Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bardhyl Londo: Ministria e Kulturës ka krijuar një rreth të ngushtë për fondet, i shpërndan sa te njëri tek tjetri

Postuar: 09/11/2018 - 07:26

Poeti Bardhyl Londo shprehet se deklarimet që bën ministrja e Kulturës janë dhe si një tallje përballë gjendjes që kanë sot bibliotekat, duke shtuar se mungojnë politikat për librin. Sipas tij, edhe promovimi i autorëve shqiptarë me krijimtarinë e tyre mungon, dhe bëhet fare pak përmes iniciativave private apo shoqatave të ndryshme. Në intervistën për “SOT” poeti i njohur Bardhyl Londo tregon se nuk është problemi vetëm te bibliotekat, te infrastruktura që kërkohet në këto raste që është tepër e rëndësishme, por po ikën fare respekti dhe interesi për librin. Për poetin Londo janë një sërë problemesh që ndikojnë në këtë situatë dhe pasojat bien mbi librin dhe autorët shqiptarë. Mungojnë politikat, fondet që ndahen sipas tij janë klienteliste, që iu jepet miqve dhe nuk kurrë “armiqve”, që mund ta meritojnë. Për poetin Bardhyl Londo ministria ka krijuar një rreth të ngushtë dhe këtë fond e shpërndan nga njëri tek tjetri atje. Problem i madh për poetin është dhe gjendja e Bibliotekës Kombëtare. Sipas tij, të jetë në atë gjendje Biblioteka Kombëtare, ku librat pas një shiu thahen nëpër dritare nuk ka skenë më tragjike.  

 -Sa është bërë gjatë këtyre viteve për të promovuar autorët shqiptarë me krijimtarinë e tyre letrare?

 Pothuajse nuk është bërë asnjë gjë, për të mos thënë me plot gojën që nuk është bërë asgjë. Të gjithë promovimet janë në sensin e grupimeve politike, ose në sensin e grupimeve shoqërore ata pak që janë bërë. Por vlerat e vërteta të letërsisë shqipe absolutisht nuk janë promovuar dhe nuk ka ndërmend fare ti promovojë kush me përjashtim të iniciativave private apo të shoqatave të ndryshme, që dhe këto për fat të keq këtu mungojnë.

-Jeni shprehur se mungojnë politikat për librin, sa problem mbetet dhe gjendja e bibliotekave të varfra?

Nuk është puna vetëm te bibliotekat, te infrastruktura që kërkohet në këto raste që është tepër e rëndësishme, që është në gjendje të mjerueshme. Por është problem, sepse po ikën fare respekti dhe interesi për librin. Po zverdhet fare interesi për librin dhe këtu ka lloj-lloj praktikash, që ndikojnë, nuk është thjesht ndikimi i internetit, ndikimi i problemeve të tjera që njihen në botë. Por këtu tek ne është problem që mungojnë politikat për ta bërë librin të dashur dhe për ta çuar në gjithë Shqipërinë. Çfarë do presësh nga një vend, ku dhe në Tiranë nuk ke akoma një librari si duhet. Në të gjitha qytetet kryesore të vendit nuk ke fare librari. Në Tiranë ke disa pseudolibrari që nuk janë librari, por janë si dyqane të zakonshme mallrash. Kur unë do të t’ju thosha që shkoni pak më larg në një qytet më të vogël siç është Podgorica e Malit të Zi. Shikoni se çfarë biblioteka ka atje, çfarë librarie ka atje, që është moderne. Kurse në Tiranë që është 2- fishi i krejt Malit të Zi nuk gjen një librari.

-Ministrja e Kulturës para disa ditësh ka shpallur platformën e “Lëvizjes Kombëtare për Lexim”. Ju si e mendoni?  

