Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bruno Shllaku: Ka ardhur dita, që nepotizmit në art t’i thuhet “stop”...

Postuar: 09/09/2018 - 07:46

Sezoni artistik ka nisur me projekte në fushën e teatrit për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku. Por vetë ai në lidhje me aktivitetin artistik shprehet se deri tani ka qenë një vit me zhvillime të mira për atë si regjisor dhe aktor. Në intervistën për “SOT” aktori Bruno Shllaku ndalet dhe në problemet që janë në jetën artistike. Sipas tij, është një situatë kur teatrot në rrethe janë mes problemeve dhe në varësi të bashkive janë si të njerkës. Për aktorin teatrot duhet të kalojnë në varësi të Ministrisë së Kulturës, ku dhe duhet të ketë tjetër kërkesë llogarie për jetën artistike. Pjesë e intervistës me aktorin Bruno Shllaku është dhe niveli artistik. Sipas tij nëse do të ketë nepotizëm në art kjo do ta shkatërrojë atë. Në vijim të aktivitetit artistik aktori dhe regjisori Bruno Shllaku zbulon projektet e reja në teatër, por dhe me kinemanë angazhimi vijon me një tjetër film.

-Si po vijon ky sezon artistik për ju?

Deri tani ka qenë një vit i bollshëm për mua. Në radhë të parë ishte festivali i teatrit në Dibër, ku unë u vlerësova me çmimin aktori më i mirë. Ishte një festival dinjitoz për teatrin, dhe me një juri të mirëkualifikuar, përmend emra si profesor Josif Papagjonin, Miho Gjini, etj. Unë u prezantova me një monodramë, “Amaneti” të Odise Plakut dhe u cilësova si aktori më i mirë. Por unë jam angazhuar dhe me filmin. Së fundmi isha aktor në një film produksion amerikan, ku me të vërtetë e kisha ëndërruar të kem një rol të tillë, unë interpretoja gjyshin. Filmi ishte bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, ku secili prej nesh e njeh mirë se çfarë ishte atë kohë në diktaturë të arratiseshe nga shtëpia, dhe cilat ishin dënimet. Unë pata fatin që ta bëj këtë rol dhe kam komunikuar mjaft mirë me atë personazh, sepse e di mirë se çfarë pasojash ka një njeri që arratisej në ato vite. Një film që do të vazhdojë jetën e tij dhe në SHBA, duke u shfaqur pse jo dhe në Kanë. Më pas jam marrë me At Zef Pllumin me veprën “Rrno për me tregue”, dhe nga ajo kam nxjerrë një dramë interesante me disa aktorë dhe kori, që kam dëshirë që ta vendos në skenë dhe të filloj punën në shtator. Por këtë muaj jam dhe në teatrin Metropol me një pjesë tjetër teatrore, titullohet “Rrënjët lëvizin”. Ndërkohë që po gjatë kësaj kohe unë kam një projekt tjetër dhe me kinematografinë, por kam përfunduar dhe filmin “Mrekullia”, që u mirëprit. Po punoj dhe për një tjetër projekt kinematografik, që titullohet “Shallom” me skenar dhe regji nga unë, por që do të financohet nga lobi izraelit në SHBA.

-Çfarë ju shqetëson në jetën artistike, me punën si regjisor dhe aktor?

Klima artistike në vend nuk është e keqe. Njerëzit marrin projekte dhe tentojnë të bëjnë gjëra të mira, mundohen për të sjellë në teatër dhe kinema, por shpeshherë vë re që dhe vetë njerëzit e artit vetë ne nuk dimë të bëjmë përzgjedhje. Ne merremi shumë me hallet e botës në dramaturgji dhe nuk hedhim sytë në dramaturgjinë tonë. Nuk hedhim sytë nga realiteti jonë, dhe ne kemi jo pak ngjarje. Nuk sponsorizohen autorët, nuk tentojnë për të shkuar te autorët. Autorët janë, por gjithsecili e bën veshin të shurdhër, sepse nuk ka pagesë. Nuk afrohen autorët. Kush janë lajtmotivet për të cilën nuk afrohen? Por edhe dihet edhe jo. Teatri shqiptar të merret me temën shqiptare, ne kemi nevojë të shikojmë hallet tona në vepra. Kemi nevojë që ti shikojmë në skenë. Ka nevojë publiku që ato plagë që janë të atdheut të tij, po ato ti shërojë po me gjuhën e dheut të tij.

