Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Eliona Thomaraj: Nuk do të shkoj te “arTurbina”, te ai vend nuk mund të çohen aktorët profesionistë

Postuar: 24/04/2019 - 07:49

Regjisorja Eliona Thomaraj shprehet se te “arTurbina” nuk do të pranojë kurrë të shkojë me një projekt teatri, sepse sipas saj në atë vend nuk mund të çohen aktorët që janë profesionistë. Për regjisoren “arTurbina” mund të përdoret me aktivitete për të rinjtë, por jo për teatrin me aktorë profesionistë. Në intervistën për “SOT” regjisore dhe aktore Eliona Thomaraj flet për problemet që janë në jetën artistike të artistëve edhe në rrethe. Ajo shprehet se nuk mundet dot më që teatrot që janë në rrethe të rrinë në varësi të bashkive pasi kanë shumë probleme. Ajo kërkon që këto të jenë institucione në varësi të ministrisë dhe të gjithë artistët që janë në këto teatro të kenë statusin e aktorit. Me probleme për regjisoren janë dhe buxhetet e pakta në jetën artistike, ku shprehet se sot me pagat që janë artistët po përballen me shumë vështirësi.

 -Ju jeni pjesë e një projekti teatror në teatrin e Vlorës. Çfarë mund të na thoni për punën me veprën premierë?

Është një vepër angleze nga autori Robert C. Sheriff. Pjesa është e shkruar pas Luftës së Dytë Botërore më 1950 dhe titullohet “Në shtëpi në orën shtatë”. Pjesa si mesazh të vetin ka të marrë përsipër të shpalosë dhe të tregojë se cilat janë dëmet e pas luftës, dhe se sa e rrezikshme është për një popull nëse ka kaluar një gjendje tranzicioni qoftë dhe shumë vite më parë. Përkthyes dhe regjisor është Roland Minga, që e ka zgjedhur këtë vepër për ti mëshuar mesazhit mjaft luftërave dhe tranzicionit, sepse kemi dhe do të kemi pasoja në të ardhmen nëse përqafojmë dhunën dhe jetën e pastabilizuar. Personazhi im është ai i vajzës, që ka trashëguar një bar restorant të cilin e menaxhon me vëllain dhe motrat e saj. Gjenerali Preston që është dhe protagonisti i shfaqjes ka humbur kujtesën dhe ka pasur një amnezi 24 orëshe dhe në këto orë është kryer një vjedhje dhe një vrasje, ndërkohë vetë gjenerali nuk është koshient që të dijë se çfarë ka ndodhur në këto 24 orë që ai nuk është kthyer në shtëpi. Madje merr përsipër dhe të besojë që ka qenë edhe mundësisht i përfshirë në vrasje ose në vjedhje. Personazhi im sjell ngjarjen dhe them që jo sepse gjithë natën e ka kaluar në lokalin tonë pasi nuk pati më mundësi të reagonte kur u dëgjua shpërthimi i një gome kamioni, por që në të vërtetë ne menduam që ishte një bombë. Gjenerali ka qenë në luftë përgjegjës kuadër bombardimeve dhe në atë moment ai pati atë pikën e takimit midis të shkuarës dhe të tashmes. Ky është konflikti i veprës një njeri që vuan brenda vetes dhe që nuk e din ku fillon ndërgjegjja dhe ku mbaron veprimi i aktual dhe fizik i tij. Premiera pritet të jetë në skenë në Vlorë në fillim të muajit që vjen.

-Ju prej vitesh jeni aktivizuar në teatrin e Vlorës. Nga Tirana në Vlorë, por jo shumë artistët preferojnë të jenë larg kryeqytetit me punën. Çfarë mund të na thoni?

