Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arben Basha: Situata në GKA anormale, drejtori Shkololli e sheh veten si Zeusi

Postuar: 19/04/2019 - 07:24

Piktori Arben Basha shprehet se në gjendjen që është sot në Galerinë Kombëtare të Arteve piktorët po përballen dhe me arrogancën. Në intervistën për “SOT” piktori i njohur tregon se edhe ai duke parë që drejtori i GKA nuk ka pranuar të tjerë autorë më parë për ekspozitat e tyre në galeri, iu drejtua Muzeut Historik Kombëtar. Për piktorin kjo është një situatë e papranueshme, dhe për artistët duket se askush nga institucionet nuk po mendon. Edhe për studiot e piktorëve sipas tij nuk ka më vëmendje nga institucionet për veprat që punojnë autorë të ndryshëm. Ai shprehet se kur në ekspozitat që ata hapin mungojnë përfaqësues të ministrisë apo dhe nga GKA për ti parë atëherë nuk ke se çfarë pret më tepër. Piktor Arben Basha ka një aktivitet të vlerësuar dhe me filmin shqiptar. Por sot sipas tij problemet nuk janë të pakta. Jo vetëm mungesa e buxheteve, por dhe skenari është problem. Sipas tij sot nuk ka më profesionistë si dikur që punonin me aq pasion me filmin. Arben Basha e filloi me filmin punën si piktor në kohën kur u realizua “Thirrja” për të vijuar dhe me të tjera vepra të suksesshme kinematografike si “Nëntori i dytë”, “Zonja nga qyteti’, “Shoqja nga fshati”, “Çerçiz Topulli”, “Muri i gjallë”, etj, për të mbërritur deri te filmi i pas viteve ’90, “Mao Ce Dun”.

-Piktorë të ndryshëm janë shprehur se studiot e piktorëve të njohur janë lënë në harresë nga institucionet. Sipas jush çfarë sjell kjo?

Unë jam i mendimit që ka një diferencë të madhe midis viteve para ‘90 dhe ditët e sotme. Diferenca është që mbase shumë shpeshherë njerëzit se kuptojnë, por shteti monist subvenciononte për artin, sepse ishte ideologji. Nga thesi i madh i buxhetit të shtetit arti merrte shpenzime shumë të mëdha sa i takon anës financiare në raport me gjërat e tjera. Unë kam punuar për vite me radhë në Kinostudio, që bënte filma. Por nëse sot marrim përshembull filmin e asaj kohe si ai me titull “Nëntori i dytë” dhe ta përkthesh në anën financiare sot janë miliona euro. Kurse në atë kohë shteti jepte çdo gjë dhe bëhej filmi. Por dhe me ekspozitat piktorët bënin çmos të merrnin pjesë, por nëse puna të hynte në ekspozitë ajo ishte e shitur. Pjesën më të mirë e merret GKA dhe pjesa tjetra shpërndahej në institucione të ndryshme. Pra kishte financim për artin ato kohë. Artistët merrnin leje krijuese për të bërë punën, pra ishin ndihma që jepte shteti për ideologjinë. Pas ‘90 ndryshuan raportet. Arti nuk është më në shërbim të ideologjisë por të ekonomisë së tregut. Në ekonominë e tregut buxheti për artin është zvogëluar shumë dhe këto shpërndahen në fushat e ndryshme që është shumë pak. Po ashtu dhe për artet figurative mjerisht asgjë. Meqë më pyetët për studiot e piktorëve as nuk bëhet fjalë që të vijnë nga GKA. Të thonë që po ju vij në studio për veprat, por ata nuk po na vijnë në ekspozitë jo më të na shikojnë punët në studiot tona. Të paktën nëse ekziston më komisioni i GKA të vijë. Por nga GKA jo vetëm që nuk vijnë, por nuk të pranojnë as të bësh ekspozitë në galeri. Kjo është një skandal.

-Ekspozitën tuaj më të fundit ju e hapët në Muzeun Historik Kombëtar. A kërkuat të ekspozonit në GKA?