-Për ju sa afrohen për bashkëpunime regjisorët pranë autorëve?

Regjisorët duhet të jenë këmbëngulës për të sjellë vepra teatrore. Këtë duhet ta bëjnë në bashkëpunim me drejtorët e teatrove, këtu nuk ka fare punë ministria. Por tek janë gjithmonë gjërat e lehta, gjysmë të gatshme, gjërat parafabrikat, dhe ashtu si merren parafabrikat bëhen shfaqje njëaktëshe, një përdorimëshe. Nuk jam nostalgjik, por kur hidhen sytë të dramaturgjia e Fadil Krajës, Pëllumb Kullës, etj, kanë mbetur si vula tatuazhi në kujtesën e kombit shqiptar. Janë të tilla, sepse kanë pasur domethënie të mëdha, dhe gjithsecili e ka parë veten. Ne ballkanasit nëse ne nuk shohim emocione në skenë ne hyjmë kot, nuk vijmë më natën e dytë. Ne duam dramat tona, temat tona.

-Një konkurs për dramën shqipe mungon një kërkesë prej vitesh e autorëve. Çfarë mund të na thoni?

Nëse nuk është zhvilluar kampionati europian i futbollit në Shqipëri, kjo nuk do të thotë mos të kemi mundësi të luajmë futboll. Këto janë punë që duhet ti bëjnë individët. Duhet ti bëjë regjisori në këmbëngulje me teatrin. Unë po ju them që ne kemi autorë si Fadil Kraja, apo dhe të tjerë që nuk afrohen në teatër. Nuk i vjen askujt në mendje për ata afrohen në teatro njerëz që janë inkompetente që nuk kanë lidhje. Teatri është ai që duhet të afrojë autorët dhe të kërkojë veprat teatrore. Përgjegjësi kanë titullarët e teatrove në vend, që duhet ta bëjnë këtë.

-Në çfarë gjendje është për ju teatri “Migjeni”, sa problem ka infrastruktura?

Unë di që aty ku është operuar në punime, është bërë mjaft mirë, dhe aty ku është dashur për t’u operuar që në fillim aty asgjë. Tani a është faji i bashkisë apo dikujt tjetër se di. Me sallën e teatrit nuk është punuar fare. Salla e teatrit “Migjeni” po ajo ka mbetur, mjediset e tjera po ai që ka qenë. Duhet të nisë një fazë tjetër punimesh, të merren me sallën e teatrit, sepse është skandal ashtu.

-Ju pohuat që ka dhe shfaqje që rrinë për pak net në skenë. Çfarë mund të na thoni për nivelin artistik?

Unë nivelin artistik e shikoj shpeshherë që shkon tatëpjetë dhe shpeshherë lart. Nuk dua të jem nihilist të them që nuk ka vlera apo nuk sillen gjëra të bukura në skenë. Por ka ardhur dita, që nepotizmit në art ti thuhet stop. Mua më vjen keq që e them këtë. Por atë ditë që do të mbarojë nepotizmi në teatër atë ditë do të fillojë lulëzimi, këtë e them sinqerisht. Nepotizmi në art e shkatërron nivelin artistik. Një ndër atentatet edhe në teatrin tim është nepotizmi. Vijnë dhe vihen vetëm shfaqje për një natë, dhe më pas nuk dihet më.

-Dikur jeni shprehur se teatri në Shkodër duhet të jetë rajonal dhe varësi nga Ministria e Kulturës. I qëndroni ende këtij pohimi?

