Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Emil Lafe: Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe ecën pa busull, ende pa një platformë shkencore të miratuar njëzëri

Emil Lafe: Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe ecën pa busull, ende pa një platformë shkencore të miratuar njëzëri

Postuar: 27/04/2013 - 11:41

Prof. Emil Lafe, bashkautor i veprave “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” dhe “Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe” shprehet se Kongresi i Drejtshkrimit dhe veprat gjuhësore normative që u hartuan pas tij në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë e në pajtim me Rezolutën dhe me frymën e tij janë një themel i shëndoshë, një bazament i shqipes standarde. Gjuhëtari i njohur në intervistën dhënë për gazetën, tregon se ajo që po ndodh sot me Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, është që ai nuk duhet të ekzistojë kështu siç është, i administruar nga dy Akademitë, të cilat kanë marrë përsipër tagra që nuk u takojnë. Sipas prof. Emil Lafes, një element thelbësor, është që Këshilli të ketë një platformë shkencore të miratuar njëzëri, pasi sipas tij sot Këshilli nuk ka një platformë të tillë. Në intervistën dhënë për gazetën, gjuhëtari i njohur Emil Lafe thekson se për rregullat e drejtshkrimit nuk mund të bëhet punë me fushata, por çdo gjë duhet parë dhe studiuar me shumë kujdes.

-Mbledhja e fundit e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe ka rihapur debatin mes gjuhëtarëve. Ju si e gjykoni debatin sot mbi shqipen standarde?
 
Debati, kur zhvillohet sipas rregullave të debatit, është gjithnjë i dobishëm për të gjithë ata që marrin pjesë. Sot në debatin për çështjen e standardit ka brenda dy debate. Njëri midis atyre që thonë hapur se Kongresi i Drejtshkrimit dhe standardi kanë dështuar dhe atyre që thonë se standardi i ka qëndruar provës së kohës dhe është funksional. Debati tjetër është ndërmjet atyre që kanë bindjen (ndër ta dhe unë) se Kongresi i Drejtshkrimit dhe veprat gjuhësore normative që u hartuan pas tij në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë e në pajtim me Rezolutën dhe me frymën e tij janë një themel i shëndoshë, një bazament i shqipes standarde, dhe atyre që pretendojnë se ato janë vetëm një moment në historinë e shqipes standarde! Këta dalin në të njëjtën qafë me të parët, po nëpërmjet një rruge tjetër.

- Më herët keni deklaruar se ky këshill nuk duhet të ekzistojë dhe i keni bërë thirrje Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës të ndalojnë përçarjen gjuhësore. Pse ky reagim nga ju?
 

Nuk kam thënë që ky këshill nuk duhet të ekzistojë, por nuk duhet të ekzistojë kështu siç është, si Këshill Ndërakademik, i administruar nga dy Akademitë, të cilat kanë marrë përsipër tagra që nuk u takojnë. E përsëris edhe një herë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës si institucion nuk ka bërë ASGJË për gjuhën letrare shqipe ose, po të doni, ka bërë një ASGJË të madhe, për të mos thënë ka futur shkopinj në rrota! Tani, këta zyrtarë që kanë bërë këtë ASGJË të madhe, duan të vendosin për gjithçka dhe ashtu si duan ata, duke pretenduar se, po të mos bëhet ashtu, do të shtohet rreziku për përmbysjen e standardit! Po ç’ka bërë Akademia e Shkencave për ta mbështetur standardin në Kosovë? Ka bërë sehir, nuk ka thënë zyrtarisht asnjë fjalë, standardin e ka cilësuar (me nënkuptime të qarta) si diçka të importuar nga Shqipëria, nuk ka ndërmarrë vetë asnjë veprim për kulturimin gjuhësor, as është bashkuar në veprimet e të tjerëve e as i ka përkrahur. Grupi i anëtarëve themelues të Këshillit nga Shqipëria bashkë me kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë para dy vjetësh kërkuan riorganizimin e këshillit duke iu hequr cilësimi “ndërakademik” dhe duke dalë nga varësia e dy akademive honorifike të Tiranës e Prishtinës. Në këtë këshill anëtarët do të kishin status personal të barabartë, pa diferencuar akademikët si kategori e parë, nga joakademikët si kategori e dytë, që duhet të mbajnë vesh mirë ç’thonë të parët. Një element thelbësor, ndërkaq, është që Këshilli të ketë një platformë shkencore të miratuar njëzëri. Sot Këshilli nuk ka një platformë të tillë. Si të thuash, ecën pa busull.

- Jeni dorëhequr nga ky Këshill Ndërakademik, arsyet që e morët këtë vendim?

