Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arben Shira: Ministria e Kulturës bashkëpunëtore në situatën skandaloze të GKA, Shkololli po e mbyll institucionin

Postuar: 05/06/2019 - 07:26

Për artin në vend bëhet shumë pak dhe institucionet nuk janë sa duhet pranë artistëve dhe mbështetjes së aktivitetit të tyre artistik. Në këtë situatë piktorët pohojnë se përballen me probleme të ndryshme, por ndërsa në Shqipëri kjo gjendje vazhdon ku edhe Galeria Kombëtare e Arteve duket se nuk po funksion si duhet sipas tyre. Piktori Arben Shira pohon se të flasësh për artin në vend shikon që ka jo pak probleme, por dhe GKA po vijon të jetë një institucion i mbyllur. Me pak ekspozita dhe duke qëndruar për disa muaj në GKA kjo për piktorin Arben Shira nuk është e drejtë. Në intervistën për “SOT” piktori Arben Shira shprehet se kjo është një situatë që dhe Ministria e Kulturës duhet të reagojë, gjë e cila deri tani nuk ka ndodhur. Shqetësues është dhe fakti që sipas tij në emërimin e drejtorëve në institucionet e artit vihen njerëz politikë. GKA me drejtorin Shkololli sipas piktorit Arben Shira ka një mosaktivizim  në një kohë kur duhet të ishte më mikpritëse për autorët shqiptarë.

-Në punën tuaj si po vijon krijimtaria me pikturën?

 Unë punoj çdo ditë në studio gjatë gjithë vitit, por çdo vit unë kam dhe planin tim personal për të organizuar ekspozitat si personale dhe ekspozitat në grup me artistë të tjerë. Për momentin në bashkëpunim me një mikun tim kurator dhe kritik arti Pino Bonanno nga Perugia, Itali, po organizojmë një simpozium arti në bashkëpunim me kopshtin zoologjik të Fazanos. Ne duam të ftojmë disa artistë ndërkombëtarë mes tyre dhe dy artistë shqiptarë, që jetojnë në Itali dhe kjo të bëhet në muajin tetor të këtij viti. Një tjetër ekspozitë të përbashkët e kam programuar me miken time, piktoren ilustruese ndoshta nga më të mirat që janë në Europë piktoren anglezen Irina Hale. Ne kemi menduar që të bëjmë një ekspozitë të përbashkët, madje ajo disa herë më është lutur për këtë, ku ajo ka ilustruar jetën e perandorit Frederiku i Dytë që ka mbretëruar në Italinë e Jugut në shekullin e 12 dhe ka qenë nga figurat e para të rilindjes evropiane. Ne kemi vendosur për këtë ekspozitë të përbashkët, dhe unë do të jem me punimet e mia me stilin tim modern të tematikës së jetës të përditshme, ku mendojmë që ekspozita të jetë në qytetin e  Barit. Përveç kësaj unë kam ndërmend të organizoj dhe nga fundi i vitit në Umbria një tjetër ekspozitë me një grup piktorësh gjermanë dhe austriakë.

-Ju me reagimet tuaja i jeni bashkuar piktorëve, që kërkojnë që GKA të jetë më pranë artistëve. Kjo situatë, sa është shqetësuese për ju?

Unë personalisht kam qenë gjithmonë i vëmendshëm për pikturën që zhvillohet në Shqipëri. Galeria Kombëtare e Arteve ka qenë dhe është institucioni kryesor, ku janë koleksionuar dhe mbledhur veprat e artit. Por problemi në këtë institucion qëndron, që ajo është themeluar gjatë kohës së qëndrimit komunist dhe koleksioni i veprave është i asaj periudhe kohe. Me ardhjen e  demokracisë nuk është ripërtërirë ose nuk kanë hyrë në fondin e GKA fonde të veprave të artit me piktorë modernë si nga Shqipëria, por dhe nga Europa. Nëse ti shkon në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk shikon koleksionin e artit modern, dhe një turist i huaj kur vjen pyet cili është arti shqiptar? Realizmi socialist. Po pse një popull me 3 mijë vjet histori, 30 vjet komunizëm e përfaqësojnë në pikturë? Kjo nuk është e drejtë. Pra mbajtja në atë formë ekspozimi, që ka GKA unë do të thosha pa rezerva që është një turp kombëtar, sepse ne nuk jemi. Ka forma të ndryshme arti sipas historisë dhe periudhave të ndryshme, që mendoj duhet të përfaqësohen në GKA. Për mua institucioni i Galerisë Kombëtare të Arteve ka nevojë për njerëz me vizion kombëtar, por edhe modern në drejtim të saj.

