BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x
BREAKING NEWS

Ja kur pritet që të bëhet rritja e pensioneve këtë vit, shpërndarja në bankë do të nisë nga 1 prilli, eksperti Kujtim Hoxha jep detaje për bonusin që do të marrin të moshuarit

Ja kur pritet që të bëhet rritja e pensioneve këtë vit,
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Ilir Meta i përfshirë në 3 vrasje, ja si tentoi të eliminonte edhe dëshmitaren kyçe të aferës ‘CEZ-DIA’ që do i bëjë gropën në SPAK dhe si i pastroi në bashkëpunim me Sali Berishën 6 miliardë lekë në Afrikë

Idajet Beqiri: Ilir Meta i përfshirë në 3 vrasje, ja si tentoi
x
BREAKING NEWS

Avokati Arben Llangozi tregon kush është krahu i djathtë i Edi Ramës që është përfshirë në korrupsion e pastrim parash, ja si SPAK po e heton veçmas nga dosjet “përvëluese” dhe si rrezikon të arrestohet për zhdukjen e 10 milionë eurove ...

Avokati Arben Llangozi tregon kush është krahu i djathtë i Edi
x
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela plas “bombën”: Ilir Meta është tmerruar nga drejtësia, SPAK i ka gjetur miliona lekë, ja pse do të ketë arrestime të reja në mazhorancë

Spartak Ngjela plas “bombën”: Ilir Meta është
x
BREAKING NEWS

Ja si është “pushtuar” administrata nga familjarët e deputetëve dhe politikanëve, nga Evis Kushi, Etilda Gjonaj, deri te Lindita Nikolla dhe Ferdinad Xhaferraj

Ja si është “pushtuar” administrata nga familjarët e
x

kultura-lifestyle

Anastas Kostandini: GKA tokë e mohuar për artistët, inventarët e qendrave kulturore si në gjendje lufte

Anastas Kostandini: GKA tokë e mohuar për artistët,

Piktori Anastas Kostandini është i vlerësuar me aktivitetin e tij. Me ekspozita brenda dhe jashtë vendit, pikturat e tij janë vlerësuar nga publiku dhe kritika ndër vite. Piktor së shpejti do të prezantojë në Gjermani një tjetër cikël punimesh, por shprehet se në fokus të krijimtarisë së tij është tema e tranzicionit. Duke folur për krijimtarinë në art ndër vite, piktori ndalet dhe në problemet që hasin sot artistët. Në intervistën për “SOT”, ai shprehet se për një artist që prej dekadash ka kontribuar në jetën artistike është i vështirë ekspozimi i veprave në GKA. Sipas tij, shumë pak ndihen politikat kulturore që ndiqen nga Ministria e Kulturës në jetën artistike, dhe shton se duhet të ketë një bashkëpunim dhe me bashkitë në vend. Për piktorin Anastas Kostandini një tjetër problem është dhe vlerësimi i artistëve sot, sipas tij nga institucionet nuk bëhet sa duhet për krijimtarinë e tyre. Anastas Kostandini ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë më 1978. Tema e preferuar e veprave të tij janë peizazhet sociale e poetike nga jeta e përditshme, natyra psikologjike e qytetit të lindjes Pogradecit, të cilin ai e njeh në thellësi, si dhe kompozimi nga traditat e vendlindjes. Ekspozitën e parë personale e ka hapur në vitin 1983, për të vijuar më pas ndër vite me dhjetëra ekspozita personale brenda dhe jashtë vendit, por gjithashtu dhe pjesëmarrje në ekspozitat në grup me artistët.

-Ju do të prezantoni punët tuaj në pikturë së shpejti edhe në Gjermani. Si u bë i mundur ky prezantim me veprat tuaja?

Unë jam i ftuar nga një fondacion, që ka qendrën në qytetin e Pogradeci, por ka dhe bazë në Nuremberg dhe Berlin të Gjermanisë. Ky është një fondacion gjerman, që ka ftuar një artist nga një qytet periferik siç është Pogradeci në vendin tonë, për të prezantuar artin të një kthine të Shqipërisë. Unë kam një cikël punimesh, ku tema është tranzicioni shqiptar me problematikat, dhe e gjitha e parë në syrin e një njeriu, që jeton në mënyrë të vazhdueshme në vendlindje dhe dëshmitë vit pas viti në këtë hark kohor gati 30 vjetësh. Janë disa tablo, që e përshkruajnë këtë tranzicion shqiptar me të gjitha vështirësitë e veta, me jetën e vogël, me katrahurën, kaosin, mosmarrëveshjen urbane dhe politike e sociale, ku jam përpjekur ta tregoj nëpërmjet pikturës, nëpërmjet skenave, të cilat janë të jetës së zakonshme. Janë skena rrugësh, portrete, ambiente publike, skena familjare, etj, që janë përgjithësisht kompozicione. Është një cikël kompozimesh, prej gati 25 pikturash.

