Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bashkim Kozeli: Teatri dhe filmi janë kushtetuta shpirtërore e një kombi, por askush nuk do t’ia dijë...

Postuar: 08/06/2019 - 07:24

Dramaturgu Bashkim Kozeli shprehet se sot puna për teatrin nuk është si dikur. Ka shfaqje që  kur vihen në skena diskutohen shumë për nivelin e tyre artistik, dhe kjo sipas autorit Bashkim Kozeli vjen sepse dhe puna nuk bëhet sa duhet. Në intervistën për “SOT” dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli pohon se sot mungon një politikë kombëtare, që duhet për teatrin në vend. Sipas tij edhe buxhetet që jep Ministria e Kulturës për një shfaqje teatri janë aq të pakta sa nuk të krijojnë mundësinë e një vepre si duhet. Shqetësues për dramaturgun është dhe fakti që nuk ka më vepra repertori dhe sot shfaqjet sipas tij vdesin para se të lindin. Për dramaturgun Kozeli  problemet e dramës shqipe në teatro duhet të rregullohen me ligj, dhe me keqardhje pohon se për veprën shqiptare nuk ka interes si dikur në institucione. Në vitin 2012 në konkursin që bëri Ministria e Kulturës e asaj kohe dramaturgu Bashkim Kozeli u shpall fitues me veprën “Ëndrra e Ismail Qemalit”.

-Niveli artistik për teatrin po diskutohet këto kohë nga artistë të ndryshëm. Për ju çfarë ka ndodhur?

Unë jam plotësisht dakord, që ka rënë niveli artistik me shfaqjet tona. Por unë dua të them që pa një punë serioze artistike nuk ka rezultat. Shikoni a keni repertor në teatrot tona? Nuk ka, sepse shfaqjet vdesin para se të lindin, jepen 3-4 net dhe kaq. Nëse nuk bëhet një punë e mirëfilltë artistike me platformë regjisoriale, me zbërthimin e veprës ndoshta kërkon dhe një muaj e gjysmë apo dy dhe të jenë në tavolinë të gjitha, proces që kërkon një vepër skenike, por këto nuk bëhen. Por i marrin direkt dhe fillojnë punën. Maksimumi për tre javë nxjerrin shfaqje në teatër dhe pastaj dalin të papjekura shfaqjet. E dyta, për veprën shqiptare nuk ka interes në teatro.

-Kjo gjë është pohuar dhe më parë, por sipas jush çfarë duhet bërë?

Kjo duhet të rregullohet me ligj, të nisë puna për ta rregulluar këtë gjë që nga Ministria e Kulturës, që domosdo në repertorin e teatrove të ketë vepra shqiptare. Ndryshe çdo regjisor nuk ka interes sepse është goxha punë, që të bashkëpunosh me një autor se sa ti gjesh gati veprat nga videot siç i vënë. Më vjen keq që sot në teatrot tona nuk ka interes për veprat kombëtare. Dhe nëse i zgjidhin ato probleme që unë fola mund të bëhet dhe një festival i teatrit shqiptar, të jetë vetëm me vepra kombëtare. Nëse do të ketë një rregullim me ligj, që kaq vepra shqiptare në vit do të vihen në teatro atëherë ne autorëve do të na kapin për xhakete në teatro, nuk do të vemi ne si lypsa me çanta dhe të na kthejnë kurrizin.

-Vjet u zhvillua festivali mbarëkombëtar i teatrit. Ju e ndoqët?

Unë se kam ndjekur atë festival që u zhvillua vjet, por gjithsesi kam përshtypjen se ai ishte sa për show, sa për të thënë bëmë një festival. Çfarë rëndësie ka? Nëse ti nuk vë veprën kombëtare në festival? A jemi në Shqipëri? Ta bëjmë një festival vetëm për veprën tonë shqiptare. Ata që këtu i prezantojnë si kryevepra, bota i ka shfaqur para nesh dhe i ka në repertor. Por tek ne bëjnë një festival show dhe kaq.

