Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bujar Vani: Institucionet përkrahin artin “tallava”, Galeria Kombëtare e Arteve është kthyer në një han pa porta

Postuar: 02/08/2019 - 07:24

Problematikat në jetën artistike nuk janë të pakta, por për skulptorin Bujar Vani shqetësues është fakti i mungesës së një strategjie kombëtare të zhvillimit kulturor e artistik, i mungesës së politikave kulturore, që nxisin energjitë krijuese të artistëve shqiptarë. Në intervistën për “SOT” skulptori shprehet se në planin e artit dhe kulturës duket se ka funksionuar modeli oligarkik, jo i vlerave, por i klaneve dhe uzurpuesve të institucioneve publike. Për skulptorin Bujar Vani, Galeria Kombëtare e Arteve sipas orekseve të drejtorëve të emëruar nga politika, si institucion është kthyer në “han pa porta”. Skulptori shton më tej, se sot nuk bëhet fjalë më për politika kombëtare, ku më tepër janë promovuar ekzibicionizma amatore ndërkombëtare, se vlera mirëfilli kombëtare. Me një aktivitet të vlerësuar në krijimtarinë e tij, skulptori Bujar Vani prej gjashtë vitesh i është përkushtuar punës për realizimin e monumentit të Skënderbeut. Por në aktivitetin e tij ai ka realizuar dhe punime të tjera, mes tyre përmendin veprën monumentale kushtuar Servantesit, që është vendosur në Kalanë e Ulqinit.

-Mbi ç’vepër jeni përqendruar gjatë kësaj periudhe në krijimtarinë tuaj skulpturore?

Tashmë pothuaj prej gjashtë vitesh i jam përkushtuar realizimit të monumentit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skanderbeg, në një konceptim të ndryshëm, ku shkrihen njëkohësisht personazhi historik, figura mitike dhe heroi kombëtar, të realizuar brenda një forme të re dhe në një përmasë të konsiderueshme prej tetë metrash lartësi. Në ndërkohjet e kësaj pune sa sfiduese artistikisht aq dhe të vëllimshme e të mundimshme teknikisht, janë realizuar dhe punime të tjera, si për shembull vepra monumentale kushtuar Servantesit të madh, e vendosur në mjediset e Kalasë së Ulqinit, që materializon gojëdhanën mbi historinë e tij në këtë qytet.

-Në mjediset artistike ndjehet shqetësimi për mungesën e organizimit të një konkursi apo të aktiviteteve kombëtare nga Ministria e Kulturës dhe GKA, që do të përbënin shtysa motivuese për ta. A i bashkoheni edhe ju këtij shqetësimi dhe a e konsideroni këtë si një problematikë?

Problematikë ka, madje tepër të ndjeshme, por nuk mendoj se është thjeshtë mungesa e një konkursi apo veprimtarie tjetër formale, organizuar nga Ministria e Kulturës apo më tej nga GKA. Në të vërtetë, shqetësues është fakti i mungesës së një strategjie kombëtare të zhvillimit kulturor e artistik, i mungesës së politikave kulturore që nxisin energjitë krijuese të artistëve shqiptarë, prej të cilave gjenden apo rrjedhin vetvetiu format dhe mekanizmat organizues në rrafshin praktik. Apo, do të thosha, çka është dhe më e keqja, reduktimi i institucioneve në fjalë në thjeshtë mbështetës, promovues dhe financues të disa tarafeve apo klaneve të ngushta, që nuk dihet mbi ç’kritere dhe mbi ç’mekanizma profesionalë përzgjidhen, duke krijuar edhe diferencimin e madh mes tyre dhe radhës së artistëve të tjerë. Të kuptohemi, Ministria e Kulturës në radhë të parë, apo edhe institucione të tjera qeverisëse, nuk e kanë për detyrë të hapin ekspozita në mjediset e tyre, të promovojnë libra apo të organizojnë veprimtari të tjera konkrete, sipas preferencave personale të titullarëve apo të stafeve të tyre, pasi në këtë rast kanë shkelur mbi vetë funksionin e tyre si dhe kanë abuzuar me influencat pushtetore dhe fondet publike, duke emëruar ato vetë se kush është “artist i madh”, kush duhet pompuar dhe financuar. Edhe në planin e artit dhe kulturës duket se ka funksionuar modeli oligarkik, jo i vlerave por i klaneve dhe uzurpuesve të institucioneve publike.

-Si e vlerësoni ju transparencën e institucioneve të linjës, si ministria apo GKA, në vendimet që marrin dhe fondet që shpërndajnë?

