Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Alfred Trebicka: Jeta artistike nuk ka ku të shkojë më keq, jemi duke prekur fundin, askush nuk kujtohet të marrë masa

Postuar: 28/07/2019 - 07:41

Shfaqja teatrore “Jul Cezari” ishte angazhimi më i fundit këtë sezon në teatër për aktorin e njohur Alfred Trebikca. Një vepër për të cilën shprehet se nga ana profesionale puna me regjisorin kroat ishte një përvojë shumë e mirë. Ai pohon se këtë vepër regjisori e solli për publikun në të gjithë dimensionin aktual të realitetit politik dhe shoqëror në vendin tonë. Por ndërsa me këtë vepër si aktor mbylli këtë sezon artistik, Alfred Trebikca në intervistën për “SOT” shprehet se me nisjen e sezonit të ri duket se askush nuk po mendon se çfarë do të sjellë dhe problemet, që do të përballen artistët. Regjisor dhe aktor, prof. Alfred Trebicka shprehet se në jetën artistike është e njëjta situatë, është stanjacion. Sipas tij, nuk ka lëvizur asgjë sa i takon problemeve kryesore, që përballen artistët, që është ligji i teatrit, statusi i munguar, mungon mbështetja e duhur financiare për produksionet teatrore, etj. Për regjisorin, ata që merren me teatrin e dinë mirë, që me atë lloj mbështetje për projektet e pavarura teatrore që bën Ministria e Kulturës është e pamundur për të realizuar shfaqje.

-Sezonin artistik e mbyllët me shfaqjen teatrore “Jul Cezari”, me regji nga Ivica Buljan. Një vepër që pati vëmendje nga publiku. Ju si aktor, çfarë mund të na thoni për këtë bashkëpunim ?

Vepra “Jul Cezari” dihet për vlerat dhe forcën që ka. Momenti, që erdhi regjisori Ivica Buljan për ta materializuar këtë vepër ishte shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh dhe emrin dhe përvojën e tij. Unë personalisht e njihja pak në aspektin e krijimtarisë. Duke pasur parasysh nivelet e teatrit kroat dhe përtej Kroacisë kisha besim që në fillim, që ky regjisor me formatin e tij do të bënte një shfaqje të mirë. Unë kisha besim, që ai do të bënte një shfaqje të mirë përtej impaktit, që ka vetë vepra teatrore, sepse vlera e Shekspirit dhe e “Jul Cezarit” dihen, por puna është se si e sjell në një realitet konkret. Ivica e solli në të gjithë dimensionin aktual të realitetit politik, shoqëror dhe më gjerë shqiptar. Një grup banditësh, një bandë e etur për pushtet, që vërtiten nëpër të gjitha ambientet apo lokacionet e teatrit, që ai i gjeti shumë bukur edhe mizanskenalisht, që vërtiten si hijenat për të marrë prenë e vet. Nga ana profesionale për mua ishte një përvojë shumë e mirë, qoftë në aspektin e procedimit të punës, mënyrës se si punonte Ivica. Në harmonizimin e të gjithë elementëve, në gjetjen e mjeteve regjisoriale hap pas hapi për ti materializuar gjërat, jo thjesht për ta sjellë në kohë veprën, por për ta bërë të prekshme. Për ta bërë konkrete, për të shmangur atë gjuhë romantike apo poetike, që shpeshherë është e domosdoshme në veprat klasike. Në konceptin dhe formatin, që ai donte ta ndërtonte veprën kërkon që të eliminohej kjo gjë, dhe rezultati për mua është jashtëzakonisht i mirë. Alternimi dhe i shumë elementeve të tjera përveç materialit dramaturgjik të Shekspirit në kontekstin e një eksperimenti, sepse ata kanë një risk shumë të madh, ose të ngrenë të hipin në piedestal ose të groposin, por unë jam ndjerë mirë që ky eksperiment ishte i suksesshëm. Fakti që impakti i veprës jo vetëm natën e premierës, por edhe gjatë ditëve të punës ne e shikonim që kur njerëzit kalonin aty kur bënim prova ata mblidheshin duke na ndjekur. Pra kjo ishte dhe si një lloj testi se si do të rrijë kjo gjë. Mënyra se si regjisori e ndërtoi këtë shfaqje, ajo mund të luhet në çdo terren apo ambient. Një shfaqje bio, që bëhet në çdo ambient dhe ai duhet të thotë diçka.

-Jeta artistike ka probleme dhe artistët herë pas herë janë shprehur se institucionet nuk kanë bërë sa duhet. Ka përfunduar sezoni artistik, ju si e shikoni problemet me jetën artistike?

