Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Eliona Thomaraj: Pushteti po vret artin, politikë më të shëmtuar se kaq nuk ka pasur ndonjëherë kundër artistëve

Postuar: 04/09/2019 - 07:38

Artistë të ndryshëm shprehen se jeta artistike në vend nuk është prioritet. Sipas tyre, deri tani është treguar që Ministria e Kulturës nuk ka marrë në mbrojtje artin. Në intervistën për “SOT” regjisorja Eliona Thomaraj shprehet se po ndiqet një politikë e shëmtuar kundër artistëve. Sipas saj, duhet përkrahur çdo aktivitet artistik, pasi jeta nëpër qytete të vendit është tmerrësisht e varfër, por të gjithë kanë të drejtë të gëzojnë jetë artistike dhe kulturore. Problem për regjisoren mbetet dhe mungesa e dramës shqipe në skena. Ajo pohon se drama shqipe ka nevojë për mbështetje dhe prioritet, derisa të përsoset si zhanër dhe të kalojë kufijtë e teatrit shqiptar. Regjisore dhe aktore, Eliona Thomaraj shprehet se mediokriteti pushtetar ka frikë nga artisti, se ai është i vërtetë dhe jo fallco, teatrin nuk e duan se aty shfaqen intrigat e shoqërisë dhe sidomos dramën shqipe nuk mund ta përkrahin, se ajo zbulon dhe u jep zë problematikave të kohës.

-Ju keni punuar me projektin e filmit “Legjenda e vendit t’shenjtë". Kur pritet premiera?

Premiera e filmit "Legjenda e vendit t'shenjtë" pritet të dal në shtator, është punuar me shumë dashuri dhe kemi kaluar jo pak peripeci për të realizuar këtë ëndërr tonën, që legjendat shqiptare të materializohen në film të animuar.

 -Pse lindi ky projekt dhe mendoni ta vazhdoni më tej si ide me filmat?

Ky projekt lindi spontanisht, nga propozimi i piktorit animator që ka punuar tek animacioni në Kinostudio “Shqipëria e re” deri më 1995, vit në të cilin shkrihet sektori i animimit. Bledar Gercaliu më fton të bashkëpunojmë, duke konkurruar në QKK për film të animuar. Unë kam vlerësuar gjithmonë traditën tonë shqiptare, folkun tonë të pasur e të përcjell brez pas brezi si një pasuri kombëtare. Kështu lindi ideja e filmit tonë.

 -Në projektet tuaj në fushën e teatrit, a është një shfaqje me regji nga ju?

Unë jam regjisore dhe aktore teatri, kjo është edhe rruga që kam ndjekur prej më shumë se 1 dekade dhe i jam përkushtuar tërësisht teatrit. Projekte kam shumë, por hapësira ka shumë pak. Kam punuar me veprën e Aleksandër Mirodan dramaturg rumun "I famshmi 702" dhe ëndërroj ta ngjis në skenë. Shpresoj që kjo vepër të realizohet në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë. Mesazhi që dua të përcjell është: "Kujdes, po jetojmë në kohën e antivlerave".

 -Sa rëndësi ka për ju drama shqiptare në skenat tona?

Rëndësia e dramës shqipe është thelbësore për teatrin, pasi prek problemet e shoqërisë sonë dhe shpalos kulturën kombëtare. Nuk mund të kemi teatër pa dramaturgji tonën. Po ti referohemi shfaqjeve më të suksesshme, që kanë mbetur në memorien kolektive, ato janë padyshim shfaqje shqiptare, përshembull "Pallati 176", "Shi në plazh", etj. Edhe rikthimi i spektatorit në teatër pas vitit 1997 vjen me komeditë e Ilir Bezhanit si "Mashtruesit", "Në katin e 2 është parajsa" apo "8 persona plus" e Ferdinand Radit, etj. Krijimi i teatrit “Metropol” në sallën “Shekspir” mori jetë nga drama shqipe si "Karnavalet e Korçës", "14 vjeç dhëndër”, etj. Pra të gjitha shembujt e shikueshmërisë së lartë janë nga drama shqipe, (por të mos hedhim fishekzjarre ditën) mbetet gjithmonë një shtyllë e fortë edhe drama e huaj mbi të gjitha, ajo klasike.

 -Në fakt mungesa e saj është pohuar nga shumë artistë, por dhe dramaturgët kanë folur. Ju vetë si regjisore dhe aktore çfarë mund të na thoni?

 Drama shqipe ka nevoje për mbështetje dhe prioritet, derisa të përsoset si zhanër dhe të kalojë kufijtë e teatrit shqiptar. Duhet të ndihemi konkurrues në arenën e madhe teatrore botërore. Për fat të keq drama shqipe ka pësuar rënie, si në krijim ashtu edhe në interpretim. Po nuk u promovua si vlerë e padiskutueshme, drama shqipe nuk do merret seriozisht dhe problematikat e shoqërisë shqiptare do të mbeten në hije, duke mos transmetuar katarsis tek spektatorët, por duke mbushur teatrin me numra shfaqjesh, të cilat i afrohen tërthorazi problemeve universale.

