Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Elvira Diamanti: Shqiptarët të lodhur nga filmat me gjakmarrje dhe prostitucion, mjaft më me këto tema

Elvira Diamanti: Shqiptarët të lodhur nga filmat me gjakmarrje dhe prostitucion, mjaft më me këto tema

Postuar: 18/05/2014 - 10:27

Elvira Diamanti, një nga emrat e njohur të kinemasë shqiptare, një grua në karrierë dhe drejtuese e suksesshme e Arkivit të Filmit, mbetet në qendër të vëmendjes së publikut. E dashur nga publiku, jo vetëm për rolet e paharruara në kinemanë shqiptare, por edhe për bukurinë e dashamirësinë që përcjell, aktorja Elvira Diamanti gjithmonë spikat me aktivitetin e saj artistik. Në përfundim të javës së filmit kosovar, si drejtuese e AQSHF, Diamanti e vlerëson prezantimin e kinemasë kosovare në Tiranë dhe pohon se duhet të ketë më shumë bashkëpunime për filmin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në intervistën dhënë për gazetën, Elvira Diamanti, e cila gjatë këtyre viteve ka spikatur për punën e saj drejtuese në disa institucione flet për karrierën e saj artistike. Tregon se do të ishte shumë e lumtur të kishte një rol, që të ishte një grua në mesin e jetës së saj, gjë të cilën ajo pohon se fatkeqësisht në kinemanë shqiptare për personazhe të tillë ka mungesa. Por si e sheh aktorja e njohur filmin shqiptar dhe teatrin, cilat janë problemet dhe si i vlerëson aktorët e rinj, Elvira Diamanti i tregon në vijim të kësaj interviste ku ajo ka në vëmendje zhvillimin e jetës artistike.
 
-Java e filmi kosovar u zhvillua për herë të parë në Tiranë. Si drejtoreshë e AQSHF sa e rëndësishme ishte për ju kjo javë që solli kinematografinë kosovare?
 
Java e filmit kosovar është një nismë e  dy qeverive tona, e dy Ministrive të Kulturës. Natyrisht që AQSHF do të propozonte atë çka sheh si më problematike, dhe sa i takon promovimit të vlerave filmike në dy vendet tona, unë e kam e ndjerë që filmi i Kosovës për arsye specifike njihet shumë më pak në Tiranë se sa filmi i Shqipërisë atje. Natyrisht që historia e dy vende tona ka qenë e ndryshme, dhe është normale që dhe historitë filmike kanë qenë të ndryshme. “Kosova Film” ka filluar në qeverinë e Beogradit dhe historia e kinemasë së Shqipërisë, pavarësisht se është një histori suksesi, është një histori që ka filluar në kohën e diktaturës. Për arsye të propagandës shteti shqiptar i dha shumë prioritet. Megjithatë unë mendoj se nga e gjithë kjo histori u përfitua diçka. U përfituan dhe filma mjaft të mirë artistikisht. Ndërkohë që AQSHF duke parë këtë situatë, është normale të mendonte që fillimisht të bëhej një javë filmi i Kosovës. U përzgjodhën filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër. U mendua që të kishte kinemanë bashkëkohore të Kosovës, por dhe nostalgjinë e filmave kosovarë dhe u përzgjodhën autorë të mirë. Që në natën e parë të kësaj jave filmi, publiku pa një film ku i mëshohej dramës së Kosovës, luftës së saj. Por mendoj si artiste dhe jo si drejtoreshë e AQSHF, që të dy vendet duhet të trajtojnë dhe tema të tjera. 
 
-Sipas jush, ku duhet të synojë kinemaja në Shqipëri dhe Kosovë sa i takon tematikave në film?
 
