Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arben Shira: Artistëve në emigrim nuk u hapen dyert, Ministria e Kulturës të rikthejë vlerat në art e kulturë

Postuar: 07/11/2018 - 07:29

Artistët pohojnë se në krijimtarinë e tyre nuk kanë përkrahje nga institucionet. Sipas tyre është një situatë që prej vitesh lë për të dëshiruar në art dhe kulturë. Ata shprehen se nuk ka ndryshuar asgjë nga politikat shtetërore dhe problemet vijojnë. Piktori Arben Shira tregon se në Shqipëri ndihet një braktisje për artistët, kjo edhe për ata që jetojnë dhe punojë jashtë ku askush nga institucionet nuk ka vëmendje. Në intervistën për “SOT” piktori Arben Shira tregon se mungon një studimi nga Ministria e Kulturës për ata piktorë që sot me artin e tyre zhvillojnë aktivitetin jashtë. Sipas tij është shteti që duhet ti thërrasë këta artistë, dhe është e rënë që dhe në GKA i gjejnë dyert mbyllur. Për piktorin Shira rutina vazhdon prej vitesh në politikat shtetërore dhe të dëmtuarit janë artistët me aktivitetin e tyre. Piktori këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar ka çelur ekspozitën e tij personale. Janë punë të realizuara vitet e fundit dhe sipas tij vjen një cikël i jetës shqiptare i trajtuar në pikturën moderne. Piktori Arben Shira jeton dhe punon prej vitesh në Itali, ku edhe është diplomuar në Akademinë e Arteve në Bari. Piktori shqiptar falë krijimtarisë së tij artistike është një personazh i njohur për kritikën italiane. Punët e tij janë vlerësuar edhe në shtypin e huaj dhe prej vitesh ai i është përkushtuar vetëm pikturës. Artisti që në fëmijëri ka pasur lidhje me pikturën, por duke ditur që ishte nga një familje e persekutuar edhe ai u bë pjesë e këtyre persekutimeve, ku nuk arriti dot të studionte në Liceun Artistik. Në Itali ai ka ekspozuar në ekspozita personale, ndërkohë ka marrë pjesë dhe në ekspozita me piktorë të ndryshëm italian në të gjithë Italinë.

-Keni hapur ekspozitën tuaj personale në Muzeun Historik Kombëtar. Pas ekspozitës në Perugia në Itali punimet janë për publikun në Muzeun Historik Kombëtar. Ku jeni fokusuar këtë herë me punën tuaj në pikturë?

Kjo është ekspozita ime e shtatë personale, që unë si piktor organizoj në Shqipëri gjatë viteve që nga 2010. Këtë herë unë prezantohem me disa punime që i takojnë një cili të jetës shqiptare të trajtuara me pikturën time moderne. Janë punë që unë i ka bërë vitet e fundit në Itali, dhe është një përzgjedhje me të cilën organizova një ekspozitë dhe në Perugia të Italisë. Pas prezantimit atje mendova, që këto punime ti prezantoj dhe për publikun në Tiranë në sallën e Muzeut Historik Kombëtar.

-Ekspozita në Perugia ishte e kuruar nga kuratori Pino Bonono. Në inaugurimin e saj pati miq dhe artdashës. Si ishte ky prezantim për ju si piktor në vijim të aktivitetit tuaj?

Kjo është një pikturë moderne dhe është stili im modern. Si piktura në radhë të parë kur i shikon të prezantohen si një mori ngjyrash abstrakte, ndërsa në një shikim të dytë lind forma dhe një temë brenda kësaj pamje të parë që është abstrakte. Kjo është linja ime moderne, që unë në Itali e kam zhvilluar me veprat e mia në pikturë prej gati 30 vitesh dhe është vlerësuar nga kritika italiane. Janë shprehur që është një lloj shirizimi, një sjellje e re për pikturën moderne. Duke qenë se atje është e vlerësuar mendova ta sjell dhe këtu në Tiranë për opinionin artdashës të artit.

-Pas kësaj ekspozite, si do të vijojë aktiviteti juaj me pikturën?