-Ekspozitën e fundit personale ju e hapët në qytetin e Pogradecit, po për në Galerinë Kombëtare të Arteve, çfarë mund të na thoni?

Ekspozita në qendrën kulturore “Lasgush Poradeci” me vizatimet e mia, u hap për sezonin turistik në qytet. Vizatimi është pasioni im, i cili nuk shteron kurrë. Por tani unë vij me piktura dhe paralel jam duke punuar dhe për një ekspozitë tjerë, që dua të hap në Tiranë. Ky është një projekt i imi, ndoshta vitin që vjen do të organizohet diçka për një ekspozitë në Tiranë. Nuk besoj në Galerinë Kombëtare të Arteve (GKA), sepse procedurat janë të vështira, dhe negocimi është shumë i vështirë. Më i vështirë është negocimi, se sa bërja e një vepre arti ose e një ekspozite të tërë arti. Duket si një mision i pamundur, ose është përshtypja qofsha i gabuar, që Galeria Kombëtare e Arteve është një tokë e mohuar për ne artistët shqiptarë. Është e pispillosur, shumë e krehur, me pak gjëra që mendohen dhe stërmendohen, dhe nuk ka fort atmosferë atje, gjithmonë që të kërkosh një sallë ose të prezantosh një ekspozitë dhe ata ta planifikojnë siç ka qenë më parë.

-Ju dhe të tjerë artistë kërkoni, që veprat e artit të fondit të ekspozohen herë pas here në Galerinë Kombëtare të Arteve. Sa është bërë deri tani?

Unë e kam thënë dhe më parë, ky është paradoks. Galeria Kombëtare e Arteve pavarësisht nga hapësirat që ka dhe problemet e tjera të ambienteve, që janë të përcaktuara dhe nuk lejojnë aktivitete, por duhet të gjejë mundësinë që në një nga sallat e veta të ekspozojë në mënyrë të vazhdueshme dhe të tregojë të gjithë fondin e veprave ashtu siç është. Në këtë pikë, unë nuk besoj se ka ndryshuar gjë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Por dhe një pikë tjetër e rëndësishme që lidhet me këtë, është pasurimi i fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve me periudhën e post diktaturës, në periudhën e demokracisë, të tranzicionit.

 

-Çfarë ka ndodhur me këtë periudhë, në Galerinë Kombëtare të Arteve?

Galeria Kombëtare e Arteve nuk mund ti përgjigjet fare këtyre gati 30 viteve. Nuk është në gjendje që GKA ti përgjigjet, nuk disponon as një përqindje të vogël të asaj, që ka ndodhur në Shqipëri. Kjo mua më duket përgjegjësia më e madhe e gjatë këtyre qeverisjeve ndër vite tek ne, ose politikat në përgjithësi ndaj Galerisë Kombëtare të Arteve ka dështuar në këtë pikë. Politikat i kanë bërë ministritë ndër vite dhe GKA në vetvete. Ka pasur një pakujdesi flagrante për mendimin tim, që janë 30 vjet të tranzicionit shqiptar të një historie të jashtëzakonshme, që ka lidhje pak me ekspozitën, që po bëj unë. Ky tranzicion ndoshta do të jetë një nga periudhat më joshëse, më të kërkuara më vonë, pasi Shqipëria të hyjë në rrjedhat normale. Shumë artistë do të vazhdojnë të përtypin këtë lloj arti, sepse pas daljes nga diktatura në demokraci është përjetimi me lirinë, dhe gjithë kjo periudhë prej gati 30 vitesh për mendimin tim GKA nuk ka koleksionuar asgjë nga kjo ose mund të ketë bërë jashtëzakonisht pak.

-Ju u shprehët se politikat kulturore kanë dështuar me Galerinë Kombëtare të Arteve, çfarë duhej të ishte bërë ndër vite?

Jo ka dështuar thjesht kjo ministri aktuale, por e them për Ministritë e Kulturës ndër vite. Në përgjithësi koncepti i qeverisjes së kulturës, në lidhje me Galerinë Kombëtare të Arteve unë mendoj që në përgjithësi ka dështuar në lidhje me fondin. GKA mund të rikonstruktohet, mund të shkojë në një godinë tjetër, mund të fitojë personel të ri, menaxhim të ri, por fondi i veprave të artit shqiptar është problemi.