Ju sqaroj se nuk kam dhënë dorëheqjen nga Këshilli. Qëndrimin tim e kam shprehur në një letër që i kam drejtuar Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Kryesisë së Këshillit Ndërakademik më 27 shkurt 2012. Pas parashtrimit të mendimit tim rreth gjendjes së punëve kam shtuar se fillimi i punës në ato rrethana të pasqaruara nuk më dukej i përshtatshëm, “prandaj rezervoj të drejtën të pezulloj pjesëmarrjen time”. Pra nuk kam dhënë dorëheqje. Unë do të luftoj, edhe me ndihmën tuaj që më kërkoni intervista, që Këshilli të kthehet në rrugë të mbarë. Më kanë cilësuar edhe “enverist”, sepse mbroj Kongresin e Drejtshkrimit dhe veprën e tij. Kur nuk ke argumente shkencore, duhen ca fjalë të tilla “magjike” e keqdashëse, për ta bërë tjetrin të mbyllë gojën, kur është në të drejtë! Por në rastin tim trillimi është tepër i trashë!

- Duket se sa herë që Këshilli Ndërakademik mblidhet në Tiranë, shumë pak detaje merren vesh, apo dhe deklarime zyrtare pa informacion mbi atë se çfarë ndodh në këtë mbledhje. Sipas jush pse vjen kjo?

Merret vesh lehtë. Punët e pabukura bëhen në fshehtësi larg syve të botës, qëllimet e mbrapshta arrihen me metoda të mbrapshta. Puna e Këshillit Ndërakademik ngjan me konferencën gjuhësore që u zhvillua në një hotel turistik në Plazhin e Durrësit në dhjetor 2010. (U tha atëherë se ditën e parë kishin prerë gozhdë, pastaj diçka u rregullua). Sikur pak salla ka Tirana! Dhe ç’është më e habitshmja organizatorët e konferencës shkruan në shtyp se paskëshin zgjedhur Plazhin për shkak se qiraja e sallave të hotel “Tirana International” ishte shumë e lartë. Por mund t’i kishin marrë pa para fare sallën e Akademisë së Shkencave ose të Universitetit Politeknik për ata 30 pjesëmarrës të përzgjedhur me kujdes!
Unë dua t’u kujtoj lexuesve tuaj se diskutimet për çështjet gjuhësore të përgjithshme, e sidomos të drejtshkrimit, në Shqipëri janë bërë gjithnjë të hapura, masive. Projekti i drejtshkrimit i vitit 1967 u botua në disa dhjetëra mijëra kopje për diskutim të përgjithshëm. Do të thotë dikush se unë dua të kthej të ashtuquajturën “vijë e masave” të PPSH. Po le të thotë! Vija e përçmimit të masave, e mospërfilljes së mendimit të mijëra mësuesve të gjuhës, të qindra e mijëra intelektualëve që kanë të bëjnë përditë me gjuhën e shkruar shqipe, të dhjetëra e dhjetëra pedagogëve të degëve filologjike në universitetet shqiptare, kjo lloj vije nuk më pëlqen aspak, se të çon edhe në qëndrime që të lënë pa mend! Po dale, more zotërinj a zotërij (me që kështu e dashkeni) ndërakademikë! Ç’ëndërr të keqe me karotë paskeni parë, që keni vendosur ta shkruani karrotë! Në të gjithë fjalorët dhe në drejtshkrimet e shqipes është shkruar me një r, karotë! Ashtu si edhe në italishte, frëngjishte, gjermanishte etj. Po jo, se në anglishte shkruhet carrote! Po ç’kemi me anglishten, o të uruar! Drejtshkrimi i karotës po na pengon procesin e globalizimit dhe miqësinë me botën anglosaksone?! Jo po kështu e shqiptojnë shumica! Po cila shumicë? Po ta shqiptonin, edhe do ta shkruanin, po në gjuhën e shkruar nuk ka karrota!

-Në mbledhjen e fundit të Këshillit Ndërakademik që u bë në Tiranë, janë miratuar disa propozime, dhe sipas tyre janë disa ndryshime që duhet të bëhen në gjuhën shqipe. Çfarë mund të na thoni, për këto ndryshime?