Unë vijoj ta deklaroj këtë ide. Teatro nën drejtimin e bashkisë janë si të njerkës. Unë vijoj të mbetem me bindjen absolute që teatrot në varësi të bashkive janë të njerkës. Nëna është Ministria e Kulturës, ajo duhet të bëjë planet siç kanë qenë dikur teatrot, të caktojë drejtorët dhe të marrin në punë të aftit si dikur. Ministria duhet të ketë gjithmonë që teatrot të kalojnë në varësi të saj, është një nder që i bëhet teatrit nëse janë si më parë. Dikur ka qenë një kërkesë llogarie e mrekullueshme. Por sot shkon kryetarja e bashkisë dhe ta merr teatrin për 5 ditë. Por nëse unë jam për shfaqje, si e merr kryetarja e bashkisë për aktivitete?

 

-Për Teatrin Kombëtar ka pasur shumë reagime mes artistëve. Kjo situatë për ju si ka qenë deri tani?

Unë kam qenë i ftuar më parë dhe në komision për të folur për teatrin. Mendoj se një pakicë e vogël e dinë mirë se kush është Teatri Kombëtar. Edhe im vëlla thotë unë jam teatri, por s’ka luajtur ndonjëherë aty. Edhe ai është kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Por fjala shembje është e tillë që të krijon makth, fjala shembje nuk duhet të jetë. Lind, ik, vdes diçka, dhe lind diçka e re. Kështu duhet të thuhet. Ne në Shqipëri jemi njerëzit më të çuditshëm. Kurrë nuk do ta kisha pritur prej elitës artistike një gjë të tillë. Ne duam që çdo herë që do të lindë diçka, nuk duam që ta lindim normalisht. Ai thotë urdhëro po ju bëj një teatër të ri. Nuk e kuptoj çfarë të keqe ka që të bëhet një teatër i ri. Unë e kam thënë në parlament me zë të fortë nëse do të ndryshohen gjatë rrugës projektet dhe Teatri Kombëtar nuk do të jetë ai që është debatuar deri në ditën e fundit para se të iki tulla e fundit prej aty unë do të jem dëshmor i parë. Unë do të hipi në majë të vinçit dhe do të ulëras, këtu ka tradhti, këtu vendimet janë ndryshuar, këtu ligjet mbi pronën e teatrit janë ndryshuar. Por jam i bindur që kjo nuk ka për të ndodhur dhe teatri do të bëhet i mrekullueshëm.

-Ju përmendët dhe filmin, kinematografia shqiptare ka probleme, buxhetet për projektet gjithmonë diskutohen. Çfarë mund të na thoni?

Unë siç ju pohova më lart do të filloj një film me skenar dhe regji, prej meje që titullohet “Shallom”. Ky film do të kishte qenë një nder i madh sikur edhe ministria të bënte një investim. Do të ishte një urë e madhe midis dy popujve. Ne jemi popull që i kemi mbajtur në shtëpi dhe kemi rrezikuar edhe familjen ato vite. Por filmat tanë mund ti shfaqësh kudo në botë pa frikë, janë filma etyd në kinematografinë botërore. Por që duhet një supervëmendje nga shteti për kinematografinë shqiptare duhet. Është i vetmi burim që ne mund ti themi edhe botës, që ne e kemi një kulturë filmi.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 5. Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 08:05

Këtë rradhë grupimi i piktorëve pleneristë nga Shqipëria ishin të ftuar nga disa komuna të jugut të Italisë për të pikturuar vende historike, të bukura dhe turistike.

Postuar: 25/09/2018 - 07:59

Opera “Carmen” zyrtarisht realizon aktin e parë të protokollit të bashkëpunimit të TO

Postuar: 25/09/2018 - 07:57

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit ka nisur

Postuar: 23/09/2018 - 08:05

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit nis mbrëmjen e sotme dhe është cilësuar si ngjarja më e rëndësi

Postuar: 23/09/2018 - 08:03

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjell premierën e re “Kumt&rdqu

Postuar: 23/09/2018 - 07:58

Krijimtaria në vend nuk mbështetet sa duhet për zhvillimin e saj, por problem mbetet dhe zbatimi

Postuar: 22/09/2018 - 08:24

Ekspertë nga “Europa Nostra”, organizata kryesore e trashëgimisë në Europë dhe Instit