kishim mundësi nga buxheti. Nëse ne do ti thoshim sa buxhet kishim nuk do ta besonin. Ata harxhuan të bindur që do të shkonin në një vend të rëndësishëm për ata, erdhën tek ne duke u kushtuar kjo pjesëmarrje 90 mijë euro dhe ata i paguan të gjithë vetë, sepse ishin 35 veta. Ku do të gjenim ne paratë për bileta avioni nga Pekini? Ku do ti gjenim paratë për dekorin të vinte? Pra në këtë drejtim sigurisht hallet i dimë ne më shumë që merremi se sa të tjerët.

-Sa e ndihmoi ministrja Kumbaro festivalin ndërkombëtar të teatrit “Butrinti 2000” në pesë vite?

Ministrja Kumbaro sa ishte në drejtim të Ministrisë së Kulturës e ndihmoi festivalin me buxhet shumë pak. Ministrja Kumbaro nuk erdhi kurrë në Butrint në festival dhe ka qenë çdo vit e ftuar, ku dhe librin që dilte për festivalin ia dërgonim. Ajo nuk donte t’ia dinte për festivalin, madje çuditej se si po vazhdonte “Butrinti 2000”. Kënaqësia e saj ishte të mos kishte më festival në Butrint. Ato buxhete që ajo dha ishin shumë pak. Këtë vit me ndërrimin e saj presim të kemi ndryshime.

-Çfarë prisni?

Ne presim që për “Butrinti 2000” të ketë një tjetër vështrim, përparësor dhe realist sa i takon festivaleve të traditës. Kjo do të thotë që ne si festival i Butrintit, apo TIFF, festivali i Dansit nuk duhet të hyjmë në garë përsëri me projekte si gjithë të tjerët. Ne e kemi nisur festivalin tonë në vitin 2000 dhe është pa diskutim më i vjetri që zhvillohet, veçantia e tij është një gjë që nuk ka nevojë ta them unë. Ne jemi unik në llojin tonë, niveli është i lartë. Është edicioni i 17, që do të bëhet këtë vit dhe duhet që festivale të tilla të jenë në axhendën e ministrisë. Mendoj se është mirë që ministrja e re që do të jetë në Ministri të Kulturë të ketë vëmendje. Unë do të kërkoj takim me atë dhe do t’ia parashtroj të gjitha kërkesat tona, idetë dhe strategjitë që duhet të përdori ajo për të tilla aktivitete.

-Dhe në rast se nuk do të gjeni mbështetjen që prisni?

Nuk di të them tani, sepse ne do të shikojmë hallet tona të zgjidhim problemet me festivalin dhe ta zhvillojmë. Ne jemi pjesë e skenës së pavarur kulturore dhe gjithkush duhet të përpiqet ta çojë përpara aventurën e tij, sepse nuk është vetëm buxheti që na shtyn ne. Nëse do të ishte për buxhetin festivali duhet të ishte ndërprerë me kohë.

-Jeni njohur me projektligjin e artit?

Unë nuk e di, nuk jam njohur mbase të tjerët. Nga Ministria e Kulturës ne nuk na ka ardhur asnjë draft për ta parë. Sigurisht që nuk e gjykoj të drejtë, sepse projektligji duhet të diskutohet me grupet e interesit, me komunitetin e artistëve, por ne jo. Nuk di të jenë zhvilluar as takime për hartimin e projektligji të artit. Ne derisa jemi pjesë përbërëse me festivalin tonë e skenës së pavarur kulturore sigurisht që duhet të ishim pjesë në hartimin e projektligjit, por dhe sepse jam dhe pjesë e komunitetit artistik me teatrin dhe filmin. Por si shumë të tjerë që nuk kanë marrë pjesë në këtë histori dhe unë nuk kam qenë i ftuar ndonjëherë që të njihem me projektligjin për artin dhe teatrin, apo të jem i ftuar në ndonjë diskutim. Por do ta shohim, uroj mos të jetë një gjë më keq se sa ka qenë me ligjin.

-Sa u ndihmua teatri në vend nga ministrja Kumbaro?