Në Galerinë Kombëtare të Arteve unë doja të trokisja për të hapur ekspozitën. Por pashë eksperiencën e shokëve të mi më parë, që kanë kërkuar atje ekspozita dhe nuk janë pranuar. Drejtori i GKA nuk pranon. Drejtori besoj merr urdhra nga shefat e mëdhenj se kujt do ti hapet ekspozita. Pra është një moskonsideratë ndaj nesh, pasi drejtori nuk pranon të bëhen në GKA ekspozita të artistëve shqiptarë. Mirë që nuk na pranon drejtori, por dhe te Muzeu Historik Kombëtar që ne shkojmë me ekspozitat tona nuk vjen as ministrja e Kulturës, që e ka për detyrë kushtetuese që të kujdeset për artin. Kur nga GKA nuk vijnë as të ekspozitat tona atëherë çfarë presim ne? Ministria e Kulturës duhet të kujdeset për mbarëvajtjen në GKA dhe të artit në vend. Mua më duket tepër diskriminuese për artin figurativ qëndrimi i institucioneve tona. Unë kam shtirur shumë në Europë dhe në çdo qytet e kryeqytet shikon galeri të ndryshme arti. Në Tiranë unë nuk e di se çfarë do të shikojnë turistët? Çfarë do të shikojnë pas sheshit qoftet te Pazari i Ri? Përse nuk hapen muze arti të qëndrueshme. Nuk flitet për galeri që janë disa koleksionistë privatë që kanë blerë punë, edhe pse shteti duhet ti ndihmojë dhe organizojë, ku mund ti japë një ambient me qera të ulët. Kemi kostumet popullore shqiptare, por të bësh muzeun e kostumografisë së Shqipërisë është një angazhim i madh dhe i bukur me vlerë artistike, ndaj duhet të ndërhyjë Ministria e Kulturës. Në Tiranë mungojnë këto që thashë, përveç një Galeri Kombëtare Arti që dhe ajo herë është hapur dhe herë mbyllur. Unë pyes pse GKA nuk ekspozon dhe punët e tjera të artit që janë në fond? Të shfrytëzohet fondi i veprave, që janë bërë nga autorët shqiptarë, por po rri mbyllur. Unë jam piktor dhe nuk e di se sa vepra ka fondi dhe sa përqind janë ekspozuar? Por unë e shikoj drejtorin e GKA shumë të cunguar, kam përshtypjen që merr urdhra se kush duhet të ekspozojë në GKA. Mua nuk më duket normale gjendja që është sot në GKA. Unë po ju them që ai drejtor nën frymën e një lloj elite dhe në frymën e një lloj arrogance ai thotë unë jam Zeusi këtu, dhe kjo është vepër arti e kjo nuk është, këtë do ta ekspozojmë dhe këtë jo. Një qëndrim arrogant ndaj piktorëve shqiptarë.

-Ju përmendët Ministrinë e Kulturës në problemet e artit. Po cfarë duhet të bëjë ajo për GKA?

Ministria e Kulturës me gjendjen që është sot në GKA duhet të ndërhyjë patjetër. Ministria e Kulturës duhet ti kërkojë platformën për GKA. Unë kam bindjen që ne dhe në demokraci nuk jemi mësuar me vendimmarrjen e gjërave artistike. Ne akoma jemi me atë që unë jam titullar dhe do bëhet si them unë, vendos unë. Ne kemi arrogancën e pushtetarit. Tek ne nuk ka diskutime me artistët, mungon fryma e tillë për GKA. Pse nuk na thërret Ministria e Kulturës në takim ne artistët tani që janë problemet me GKA? Unë do të doja nga ministria demokraci në vendimmarrje, në një debat më të gjerë me artistët, historianë dhe arkitektë kur flasim për projekte që kanë lidhje me GKA.

-Për vite me radhë ju keni punuar piktor filmi në Kinostudio. Si i kujtoni ato vite?

Unë e kujtoj me shumë nostalgji e dëshirë pjesëmarrjen time në filmat artistikë. Ju thashë që te filmi shpenzohej shumë. Mua më ka dhënë kënaqësi në disa drejtime. Filmi më ka dhënë kënaqësi sepse unë kam shëtitur në gjithë Shqipërinë nga veriu në jug. Po ju them që ato vite ishte punë profesionistësh të mirëfilltë. Unë kam pasur fatin që të punoj me filmin “Muri i gjallë” dhe më është dashur të lexoj historinë shumë mirë. Në ato vite ne kemi bërë një punë profesionistësh, sot nuk ka më si dikur.

