Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Anastas Kostandini: Artistët në periferi në mjerim, të ngrihet një rrjet i shpërndarjes së kulturës kombëtare në çdo cep të vendit

Postuar: 16/11/2017 - 07:36

Ministria e Kulturës duhet të konsiderojë grupimet e piktorëve dhe të ketë një plan ndihme e inkurajimi pohojnë artistët. Të përballur me problemet në aktivitetin e tyre në jetën artistike piktorë të njohur akuzojnë Ministrinë e Kulturës për harresën ndaj tyre, ku mungon dhe një organizim kombëtar. Në intervistën për “SOT”, piktori i njohur Anastas Kostandini shprehet se nuk duhet retushuar harta e artit vizual shqiptar. Ai i kujton ministres së Kulturës, që të marrë në konsideratë potencialin e artistëve që përbëjnë hartën e artit vizual shqiptar. Për piktorin grupime si “Nëntori”, Pranverart”, “Pleiner”, “Brezat” apo dhe të rinj që kanë treguar veten me aktivitetin e tyre ministria duhet ti konsiderojë dhe të zhvillojë bisedime për të hartuar plane në ndihmë të aktivitetit krijues. Më tej ai shton se edhe fondet që ka Ministria e Kulturës duhet të bëhen transparente dhe kur të shpallen të deklarohet se në çfarë mënyre konsumohen.

-Ekspozita “Taso” u çel në galerinë FAB. Jeni ju këtë herë në pikturat e Gazmend Lekës, i cili u shpreh se e konsideronte dhe si një letër drejtuar një prej miqve të tij piktorit Anastas Kostandini. Si ndiheni?

Unë i uroj suksese piktorit Gazmend Leka, është një njeri i jashtëzakonshëm dhe punëtor, një nga figurat kryesore të artit pamor në vend. Një profesor i nderuar, që i ka dhënë tonin akademisë së re të arteve shqiptare. Ekspozita “Taso” sigurisht që për mua është e jashtëzakonshme, pasi aty ka një lloj mesazhi të madh piktorik. Mesazh i madh është që vetë Gazi i bën një monument krijimit dhe artistëve shqiptarë. Sigurisht që këtë gjë për ta bërë më të fuqishme e ka personalizuar dhe me një prej miqve të tij që jam unë, dhe përmes meje ai tregon gjithë mundimin, aventurën, jetën, pasionin, shpirtin që derdh një njeri artist brenda vendit të tij për të krijuar atë mrekulli që krijojnë artet dhe artistët. Kjo është e rëndësishme pasi krijimtaria e Gazmend Lekës dihet, është një piktor i cili megjithëse ka filluar krijimtarinë e tij që në kohën e socializmit nuk ka qenë kurrë një piktor tipik i realizmit socialist. Sigurisht që dhe në atë epokë ai ka një krijimtari të madhe kryesisht si vizatues, ilustrues librash dhe ka qenë një nga drejtuesit e filmit vizatimor shqiptar. Arti i tij ka qenë një kontribut i jashtëzakonshëm në atë kohë por atipik për periudhën e realizmit socialist dhe gjithmonë ishte ajo pjesa e re, shumë novatore, pjesa moderne, por pas ’90 i gjithë arti i tij është një rendje e jashtëzakonshme pas eksperimentit artistik, pas dramës që ka jetuar një piktor ndryshimin e epokave. Gazi është artisti kryesor që simbolizon me ato simbolet e tij gjithë dramacitetin e tranzicionit shqiptar me veprat.

-Në Tiranë çelet “Taso” dhe në Korçë vazhdon të qëndrojë ekspozita me veprat tuaja “Nën qiellin e Parisit”...

Mua më ftoi Aleanca Franceze në Korçë, e cila kremtoi 100 vjetorin e liceut francez dhe u bë një ceremoni, koncerte, u dhanë çmime. Unë kam një marrëdhënie me Parisin nëpërmjet vajzës sime. Kam një cikël të madh piktura dhe vizatime, që dua ti përmbledh në një libër. Konsulli i Francës atje me ftoi që të bëja një ekspozitë në Koçë, që është çelur në muzeun “Bratko”.

-Ministrja e Kulturës së fundmi ishte në Pogradec. Në këtë vizitë çfarë i kërkuat për qytetin?