-Ju përmendët drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, si e keni parë punën që ka bërë deri tani titullari i këtij institucioni?

Problemi qëndron politik, sepse sa herë që ndërrohen qeveritë nuk mund të ndërrohen titullarët,  sepse drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve është një ekspert i kulturës, jo një person politik. Por tek ne ndodh kjo që sa herë ndërrohen qeveritë i bëjnë dhe titullarët sikur të jenë njerëz politik. Në asnjë vend të botës kur ndërrohen qeveritë nuk lëviz drejtori i institucionit, sepse janë njerëz profesional. Por tek ne është një defekt i madh. Drejtorët e Galerisë Kombëtare të Arteve nuk duhet të jenë politik, nuk duhet të emërohen nga politika. Për mua drejtori i GKA zgjidhet me konkurs nëpërmjet profesionistëve, por tek ne Ministria e Kulturës hap konkurs, por përzgjedhja bëhet në bazë të politikës. Unë kam parë që në Shqipëri edhe shumë politikanë nga Kosova, që kanë hyrë në qeverinë shqiptare. Unë jam dakord që ne të bashkëpunojmë me Kosovën, por jo vetëm të sjellim njerëz nga Kosova sepse ajo nuk merr nga Shqipëria. Ku qëndron problemi? Këtë duhet ta zgjidhin ata që kuptojnë problemin dhe ofrojnë probleme të tilla. Një person që vjen nga Kosova dhe vihet në krye të GKA qoftë dhe njeri i artit ai nuk e njeh  siç e njeh një nga Shqipëria artin tonë. Edhe ne mund ta ftonim nëse ai do të kishte një njohje të madhe të kulturës shqiptare, por mendoj që këtu ftohet vetëm pse është miku i njërit apo tjetrit. Por ne nuk mund të ecim me miqësira aty ku është kultura kombëtare. Problemi tjetër është që para tij ka qenë një drejtor tjetër Artan Shabani. Ai ishte një djalë me vizion, e sollën po nga Italia. Por në 28 vjet nuk është bërë në Galerinë Kombëtare të Arteve sa ka bërë Artan Shabani për aktivitetet, që janë zhvilluar aty. Unë mendova se ata do ta duartrokisnin atë për këtë punë që bëri, por nuk gjeti mbështetje dhe u largua. Për mua Artan Shabani solli një frymë të re në Galerinë Kombëtare të Arteve. Solli një superaktivizim të GKA dhe kjo diferencë sillet sot me këtë mosaktivizim që ka drejtori Erzen Shkololli në galeri. Ka shumë pak ekspozita me atë që ndjek unë dhe me atë që dëgjoj dhe nga artistët e tjerë ka një mbyllje hermetike ai institucion. Artan Shabani erdhi dhe bëri gjithçka, por tani vjen Shkololli dhe mbyllet institucioni, po heq atë që la ish drejtori Shabani.

-Ato pak ekspozita sipas piktorëve që hapen në GKA qëndrojnë për disa muaj. Ju si e gjykoni?

Edhe më parë nuk janë bërë kaq të gjata në kohë ekspozitat, bëheshin 3-4 javë dhe jo më tepër. Kjo mbajtje e tejzgjatur mund të jetë për një autor të një rëndësie të veçantë. Nëse sjell nga Italia një Ticiano atëherë ti si drejtor vendos që ta zgjatësh kohën e ekspozitës në GKA. Por të mbash autorët shqiptarë për muaj e muaj me rradhë, nuk besoj se duhet kaq shumë.

-Jeni shprehur se problem është dhe fakti, që nuk ka më një konkurs apo ekspozitë kombëtare organizuar nga institucionet. Çfarë sjell kjo?