Në të ardhmen unë do të vijoj të sjell gjithmonë veprat e mia në pikturë sipas mundësive të mia dhe kushteve, që do të krijohen për të ekspozuar. Por programi im si piktor është i tillë, që unë punoj përditë gjatë gjithë vitit edhe aktivitetet dhe ekspozitat i kam të herë pas hershme në Itali në qytete të ndryshme. Por kam ardhur dhe në Shqipëri me veprat e mia ndër vite, duke i ekspozuar sipas mundësive. Pas kësaj ekspozite që unë kam çelur në Muzeun Historik Kombëtar do të jem sërish në Itali me një tjetër ekspozitë në veri. Mendoj që të ekspozoj dhe jashtë Italisë në Angli ose në Amerikë.

-Ju hapni ekspozita herë pas here edhe jashtë Shqipërisë. Sa e vështirë është organizimi i punës suaj për të prezantuar veprat?

Piktura kërkon kohë dhe dedikim, ndaj dhe ka vështirësitë e veta. Organizimi i ekspozitës bëhet në mënyrë individuale dhe me mbështetjen e miqve të mi, të cilët shpeshherë më ftojnë galeristë të ndryshëm dhe ekspozoj veprat. Normal që ka vështirësi aktiviteti, por deri tani ia kam dalë mbarë me punët e mia për ti ekspozuar. Edhe ekspozita që unë hapa e herën e fundit në Perugia në Itali ishin miqtë dhe dashamirës të artit, që e organizuan ekspozitën. Më ftuan dhe më mirëpritën në të gjitha drejtimet, por nuk është e lehtë të gjesh njerëz të tillë kaq dashamirës.

-Ju edhe këtë herë prezantoni krijimtarinë tuaj në Muzeun Historik Kombëtar. Por për GKA çfarë mund të na thoni, keni kërkuar të hapni ekspozitë më parë?

Unë gjithmonë kam dashur të ekspozoj në Galerinë Kombëtare të Arteve, por deri tani nuk ka qenë e mundur. Unë që nga Italia edhe më herët i kam bërë kërkesa për të hapur ekspozitë në GKA, por kam marrë përgjigje negative. Në atë institucion ka diçka, ndoshta dhe axhenda është shumë e ngarkuar dhe për më tepër realizohen ekspozitat dhe me një lloj njohje. Por unë si artist nuk i përkas piktorëve të realizmit socialist të kohës së shkuar, dhe nuk kam as njohje në Shqipëri tek këta lloj njerëzish. Kjo nuk më ndihmon dhe më krijon vështirësi, por nuk ke ku të ankohesh. Unë i bëj ekspozitat “aty ku më hapin derën”. Kam ekspozuar te MHK apo dhe te galeria në Durrës, që është më e thjeshtë për ekspozitat.

-Ju zhvilloni aktivitetin tuaj dhe jashtë vendit, por keni kritika për GKA. Si funksion jashtë?

Në Europë ka muze dhe funksionimi i tyre ka një tjetër funksionim nga ai që ka pasur GKA. GKA dihet se si është formuar. Në kohën e Enverit u formua për të promovuar artin e realizmit socialist, me ardhjen e demokracisë nuk është se ka pasur ndonjë rinovim të madh. Sot e kësaj dite është një galeri, që nuk dihet çfarë funksioni ka, galeri ekspozimi apo muze i vlerave të artit siç janë në Europë. Aty, me sa di unë ka një fond dhe bëhen ekspozita, ndërsa në një muze evropian zakonisht ekspozohen vlera të përgjithshme të artit dhe blihen punë gjithmonë, por këtu që kur ka ardhur demokracia nuk blen më GKA vepra të reja. Mendimi im është që GKA vazhdon në një lloj rutine, që nuk është as muze e as galeri, dhe gjëja më e keqe nuk blejnë vepra të artit modern shqiptar. I takon GKA që të thërrasin artistët shqiptarë që janë jashtë shtetit, jo ne të trokasim dhe të mos na i hapi dyert. Kjo është e rëndë nga ana kulturore. Por dhe Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e saj. Ka nevojë për një rishikim të GKA, çfarë do të jetë, galeri apo muze. Mjafton të shikojmë dhe muzetë në Europë, që mund të merren shembuj. Unë mendoj që vetë politika në vend s’e ka idenë se çfarë do të ndodhë me GKA. Vazhdohet një punë rutinë siç e mendon njëri s’e mendon tjetri dhe kjo situatë e politikave të artit e penalizon artin modern shqiptar. Ka munguar një planifikim i qartë, një ide e qartë se çfarë ndodh me artin në Shqipëri. Unë jam i mendimit që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës nëpërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve duhet të interesohet vetë ajo se cilët janë artistët, jo vetëm këtu në Shqipëri, por dhe jashtë. Ajo është Galeri e Artit e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Shqiptarë nuk ka vetëm në Shqipëri, por ka dhe në trevat tona si dhe në emigrim. Në emigrim ka shumë shqiptarë artistë, ka dhe nga ata që pikturojnë. Ata nuk vijnë, sepse për aktivitete nuk ia hap njeri dyert. Nuk tregojnë interes institucionet që ti thërrasin. Duhet të ishte e kundërta, të ishte shteti shqiptar që të tregonte interes se çfarë bëhet me artistët tanë. Ministria e Kulturës duhet të shohë se çfarë duhet të ndodhë me këta artistë, dhe kur kanë vlera ti sjelli dhe këtu ti prezantojë veprat dhe krijimtarinë. Këtu është bërë kush ka mik, po e njëjta politikë vazhdon. Nuk ka ndryshuar asgjë, një rutinë në art që ka 28 vjet që vazhdon. Gjëja më kryesore, është e rëndë që GKA nuk blen më vepra për fondin. Galeria Kombëtare e Arteve është krijuar me fondet e realizmit socialist dhe mosblerja është dhe negative, sepse ekspozohen po të njëjtët artistë. Por blerja e veprave është e domosdoshme.