Për ato që u diskutuan dhe për ato që u miratuan në mbledhjen e fundit të Këshillit do të shkruaj veçan, si specialist i fushës. Ka rëndësi që ju dhe lexuesit tuaj ta dini dhe të bindeni se vepra “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, e botuar pas Kongresit dhe në pajtim me Rezolutën e tij, është një nga veprat më serioze të gjuhësisë shqiptare. Anëtarët e komisionit të drejtshkrimit Eqrem Çabej, Mahir Domi e Androkli Kostallari ishin njohësit më të mirë të kësaj fushe. Unë që pata fatin të bashkëpunoj me ta për këtë qëllim prej shtatorit 1961, kur filloi puna për hartimin e projektit të ri të drejtshkrimit, jam përpjekur t’i kryeja me përpikëri detyrat e mia, të bëja më të mirën e mundshme, për këtë vepër. Ju siguroj që anëtarët e komisionit nuk kanë qenë asnjëherë as të përgjumur, as të dehur, as të pavëmendshëm. Ju siguroj gjithashtu se të gjitha ato që dinë ndërakademikët e sotshëm ata i kanë ditur që në kohën e vet, dhe prej tyre i kemi mësuar edhe ne. Pra, nuk ka ndonjë “zbulim” drejtshkrimor ndërakademik. Po atëherë nuk kishte kompjuter! Po rregullat e drejtshkrimit, mor zotërinj edhe në gjuhë të tjera para se të dilte kompjuteri janë përcaktuar. Me rëndësi është të dihet se atëherë ne kemi punuar jo me përshtypje, po me materiale, jo me arsyetime spekulative, po me sirtarët plot me skeda të kartotekave përpara. Me to kemi verifikuar dhe arsyetuar rregullat problemore. Gjithë diskutimet për projektin e drejtshkrimit dhe materialet e Kongresit të Drejtshkrimit u skeduan e u klasifikuan me kujdes nga punonjëset e zellshme të sektorit të kulturës së gjuhës Nikoleta Cikuli, Liljana Naçe e Dolores Kërluku. Komisioni i mori në shqyrtim një për një gjatë gjithë vitit 1973, derisa në fund të vitit u dorëzua vepra në shtyp. Ajo në të vërtetë doli nga shtypi në shkurt-mars 1974. Në përpunimin e rregullave ne u udhëhoqëm nga varianti i shkruar i gjuhës letrare, ndoqëm parimet e kodifikimit të gjuhësisë funksionale, sidomos patëm parasysh që drejtshkrimi t’i përgjigjet sistemit fonologjik të gjuhës dhe jo realizimit fonetik të tij, ndoqëm kriterin që ortogramet dhe format e rrënjosura në praktikën e përdorimit të mos i lëvizim për arsye të një rregullimi mekanik të panevojshëm, rrafshimeve që ka bërë gjuha e shkrimit veçanërisht pas formimit të shtetit shqiptar u dhamë përparësi ndaj gjendjes së saj në periudha të mëparshme, u përpoqëm për rregulla përgjithësuese dhe për të pakësuar përjashtimet. Po a do të mbeten të pandryshuara rregullat e drejtshkrimit? Jo, aspak! Veçse kjo punë nuk bëhet me fushata, me o burra! Në Rezolutën e Kongresit është shkruar fjalë për fjalë se “duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj, si dhe çështjet e tjera që nxjerr praktika gjuhësore, “Rregullave të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura.” Këto fjalë jo rrallë përmenden shtrembër, sikur Kongresi ka porositur që në të ardhme të ndryshohen rregullat dhe meqë kanë kaluar 40-vjet, nuk duhet të vonohemi! Po si do të katandiset drejtshkrimi, po të bëhen ndryshime çdo 40 vjet ose dhe më dendur? Intervistoi: Julia Vrapi
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 69

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2018 - 07:41

 Fundjava sjell në skenën e teatrit “Metropol” veprën teatrore “Ditari i Ana Frank”. Drama është mirëpritur nga publiku.

Postuar: 17/11/2018 - 07:39

  Ekspozita “Breza në artet figurative” vjen në edicionin e katërt në Muzeu

Postuar: 17/11/2018 - 07:37

 Në edicionin e 21 të Panairit të Librit shkrimtari Ismail Kadare ishte me lexuesit për prez

Postuar: 17/11/2018 - 07:35

 Autorë të njohur me vepra të suksesshme prezantohen këto ditë në edicionin e 21 të Panairit

Postuar: 16/11/2018 - 17:08

Shqipëria do të përballet me Skocinë ditën e shtunë në takimin e vlefshëm për Grupin 1 të Ligës

Postuar: 16/11/2018 - 07:27

Në Pallatin e Kongreseve, Shoqata e Botuesve Shqiptarë organizoi konferencën "Sfidat e lexim

Postuar: 16/11/2018 - 07:25

Teatri “Zihni Sako” në qytetin e Gjirokastrës në 50 -vjetorin e tij ka sjellë dhe edi