Në jetën artistike është e njëjta situatë, është stanjacion. Nuk ka lëviz asgjë sa i takon atyre problemeve kryesore që ne kemi, që është ligji i teatrit, statusi i munguar i artistit, që është vullneti për të pasur një mbështetje financiare shumë më dinjitoze sa i përket produksioneve teatrore në vend. Mirë në rastin që erdh regjisori Ivica Buljan e zgjidhi vënien e shfaqjeve me mjete minimaliste, por një tjetër se zgjidh dot. Ngaqë fokusi kryesor tani është drejtuar te momenti i godinës, i territorit të teatrit dhe të tjera, nuk po shikohen se çfarë ndodh më pas. Mbështetja financiare është shumë për të ardhur keq. Mbështetja financiare së pari vjen nga institucioni mëmë, që është Ministria e Kulturës, më pas janë të tjera institucione dhe mekanizma ligjore, që i bëjnë sensibël aktorë të tjerë, që të bëhen pjesë e suporti financiar. Një produksion i sotëm teatror e ka shumë të vështirë të lëvizi nëpër Shqipëri apo jashtë saj, për shkak të buxheteve të pamjaftueshme. Por gjërat kanë shkuar në fund, kemi shkuar te muri dhe nuk ka më ku të shkojmë më zgrip se jemi, me shpresën e zotit themi që të fillojë të marrë për mirë kjo punë, por do vullnet dhe kjo nuk mungon nga komuniteti artistik, por nga institucionet.

-Ju përmendët ligjin e teatrit, çfarë prisni të ndryshojë?

Unë di kur fillon zbatohet një gjë, kur produksioni teatror e ndjen, që ka mbështetje dhe suport, ka mënyra dhe forma organizimi që janë të nivelit profesional. Por ne akoma nuk e ndjejmë këtë. Ne si regjisorë apo dhe aktorë e bëjmë këtë punë se duam ta bëjmë. Unë kam mbi 30 vjet, që e bëj këtë punë dhe do vazhdoj ta bëj, sepse e dua, por nuk është në normalitet. Ministria e Kulturës për projektet e pavarura jep mbështetje financiare qesharake, me të cilën është e pamundur të ekzekutohet. Nisma që të mbështesësh projektet teatrore me shifra të tilla buxheti unë nuk kam qenë dakord që në fillim. Ne që merremi me teatrin e dimë mirë, që me atë lloj mbështetje që bën Ministria e Kulturës është e pamundur për të realizuar një projekt teatror. Ndërkohë po të gjithë e dimë që një projekt teatror minimumi kërkon 3-fish apo 4-fish të asaj që jep ministria. Megjithatë ka regjisorë të rinj apo që duan të bëjë një gjë, njerëz që duan të merren me këtë punë që e pranojnë dhe kaq pak, por realisht është e pamundur me atë buxhet që jep. Ministria e Kulturës ka bërë një lloj formati mbështetje dhe nuk është konsultuar me grupet e interesit. Nuk është konsultuar me njerëzit, që merren me këtë punë dhe të diskutohet sa mbështetje financiare duhet për të realizuar një projekt normal për kushtet që ne kemi dhe në bazë të kësaj të ndërtohet kjo politikë mbështetje financiare dhe jo mbështetje se kështu e mendoj unë. Të jap si ministri ty 3-4 milionë lekë të vjetra dhe të bëhet shfaqja. Kjo nuk është ajo që duhet.

-Ju jeni shprehur se teatri është një sektor ku çalojnë shumë gjëra. Çfarë duhet bërë?

Për teatrin duhet të jenë gjërat të sanksionuara me ligj. Sa është projekti teatror? Sa vlerësohet aktori, sa vlerësohen të tjerë komponentë, që nesër një aktor aktiv mos të ketë probleme me drejtuesin e institucionit. Në këtë sens unë mendoj, që ligji i teatrit duhet të jetë i ndërtuar, që të përcaktojë tarifat, dysheme të dhe tavanet sipas nivelit, vlerës. Por ligj, që do mbështesë shteti teatrin nuk është ligj. Ligji është me tarifa konkrete, në bazë të rolit, në bazë të krijimtarisë artistike, etj. Unë nuk kam pse të merrem me pjesën administrative të institucionit, e di që në momentin që do të futem tek ky produksion teatror dhe do ekzekutoj këtë rol vlerësimi im ligjor është i përcaktuar, e kam të sanksionuar. Por ne sot jemi dhe pa status të artistit. Artisti sot është i pambrojtur. I pambrojtur, që mund të bëhet një kontratë me një institucion dhe atë e ka në dorë vetëm institucioni. Nuk ka pse të jetë kështu për artistët në vend. Në vendet rrotull nesh ka agjenci për mbrojtjen e të drejtave të krijuesve, dhe duke qenë ajo edhe institucioni nuk bën si ti dojë qejfi me individin që është aktor, regjisor, skenograf, etj. Ne agjenci nuk kemi, ligj nuk kemi, status nuk kemi. Por dhe kjo situatë që jemi tani me teatrin nuk është e favorshme dhe zgjidhjen e problemeve, që përmendëm.