-U zhvillua një vit më parë festivali mbarëkombëtar nga Teatri Kombëtar i mbështetur nga Ministria e Kulturës, por pati artistë që kërkuan një organizim më të mirë. Për ju si duhet të jetë një festival i tillë?

Festivali mbarëkombëtar është i domosdoshëm. E pajustifikuar mungesa e një festivali në TK, ku të bëhet ballafaqimi dhe garimi midis trupave. Në 2012, viti i 100- vjetorit të pavarësisë shqiptare u zhvillua edhe një festival i dramës shqipe. Nuk e kuptoj pse u zhduk ai festival dhe pse pas 6 vitesh na rikrijohet një tjetër festival mbarëkombëtar, që nuk ka si kusht dramën shqipe, por thjesht fton trupat të ballafaqohen me njëra-tjetrën dhe ti japin kuptim “ArTurbinës”. Teatrin nuk po e marrin seriozisht politikat, madje po bëjnë gjithçka për ta përbaltur, nuk duhet thënë e vërteta, nuk duhet niveli, mjafton të jetë si protokoll. Nëse duam festival të vërtetë në TK, atëherë ai le ti kushtohet dramës shqipe dhe të shoqërohet nga çmime.

 -Po festivalet e tjera të teatrit që zhvillohen në vend, si i keni parë?

 Festivali ka vlerat e veta për çdo qytet. Ai sjell përherë gëzim dhe motiv si për artistin ashtu edhe spektatorin. Festivali sjell vepra dhe këndvështrime të ndryshme, sjell frymë të re dhe frymëzim. Duhet përkrahur çdo aktivitet artistik, pasi jeta nëpër qytete është tmerrësisht e varfër. Jetojmë në kohët moderne dhe kemi kushte si pas lufte. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë kanë të drejtë të gëzojnë jetë artistike-kulturore.

- Ministria e Kulturës vazhdon të akuzohet jo pak nga artistët. Ju si e shikoni këtë institucion, që ka përgjegjësinë e politikave të saj në art dhe kulturë?

Ministria e Kulturës po sillet në fakt si ministria e kundra kulturës, që jo vetëm nuk merr në mbrojtje artistët, por po i vë kazmën edhe asaj pakice, që ka mbetur. Politikë më të shëmtuar dhe të korruptuar nuk besoj se ka pasur ndonjëherë kundra artisteve as në mesjetë, ku aktorët shiheshin si "sëmundje e keqe", të mos marrësh në mbrojtje artin nuk e meriton të quhesh Ministri Kulture.

 -Keni folur dhe më parë për gjendjen e artistëve në rrethe, sa është shqetësuese për ju?

Situata në qytete jo vetëm që nuk ka përmirësime, por ka regres. Jo vetëm kultura dhe arti, por jeta në përgjithësi nëpër rrethe është gati e mjerueshme, varfër, papunësi dhe asnjë motiv përveçse mbijetesës, dhe kjo reflektohet pikë së pari në art. Shqipëria po jeton në tranzicion të përjetshëm prandaj dhe jeta artistike nuk është prioritet. Qytetet e Shqipërisë duhen trajtuar me dashuri dhe respekt përpara se të jetë tepër vonë. Arti është ushqim shpirtëror, që për fat të keq jo të gjitha qytetet e kanë.

-Ju jeni shprehur se teatri po vdes. I qëndroni ende kësaj?

Po i qëndroj kësaj shprehjeje fatkeqësisht. Teatrin po e vrasin. Teatri nuk po vdes se mungojnë artistët, përkundrazi teatrin po e vrasin pikërisht se mbart artist. Mediokriteti pushtetar ka frikë nga artisti, se ai është i vërtetë dhe jo fallco, teatrin nuk e duan se aty shfaqen intrigat e shoqërisë dhe sidomos dramën shqipe nuk mund ta përkrahin se ajo zbulon dhe u jep zë, problematikave të kohës. Ka mbetur, që zgjidhja të zbresi nga qielli "deux macchina " si në antikitetin bardh e zi.

- Mungesa e transparencës sipas artistëve është në institucionet tona. Çfarë sjell kjo, dhe çfarë kërkon nga Ministria e Kulturës, që është e para që sipas artistëve që duhet të bëjë transparencën?

Transparenca prej ministrisë është kusht parësor, është si besimi në një martesë, nuk funksionon lidhja me dyshime dhe mashtrime dhe në njëfarë mënyrë edhe ministria me artistin ndërvaren prej njëri-tjetrit, pra mos transparenca konsiderohet si një tradhti e ulët kundrejt palës tjetër. Ministria e Kulturës u bë kohë e gjatë dhe po kthehet në traditë tradhtia kundrejt artistit. Pikërisht mos transparenca po sjell "vrasjen e teatrit", por po vdiq arti, pasi teatri përmbledh një sërë artesh në vetvete, me kë do të martohet vejusha e zezë?!

