Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Alfred Bualoti: Nuk bëhet art dhe kulturë para kompjuterit të zyrës, ministria duhet të shkelë nga Vermoshi në Konispol...

Alfred Bualoti: Nuk bëhet art dhe kulturë para kompjuterit të zyrës,  ministria duhet të shkelë nga Vermoshi në Konispol...

Postuar: 11/04/2015 - 08:06

Festivali ndërkombëtar teatror “Butrinti 2000” pritet të vijë këtë vit në edicionin e 14, por organizatorët pohojnë se po përballen sërish me shumë vështirësi të zhvillimit të tij. Një vit më parë festivali nuk u zhvillua, për shkak të mungesës së buxhetit, ndërsa këtë vit drejtori i festivalit Alfred Bualoti pohon se është menduar që ai të zhvillohet nga data 18 deri më 26 korrik, ku pritet të jenë 8 trupa teatrore. Në intervistën dhënë për gazetën, drejtori Bualoti thekson se vështirësitë vijnë në fillim nga buxheti i paktë që akordon Ministria e Kulturës, që sipas tij nuk ka bërë një ndarje të drejtë me financimin e projekteve. Për drejtorin e festivalit “Butrinti 2000”, sot jeta artistike dhe kulturore nuk ka vëmendjen e duhur nga Ministria e Kulturës, ku duhet të ketë më shumë politika në drejtim të zhvillimit të artit, por shumë vëmendje duhet të marrë dhe edukimi përmes artit. Regjisor, aktor dhe drejtor i festivalit “Butrinti 2000”, Alfred Bualoti mes të tjerave pohon se nga pikëpamja se si operon Ministria e Kulturës me jetën artistike ka shumë mangësi.
 
Festivali ndërkombëtar teatror i Butrintit këtë vit pritet të jetë në edicionin e tij të 14. Por ju më herët keni pohuar dhe poblemet me financimin e tij. Sa është financuar këtë vit festivali nga Ministria e Kulturës?
 
Ministria e Kulturës ne na ka akorduar 10 mijë euro për festivalin, 14 milionë lekë të vjetra, aq sa vitin që shkoi. Ne kërkuam për këtë projekt të festivalit mbi 6 milionë lekë të reja, dhe ishte një e katërta e buxhetit që kërkon festivali. Por me këtë shumë për ne si organizatorë është e pamundur zhvillimi i festivalit. Megjithatë ne po bëjmë përpjekjet tona, që të mos e humbim dhe për të dytin vit radhazi festivalin në Butrint.
 
Ju pohoni se ka vështirësi, por ku jeni duke kërkuar financime të tjera?
 
Në vjet i kthyem paratë që na akordoi Ministria e Kulturës, por këtë vit nuk e di se ç’do të bëjmë deri në këto momente që flasim. Por së fundmi nëpërmjet ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit,Tregtisë, zotit Arben Ahmetaj, me përkrahje dhe me një mbështetje të tij morale, kemi kontaktuar dhe me Agjencinë Kombëtare të Turizmit me të cilën po punojmë bashkërisht, që të shikojmë mundësitë reale se si do të konkretizohet ndihma e kësaj ministrie. Duke qenë pranë Ministrisë së Turizmit, aty ne kemi dhe shpresat e mbështetjes, por dhe të një bashkëpunimi të ngushtë që kemi me parkun e Butrintit, që po bën ç’është e mundur që të na mbështesë.
 
Sa trupa priten të marrin pjesë këtë vit?
 
Pritet të jenë 7 deri në 8 trupa teatrore, përgjithësisht nga Europa. Shqipëria, akoma ne nuk kemi diçka konkrete, sepse kemi 2-3 versione që do ti shikojmë, por më e rëndësishmja ne kemi një version të shfaqjes “Romeo e Zhuljeta”, ku mund të shpalosim spektakël në Butrint. Kjo shfaqje është dhënë para një jave në Beograd, dhe është parë nga koordinatorja jonë atje Dragana Boskoviç. Ajo është një kooproduksion mes Prishtinës dhe Beogradit, një shfaqje që do jetë në dy gjuhë, shqip dhe serbisht. Trupat e tjera do të jenë nga Spanja, Franca, Bullgaria, Maqedonia, etj. Por këto trupa do të jenë në festival gjithmonë nëqoftëse ne do të arrijmë të bëjmë festivalin, sepse jemi në fillimet e bashkëpunimet, shpresoj ta realizojmë. I kam shpresat tek Ministria e Turizmit, që ju thashë dhe tek Agjencia Kombëtare e Turizmit.
 