Ministrja e Kulturës erdhi në Pogradec në kuadër të 30-vjetorit të ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit. Më erdhi mirë si qytetar i Pogradecit, që Ministria e Kulturës në katër vite nuk ka pasur ndonjë argument për të ardhur në qytetin tonë dhe ishte ky përvjetor që ajo ishte e pranishme. Vura re që kishte një sensibilitet ndaj figurës së tij, vizitoi dhe shtëpinë e tij si dhe zonën historike të qytetit. Ne si pogradecarë e shoqëruam me dëshirë dhe synimin ti tërheqim vëmendjen edhe për qytetin tonë, që është i harruar përmes projekteve edhe restauruese dhe argumenteve të rëndësishme si pika nevralgjike kulturore, momente që kanë lidhje dhe me turizmin dhe njëra është dhe ish shtëpia e poetit Lasgush Poradeci, që tani është nën administrim privat. Unë shpresoj që ajo nga një shtëpi private të jetë një muze që lidhet me poetin. Mendojmë që ka për të qenë një vend i vizitueshëm, veç kësaj i treguam ministres dhe vendin ku ndodhen gërmadhat e shtëpisë së Mitrush Kutelit që është 15 larg shtëpisë së Lasgushit. Të dyja këto shtëpi duke qenë se janë në zonën e pazarit të vjetër të Pogradecit nëpërmjet degës së restaurimit të Korçës mund të ndërhyjë ministria. E pyeta ministren Kumbaro, pse gjysma e Korçës është restauruar dhe është potencial kombëtar dhe Pogradeci është jashtë vëmendjes së qeverisë.

-Cila ishte përgjigja e ministres së Kulturës?

Përgjigja e saj ishte që: tani e tutje do të ketë më vëmendje për Pogradecin. Ne si pogradecarë shpresojmë që Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli ta kenë një pikë pelegrinazhi. Në këtë mënyrë qyteti ynë do të ketë dhe shtëpitë ku do të hyhet dhe dilet, pra do të ketë vende të vizitueshme.

-Po piktorët sa kanë qenë në vëmendje?

Nuk ka pasur vëmendje nga Ministria e Kulturës për piktorët shqiptarë, janë në harresë. Ministrja e Kulturës është në një mandat të dytë, por 4 vitet që kaluan kanë qenë shumë problematike për piktorët, pavarësisht me punën që mund të ketë bërë ministria në lidhje me asetet kulturore kombëtare. Por mendoj që asetet nuk janë vetëm në nivel godinash, restaurimesh objektesh, por kanë të bëjnë dhe me potencialet njerëzore. Për piktorët do ti kujtoja ministres dhe ti tërheq vëmendjen që duhet patjetër të marrë në konsideratë potencialin e artistëve, që përbëjnë hartën e pikturës shqiptare, hartën e artit vizual shqiptar. Nga kjo do të kuptojë që ka mjaft ngrehina shumë interesante dhe mjaft ekspresive. Në fushën e arteve vizuale që grupime si “Nëntori”, “Pranverart”, “Pleiner”, “Brezat” apo dhe të rinj, që kanë treguar veten dhe kanë aktivitet ministria ti konsiderojë si grupe interesi dhe të futet në bisedime, të ketë një plan ndihme dhe inkurajimi. Nuk duhet retushuar harta e artit vizual shqiptar, në këtë dukshëm që dominojnë piktorët, që jo vetëm ekspozohen dhe janë të gjallë dhe vetorganizohen me mundësi të kufizuara pa ndihmën e askujt, por mbi të gjitha ata përbëjnë një lloj tregu në artin shqiptar. Dikush do të donte që harta të ishte më e pasur ku të sundonin më tepër artet kontemporane, eksperimentale, por këta nuk mungojnë e kanë një lloj përgjigje nga ministria. Ata përfitojnë fondet e vetme që parashikon ministria në lidhje me artet vizuale, që shkojnë në drejtim të konkursit “Onufri”, por edhe ky është një organizim i pamjaftueshëm. Duhet të jetë gjithë gjindja e artistëve dhe ministria duhet të gjejë një solucion për ti inkurajuar këto grupime artistësh. Është për të ardhur keq gjendja jonë sot, dhe jo vetëm kaq por ministria duhet të mendojë seriozisht dhe për GKA.

-GKA ka jo pak probleme, ju dhe më parë i jeni drejtuar ministrisë për galerinë...

Fondet që ka Ministria e Kulturës duhet të bëhen transparente dhe kur të shpallen duhet të deklarohen se në çfarë mënyre konsumohen. Unë nuk besoj që për fondin e blerjes së veprave të GKA që duhet të ketë galeria nuk paska para. Por dhe GKA duhet të jetë më serioze në vizionin e vet. Brenda ministrisë duhet të ketë agjentë arti që duhet të studiojë dhe të marrë veprat kryesore të këtyre prurjeve që i sjellin artistët në ekspozitat që hapen nga grupime artistësh, por dhe ato personale. GKA duhet të shtojë fondin veprave të artit dhe të koleksionojë epokën në të cilën jetojmë. Pa koleksionuar artistët që shfaqin sot vepra nuk e kuptoj pse duhet të jetë galeria, që është institucion i inventarizimit dhe memorizimit. Galeria duhet të koleksionojë artin kryesisht të artistëve shqiptarë dhe të dokumentojë epokën në të cilën jetojmë.