Siç thashë, është shkuar drejt një oligarkizimi të artit, dhe kjo me mbështetjen, madje me protagonizmin e pakursyer të vetë institucioneve, që janë kthyer mjerisht në instrumentë shërbyes të vetë oligarkisë, që dreqi e di se ku i ka rrënjët dhe ku e gjen fuqinë për t’u ngritur në këtë rang. E përballë saj, e jashtë saj, “të tjerët”, domethënë bashkësia e artistëve, pavarësisht kontributeve, vlerave apo risive krijuese, ndeshen me gardhe të pakalueshëm apo me mure të ftohtë e shpërfillës të administratave përkatëse. Në këto kushte, si mund të flitet për transparencë, qoftë edhe të sipërfaqshme apo formale, kur institucionet kanë dalë jashtë shinave funksionale, kur e gjithë energjia (njerëzore e financiare) e tyre është në shërbim të oligarkëve, kur nuk bëhet më fjalë për platforma kombëtare e politika zhvillimore, por vetëm për emra të përveçëm, për imazhe pseudo-artistike, për politizime të artit e të kulturës, për devijim të përdhuntë të shijeve dhe preferencave të publikut. E në këtë drejtim, një mëkat jo të vogël, madje do të thosha kryesor, ka edhe media, e cila rend pas oligarkëve të sugjeruar nga institucionet, duke iu bërë jehonën e duhur dhe duke i “çertifikuar” në publik, pa ndonjë kriter kritike apo vlerësimi profesional.

-Një shqetësim tjetër i disa artistëve është se kanë munguar konsultimet për problemet e ndryshme që vërehen në fushën e artit dhe kulturës, nga ana e institucioneve si ministria apo GKA. Nëse do të kishte takime të kësaj natyre, si do të ndikonin ato në zgjidhjen e problematikave?

Asi lloj konsultimesh, apo takimesh e dëgjesash, për mendimin tim, i përkasin të ashtuquajturës “kulturë masive”, e ndoshta vjen prej trashëguesve të mentalitetit të vatrave të kulturës së dikurshme, apo si reminishencë e revolucionit kulturor kinez. Jo se nuk përdoren me efektivitet edhe në ditët e sotme nga pushtetarë bartës të kësaj metode, e përshtatur në kohë moderne e me interesa të tjera, në formë dëgjesash e takimesh “me komunitetin”. Të tilla forma nuk janë gjë tjetër veçse fasada mashtruese për publikun, pas të cilave kamuflohet jetësimi konkret i interesave të oligarkëve që thamë më lart. E rëndësishme, nëse duam të kemi ndonjë produkt në zgjidhjen e problematikave që po mbysin zhvillimin normal të artit e kulturës, është të ndryshojmë thelbin e funksionimit real të institucioneve, domethënë “të futet treni në shina”. Këto institucione e kanë për detyrë funksionale hartimin e strategjive, format më tej s’kanë rëndësi. E pikërisht këtë detyrë ato nuk e kryejnë, dhe jo se nuk dinë, dhe jo se mungon konsultimi, por se mungon vullneti, se janë kapur nga interesa oligarkike. Ndërsa për elementë masovizmi apo divulgimi artistik, nuk është se nuk promovohet, madje shihet se krahas oligarkisë që thamë, ka një përkrahje nga ana e institucioneve për artin “tallava” e për kulturën “fshatçe”.

-Duke qenë skulptor, si e shikoni në ditët e sotme GKA, çfarë ofron për ju ai institucion, që mbart edhe emërtesën “Kombëtare”?

Jo vetëm funksionalisht, por edhe vizualisht, unë nuk dalloj më se ku është GKA. Nga ana funksionale, sipas orekseve të drejtorëve të emëruar nga politika, ky institucion herë është kthyer në “han pa porta”, gati-gati në një vatër kulture masovike, e herë në një godinë hermetike ku, veç oligarkëve të emëruar e të privilegjuar, të tjerët hasnin në një perde indiferentizmi të skajshëm. Nuk bëhet fjalë më tej për politika “kombëtare”, ku më tepër janë promovuar ekzibicionizma amatore ndërkombëtare, se vlera mirëfilli kombëtare. Nuk mund të quhet “kombëtar” pse drejtori vjen nga diaspora apo nga Kosova. E tashmë prej disa vitesh ajo ka humbur edhe nga pamja jo vetëm e artistëve, por edhe e publikut. Një masiv hekurishtesh që u servir si një “dhuratë” e përkohshme për kryeqytetin, tashmë ka fshirë nga kujtesa vetë fasadën e GKA, ndoshta për ta amortizuar nga kujtesa publike, në shërbim të ndonjë kulle të re në vend të saj.

-Piktorë e skulptorë shprehen se janë mbyllur dyert për ata, nuk hapen ekspozita dhe për këtë bëhet përgjegjës drejtori i GKA. Sipas jush, sa duhet të jetë Galeria Kombëtare e Arteve pranë artistëve?

Gjykoj se çështja nuk qëndron tek ky drejtor, apo tek ai që iku, apo tek ai që do të vijë. Nëse ka pasur ndonjë strategji (por të mbrapshtë), kjo ka qenë pikërisht në asfiksimin dhe tjetërsimin e rolit të institucioneve të kulturës. Kjo problematikë nuk reduktohet vetëm në GKA, por edhe në qendrat e tjera publike të kulturës së kryeqytetit apo edhe të qyteteve të tjera. Edhe GKA i është nënshtruar asaj strategjie që po themi, domethënë shërbim i pakursyer ndaj oligarkëve të emëruar “të artit” dhe barriera ndaj të tjerëve. I ka mbetur një fizionomi komuniste, por vetëm në konture, pasi tashmë ka mbetur pa boshtin ideologjik që orientonte politikat kulturore në funksion të një arti revolucionar, çka tenton ta mbushë në një version tjetër ideologjik “iluminues” përmes shurrëtoresh apo aksesorësh hidraulikë ekzibicioniste.