Ju u shprehët se është një buxhet i vogël që është dhënë nga Ministria e Kulturës për festivalin, por ndërkohë që ju keni parë dhe listën e projekteve që janë miratuar për financim. Ka vëmendje dhe tek projekte që nuk janë të traditës, ndërsa këto të fundit përballen me mungesa të theksuara buxheti?
 
Unë nuk di të them se cilat janë synimet, strategjia që ka Ministria e Kulturës në raport me projektet, sepse nuk di kush i ka përzgjedhur projektet. Ndarja në këto forma, pa një pikësynim të veçantë dhe pa mbështetjen e duhur të disa shtyllave në të cilat do mbështetesh ndihma e Ministrisë së Kulturës dhe interesi më i madh që ka ajo në x apo y fushë, në x apo y projekt, aktivitet, kjo do të ishte më e udhës për mua. Ndërsa në këtë formë që ndahet buxheti nga Ministria e Kulturës si një gjë për t’u gëzuar të gjithë, dhe në fund nuk dihet çfarë rezultati do ketë, kjo është një gjë që e kemi thënë, është koncepti i tyre, mendimi i tyre, le ta mbajnë këtë koncept të tyre, por unë nuk mendoj se do të bjerë frute në shërbim jo vetëm të komunitetit, por dhe të kulturës e artit në veçanti. Që të mos shpallësh një bord të vërtetë personalitetesh, qoftë edhe nga jashtë, për të përzgjedhur projektet dhe për të thënë ato fjalën e tyre dhe për mos pasur asnjë qejfmbetje për gjykim, më mirë për ministrinë do të ishte të shpallte bordin që në fillim. Të dinim se me çfarë kishim të bënim dhe në fund të dinim çfarë shume të kishim në buxhet dhe se si do të operohej me aktivitete të traditës apo aktivitete të mëdha, një nga të cilët është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000”. Nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse janë futur dhe aktivitete të reja, sepse nuk duhet të mbetemi vetëm tek ata të traditës. Por kjo nuk do të thotë të lësh mënjanë ti si ministri ato aktivitete që kanë thënë fjalën e tyre, dhe sjellin jo vetëm interes për gjithë komunitetin, vendin, por janë aktivitete që krijojnë imazhin e vendit. Unë nuk mund të shpjegoj se çfarë ka në mendje Ministria e Kulturës në raport me Butrintin, dhe pse vendos shifra të tilla në buxhet për festivalin, ky është vendim i saj. Por ne kemi parë në ato lista që kanë marrë buxhete shumë më tepër se sa ne. Kjo nuk do të thotë që ne të ankohemi, sepse ne ankohemi vetëm për atë që kemi marrë për “Butrinti 2000”. Sigurisht që ka qenë një luftë e vazhdueshme e jona, por shuma të tilla në buxhet, ne nuk kemi marrë asnjë vit në ministrat e Kulturës, që kanë kaluar. Ndaj dhe ne përpiqemi të shikojmë mundësi të tjera
 
Ju folët mbi problemet që vijnë me financimet e projekteve, por jeta artistike, sipas jush sa ka qenë në vëmendjen e ministrisë?
 
E kam thënë dhe herë të tjera. Nëse ky vend ka nevojë për reforma të mëdha, ndryshime të mëdha, ashtu siç dhe po ndodh në një mënyrë apo tjetër, një nga reformat e mëdha dhe që duhet të jetë vëmendja e të gjithëve, duhet të jetë revolucioni në fushën e kulturës dhe artit, që duhet bërë nga Ministria e Kulturës. Nuk ka se si të jetë, që të veçohet kultura dhe arti, megjithë këto ngjarje të mëdha, këtë atmosferë ngjarjesh të rënda karakteresh njerëzorë, transformimesh të një karakteri te një tjetër, ti e njeh me një kostum alla fisnikërie dhe nga ana tjetër shikon që kemi të bëjmë me një llumbëtirë të këtij vendi. Pikësëpari duhet nisur me domosdo me fushën e edukimit përmes kulturës.
 