Shqipëria nuk mund të bëjë vetëm filma që të jetë shkatërrimi i shtetit, ti mëshohet prostitucionit, gjakmarrjes, por dhe Kosova duhet ta kapërcejë tani këtë fazë të luftës së saj. Të kemi një kinema bashkëkohore. Sot ka shumë problematikë, ka shumë absurd Shqipëria, që mund të bësh filma të bukur shqiptarë, madje edhe filma komedi, sepse tashmë kemi nevojë shumë për këtë. Mendoj se ka ardhur momenti për filmin që flet shqip të shohë përpara një të ardhme dhe një rrugë të re. Të shohë një tematikë të re, për ti dhënë shqiptarëve edhe atë që ata kalojnë në përditshmërinë e tyre. Edhe një romancë, edhe një dashuri, edhe një absurd. Mjaft më me filmat që kanë dramën e prostitucionit dhe gjakmarrjes, sepse u lodhën njerëzit. Ky është mendimi im si artiste.
 
-Për gjendjen në të cilën ndodhet sot Arkivi i Filmit, edhe ministrja e Kulturës, Kumbaro, ka pohuar se mbetet një shqetësim. Si drejtoreshë e këtij institucioni, çfarë mund të na thoni? A ka projekte konkrete për AQSHF dhe restaurimin e filmave?
 
Mendoj se dy filmat që u restauruan falë “Projektit të Kinemasë Shqiptare” dhe falë një nxitje të jashtëzakonshme që Regina Londo, drejtoreshë e këtij projekti i bën gjithë organizmave në Amerikë, mendoj se ka bërë më të mirën e saj jo në restaurimin e dy filmave, por dhe në atë se çfarë duhet të bëjmë ne tashmë për AQSHF. Ka ardhur momenti, që duhet të investojmë në restaurimin e filmave. Nuk flas vetëm për filmin artistik, por dhe për dokumentarin, kronikat. Pra shteti shqiptar tashmë e ka kuptuar se sa e rëndësishme është kjo gjë, dhe mendoj se duhet të ketë një fond të përvitshëm për restaurimin e filmave. Çfarë ka ndodhur? Jo vetëm kemi 4-5 filma të rrezikuar që humbasin ngjyrat përditë, por ka ndodhur që filmat pas 1982, ’83, duke qenë se vetë shteti shqiptar ndodhej në një krizë të gjithanshme edhe filmat ishin mbetje që kishin mbetur në Kinostudio, edhe laboratori punonte me solucione të mbetura. Janë filma që mund të jenë shumë të bukur, konkretisht filmi “Përrallë nga e kaluara”, i cili është e vetmja kopje dhe nuk ka dubël negativ, jo vetëm ky problem që është madhor, por është dhe film që është pëlqyer shumë në kohën e tij, në xhiron që ka bërë në botë, por nuk ka përmbushur kushtet teknike për të qenë një film, është vlerësuar si kinema, është vlerësuar si një film artistikisht i realizuar shumë bukur, por jo një film me standarde shumë të mira teknike. Dhe kjo është pohuar që në atë kohë. Por unë mendoj se ne nuk mund të presim për restaurimin e filmave vetëm nga “Albania Cinema Project”. Ky është një projekt që nuk do të restaurojë gjithë arkivin, por do të bëjë aq sa mundet. Mendoj se dhe organizma të tjerë dhe bashkëpunime të tjera, mund të dhe duhet të bëjmë, mbi të gjitha shteti shqiptar.
 
 -Si drejtoreshë e AQSHF ju u shprehët se problem mbetet restaurimi i filmit. Po godina e AQSHF. Sa problem ka infrastruktura e godinës?
 
Godina ka probleme, magazinat e filmit kanë probleme, por unë nuk shoh asgjë me një alarm të kuq. Sigurisht që duhet të punojmë, investojmë, por nuk shikoj asgjë me një alarm të kuq. 
 
-Po flitet jo pak për teatrin, aktorët, shfaqjet që vijnë në skena, por dhe mungesa e aktorëve të njohur në skenë. Edhe pse ju jeni shkëputur prej vitesh nga teatri, vlerësimi si aktore e skenës vijon ende. Elvira Diamanti vlerësohet si pjesë e emrave të njohur të teatrit, emrat profesionistë që publiku i kujton dhe i kërkon në teatër. Si ndiheni? 
 