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, që është në largim duhet të kishte bërë me patjetër për teatrin, por nuk bëri asgjë përsa i takon reformës revolucionare, që i takonte artit në përgjithësi dhe teatrit në veçanti. Janë hedhur shumë mendime për teatrin dhe i kemi të ballafaquar me vendet më të qytetëruara të Europës dhe këto kanë qindra vite që laburojnë përmes teatrit, që bëjnë skema nëpërmjet teatrit, dhe kanë bërë reforma me teatrin që në vitet ’70. Ne atëherë hodhëm mendimin që Shqipëria të ketë 3 apo 4 teatro të mirëfilltë rajonalë, pra ne dhamë mendimin dhe asgjë nuk u bë në këtë drejtim. Së fundmi u hodhën para për skena si Korça, nuk e di sa Shkodra apo në skenë tjetër, por janë asgjë për atë që do teatri në vend. Këtu nga Ministria e Kulturës duhet të ishte një reformë në strukturën e teatrit. Çfarë do të thotë skena nacionale e teatrit? Aty duhej të ishin kthyer në qendra të vërteta të shkëmbimit të kulturës, teatrit dhe artit ku merrte pjesë ministria, shteti që duhet të ishte më i interesuari në këto 3-4 teatro të Shqipërisë që do të ishin nacionale. Duke filluar që nga infrastruktura që duhej të ishte e nivelit të lartë, por sot teatri vuan për investime, infrastruktura, etj.

-Artistët shprehen se titullarët në institucione duhet të zgjidhen nga komuniteti artistik. Ju si mendoni?

Mendim i drejtë. Jam dakord. Ne nuk dimë asgjë se si bëhet përzgjedhja, nuk bëhen publike platformat e konkurruesve, nuk dimë asgjë. Artistët duhet të ketë një përqindje në përzgjedhjen e drejtuesve të tij. Nëse ti si Ministri Kulture këtë se bën atëherë nuk ke bërë asgjë. Në këtë drejtim komuniteti me domosdo duhet të njihet me platformat e drejtuesve dhe të marrë pjesë masivisht që të ketë mundësi të ketë veto sa i takon përzgjedhjes së drejtuesve.

-Mungesa e dramës shqipe është parë problem prej vitesh, sa kanë përgjegjësi institucionet?

Të mos kesh mundësi të lëvrosh dramaturgjinë shqiptare kjo është një gjë shumë tragjikomike, sepse teatrot tanë me domosdo duhet ti kenë pranë tyre autorët shqiptarë. Mendoj se nuk i kanë marrë autorët përderisa ka përzgjedhje të dobët të dramaturgjisë shqiptare, sepse nuk ka laborator. Dramaturgu është pranë teatrit, te ne si kanë afruar. Një nga format duhet për të ndihmuar autorët shqiptarë duhet të ishte dhe një konkurs për dramën shqipe, që të zhvillohet nga Ministria e Kulturës. Por se ka marrë parasysh as këtë.

-Nëse teatri në vend nuk ka mundësi të jetë në festivalet jashtë, si ndikon kjo?

Nëse teatri nuk ka buxhet të shkojë në festivalet jashtë kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës. Është çështje filozofie dhe vështrimi, që pse e dërgon ti teatrin në festivale? Pse e çon vetëm për të dhënë shfaqje? Jo. Duhet ta çosh teatrin për t’u ballafaquar, sepse festivalet janë dhe si shkolla teatrore, ballafaqim të nivelit artistik dhe të shijeve. Në këtë drejtim nuk është bërë sepse nuk ka qenë në axhendat e vështrimit të ministreshës apo ekipit që drejtonte Ministrinë e Kulturës.

-Ministria do të ketë në krye një tjetër ministre. Çfarë do t’i kërkoni për teatrin në vend?