Nëpër rrethe nuk do të kthehet asnjëherë asnjë student që vazhdon Akademinë e Arteve të paktën, pasi vlefshmëria e diplomës sonë nuk është e njëjtë në rang kombëtar. Këtu është një kurth i tmerrshëm që po i bëhet artit. Sepse në të vërtetë art nuk mund të gëzojë vetëm qyteti i Tiranës. Në çdo intervistë unë vazhdoj dhe ngul këmbë që të gjithë qytetarët e vendit janë të barabartë, janë taksapagues të rregullt dhe kanë të drejtën të trajtohen në mënyrë të barabartë. Kanë të drejtën t’iu ofrohet në qytetet e tyre përkatëse jetë kulturore dhe artistike, e cila mungon. Një i ri i sapo diplomuar në momentin, që do të kërkojë të jetë në shfaqje në Tiranë do të paguhet më shumë, do të ketë shikueshmëri më të lartë dhe do të ngopet si artist nga ana monetare dhe shpirtërore. Por në rrethe në fillim ke një rrugë me gjysmën e asaj që ndodh në Tiranë. Ne nuk e dimë sepse ndodh kjo, pasi bëhet e njëjta punë që bëjnë artistët në Tiranë, madje dhe me më shumë vështirësi artistike dhe krijuese. Problemi është që në televizione i bëhet më shumë reklamë një shfaqje në Tiranë se sa një shfaqje në rrethe dhe kjo nuk është e drejtë. Fatkeqësisht në rrethe me teatrot kjo nuk ndodh. Nuk merr njeri përsipër të thotë në asnjë hapësirë televizive se cilat janë shfaqjet në rrethe, nuk merr përsipër njeri të shkruajë se çfarë ndodh. Pra arti në rrethe jo vetëm është lënë në errësirë, por po lihet enkas pa oksigjen që kur të vdesë të vdesë. Unë punoj në teatrin e Vlorës prej 13 vitesh. Të gjithë kolegët, që kanë dalë në pension thoshin që realizonim 450 shfaqje në vit nga të cilat një pjesë do të jepej në qytetin përkatës dhe gati 250 të tjera jepeshin në qytetet të ndryshme, në fshatra, sepse arti duhet të komunikojë. Arti duhet të lëvizë nuk mund të jepet një shfaqje 10-15 herë dhe të mbyllet me kaq, kjo është krim. Në Teatrin Eksperimental ka ndryshuar kjo mendësi, sepse po shikojmë “Boeing Boeing”, që po kapërcen numrat e shfaqjeve dhe kjo ka ndodhur dhe në kohën para ‘90 me komedinë “Pallati 176”, që ka dhënë mbi 300 shfaqje në repertor. Pra ka pasur shfaqje të suksesshme, që kanë vijuar të mbeten në repertor dhe kjo më pas vdiq. Pse? Sepse nuk ka asnjë njeri që ti kërkojë llogari.

-Çfarë prisni të ndryshojë në politikat e ministrisë për teatrin?

Nga Ministria e Kulturës unë do të vazhdoj të kërkoj me sa fuqi të kem të kthehen teatrot në përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës. Jo vetëm për këtë, por dhe sepse nuk po njihet vlefshmëria e diplomës në rang kombëtar dhe kjo është e papranueshme. Kjo do të thotë që një student që ka mbaruar Aktrimin në Akademinë e Arteve nuk paguhet njësoj si në Shkodër, Korçë, Tiranë, etj. Nuk duhet ta kenë në dorë bashkitë sepse është njëlloj sikur të kenë në dorë bashkitë mjekët dhe policët? Çfarë do të thotë kur nuk të njihet diploma në rang kombëtar? Bëjmë të njëjtën punë, por paguhemi çuditërisht shumë pak. Kush është arsyeja që po i lënë qytetet të vdesin? Zonja ministre kush përfiton nga heqja e përgjegjësisë së teatrove vendorë mbi miklatyrën tënde? Është mjaft shqetësuese fakti që po heqin gjithmonë dietat, fakti që nëpër lëvizje na ka ndodhur që të japim shfaqje në Tiranë dhe të kthehemi brenda natës, sepse nuk duan të paguajnë dy net hotel, por vetëm një natë. Pasdite të japësh shfaqje dhe pas të nisesh në Vlorë. Nuk trajtohen kështu artistët. Mendoj që sot nuk i intereson askujt që artisti të jetë në vendin e vet. Nëse artisti do të jetë në vendin e vet do të thotë që ka ndikim në popull, do të thotë që është shembull, por ne nuk jemi. Në bashkinë time dhe në rrethe aktori dhe regjisori dhe të tjerë komponentë artistikë që punojnë në teatër quhen specialistë. A ka ironi më të shëmtuar? Na kanë lënë specialistë dhe nuk na quajnë artistë. Ja kthehemi sërish te statusi i artistit. Ne kemi një organikë në bashki dhe quhet një institucion teatri dhe aty janë aktorë, por në bordero quhen specialistë? Je i trupës, por të quajnë specialist të heqin të drejtën për të pasur statusin si aktor.