-Edhe ato pak ekspozita që janë hapur gjatë kësaj kohe në GKA, qëndrojnë për disa muaj, dhe ka artistë që janë shprehur se ato duhet të qëndrojnë më pak për t’u hapur ekspozita të autorëve të tjerë. Mendoni edhe ju kështu?

E këtu ndoshta kemi ngatërrim destinacioni, pasi nga ekspozim, procesi kthehet në magazinim. Thashë që ka mbetur një fizionomi komuniste, e kjo shpreh edhe një mendësi po totalitare (në daçi, oligarke). Asokohe përparësinë e kishin një takëm i ngushtë artistësh të besuar të Partisë që duhet të ishin gjithë kohës në vëmendje të publikut. E tashmë, me ndryshimin e “stinëve” politike, ai takëm është retushuar me maskën e “disidentëve”, e nëse Partia dikur kujdesej të promovonte nëpër botë artistët e partishëm, tashmë është moda e artistëve disidentë (që gojët e liga thonë se të tillë disidentë që promovohen sot paguheshin dikur si oficerë sigurimi).

-Nga Ministria e Kulturës, sa e keni parë ndihmën e politikave të saj për artistët dhe aktivitetin artistik; çfarë do të donit të ndryshonte?

U shprehëm më lart se ministria ka reduktuar funksionin e vet të hartimit të politikave mbi artin dhe kulturën, por ky reduktim shihet vetëm në rrafshin kombëtar, pasi shpesh merr rolin e një OJQ-je duke promovuar aktivitete romësh, minoritetesh, komunitetesh etj. Unë do të doja të rikthehej në Ministri e Kulturës shqiptare.

-Sa ndihmohet sot një artist dhe me çfarë vështirësish përballet në veprimtarinë e tij krijuese?

Falë institucioneve tona, artistët po mësojnë shpeshtë bëjnë edhe hamallin, teknikun, shitësin ambulant etj, për të përballuar jetesën dhe kushtet e punës krijuese. Ndihma e vetme vjen nga dielli dhe ajri i kësaj toke, që shpresojmë të mos kujtohen shpejt të hartojnë draftet për taksimin e tyre.

-Për ju, sa janë dëmtuar veprat e vëna në hapësira të ndryshme publike dhe çfarë duhet të bëjnë institucionet për mirëmbajtjen e tyre?

Edhe në këtë drejtim mund të thuhet se ka “politikë” diferencuese, që lidhet me raportin mes përmbajtjes dhe mirëmbajtjes. Ka vepra publike që paraqesin figura kombëtare, dhe ato amortizohen shpejt, apo edhe zhduken. Të tjera që përçojnë ideologji apo nuk shprehin asgjë, jo vetëm i “rezistojnë” kohës, por edhe shohin dorën kujdestare të institucioneve...

-Po për Tiranën çfarë mund të na thoni? Sipas jush, çfarë ofron sot me hapësirat e saj për vepra arti?

Kjo është një temë që do dëshiroja ta linim për një herë tjetër, për ta trajtuar më gjerësisht e ekskluzivisht, e jo në kuadrin e një interviste komplekse. Por tani mund të them se Tirana po ndryshon përditë, po ndryshon aq sa nuk po njihet nga vetë tiranasit! Vepra arti? Do të stononin padyshim në Tiranën e shkurreve, të asfalto-betonit të kuq, të guroreve, në “Tiranen” vajgurore të kullave, që po gllabëron Tiranën tradicionale.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 08:02

Ekspozita “Vetmia e engjëllit- La solitudine dell’Angelo” u çel për publikun në Muzeun Historik Kombëtar.

Postuar: 20/10/2019 - 08:01

Ekspozita “Post-Avangarda Lindore” me punët e tre artistëve nga Shqipëria u hap në ga

Postuar: 20/10/2019 - 07:59

Në festivale të ndryshme poeti i njohur Jorgo Papingji është vlerësuar me krijimtarinë e tij.

Postuar: 19/10/2019 - 07:28

 Orkestra e Harqeve e qytetit të Vlorës, nën dirizhimin e Oleg Arapit, vjen këtë mbrëmje me

Postuar: 19/10/2019 - 07:27

Komedia “Karagjozi” shkruar nga Skënder Guri erdhi premierë në skenën e teatrit Metro

Postuar: 19/10/2019 - 07:25

 Teatri Kombëtar këtë sezon artistik e çeli me veprën teatrore “Xhelatët”.

Postuar: 19/10/2019 - 07:24

Ministria e Kulturës nuk mbështet krijimtarinë muzikore shqiptare.