Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bashkim Zahaj: Reformat nxorën artistët në rrugë, Ministria e Kulturës një institucion administrativ jashtë artit

Postuar: 10/05/2019 - 07:23

Skenografi Bashkim Zahaj shprehet se reformat në institucionet e artit ndër vite nxorën artistët në rrugë. Sipas tij, përgjegjësia shkon tek Ministria e Kulturës që nuk ka treguar të ketë vëmendje për të qenë pranë artistëve dhe në zhvillimin e jetës artistike në vend. Në intervistën për gazetën “SOT” skenografi i njohur flet për gjendjen që shikon sot në institucionet e artit dhe kulturës, ku problem janë jo vetëm buxhetet e pakta. Shqetësues për skenografin Bashkim Zahaj është dhe mungesa e transparencës që sipas tij fsheh abuzime që mund të ndodhin. Për skenografin që gjithmonë ka reaguar për problemet e ndryshme në jetën artistike, sot Ministria e Kulturës shihet si një institucion administrativ jashtë artit. Skenografi Bashkim Zahaj shprehet se përballë problemeve të ndryshme shihet që marrëdhëniet midis shtetit edhe artit, ose midis institucioneve artistike dhe artistëve pothuajse janë të paralizuara.

- Artistë të ndryshëm pohojnë se nuk ka vëmendje për zgjidhjen e problemeve në art dhe kulturë. Ju si e shikoni?

Sigurisht që është një situatë shqetësuese. Nuk duhet të harrojmë që artistët në çdo vend dhe në çdo shtete të qytetëruar janë një forcë e jashtëzakonshme, që e lëviz shoqërinë. Ata e lëvizin shoqërinë nëpërmjet artit, i cili është një burim i jashtëzakonshëm psikologjik për një shoqëri të civilizuar. Ndërsa këtu tek ne disa marrëdhënie midis shtetit edhe artit, ose midis institucioneve artistike dhe artistëve pothuajse janë të paralizuara. Kjo vjen për shumë arsye. Ju mund të shikoni që në administratën shtetërore se cilët janë ata që përfaqësojnë, që duhet të ngrenë shqetësimin mbi artin. Këta lloj nënpunësish që futen në këto institucione janë pothuajse të gjithë partiakë të bindur dhe absolutisht profesionistë, të cilët mund të ngrinin këto probleme ose të ishin në pararojë të zgjidhjes së tyre. Kështu që ne vijmë në një konkluzion, që ne nuk kemi se kujt ti drejtohemi, nuk kemi se kujt ti themi shqetësimin tonë, sepse duke pasur përballë një person jo profesionist edhe sidomos mjaft të ri në moshe që nuk njohin jo artin shqiptar. por as artistët kush janë bëhen dhe gafa të tilla që të pyesin dhe për emrin se kush je. Një nënpunëse e ministrisë që mund të thotë më falni zotëri si e ke emrin, kur atë e njohin dhe në rrugicat e lagjet e Tiranës. Pikërisht këtu fillon hapi i parë i mosakordit të gjërave mbi artin. Më pas po të vazhdojmë rruga është e gjatë dhe ne është e pamundur që në këtë Shqipëri të dalë nga ’90 të mendojmë që arti dhe artistët shqiptarë tashmë duhet të jenë si në të gjithë botën. Të dalin në rrugë, të mos kenë asnjë lidhje me shtetin, të mos kenë asnjë përkrahje dhe mos të marrin buxhet nga shteti, kjo është utopike, sepse mendoni që bota sot investon dhe shumë për përkrahjen e artit, veprave të artit, për pikturën, skulpturën, muzikën etj, dhe këto investime bëhen me qëllim për t’u mbështetur jeta artistike. Në rast se këto mbyllen ose i vihen kufizime ne do të përfundojmë në një shoqëri vrastare. Nuk është e rastit që aktet vandale sa vijnë dhe shtohen.

-Ju përmendët investimin në art dhe kulturë dhe sipas artistëve institucionet e kanë të paktë buxhetin. Si ndikon kjo për zhvillimin e jetës artistike?