-Si regjisore dhe aktore ju jeni shprehur që nuk do të shkoni asnjëherë të “arTuribna”. Pse?

Nuk do të shkoj. Ajo është sallë e re. Por aktorët janë ankuar dhe për kushtet që nuk plotëson ai vend. Unë nuk do ta marr mundimin të çoj aktorë profesionistë në salla jo profesioniste. Ajo sallë do të ishte mirë për t’u bërë “RinFest” siç janë bërë dikur, që bënë një krim që e mbyllën. Nëse nxënësi në shkollë të mesme nuk e di që ka të dhëna për aktor është tepër vonë ta sjellësh ti 18 vjeç. Ndaj ka rënë dhe numri i studentëve që kërkohen të bëhen aktorë është që shkojnë në konkurrim 37 veta, ndërkohë që në vitin 2002 ishte 876 për të konkuruar. Tani konkurrojnë 37 për të fituar 12 veta, por në 2002 konkuronim 876 studentë vetëm për aktrim. Ka rënë interesi për t’u bërë aktor sot. I keni parë artistët që bëjnë prova dhe duke ngrënë një byrek vetëm 30 lekë të reja? Të gjithë shkojnë në juridik, arkitekturë, etj, ku është paraja më e madhe.

 

-Nuk ka ndryshuar gjendja me buxhetet e pakta për projektet e teatrit nga ministria. Çfarë sjell kjo?

Kjo sjell uljen e çmimit. Në momentin që ministria thotë kam 300 mijë lekë të reja për një projekt teatri dhe ke 270 aktorë pa punë sigurisht që do ta pranojë ai dhe për 300 mijë. Ky është abuzimi. Nuk na vrasin dot vërtetë dhe na vrasin kështu. Si mund të krijojë tjetri kur e ka barkun bosh? Mungesa e transparencës me ministrinë është aq shqetësuese sa do t’ju bëj një krahasim: sa shqetësues është fakti që zoti është i padukshëm për botën? Ja kështu është dhe transparenca e buxhetit në ministri, sepse lë vend për keqkuptime, abuzime dhe aludime.

-Sa paguhet sot një artist?

Artisti në rrethe paguhet me 35 mijë lekë të reja apo 40 mijë lekë të reja. Teatri i Korçës me sa di merr pagën 35 mijë lekë të reja, ai i Vlorës ka paga 40 mijë lekë, ai i Durrësit 50 mijë lekë të reja, Shkodrës dhe Fieri me 35 mijë lekë të reja. Këto janë rrogat.

-Salla e Teatrit Kombëtar aktualisht po qëndron mbyllur, por ju m parë jeni shprehur se aty mund të vihet shfaqje nga artistët?

Salla po qëndron mbyllur dhe kjo është hilja tjetër e madhe, sepse nëse e mbyll ajo do të fillojë dhe rrënohet. Ky është truku tjetër. Për ta prishur nuk po jua prishim dot, por do ta lëmë deri sa të prishet vetë. Ndërsa TK duhet të kthehet një orë e më parë, sepse çdo minutë është humbje për ne si artistë. Ish ministrja Mirela Kumbaro ka bërë atë që s’e ka bërë dot njeri. Atë që bëri me artin dhe kulturën ish ministrja Kumbaro nuk do ta kishte bërë as Qazim Mulleti të çohet nga varri.

 

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/08/2019 - 07:54

Kisha e Shën Kollit në fshatin Vodicë të Kolonjës do të restaurohet. Prej disa ditësh kanë nisur punimet.

Postuar: 18/08/2019 - 07:52

Autoritetet shqiptare janë vënë më në fund në lëvizje për të ndalur rrënimin e Kalasë së Gjirokas

Postuar: 15/08/2019 - 07:38

Regjisori i njohur Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rënd

Postuar: 15/08/2019 - 07:36

Në vilën e ish diktatorit, Cine Tarkovsky fton për një bashkëbisedim të hapur me fituesin e Palme

Postuar: 15/08/2019 - 07:35

Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk ësht

Postuar: 14/08/2019 - 07:33

Teatri i Kukullave ka përfunduar turin  “Erdhi Teatri”, duke shëtitur fshatra të

Postuar: 14/08/2019 - 07:31

“Shkodra Jazz Festival” mbërrin këtë vit në edicionin e dhjetë.