Mendimi im është, që unë në atë takim që do të kërkoj me të do t’ia parashtroj zonjës ministre kërkesat dhe problemet për teatrin. Do të isha shumë i kënaqur që të reflektojnë në këtë drejtim dhe të mirëpriteshin gjërat tona. Ndoshta do të merrnin drejtimin e duhur, ose mund të mos realizohej gjithçka por ama të bindemi që çfarë nevoje ka sot teatri. Ministrie re e Kulturës në mënyrë absolute duhet të shtojë buxhetet për teatrin në vend, sepse është lënë në mjerim. Dhe këtu nuk flas vetëm për buxhetin direkt nga shteti sepse ka dhe rrugë të tjera. Përshembull ajo mund ta shkëpusë festivalin e Butrintit nga buxheti i Ministrisë së Kulturës me paratë që ka vetë parku kombëtar i Butrintit. Vetë ministresh duke qenë kryetare bordi në këtë mes një shumë normal ta ketë nga buxheti i Butrintit për festivalin që zhvillohet atje çdo vit. Dhe më pas ka dhe të drejtë të kërkojë nivel artistik, shfaqje të shumta, larmi në festival. Unë do t’ia bëj të qartë ministreshës çfarë do të ndodhë me festivalin e Butrintit nëse veprohet në këtë mënyrë dhe duke i veçuar disa festivale nga të qenurit të gjithë bashkë te projektet. Nuk shkon më kjo histori.

-Sa u vlerësua artisti këto pesë vite sipas jush?

Unë nuk shikoj vlerësim të artistit. Është folur prej vitesh për statusin artistit dhe vetëm fjalë, asgjë nuk u bë nga Ministria e Kulturës. Të mos ketë një status artisti tek ne është një gjë tragjikomike. Artistin e kanë lënë në një situatë tragjikomike. Çdo titullar vjen dhe ikën dhe statusi mungon. Çfarë është ky shtet, sepse artisti ka bërë shkollën. Edhe ky vit për artin ka nisur siç ka qenë më parë asgjë nuk kemi parë.

Festivali ndër vite

“Butrinti Summer Festival” deri tani ka zhvilluar 16 edicione. Në 2018 festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint nisi mbrëmjen e 8 korrikut deri më datë 14, duke sjellë disa shfaqje në skenën antike me aktorët shqiptarë, por dhe të huaj. Këtë herë trupa nga Maqedonia, Ukraina, Greqia, Shqipëria por dhe Kina e largët ishin në skenë. Për publikun u shfaqën vepra të autorëve të njohur botërorë dhe nuk munguan dhe veprat e antikiteti grek. Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrintit 2000” ndër vite është parë si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik. Ai është arenë e dramaturgjisë së mjeshtrave të mëdhenj, të cilët vijnë dhe aktualizohen prej mbartësve të një realiteti bashkëkohor. Në 12 edicionet e tij kanë marrë pjesë trupa teatrore nga: Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria. “Nga këto vende kanë pasur fatin të luajnë në skenën magjike të Butrintit rreth 2650 artistë, si dhe janë ndjekur nga përreth 65.500 spektatorë vendas e të huaj. Zhvillimi i edicioneve të mëparshme të festivalit ishin pa mëdyshje një sukses i prekshëm, që për nga vlerat e gjithanshme krijuan një jehonë të jashtëzakonshme në qarqet e kulturës evropiane”, thuhet në faqen zyrtare të festivalit.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/01/2019 - 07:34

Sopranoja Ermonela Jaho do të luajë sërish “La Traviatën” e famshme të Verdit, në Operën Mbretërore në Londër.

Postuar: 18/01/2019 - 07:33

Galeria e artit FAB nis vitin artistik me ekspozitën personale të piktorit Maks Velo.

Postuar: 18/01/2019 - 07:32

Artistët shprehen se për problemet që prej kohësh shoqërojnë Galerinë Kombëtare të Arteve ata do

Postuar: 17/01/2019 - 07:35

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore shkruan se Mirela Kumbaro u largua nga drejtimi i M

Postuar: 17/01/2019 - 07:34

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivoli”  në vijim të sezonit artist

Postuar: 17/01/2019 - 07:32

Filmi “Streha mes reve” vazhdon turin në qytetin e Shkodrës, ku u shfaq në kinema Mil

Postuar: 17/01/2019 - 07:31

Instituti i Historisë këtë vit mes aktiviteteve që do të zhvillohen dy konferenca shkencore ia ku