Unë e kam ngritur këtë problem dhe herë të tjera. Nëse duhet të rregullohet kjo bëhet menjëherë. Problemi është që drejtuesit e institucioneve artistike zgjidhen në po të njëjtën mënyrë, pra zgjidhen të bindurit e partisë. Nëse një artist ose një administrator i një institucioni artistik është i binduri i partisë nuk është në interesin e tij që ti “nxjerri probleme” qeverisë, që i ka dhënë atë karrige. Pra me pak fjalë ai duhet ta mbylli gojën, nuk duhet të kërkojë buxhet, por duhet ta ulë sa më shumë që të marrë falënderime nga ministri i vet, që ministri të marrë falenderime nga kryeministri. Dhe çfarë ndodh? Këto institucione nëse do të bënin një shfaqje artistike atëherë mendojnë në këtë mënyrë, do të lidhem me një ambasadë që skenografinë që do më kushtonte para ta sjell falas nga Roma, më pas do lidhem me ambasadën Franceze që të më sjellë orkestrën falas nga Franca, do të lidhem me Spanjën që të më sjellë kostumet dhe vendos një shfaqje, që është e gjitha e huaj vetëm ata që do këndojnë do jenë shqiptarë. Me këtë që bëre çfarë arrite të bësh? Arrite të bësh atë që nxore jashtë loje artistët shqiptarë, i bllokove rrugën artistëve të rinj që mbarojnë Akademinë e Arteve dhe shkurtove fondet për artin. Nëse kjo bëhet atëherë dhe ministri thotë këtyre nuk kanë çfarë i duhen fondet se e kanë zgjidhur punën. Atëherë bëhet kompromisi unë rri në karrige për një kohë të gjatë dhe ti merr buxhetin tim dhe e përdor për gjëra të tjera.

-Si e shikoni “arTurbinën” përballë Teatrit Kombëtar për shfaqjet?

Patjetër që Teatri Kombëtar për të vënë shfaqje. “Turbina” nuk është teatër, sepse aty mungon kafazi i skenës ose hambari skenik, që quhet. Hambari skenik është dy herë lartësia e skenës në të cilën ngrihen dekore, vendosen shtangeta, vendosen elementët e ndriçimit. Po aty ka defekte shumë të rënda të tjera që nuk e bëjnë sallë shfaqjesh, është lartësia e shkallëve, pjerrtësia, niveli i shikimit, ndriçimi, anësoret e skenës që nuk ekzistojnë, xhepat e skenës jo, akustika problem. Që të ndërtosh një sallë teatri është mjaft e vështirë. Kjo detyrë dhe kur iu jepet arkitektëve për ta realizuar, duhet të mblidhen specialistë, të disa fushave të cilët bien në një emërues të përbashkët për zgjidhjen e sallës. Kur unë kam shkuar atje dhe kam parë një arkitekt me pantallona të shkurtra me shapka dhe me disa letra të mbledhura në tub që po bënte “Turbinën”, që aty e kuptova se çfarë salle do të dilte. Unë do të isha me mendime komplet ndryshe nëse vërtetë aty do të shihja një sallë, ku unë të vija shfaqje. Por unë këtë nuk e shikoj. Pavarësisht se sot ne shikojmë që aty vihen shfaqje, por shfaqje mund të vihen dhe në rrugë dhe quhen shfaqje rruge. Shfaqje mund të bësh dhe në shesh dhe quhen shfaqje ne shesh, bëhen shfaqje dhe në “Turbinë” dhe quhen shfaqje në “Turbinë” dhe jo në teatër.

-Mungesa e transparencës është një problem që vijon në institucione. Sa është shqetësuese për ju?

E para që mendoj është pyetja: Cila është arsyeja, që nuk kanë transparencë? Pse unë nuk duhet të kem transparencë në familjen time për ti deklaruar gjërat? Sepse rrogën që mora e piva me shokët. Kjo është. Ndaj mungesa e transparencës gjithmonë fsheh diçka. Nuk është veprim që është bërë me një qëllim të mirë. Fshehja e transparencës si fenomen ndodh vetëm kur ka luftëra. Pra jo çdo gjë del në shtyp, sepse ruhen sekretet, etj, kurse në një vend normal mungesa e transparencës në institucione fsheh abuzimin.

