Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Donard Hasani: Amullia ka përfshirë artin, Kumbaro ka hequr dorë nga përgjegjësitë

Postuar: 25/08/2018 - 07:20

Arti në amulli dhe Ministria e Kulturës ka hequr dorë nga përgjegjësitë e saj ligjore. Kështu shprehet regjisori Donard Hasani për situatën në art dhe kulturë. Në intervistën për “SOT” regjisori Donard Hasani pohon se është një situatë paradoksale, amullia që ka përfshirë prej vitesh artin skenik po kurorëzohet me aktin më flagrant ndaj saj, cenimin e institucionit simbol të tij, Teatrin Kombëtar. Për regjisorin Hasani, Bashkia e Tiranës bën punën e Ministrisë së Kulturës dhe kjo e fundit ka hequr dorë nga përgjegjësia ligjore, që ka ndaj Teatrit Kombëtar. Sipas regjisorit dhe pedagogut të arteve, qeveria shqiptare nuk mund t’i trajtojë çështjet e artit në Shqipëri me njerëz, të cilët janë aty për të marrë një rrogë. Regjisori Donard Hasani duke folur për situatën problematike sipas tij në art dhe kulturë pohon se nuk mundet që anonimët dhe militantët mund të orientojnë politikat kulturore të një vendi. Për regjisorin e teatrit duhen figura publike, njerëz me kontribute që të marrin vendime dhe përgjegjësi për vendimmarrjen e tyre. Në intervistën e tij regjisori vijon se Ministria e Kulturës është ajo që orienton politikat kulturore në vend dhe kujdesi i saj për teatrot vendore duhet të jetë funksional, por deri tani ka munguar. Sipas regjisorit trupat e rretheve zhvillojnë jetën artistike në një pjesë të madhe të vendit dhe nuk ka përse ato të përjashtohen nga mbështetja e Ministrisë së Kulturës.

-Si nis ky sezon artistik për ju sa i takon teatrit. Si regjisor me çfarë vepre teatrore po punoni për të sjell premierë në skenë për publikun?

Jam në proces pune për realizimin e një komedie franceze të titulluar “Nina” të autorit Andre Ruussin. Do të jetë një bashkëprodhim i Bashkisë së Fierit dhe Universitetit të Arteve. Mendoj që premiera do të dalë rreth fundit të muajit shtator.

-Jemi në një situatë ku sezoni artistik në teatër nis së shpejti ndërkohë që protestat e artistëve vazhdon në mbrojtje të teatrit. Në gjykimin tuaj çfarë po ndodh dhe si ndikon kjo situatë për teatrin?

Është një situatë paradoksale. Amullia që ka përfshirë prej vitesh artin skenik po kurorëzohet me aktin më flagrant ndaj saj, cenimin e institucionit simbol të tij, Teatrin Kombëtar. Është një realitet i çuditshëm ku institucionet shtetërore po i bëjnë “grusht shteti” njëra-tjetrës, duke i rrëmbyer kompetencat dhe duke marrë përsipër detyrime që nuk i takojnë. Bashkia e Tiranës bën punën e Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit ka hequr dorë nga përgjegjësia ligjore, që ka ndaj Teatrit Kombëtar, ndërkohë që kryeministri shprehet publikisht dhe ligjërisht ndryshe nga dy institucionet e mësipërme.

-Ju e keni përkrahur protestën e artistëve...

E kam përkrahur që në fillim dhe do ta përkrah deri në fund. Jam një nga organizatorët e parë të rezistencës bashkë me një grup kolegësh, që nisi nga alarmi për ndryshimet e planifikuara në ligjin për artin skenik. Këtij problem më pas ju shtua dhe çështja e godinës së Teatrit Kombëtar.

-Projektligji i artit dhe kulturës muaj më parë u kërkua të pezullohej nga artistët. Sipas tyre munguan konsultimet dhe mes të tjerave Ministria e Kulturës merrte më shumë kompetenca seç duhej te institucionet e artit. Për ju çfarë sjell kjo?

Nëse ai projektligj do të miratohej, atëherë “duhej të pyesnim ministren e Kulturës edhe për repertorin e dasmave”. Ishte një akt totalisht i papranueshëm. Nuk di çfarë mendjeje problematike mund të propozojë diçka të tillë.

-Si regjisor më herët jeni shprehur se ju shqetëson ky “çorganizim i organizuar” i menaxhimit të fondeve të artit skenik dhe transparenca e vendimeve të strukturave në varësi të Ministrisë së Kulturës. Roli i ministrisë sipas jush deri tani? Sa përgjegjësi ka për këtë situatë të krijuar dhe përplasjet mes saj dhe artistëve?

Sigurisht që ajo ka përgjegjësinë kryesore për klimën e krijuar. Çështjet që kam shtruar më parë janë edhe sot problem për jetën e komunitetit të artit skenik. Përplasjet e artistëve nisën me Ministrinë e Kulturës, por më pas ajo “dha dorëheqjen”.Tashmë është qeveria dhe Bashkia e Tiranës iniciatorët e “zhvillimeve” brenda kauzës së Teatrit Kombëtar, e cila është çështja më madhore për momentin.

-Më herët jeni shprehur me kritika dhe për bordet, që vlerësojnë projektet. Çfarë duhet të ndryshojë?