-Pse?

Sepse fokusi zhvendoset në një vend tjetër, gjëra tjera. Ky polarizim, që i është bërë situatës së teatrit, një politizim ekstrem, për mua kjo nuk ndihmon dhe nuk lë hapësirë për t’u fokusuar të problemet e tjera. Sigurisht edhe vetë teatri sot është një problem i madh, por kjo nuk të lë të fokusohesh të problemet e tjera të përditshme të produksioneve teatrore. Sezoni i ri pritet të jetë më pas në teatër, por me situata jo të qarta. Ne harrojmë, që nesër me sezonin e ri teatror nuk do kemi salla ku të luajmë nëse procedohet më tej me teatrin. Vërtetë është menduar të prishet teatri dhe të ndërtohet një tjetër, por nuk është menduar se ku do të vazhdojë ky aktivitet teatror. "arTurbina” është shumë pak për teatrin. Shpresojmë të fillojë TOB në teatrin e vet, që të iki nga pjesa e “arTurbinës”, por sërish me ato dy ambiente që ka është shumë pak për produksionet teatrore. Edhe në akademi ka filluar rikonstruksioni dhe hapësirat për skenë nuk janë. Pra flasim në aspektin praktik të gjërave. Sot flasin të gjithë për teatrin, por unë e kam thënë mendimin tim dhe idenë time. Ne kemi nevojë për një teatër të mirë të ri qoftë dhe këtu ku ndodhet sot. Por tani duke qenë se është instrumentalizuar kjo punë, të gjithë merren me termin po shkatërrohet teatri. Por për të ndërtuar duhet të shkatërrosh, do shkatërrosh një gjë që të ndërtosh. Personalisht format patetike dhe patologjike të trajtimit të problemeve për mua nuk sjellin gjë, nganjëherë dhe unë kam qenë viktimë e patetizmit po nuk fiton gjë. Ne duhet të biem dakord, që kemi nevojë për një teatër të mirë teatër të ri. Të jetë në këtë vend dhe të mos cënohet territorit i teatrit, por që të flasësh për të tilla gjëra duhet të kapërcesh këto elementë më parë. Përshtypja ime është, që politizimi vetëm i prish punë teatrit si institucion dhe ndërtesë.

 -Jeni shprehur se me teatrin jemi si në kooperativë bujqësore. Pse?

Jemi si mentalitet si në kooperativë bujqësore, sepse ashtu veprohet në teatrin tonë. Kjo vjen nga mentaliteti, varfëria mentale, shpirtërore, ekonomike dhe janë të gjitha bashkë. Populli thotë: fukarallëk maskarallëk.

 -Në fushën e kinemasë si aktor angazhimi juaj i fundit ishte në filmin “Portreti i pambaruar i Klara Belinit”. Kur pritet të jetë premiera?

Filmi me regji nga Namik Ajazi ka përfunduar edhe si postproduksion. Presim, që nga vjeshta të jetë premiera. Edhe kinemaja ka problemet e saj, por është pak më ndryshe, sepse e ka një ligj pavarësisht nga mbështetja, që është për kinematografinë tonë dhe akoma financat janë jo sa duhet nga shteti për filmin.

-Këtë sezon artistik e mbyllët me “Jul Cezar”. Sezoni i ri çfarë sjell për ju?

Me sezonin e ri, që do të nisë në teatër unë profesionalisht jam i kënaqur, sepse kam disa projekte, që pres të fillojnë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 08:23

Restaurimi i një objekti për të është një formulë kimie ose fizike. Me orë të tëra për të kërkuar një zgjidhje, e cila mes shumë alternativash duhet të jetë e duhura, përndryshe dëmi do të jetë i pakthyeshëm.

Postuar: 24/08/2019 - 07:59

Filmi “The Van” po garon me 14 filma të tjerë për të fituar “Zemrën e Sarajevës

Postuar: 24/08/2019 - 07:57

Arkeologjia shqiptare është vënë në “lupën” e francezëve dhe italianëve.

Postuar: 23/08/2019 - 07:57

Që kur ka nisur diskutimi për teatrin e ri, kam pasur rastin të takoj shumë nga miqtë e mi aktorë

Postuar: 23/08/2019 - 07:55

Biseda e parë në Art House School do të bëhet me artistët Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita.

Postuar: 23/08/2019 - 07:54

Filmi “Derë e hapur” me regji nga Florenc Papas është në garën kryesore të Festivalit

Postuar: 22/08/2019 - 07:37

Ditën e djeshme në Qendrën e Kulturës “Vaçe Zela” u hap ekspozita me titull “Di