Është si një tallje kur shikon një gjendje katastrofike në Shqipëri, ku çdo vit vjen duke u rënduar dhe çdo vit po bëhet gjithmonë dhe më keq të lëshosh disa parulla demagogjike, gjasme për dashuri ndaj librit, dhe për nevojën ndaj librit, do të thotë që të tallesh me gjendjen dhe që ta rëndosh akoma dhe më shumë këtë gjendje. Sepse pavarësisht këtyre parullave demagogjike, asgjë nuk bëhet përgjatë gjithë vitit. Madje ata që lexojnë më pak janë ata që bërtasin më shumë që lëshojnë parulla të tilla, që kujtojnë se i dinë të gjitha gjërat, por në fakt nuk dinë asgjë

-Ministria në ndihmë të autorëve dhe përkthimeve bën me dije fondet çdo vit. Për ju, sa kanë shërbyer fondet deri tani?

Ky fond e para e punës është tepër i paktë dhe i papërfillshëm. Nuk luan asnjë rol në peshën, që duhet të ketë ai në këtë fushë. E dyta, ky është një fond thjesht klientelist, që iu jepet miqve dhe nuk iu jepet kurrë “armiqve”, që mund ta meritojnë. Ministria ka krijuar një rreth të ngushtë dhe këtë fond e shpërndan nga njëri tek tjetri atje. Është më tepër një qokë, që u bën disa prej autorëve se sa një qokë që i bën disa përkthimeve, të veprave të vërteta në letërsinë shqipe. Ndikimi i tij është pothuajse zero, për të mos thënë që është ndikim që prish krejt atmosferën midis vetë përkthyesve.

 

-Ministria e Kulturës ndan dhe çmimet kombëtare të letërsisë. Në gjykimin tuaj si janë zhvilluar, sepse kritikat nuk kanë munguar?

Po çmimet kështu kanë qenë gjithmonë, që kanë pasur probleme, kanë lindur pakënaqësi dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Por gjithsesi unë nuk shikoj, që të përmirësohet diçka në këtë fushë, gjithçka vjen duke u keqësuar. Edhe ato po shndërrohen më tepër nga çmime në qoka, që i bëjnë njëri -tjetrit, i bën ministria autorëve që do. Kjo fillon që nga zgjedhja e jurisë. Në juri zgjidhen pikërisht me synimin, qëllimin kujt do t’ia japim çmimin. Nuk zgjidhet juria, që ti shërbejë vlerësimit të paanshëm dhe të vëmendshëm të autorëve, por zgjidhet me atë se cilit autor do ti japin çmimin. Çmimet paracaktohen, pastaj zgjidhet juria.

-Biblioteka Kombëtare është një institucion me probleme në infrastrukturën e saj. Ra zjarri, më pas pati përmbytje. Si e shikoni sot këtë institucion?

Është pjesë e atmosferës së përgjithshme të qeverisë, e atmosferës që ndiqet për kulturën. Askush nuk e vret mendjen fare për kulturën. E shikojnë atë vetëm në rastet kur iu shërben për të dalë në ekran apo salla shfaqjesh për t’u shfaqur atje. Për ta shfrytëzuar për reputacionin e tyre, ndërsa kur vjen puna për problemet, që ka kultura askush nuk e çan kokën, asnjë njeri. Biblioteka Kombëtare është një rast që duhet ulëritur, por këtu tek ne nuk ndjehen, si duket edhe katastrofat më të mëdha janë bërë të pranueshme, sepse ndodhin aq shpesh saqë tani mund të quhen çudi, që të mos ndodhin, çuditen njerëzit një ditë pse nuk po ndodh diçka. Të jetë në atë gjendje Biblioteka Kombëtare, ku librat pas një shiu që kishte rënë ndeheshin nëpër dritare për t’u tharë nuk ka skenë më tragjike. Ishte me të vërtetë tragjedi të shikoje atë gjendje të Bibliotekës.

-Sipas jush çfarë duhet bërë për librin, për pasurimin e bibliotekave?