-Ju përmendët grupime artistësh, që për ekspozita organizohen vetë, ka jo pak probleme. Më herët keni kërkuar dhe një ekspozitë kombëtare e organizuar nga institucionet. Për ju çfarë po ndodh?

Nuk e di pse ministria duke pasur parasysh gjithë këta piktorë të penelit dhe skulptorë që janë kaq të fuqishëm në shprehjen e tyre nuk ka një strategji për një ekspozitë kombëtare. Kur kjo ministri sot nuk ndihmon grupet e artistëve, që janë legale atëherë çfarë mund të presim. Tjetër problem, artistë të njohur shqiptarë nuk kanë mundësi të vërtetojnë statusin e tyre ose të marrin një dëshmi nga një institucion ose nga një shoqatë që i përfaqëson ata. Të marrin një certifikatë, një in memorium, por nuk mund ta marrë as i gjallë as i vdekur, kjo është fatkeqësi e artistëve të cilët duhet të vetorganizohen. Unë as që shpresoj ndonjëherë që në mënyrë individuale të përfitoj gjëra nga thesi i madh i investimeve publike që ka ministria. Mendoj që shteti në një mënyrë apo në një tjetër duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen e artistëve, duhet ti njohë konditat e saj. Ka shumë forma dhe rrugë për ti njohur artistët. Dikur një ministër bëri një xhest fare të thjeshtë mblodhi artistët në fund të vitit dhe bëri një mbrëmje në një rezidencë shumë prestigjioze. Atje patëm mundësi të takonim për herë të parë ndoshta dhe fundit disa nga kolegët tanë, sepse ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër për t’u takuar. Dhe tani këtë mund ta bëjë ministria, që të na ftojë të paktën në një takim dhe të bisedojë, sepse ka aq shumë gjëra për të thënë. Këtë mandat të dytë nga Ministria e Kulturës do ishte mirë që të kishte vëmendje që të rikonstruktohet e tëra GKA dhe në Tiranë dua të shikoj një muze arti të qytetit dhe një galeri. Një GKA të rikonstruktuar, moderne dhe bashkohore. Por periferitë janë të mjerim të plotë.

-Çfarë ndodh me artistët në periferi?

Periferitë ju thashë janë në mjerim të plotë, janë lënë në injorancën e zyrtarëve vendorë që dhe në rastet kur nuk janë injorantë disa drejtues jo vetëm që nuk kanë asnjë lloj mundësie, por ministria nuk ka bërë një plan ose një rrjet të shpërndarjes së kulturës kombëtare në të gjithë cepat e Shqipërisë. Jo vetëm për një lloj arti, por për të gjitha zhanret. Por dhe GKA mundet të ketë një rrjet të detyruar komunikimi me galeritë më të mira të rretheve.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2017 - 09:56

Në një takim të ministres Mirela Kumbaro dhe zëvendës ministres Shujaku me stafin e Muzeut “Marubi” dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër u diskutua mbi rëndësinë e programit të edukimit përmes kulturës, si një bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit

Postuar: 10/12/2017 - 09:54

Filmi "Yjet e së ardhmes", një komedi romantike muzikore me metrazh të plotë me regji nga Edmond Topi pas premierës së planifikuar më datë 13 dhjetor, një ditë më pas

Postuar: 10/12/2017 - 09:53

Piktori Gazmend Leka pohon se 2017 që po shkon drejt fundit do ta memorizojë si viti i Tasos, pasi kryefjala në krijimtari ka qenë cikli prej 21 pikturash “Taso”.

Postuar: 09/12/2017 - 08:16

Banesa Kale në lagjen Pllakë në Gjirokastër drejt rrënimit të plotë, por për Ministrinë e Kulturës faza e emergjencës ka kaluar.

Postuar: 09/12/2017 - 08:15

“Dama me Kamelie”, vepër e Alexandre Dumas ( i biri) vjen për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar.

Postuar: 09/12/2017 - 08:01

Muzeu Historik Kombëtar, më datë 11 dhjetor  organizon veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Liceu Kombëtar i Korçës dhe roli i tij në shoqërinë e

Postuar: 09/12/2017 - 07:59

Ministria e Kulturës më datë 4 dhjetor njoftoi se hapet thirrja për projekt-propozime në art, kulturë dhe trashëgimi për vitin 2018.