Por nga Ministria e Kulturës janë bërë projekte që kanë vëmendje edukimin përmes kulturës me institucionet?
 
Unë nuk di çfarë projektesh ka, por nuk po shikoj gjë të realizuar si duhet. Edukimi duhet të fillojë që në lindje të shoqërisë. Në vend që të eliminohen shumë gjëra, po agravohen gjërat. Unë nuk di se çdo të bënte në një vend të qytetëruar, që djem të rinj të dalin me kallashnikovë dhe të vrasin njëri-tjetrin? Pse duhet të ndodhë kjo? Ku është aktiviteti? Ku është edukimi? Si formohen këta njerëz? Pra ky revolucion që ju thashë duhet të fillojë menjëherë të konkretizohet dhe të mendohet me mendje gjeniale. Eksperienca është e madhe ndër vendet e qytetëruara se si mundet të hyjnë dhe të operojnë brenda shoqërisë me projekte të mirëfillta, që nesër të kesh një brez jo rrugaçërie, por të mendojë seriozisht, të gëzojë, të kulturohet.
 
Po institucionet e artit, sa është shqetësuese për ju si artist kur shikoni që kanë jo pak probleme duke filluar që nga infrastruktura?
 
 Ka ardhur momenti që duhet të mendojnë të gjithë seriozisht se çfarë duhet të bëjnë me institucionet e artit dhe kulturës. Jo vetëm këta ekzistues duhet të rinovohen, por duhet menduar dhe për gjëra të reja, sepse neve nganjëherë na duket vetja se jemi të parët jo vetëm në rajon por dhe në një pjesë të Europës, por kur vjen puna për disa gjëra na e kalon dhe Maqedonia, duke bërë një teatër nga më të bukurit, edhe pse ka 2-3 teatro nacionalë. Kjo do të thotë që duhet të mendohet seriozisht se si do të rinovohen teatrot, qoftë edhe degë të tjera. Si do rinovohet ky art dhe kulturë, dhe çfarë do të bëjë tjetër.   
 
Po vetë institucionin e Ministrisë së Kulturës si e shikoni?
 
Probleme ka shumë, por në radhë të parë duhet që dhe buxheti i Ministrisë së Kulturës të rritet, sepse kur e ka buxhetin më të madh Ministria e Kulturës në Kosovë, kjo nuk shkon. Pra duhet menduar seriozisht se si duhet të rritet ky buxhet, për artin dhe kulturën, për trashëgiminë kulturore. Por nga pikëpamja operacionale, unë e shikoj një gjë jashtëzakonisht të mangët. Nuk është Ministria e Kulturës për t’u mbyllur në disa zyra me kolonata dhe për të ndenjur përpara kompjuterit për të parë se si nëpërmjet kompjuterit mund të bësh mrekullinë e kësaj bote, kulturën? Ministria e Kulturës duhet të shkelë nga Vermoshi në Konispol, që do të thotë çfarë bëjnë këta njerëz. Si edukohen dhe argëtohen? Si marrin këtë kulturë, nga e marrin? Nga ekrani televiziv, bingot? Nga lokalet? Nga bastet? Ku është koha e tyre e lirë. Si mundet t’i lësh njerëzit pa asgjë, aq më tepër institucionet e atyre rretheve, që nga teatrot, tek teatror e varietesë, tek gjithçka.  
 
Teatrot i kanë në varësi bashkitë?
 
Le t’i kenë bashkitë. Por nuk është e mundur bashkia, sepse aq buxhet ka, por ti si ministri duhet të jesh shumë e interesuar të dish dhe çfarë bën teatri i Gjirokastrës.
 
Intervistoi: Julia Vrapi
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 225

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në skenën e teatrit të qytetit të Korçës.

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “

Postuar: 08/12/2018 - 07:36

Shfaqja “Unë kam gjithmonë një shami në xhepin tim” bën bashkë artistët shqiptarë dhe

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mo

Postuar: 07/12/2018 - 07:41

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX të Ditëve të Albanologjisë.