-Ai ishte një festival i organizuar nga Teatri Kombëtar dhe mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës. Çfarë kërkoni nga ministria?

Të kemi një festival për dramën shqipe. E kemi thënë dhe më parë dhe vazhdoj ta përsëris, ne na duhet një festival i tillë. Ministria e Kulturës deri tani ka thënë po,po, por asgjë nuk është bërë. Ndoshta Ministria e Kulturës nuk ka fuqi, por duhet bërë me ligj që një teatër të ketë një numër të caktuar veprash shqipe në skenë. Dhe në këtë vijim duke pasur vepra shqipe vjen dhe festivali për dramën shqipe. Ata thanë festival mbarëkombëtar ai që u bë te “arTurbina”, por nuk ishte i tillë, sepse ishin më shumë vepra të huaja. Një konkurs për veprën shqipe u bë në vitin 2012 madje nga ai konkurs ishin 38 vepra shqipe, që për mua 18 prej tyre ishin drama me vlerë. Po kush u mor? Asnjë. Edhe ai që mori çmim të dytë një vepër që unë e kam lexuar dhe më ka pëlqyer ka mbetur nuk është marrë njeri, dhe kjo është fatkeqësia. Pra nuk ka interes për dramën shqipe në teatrot tona.

-Ju jeni shprehur që buxhetet që jep ministria për projektet në skenën e teatrit janë të pakta. Kur aplikohet me projekte ju çfarë kërkoni?

Ministria e Kulturës mos ti shpërndajë fondet që ka si puna e çiftes me saçma për disa drama, por nëse do të japë ti përmbledhë fondet dhe të japë buxhet të mirë për një vepër, që ta kemi në skenë. Por Ministria e Kulturës kur shkon që aplikon për projekt të jep 3 milionë lekë të vjetra për një shfaqje. Por çfarë do të bëjë regjisori me aq buxhet? Do të paguajë aktorët, do paguhet autori, skenografia, kostumografia? Kështu që ajo që jep ministria për projektet është sa për të thënë që dhamë para. Ndaj më mirë ti mbledhë dhe ti japë më shumë buxhet për një shfaqje, që të bëhet për të qenë, të jetë me cilësi artistike. Regjisorët në fund të fundit do shikojnë interesin e tyre. Ndaj ata ndoshta me një pjesë të huaj kanë më shumë sukses se sa me një shqiptare. Ata e kanë më kollaj me një vepër të huaj se e gjejnë të gatshme dhe nuk i kërkon njeri llogari. Ndaj duhet që dikush të vërë kontrollin se çfarë po ndodh në teatro, por nuk merret kush. Më thoni në Teatrin Kombëtar çfarë vepre është vënë shqiptare?

-Çfarë ndodhte vite më parë me teatrin?

Në ato vite ka pasur të tjera kritere. Ishin teatrot më të plotësuar me trupa, me regjisorë, me organikën, autorë të ndryshëm, ku bëhej plani për veprat kombëtare. Por ishte kriteri, sepse në atë kohë kërkohej llogari që brenda vitit pse nuk janë vënë veprat shqiptare që ishin të planifikuara sipas kriterit. Jepnin llogari ato vite ndryshe të pushonin nga puna.

-Ju jeni kritik dhe çfarë po ndodh me kinematografinë në vend. Pse?

Në fushën e kinematografisë është më keq se në teatër. Harxhohen miliona lekë për të realizuar filmat dhe ata mbeten në arkiv nuk shfaqen më. Ose shfaqet një natë me çerek salle ose gjysmë salle dhe kaq. Po gjithë ato miliona para ku shkuan? Për çfarë bëhet filmi? A bëhet për spektatorin? Spektatori nuk i shikon, që këtu fillon paradoksi.

-Sipas jush nga vjen kjo?