Më vjen mirë nga ky vlerësim. Jam shkëputur shumë nga teatri. Nuk kam më kurajo të rikthehem në teatër, sepse do kurajo, do një angazhim fizik dhe shpirtëror, një angazhim emocional dhe nuk kam kurajon që të eksperimentoj apo të rifutem në teatër, qoftë dhe për një pjesë. Por më vjen mirë që përmendem për teatrin. Dua t’ju them diçka. Aktorët e rinj nuk e kanë fatin që kemi pasur ne. Ne kemi luajtur më shumë teatër, shumë më shumë filma në rininë tonë, dhe nëse diku ke dal pak dobët diku më mirë kjo të ndihmon. Ndërkohë që sot ka më pak prodhimtari dhe normalisht ka dhe më pak elementë të spikatur, kjo është e vërteta. Mendoj se situata është e tillë, pra nuk mendoj se ishte një brez aktorësh dhe nuk ka më të tillë, por e vërteta është se nuk kanë hapësirë ku të spikasin.
 
-Jeni shkëputur nga teatri, por me kinemanë keni qenë më e angazhuar gjatë këtyre viteve? 
 
Edhe në film nuk mund të them që kam një angazhim më të madh se koleget e mia, madje më të paktë, sepse gjithmonë kam pretenduar që të bëj role sa më të ndryshme, ndërkohë që nuk e kuptoja, dhe ky ka qenë një gabim i imi, që koha ikën dhe ty nuk të vjen më për ta bërë atë rol. Kam qenë pak “buzëhollë” për të zgjedhur dhe kjo më ka bërë që të bëj dhe më pak role.
 
-Po flasim për filmin, a ka ndonjë projekt për kinemanë?
 
Për momentin nuk kam asgjë, por do të doja shumë të ishte një projekt në film. Filmi mbetet magji për mua.
 
-U shprehët se do të donit shumë të ishit e angazhuar në një projekt filmik. Po roli, si duhet të ishte për ju?
 
Do të isha shumë e lumtur të kisha një rol, që të ishte një grua në mesin e jetës së saj. Këtë unë e shikoj dhe në kinemanë amerikane, evropiane, që ka shumë për këtë, ndërkohë që në Shqipëri synohet dhe punohet, duke qenë dhe problematika e tillë në filma si prostitucioni, gjakmarrja, personazhet kryesorë do të jenë të rinj dhe sigurisht që s’ka vend. Mendoj se nëse do ti kushtoheshin kinemasë realiste, ti kushtohemi realitetit të dramave që ndodhin në jetë, atëherë do të kuptonim që një grua apo dhe një burrë në moshë të mesme ka shumë më shumë për të dhënë, sepse ka edhe përvojën, ka edhe dramat që janë të bukura për kinemanë. Por ky është realiteti me kinemanë dhe kështu e pranojmë.
 
Filma
 
Ada- (2011)
 Ne dhe Lenini - (2008)
 Dasma e Sakos - (1998)
 Kush e solli Doruntinën (1989) teatër
 Muri i gjallë - (1989)
 Përrallë nga e kaluara - (1987) .... Marigo
 Të shoh në sy - (1986) .... Diana
  Dasma e shtyrë - (1984)
  Shokët - (1982)
  Në prag të lirisë - (1981)
 Shoqja nga fshati - (1980)
 Radiostacioni - (1979)
 Liri a vdekje - (1979) ......bashkëshortja e Çerciz Topullit
 
Teatër
 
Shi në plazh (1982), komedi
Mësuesi i Letërsisë
Shtëpia e Bernarda Albës
Vdekja e Dantonit       Intervistoi: Julia Vrapi
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 123

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në skenën e teatrit të qytetit të Korçës.

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “

Postuar: 08/12/2018 - 07:36

Shfaqja “Unë kam gjithmonë një shami në xhepin tim” bën bashkë artistët shqiptarë dhe

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mo

Postuar: 07/12/2018 - 07:41

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX të Ditëve të Albanologjisë.