-Ju jetoni në Pogradec, si kanë ndikuar politikat në art dhe kulturë në zhvillimin e jetës artistike në vend?

Unë nuk di ndonjë gjë, që Ministria e Kulturës ose pushteti qendror me institucionet kryesore si GKA, institutet, etj, të kenë ndonjë ndikim në qytete relativisht të vogla siç është Pogradeci. Unë nuk dalloj ndonjë ndikim të tyre në jetën artistike. Po përmend fushën e restaurimeve ose të monumenteve të kulturës. Pogradeci me përjashtim të dy monumenteve të nivelit të lartë ose të kategorisë së parë, që janë varret e Selcës ose bazilika e Linit, nuk e di se çfarë bëhet për to ndonjë gjë e veçantë, që unë nuk besoj. Gjë e veçantë do të ishte që në krah të tyre të kishin ambiente muzeale, që të mos vizitojnë vetëm gërmadhat. Të mund të vizitojnë si në Apolloni, mund të plotësohen këto, pasurohen, por nuk bëhet asgjë.

-Në vitin 1983 ju keni hapur ekspozitën tuaj të parë personale. Kur jemi në 2019, si e shikoni aktivitetin tuaj ndër vite si piktor?

Në aktivitetin tim nuk ka ndryshuar ndonjë gjë. Problemi është, që gjithmonë artisti është i vetëm përpara artit të tij dhe institucioneve, që në përgjithësi janë të burokratizuara, lëvizin me shumë vështirësi dhe nuk duan të dinë fort çfarë vlere ka vepra e një artisti. Gjithmonë kështu ka qenë, sigurisht kanë ndodhur ndryshime me kohën dhe po flasim për një periudhë të gjatë, por mendoj që ka disa abuzime më të mëdha sot gjoja për shkak të kërkesave, që kanë institucionet si GKA ose të tjera vende për të thithur artin, ato e komplikojnë dhe nuk arrijnë dot të vjelin gjithë frutin që piqet në Shqipëri. Artistët sot nuk kanë shumë mundësi, sepse janë përgjithësisht të varfër dhe janë idealistë. Edhe në rastin kur artistët angazhohen për arsye publike dhe duan të bëjnë diçka për efekt publik, si unë që bëra një vepër me karakter publik për ta vendosur nëpër ambientet sociale, jo vetëm ishin indiferentë, jo vetëm që nuk e kuptonin edhe pse ajo ishte e kuptueshme, por krijojnë probleme kot, sepse ne jemi mësuar me të mos pasur asgjë. Nëse ti propozon diçka ndryshe, ata nuk e pranojnë dhe nxjerrin lloj- lloj marifetesh. Mua më vjen keq, sepse tani kam dalë në pension dhe nuk jam më përgjegjës i galerisë së arteve në Pogradec. Më erdhi keq kur unë dorëzova inventarin. E kam thënë njëherë dhe më parë, që inventaret e qendrave kulturore në rrethe janë tamam si një gjendje lufte, pothuajse nuk kanë asgjë, nuk kanë fare inventar, nuk është bërë asgjë. Unë kam qenë në galeri, por nuk kam pasur edhe gurin edhe arrën. Zakonisht njerëzit që shërbejnë në këto vende janë thjesht rrogëtarë, duan të marrin një rrogë dhe absolutisht asgjë nuk ndodh. Nuk interesohen për institucionet.

-Kush nuk interesohet për institucionet?

Nuk interesohet bashkia, që i ka në varësi, ose i përdor për interesa të thjeshta. Por duhet të ketë një koordinim mes politikave kulturore lokale dhe politikave kulturore kombëtare. Mendoj se duhet të ketë një prezencë të politikave të Ministrisë së Kulturës në qendrat e kulturore në bashki të ndryshme ose duhet të ketë dialog, dhe të mos jenë të qeverisura vetëm nga bashkitë.

-Sa vlerësohet sot artisti?

Po çfarë të vlerësohet artisti? Unë këtu ku jam, në qytetin tim nuk ekziston një vepra ime, që të jetë në galerinë e Pogradecit. Nuk ka, nuk janë blerë. Kur flas për Galerinë Kombëtare të Arteve, unë kam rreth 20 punë atje, të cilat janë blerë përpara viteve ’90. Në epokën pas viteve ’90, unë nuk kam asnjë lloj aksesi në Galerinë Kombëtare të Arteve. Sigurisht që nuk janë vetëm këto, bota ka ndryshuar, janë koleksione private, etj. Gjysma e moshës sime i përket diktaturës dhe gjysma është në demokraci dhe unë e dalloj shumë mirë atë që ka ndodhur.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

Më të lexuarat