Nëse ka interes për një program kombëtar të kulturës të filmit të dramës duhet të ketë politikë kulture kombëtare. Por këtu nuk ka një studim, që të themi se çfarë kërkon sot koha? Çfarë kërkon sot shoqëria jonë? Çfarë temash mund të trajtojë, çfarë filmash të rrokim, dhe të tjera që të jenë me vlera kombëtare. Por asgjë dhe kjo është e dhimbshme. Teatri dhe filmi është kushtetutë shpirtërore e një kombi. Po ku ke këtë politikë kombëtare. Nëse flasim për teatrin, nga dhjetë autorë 2-3 do të jenë me vlerë dhe duhen parë veprat e tyre dhe të vihen në skena. Por për këtë duhet një politikë nga shteti, nuk e bën regjisori. Por sot Ministria e Kulturës nuk e shikon teatrin si një institucion që i dhemb shpirti. Sot për teatrin as duan t’ia dinë. I ka zënë rrota bishtin. Mua më vjen keq shumë nga kjo gjendje sot për teatrin, më vjen të ulërij, por kush na pyet ne autorëve të dramës shqipe. Më thoni sot një teatër që është i kompletuar me aktorë? Edhe Teatri Kombëtar është me aktorë sikur janë shit e blej, bëj kontrata. Por Teatri Kombëtar duhet të ketë një ansambël të tërë me njerëz për të bërë vepra me karaktere nga më të ndryshmet dhe temat nga më të mprehtat. Po kush merret me këto? Asnjë nuk merret. Kur ka probleme në Teatrin Kombëtar, imagjinoni se si mund të jenë rrethet. Për mua para ‘90 teatri ka qenë më nga niveli artistik më mirë, sepse janë vënë vepra kombëtare në skenat tona që mund të vihen dhe sot, por janë vënë dhe kryevepra botërore me cilësi ato vite. Dikur Pirro Mani me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” e ka vënë në mes të Beogradit. T’ju tregoj për shfaqjet si “Romeo e Xhuljeta”, “Një dashuri e tillë” apo veprën “Intrigë dhe dashuri”, “Makbeth”, etj. Për këto vepra njerëzit zinin radhën një muaj, ndërsa sot shfaqjet rrinë tre ditë dhe vdesin. Ne në ato vite kishim repertor për tërë vitin madje vinim në skenë dhe drama që ishin vënë para dy vitesh. Më thoni sot një vepër që ka mbetur në repertor? Ja ku e keni Teatrin Kombëtar, a keni ndonjë vepër në repertor? Jo. Sepse nuk ka cilësi. Mos vër 5-6 vepra, më mirë vë 2, por ama njerëzit të presin biletat para një muaji, por këtë s’kanë fuqi ta bëjnë më. Sot shikojmë që kanë dhe budallallëqe në skenë, kanë dëngla, por skena ka fjalën me peshë, ka fjalën artistike. Nëse nuk e dëgjon mesazhet në këtë fjalë të bukur artistike nuk ke dramën. Por sot më shumë dëngla në skena se sa mesazhe. Vete një spektator i rëndomtë dhe jo ai që dëshiron të marr një mesazh për jetën.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/06/2019 - 07:48

Në ambientet e Portit të Durrësit në prani të trupit diplomatik në vendin tonë u prezantuan kërkimet nënujore në ujërat shqiptare nga dy prej institucioneve më të rëndësishme botërore në këtë fushë, RPM Nautical Found

Postuar: 16/06/2019 - 07:46

Festivali “FemArt” ka nisur edicionin e shtatë në Prishtinë.

Postuar: 16/06/2019 - 07:44

Teatrot kanë prezantuar premierat e fundit të këtij sezoni artistik në skena.

Postuar: 15/06/2019 - 07:30

 “Annie” vlerësuar si një shfaqje për të gjithë familjen rikthehet mbrëmjen e so

Postuar: 15/06/2019 - 07:29

Filmi aksion “Balkan Blood” pritet të vijë premierë për publikun në ekranin e kinemas

Postuar: 15/06/2019 - 07:28

Dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli shprehet se në teatrin shqiptar ka vullnet, ka para, por

Postuar: 14/06/2019 - 07:38

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se gjatë inspektimeve në institucione të ndryshme të