Qeveria shqiptare nuk mund t’i trajtojë çështjet e artit në Shqipëri me njerëz, të cilët janë aty për të marrë një rrogë. Nuk mendoj se anonimët dhe militantët mund të orientojnë politikat kulturore të një vendi. Duhen figura publike, njerëz me kontribute që të marrin vendime dhe përgjegjësi për vendimmarrjen e tyre. Mendoj që krijimi i një strukture të pavarur siç ishte “Qendra e Artit” është imperative dhe pa u realizuar kjo është e kotë të flasim për zhvillim.

-Edhe artistët nga teatrot në rrethe kanë kërkuar vëmendje dhe mbështetje, deri tani kjo ka munguar nga Ministria e Kulturës. Sipas tyre nëse bashkitë e ndryshme nuk munden dot ti mbajnë me fonde dhe projekte, është përgjegjësi e ministrisë që mos ti lerë në këtë gjendje. Në gjykimin tuaj çfarë mund të na thoni për këtë situatë të krijuar me teatrin në vend?

Ministria e Kulturës është ajo që orienton politikat kulturore në vend dhe mendoj se kujdesi i saj për teatrot vendore duhet të jetë funksional. Trupat e rretheve zhvillojnë jetën artistike në një pjesë të madhe të vendit dhe nuk ka përse ato të përjashtohen nga mbështetja e Ministrisë së Kulturës, e cila duhet të kujdeset për të tërën.

-Po flisni për teatrin, por ende artistët nuk kanë status të artistit. Sipas tyre dhe kjo ka qenë një nga premtimet e ministres së Kulturës, por pa u realizuar prej vitesh. Kjo situatë në gjykimin tuaj?

Jemi në fazën kur thuhen shumë dhe gënjehet po kaq shumë. Jemi në fazën e thashethemet dhe jo të institucionalizimit, të vullnetit, por jo të ligjit, të tutelës dhe jo të suportit, të mosdëshirës dhe jo të arsyes. Po jetojmë në një kohë të çmendur.

-Me problemet që po diskutoni, duket se arti dhe kultura në vend, gjendja e institucioneve tona të artit është larg asaj që kërkon komuniteti artistik? Nëse kjo situatë vijon, sipas jush pasojat në art dhe kulturë?

Arti dhe kultura ndryshojnë ngadalë, madje disa herë në forma të paperceptueshme dhe ne kuptojmë vite më pas zhvillimin e tyre, por ndryshimet që pësojnë janë afatgjata. Kështu do të ndodhë dhe me fenomenet që po përjetojmë sot. Ato do të sjellin pasoja afatgjata për artin skenik shqiptar.

“Nina” dhe aktiviteti i autorit francez

Komedia franceze “Nina” flet për një grua të martuar, që krijon një lidhje dashurie në kërkim të lirisë dhe lumturisë. Veprat e Roussin konsiderohen gjithnjë si rizbulim nga regjisorët e rinj të teatrit. Andre Roussin është autori dramatik francez më i shquar e më i suksesshëm i periudhës menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u shqua për komeditë e tij romantike, të cilat rrokin subjekte që rrallë ishin prekur më parë, dhe afirmojnë pikëpamje jashtëzakonisht progresiste për epokën. Sipas kritikës autorin francez, në të gjitha shkrimet e tij, e ka karakterizuar një vendosmëri e madhe për të ndikuar në evoluimin e mendësive dhe rishikimin e tabuve, duke u munduar t’u komunikojë masave nocione filozofike. Dhuntia e sigurt për të ndërtuar efektin komik, duke mos u shkëputur nga realizmi dhe finesa e madhe, në penelatat me të cilat pikturon karakteret, i bëjnë veprat e Andre Roussin-it arritje të mëdha, jo vetëm dramaturgjike, por edhe letrare. Andre Roussin ishte gazetar, drejtues trupe, aktor, por aktiviteti që e bëri të fitonte nderimin dhe privilegjin e madh të ishte një ndër anëtarët e Akademisë Franceze ishte shkrimi teatral. Në shkrime të ndryshme pohohet se e veçanta e tij është që ai, duke trajtuar subjekte shumë të thjeshta, gjoja të pakonsiderueshme, e megjithatë të ndërtuar me perfeksion, angazhon një analizë tejet të rafinuar të psikologjisë së personazhit.  Pjesët e Andre Roussin-it, kur janë të luajtura si duhet, të bëjnë për të qeshur e për të qarë njëkohësisht. Andre Roussin lindi në Marsejë më 22 janar 1911 dhe u nda nga jeta më 3 nëntor 1987.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 4. Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 07:57

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” bën me dije se çel stinën teatrore të shfaqjeve për fëmijë në datat 22 dhe 23 shtator, me dy premierat më të reja "Motër e vëlla"dhe "Librar

Postuar: 18/09/2018 - 07:55

Janë pesë vepra premiera shqiptare që do të vijnë për publikun në skenën e Teatrit Metropol gjatë

Postuar: 18/09/2018 - 07:51

Zëri i artistëve për probleme të ndryshme sipas tyre nuk është dëgjuar nga Ministria e Kulturës.

Postuar: 16/09/2018 - 08:16

Vitit kulturor Austri- Shqipëri po vijon me aktivitete dhe veprimtari të ndryshme artistike dhe k

Postuar: 16/09/2018 - 08:13

Historia e Skënderbeut realizuar në pikturë për publikun vjen në ekspozitën me veprat e piktorit

Postuar: 16/09/2018 - 08:10

Piktori Anastas Kostandini është nga emrat më të vlerësuar në art brenda dhe jashtë vendit.

Postuar: 15/09/2018 - 07:30

Nga e hëna e 17 shtatorit deri më 22 shtator do të zhvillohet edicioni i trembëdhjetë i Festivali