Këtu nuk bëhet fjalë për Tiranën kur flasim për bibliotekat, dhe jo më pastaj vendet e tjera që nuk kanë gjë fare. Kanë mbetur në ato bibliotekat, që kanë pasur që para 50 vjetësh. Nuk ke Bibliotekë Kombëtare njëherë, që këtu fillon problemi. Çfarë bibliotekash të tjera pret kur nuk ke Bibliotekë Kombëtare? Kur Bibliotekën Kombëtare akoma e konsideron thjesht si një vend ku mund të ndodhin përmbytje, mund të ndodhë gjithçka vetëm librit nuk mund ti shërbehet. Kur Bibliotekën Kombëtare e konsideron si një vend që thjesht mund të shkosh të marrësh një libër që ta lexosh atje. Kur Biblioteka Kombëtare në të vërtetë duhet të jetë një qendër kërkimore dhe shkencore, por që askujt nuk i shkon në mendje kjo gjë.

-Pak ditë na ndajnë nga edicioni i 21 i Panairit të Librit. Si është pritshmëria juaj për këtë vit?

Unë besoj që panairet e kanë marr rrugën e tyre, kuptohet në sajë të iniciativës private. Edhe në sajë të autorëve dhe botuesve, por çështja është në Panair të Librit mos të futen problemet që përmendem për Ministrinë e Kulturës, sepse kanë filluar të ndihen dhe atje probleme të tilla. Por le të shpresojmë që të jenë të izoluara, sepse prej tyre nuk shpëton dot. Të jenë në shkallë tepër të vogël dhe të izoluara dhe të vijnë gjithmonë duke u përmirësuar, dhe duke u zhdukur këto probleme.

-Në 2014 në Ministri të Kulturës u mblodh Këshilli i Librit. Por në vitet më pas ka munguar mbledhja e tij. Si ndikon kjo sipas jush?

Këshilli është i detyruar me ligj për t’u krijuar. Ai këshill është mbledhur në 2014. Krijimi i tij është thjesht një akt demagogjik për të thënë, që ministria po punon, po zbaton ligjin. Ndërsa në fakt ai ka mbetur në letër. Nuk ka absolutisht asnjë lloj roli, asnjë lloj peshe. Është pra si të gjithë aktivitetet e tjera. Thjesht një demagogji, një reklamë që i bëhet, një pune që nuk e kryen ministria fare. Por që e shet sikur e ka kryer.

-Ka pasur kritika dhe për projektligjin e librit? Çfarë mund të na thoni?

Unë se njoh këtë projektligj të ri, por di që nuk është diskutuar me aktorët kryesorë, të diskutohet gjerësisht. Është diskutuar vetëm me ata që do ministria, por jo ti nënshtrohet një diskutimi të gjerë. E dyta, si çdo ligj tjetër vuan nga ajo që pasi hartohet dhe aprovohet nuk zbatohet kurrë, që është dhe problemi kryesor.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2018 - 07:41

 Fundjava sjell në skenën e teatrit “Metropol” veprën teatrore “Ditari i Ana Frank”. Drama është mirëpritur nga publiku.

Postuar: 17/11/2018 - 07:39

  Ekspozita “Breza në artet figurative” vjen në edicionin e katërt në Muzeu

Postuar: 17/11/2018 - 07:37

 Në edicionin e 21 të Panairit të Librit shkrimtari Ismail Kadare ishte me lexuesit për prez

Postuar: 17/11/2018 - 07:35

 Autorë të njohur me vepra të suksesshme prezantohen këto ditë në edicionin e 21 të Panairit

Postuar: 16/11/2018 - 17:08

Shqipëria do të përballet me Skocinë ditën e shtunë në takimin e vlefshëm për Grupin 1 të Ligës

Postuar: 16/11/2018 - 07:27

Në Pallatin e Kongreseve, Shoqata e Botuesve Shqiptarë organizoi konferencën "Sfidat e lexim

Postuar: 16/11/2018 - 07:25

Teatri “Zihni Sako” në qytetin e Gjirokastrës në 50 -vjetorin e tij ka sjellë dhe edi