 -Regjisorë të ndryshëm shprehen se janë të pakta buxhetet në projektet që financon ministria dhe për një shfaqje teatrore nuk mjafton. Çfarë sjell kjo?

"Me 2 aspra të qelbura dashka verë të mirë, miku", batutë e filmit "Udha e shkronjave" nga hanxhiu. Morali i fabulës është, që arti nuk do lëmoshë e as 2 aspra. Teatri pas filmit është zhanri më i shtrenjtë i një vepre artistike, që do të thotë: Boll na lodhën kokën me parrulla të llojit, ka rënë niveli, nuk bëhet më art si dikur. Ç'do të thotë kjo? Kjo do të thotë se artisti dikur kishte status dhe mbështetje plotësisht nga shteti, madje përkrahja ishte aq e madhe sa vihej në lëvizje një Shqipëri e tërë për tu realizuar ashtu si duhet një vepër. Flas edhe për filmin se buxhetet prej ministrisë lëvrohen, dhe është për të ardhur turp nga shifrat qesharake, që lëshon ministria për projektet e pavarura. Kjo i ka prerë krahët shumë artistëve, duke u ndjerë të nënvlerësuar edhe kur janë fitues. Stresin dhe ngërçin, që i ka dhënë artit ministria në dekadat e fundit ka bërë që arti shqiptar të zhbëhet.

 -Çfarë doni të ndryshojë në përgjithësi për jetën artistike në vend?

Sikur të ndërgjegjësohej pushteti për teatrin, fillimisht do të riorganizonte, grupet rinore të gjimnazeve, duke futur tek lënda e artit program për teatër, duke u mbikëqyrur nga regjisorë profesionistë, si dhe duke organizuar festivalin e shkollave të mesme, pastaj rikthimi i festivalit të regjisorëve të rinj dhe mundësisht të hapet një degë e re dramaturgjie në Fakultetin e Letërsisë, që fatkeqësisht tek ne mungon. Kjo do të sillte reaksionin zinxhir dhe do të përmirësonte dukshëm brezin e ri me dashurinë për teatrin, por edhe do të edukonte spektatorin e ardhshëm. Në teatrot egzistuese duhet njehsuar paga e artistëve dhe duhet domosdoshmërisht krijimi i kalendarit artistik vjetor. Dhe së fundmi duhet propaganduar teatri me çdo formë, si televizive ashtu edhe mediatike.

 -Si e shikoni Festivalin në Mbrojtje të Teatrit?

Festivali i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit është akti me sublim i gjithë historisë së artit shqiptar. Artistët dhe spektatorët protestues, që mblidhen përtej interesave vetjake apo politike, në ndriçimin e një gjeneratori, dhe dyer të hapura pa ftesa apo emërtime, shfaqje të krijuara me dashuri i dhurohen godinës historike të teatrit shqiptar për të mos lejuar zhdukjen nga kujtesa emocionale e popullit tonë.

-Prej vitesh me aktivitetin tuaj në jetën artistike, çfarë mund të na thuash për punën si regjisore dhe aktore?

Sì regjisore jam gjithnjë në kërkim të veprave, që dua të realizoj si shfaqje artistike. Jam në kërkimin e një mesazhi, që do të përcillet në publik, pastaj përzgjedhja e grupit të punës që do të krijojnë ansamblin artistik dhe në fund materializimi i gjithë idesë fillestare në shfaqje artistike, duke u përballur me spektatorin. Regjia është më e vështirë psikologjikisht, kurse aktrimi kërkon vetëm krijimin e figurës artistike dhe disiplinën e aktorit, që domethënë korrektësi në tekst dhe mizanskena. Si aktore më duhet të përtyp idenë e regjisë dhe ta kontretizoj. Të dyja janë të pandara në dashurinë, që të përcjellin. Aktrimi të përball me spektatorin, kurse regjia të përball me shijet e publikut, prandaj është punë me emocione të forta.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/09/2019 - 08:41

Në edicionin e tretë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit “Self-Portrait” në Muzeun Historik Kombëtar janë prezantuar me punët e tyre 400 artistë.

Postuar: 22/09/2019 - 08:40

Me një aktivitet të suksesshëm muzikor, këngëtari Bujar Qamili është nga këngëtarët që vlerësohet

Postuar: 22/09/2019 - 08:38

“Tirana International Film Festival” mbërrin këtë vit në edicionin e 17.

Postuar: 21/09/2019 - 07:39

Mirald Metallari, 22-vjeçari që vrau nënën dhe babanë e tij rreth një vit e gjysmë më parë në Kam

Postuar: 21/09/2019 - 07:37

“Një koncert për paqen”, kështu e kanë quajtur shfaqjen e orkestrës "Magna Greci

Postuar: 21/09/2019 - 07:36

Artisti Adrian Paci vjen me ekspozitën “Prova” në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Postuar: 21/09/2019 - 07:35

Shqipëria përfaqësohet me filmin “Delegacioni” në garën për Oscar.