GKA ka nevojë për aktivitete që të mbajë në qendër të vëmendjes artin tonë. Nëse more vendimin për të mbyllur një konkurs dhe ekspozitë që bëhej prej vitesh atëherë hap diçka të re ti si institucion. Gjej një formë tjetër, por jo të mbyllesh çdo gjë. Mbyllja e dyerve të kulturës të aktiviteteve të rëndësishme kombëtare, duke qenë se është i vetmi institucion kombëtar nuk i shërben kulturës në vend. GKA është institucioni numër i një i kulturës në artet pamore dhe ka nevojë për gjëra me të vërtetë që të jenë permanente, sepse është i vetmi në vend. Nëse ne do të kishim disa institucione si GKA atëherë ndoshta dhe të mos flitej, por sot duke qenë se është institucioni kryesor dhe i vetmi që merret me aktivitetin e pikturës në Shqipëri është negative mbyllja  e “Onufrit”, që mendoj duhet të ishte hapur në një formë tjetër konkursi.

-Kjo gjendje me probleme ka sjellë dhe protestë të një skulptori para GKA. Ju sa e përkrahni?

Format e protestës janë si individuale dhe kolektive. Madje format individuale janë nga më aktivet, sepse njeriu vetë mund të protestojë dhe është e vështirë të mbledhësh dhe të tjerët, që të protestosh në grup. Skulptori ka bërë shumë mirë. Drejtori i GKA ka përgjegjësinë kryesore për gjendjen që është sot. Me aktivitetet shumë të varfra që organizon është përgjegjësia e titullarit të institucionit.  Edhe Ministria e Kulturës mban përgjegjësinë si GKA. Nëse drejtorit emërohet nga Ministria e Kulturës është ajo që e mbikëqyr punën e tij. Artistët protestojnë kundër tij dhe është ministria, që duhet të reagojë. Ministria e Kulturës nuk ka reaguar deri tani dhe për mendim tim është bashkëpunëtore për këtë që ndodh në GKA. Të jesh piktor në Shqipëri e shikoj se është e vështirë për aktivitetin artistik në vend.

-Çfarë ndodh përballë këtyre vështirësive?

Vetë jeta shoqërore në Shqipëri ka 1 mijë probleme. Një artist për të mbijetuar, për të bërë artistin në një vend problematik si Shqipëria është problemi kryesor që ndalon. Kur ti në institucionet shtetërore bën një ndalim të dytë bllokohet aktiviteti artistik, bllokohet arti. Pse njerëzit i kanë sytë te politikat që ndiqen? Sepse është promotori kryesor i jetës së një vendi. I takon institucioneve shtetërore që të ndihmojnë të dilet nga kjo situatë. Nëse flasim po për GKA kur gjërat nuk funksionojnë artistët mund të mblidhen dhe përmes një letre mund ti drejtohen kryeministrit, ministrisë për largimin e titullarit. Me ato që unë kam parë deri tani në GKA mendoj që ai nuk është i duhuri për Shqipërinë, ka njerëz më të aftë për atë post që njohin më mirë artin shqiptar. Edhe ardhja e artistëve nga Kosova ka rëndësi në GKA, por ama të sillen ata që janë më përfaqësuesit, që njihen për vlerat e tyre, por mos të vijnë shokët e drejtorit.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/06/2019 - 07:48

Në ambientet e Portit të Durrësit në prani të trupit diplomatik në vendin tonë u prezantuan kërkimet nënujore në ujërat shqiptare nga dy prej institucioneve më të rëndësishme botërore në këtë fushë, RPM Nautical Found

Postuar: 16/06/2019 - 07:46

Festivali “FemArt” ka nisur edicionin e shtatë në Prishtinë.

Postuar: 16/06/2019 - 07:44

Teatrot kanë prezantuar premierat e fundit të këtij sezoni artistik në skena.

Postuar: 15/06/2019 - 07:30

 “Annie” vlerësuar si një shfaqje për të gjithë familjen rikthehet mbrëmjen e so

Postuar: 15/06/2019 - 07:29

Filmi aksion “Balkan Blood” pritet të vijë premierë për publikun në ekranin e kinemas

Postuar: 15/06/2019 - 07:28

Dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli shprehet se në teatrin shqiptar ka vullnet, ka para, por

Postuar: 14/06/2019 - 07:38

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se gjatë inspektimeve në institucione të ndryshme të