-Si e shikoni Ministrinë e Kulturës me politikat që ka ndjekur për artin?

Neglizhenca mbi ministrinë e Kulturës nuk i takon vetëm këtij pushteti, por dhe atij më parë. Ministria e Kulturës shihet si një institucion administrativ jashtë artit, kjo ka ndodhur dhe shumë vite më parë. Ka qenë e vështirë që ne artistët të futemi në Ministri të Kulturës, pothuajse e pamundur. Duke krijuar një ndarje të kësaj ministrie me artistët do ndahesh dhe për problemet që rrjedhin. Një ministre Kulture hapin e parë që duhet të bënte në strategjinë e saj, në platformën e  saj në atë çka ajo do të bëjë, sigurisht që duhet ti referohej mendimit të artistëve që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në vendin tonë. Përderisa kjo nuk ndodh, unë shtroj pyetjen çfarë platforme ka ministrja e Kulturës, çfarë mendimesh ka, çfarë mendon për GKA, po për ekspozitat, po për teatrin dhe operën, çfarë mendon për artin në përgjithësi? Nëse ne këto nuk i gjejmë të shprehura dhe nuk i gjejmë në debate, atëherë që këtu kuptojmë se sa ndarje e thellë është mes nesh.

-Ju keni qenë kritik me Ministrinë e Kulturës, tani për ministren Margariti çfarë mund të na thoni?

Bëja humor me një shok dikur dhe i thashë nëse do të isha kryeministër dhe do vendosja një ministër kulture do bëja një listë me dhjetë emra artistësh. Do të merrja kandidatët për ministër Kulture dhe do i jepja listën t’i vinin nga një pikë, kush plotësonte emrat që i njihte do ishte ministër kulture. Mendo ku ka degjeneruar problemi i ministrit të Kulturës.

-Ku i shikoni sot institucionet e artit me problemet që ju pohuat?

Ne gabimisht hymë në disa reforma shumë të nxituara dhe gabuara në institucionet tona të artit, që filloi që nga 1992-‘93-‘94. Me këto reforma menjëherë u nxitua që artistin ta nxirrnin në rrugë. Mund të sjell shembull heqjen ose nxjerrjen jashtë evidencave të teatrove regjisorë dhe skenografë. Pra u shkurtuan vendet e punës. Ngelën teatrot pa regjisorë dhe skenografë. Më pas u mbyllën sektorët e dekoreve që ishin në teatro që përbëhej nga marangozë, saldatorë, piktorë me shkollë të mesme, skenografë që vinin shfaqje, por u nxorën të pavlefshëm, sepse tani jemi në kapitalizëm. Por kjo gjë jashtë jo vetëm që nuk është kështu, pra institucionet artistike i kanë në nomeklaturë edhe skenografët, regjisorët, libretistët, kurse tek ne hoqën dhe libretistët. Kështu që këto institucionet artistike dëmtuan veten, por dhe artin dhe këtë po e vuajmë akoma edhe sot. Por përgjegjësia shkon dhe tek Ministria e Kulturës ndër vite si edhe sot. Çdo gjë ka lidhje me Ministrinë e Kulturës, që ajo duhet të ishte ortakja jonë.  

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 07:45

 Shfaqja teatrore "Shkumsi" u shfaq për publikun në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli".

Postuar: 26/05/2019 - 07:44

Festivali “Korça Folk-Fest 2019-Shpirti i Ballkanit” përcolli në qytetin e Korçës një

Postuar: 26/05/2019 - 07:42

Poeti njohur Jorgo Papingji në krijimtarinë e tij në tekstet e këngëve të ndryshme ka marrë shumë

Postuar: 25/05/2019 - 07:31

 Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit, ndodhe

Postuar: 25/05/2019 - 07:30

Filmi artistik me metrazh të shkurtër “The Van” konkurron për “Palmën e artë&rd

Postuar: 25/05/2019 - 07:28

Piktori Vangjel Gjikondi shprehet se mënyra se si po funksion Galeria Kombëtare e Arteve nuk ësht

Postuar: 24/05/2019 - 07:26

Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" bën me dije se shfaqja teatrore &ldqu