-Çfarë ndodh sot me filmin?

Filmi sot bëhet me amatorë që ti paguajnë më pak, sepse kaq e kanë dhe buxhetin. Mua më vjen keq dhe filmin shqiptar e shikoj me shumë dhimbje, sepse financiarisht nuk është ai që ka qenë. “Nëntori i dytë” apo një film tjetër si ai me Çerçiz Topullin, nëse bëjmë llogaritë sot është me miliona dollarë. Atmosfera ishte nga më të larmishmet edhe më cilësoret në funksion të skenarëve. Filmat sot janë nëpër kafene. Mizanskenat, dramaturgjia të gjitha nëpër kafene dhe të duken njëlloj të gjithë. Filmi në rradhë të parë është fotografi është ambient, është veshje, është aktori dhe me pas fillon dramaturgjia. Mua më vjen keq që nga Kinostudio si dikur kanë humbur shumë gjëra. Mua më vjen keq që nuk dihet se çfarë ndodh sot dhe me “Albafilm”. Shteti duhet të rrisë buxhetet, por skenari është problem. Filmi në kohën para ‘90 me të vërtetë tematika ishte e ideologjizuar, por skenari kalonte në redaksi. Ishin dhjetë redaktorë që thonin fjalën e tyre për skenarin, kalonte në turin e dytë, kalonte në këshillin artistik që ishin dhe emra të tjerë që e përpunonin skenarin deri sa dilnin këto filma që ne sot kujtojmë dhe batutat e tyre. Pra skenari përpunohej shumë ato vite. Sot kjo nuk ndodh më, bordi lexon dhe thotë këtij po i jap kaq pikë. Merret skenari, bëhet i thjeshtë fare dhe mjafton të marrë paratë në projekt. Pra ka humbur profesionalizmi, filmi bëhet me amatorë.

-Me gjithë problemet që ju përmendët, si e shikoni zhvillimin artin në vend?

Kam përshtypjen që Ministria e Kulturës ndër vite nuk ka bërë sa duhet për zhvillimin e artit dhe kulturës. Ne folëm për artin figurativ që është lënë në mjerim, por besoj vëmendje duhet dhe për ansamblet popullore, teatrin, filmi, muzika. Ministria e Kulturës duhet të subvencionojë aty ku ka nevojë më tepër, dhe jo aty ku ka më pak nevojë. Ne si piktorë mirë që nuk kemi vend ku të ekspozojmë, por dhe në MHK që varet nga Ministria e Kulturës ne paguajmë qera. Unë pagova 7 mijë lekë të reja ditën për ekspozitën time. Sigurisht që ministria mund të thotë që ti si piktor nuk më kërkove projekt dhe s’të financova. Por tani sa ti hysh burokracirave, shkojnë gjatë punët. Ndërkohë që ne jemi piktorë dhe nuk kemi ku të ekspozojmë. Arti sot është nën forcën e ekonomisë së tregut. Ministria nuk bën një konkurs për ne artistët me një tematikë të caktuar. Artisti e ka të vështirë aktivitetin. Arti nuk të bën të pasur. Është pasioni që ne kemi pasur dhe do ta vazhdojë deri në fund.

 Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/05/2019 - 07:36

Në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” Berat, prezantohet sot sistemi dixhital i audioguidave.

Postuar: 23/05/2019 - 07:35

“I humburi” titullohet filmi me skenar nga Tonin Çekliqi dhe regji nga Bruno Shllaku

Postuar: 23/05/2019 - 07:34

Artistët shprehen se ndryshimet në ligjin e artit janë të rëndësishme për të përmirësuar situatën

Postuar: 22/05/2019 - 07:30

Në kuadër të “Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim”, Qendr

Postuar: 22/05/2019 - 07:28

Vepra “Jul Qezar” nga Uilliam Shekspir është një tjetër produksion, që po përgatitet

Postuar: 22/05/2019 - 07:26

Filmi dokumentar “Koha e Pelikulës” kushtuar regjisores Xhanfise Keko do të shfaqet t

Postuar: 22/05/2019 - 07:25

Veprat që janë realizuar nga skulptorë të njohur janë shpërndarë në territorin e vendit, por janë