-Sipas artistëve nuk ka buxhet për të blerë vepra...

Po si nuk paska buxhet GKA? Për të bërë gjithë ato aktivitete paska, dhe nuk ka buxhet për të blerë veprat nga artistët. Buxheti është i domosdoshëm për GKA dhe për veprat e fondit.

-Ju dhe të tjerë artistë akuzoni GKA që ka mbyllur dyert për artistët. Për ju çfarë duhet të ndryshojë?

Nëse më parë bëhej diçka për Galerinë Kombëtare të Arteve, tani është e mbyllur, është kthyer në diçka hermetike. E përmenda, që është Ministria e Kulturës ajo që duhet të bëjë një plan studimor për të gjithë artistët shqiptarë, që janë jashtë Shqipërie. Dihen gjërat për ata që janë këtu, por nuk dihet se cilët janë ata artistë shqiptarë në artin e pikturës jashtë. Unë mund të jem nga të vetmit që vij herë pas here dhe ekspozoj veprat e mia këtu. Por ka të tjerë piktorë, që nuk kanë mundësi. Po flasim gjithmonë për piktorët, nuk vijnë sepse nuk ndjejnë përkrahjen. Janë artistë të braktisur. Në GKA nuk hyn më publiku, sepse janë po të njëjtat gjëra. Ndaj është e rëndësishme të thirren dhe artistët nga jashtë dhe të vijnë, sepse kanë bërë artin modern që meritojnë të jenë këtu. Por nuk ka interes nga shteti. Me këtë Ministri Kulture nuk kemi pasur asgjë në këto vite, artistët janë pa përkrahje, nuk ka aktivitete, nuk kemi ekspozita kombëtare, nuk ka projekte të ndryshme për artistët. Një situatë që lë për të dëshiruar në art. Por ne kemi një problem themelor, që se kanë shtetet e tjera.

-Çfarë problemi?

Në botë ka një fakultet që quhet i Historisë së Artit për studimin e vlerave të artit, por në Shqipëri s’e kemi. Kush do ta bëjë studimin e vlerave artistike të artit modern?

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:29

 Festivali ndërkombëtar “Pianodrom” po zhvillon edicionin e gjashtë në Tiranë. Prej disa vitesh festivali ka sjellë në skenë artistë të huaj dhe shqiptarë, që janë bërë pjesë e jetës artistike.

Postuar: 15/11/2018 - 07:28

Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" sjell mbrëmjen e së shtunës premierën

Postuar: 15/11/2018 - 07:27

Komedia “Shirli Valentina” me aktoren Olta Daku shoqëroi publikun për dy mbrëmje me r

Postuar: 15/11/2018 - 07:25

Parku arkeologjik i Bylisit prej vitesh me probleme, kanë munguar investimet që janë themelore pë

Postuar: 14/11/2018 - 07:18

 Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e kthimit në atdhe të eshtrave të personalitet

Postuar: 14/11/2018 - 07:17

 Teatri i Operës dhe Baletit  sjell në skenë operën “La Triavata” nga Giuse

Postuar: 14/11/2018 - 07:16

Muzeu Historik Kombëtar dhe ICOM Shqipëria organizuan paraqitjen e rezultateve të trajnimit Re Or