Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Endri Sina: Një jetë e varfër kulturore sjell mbylljen e shkollave të muzikës, të merren masa sa nuk është vonë...

Postuar: 26/09/2018 - 07:44

I angazhuar në projektin e Kinës me 16 vende të Europës Lindore kompozitori i njohur Endri Sina tregon se ka rëndësi për aktivitetin e tij si krijues. Veprat shqiptare ekzekutohen nga orkestrat kineze, dhe kompozitori tregon se muzika e shkruar prej tij luhet nga instrumente, që nuk janë në Europë. Një projekt që kompozitori e vlerëson jo pak, por shpreh gjithashtu dhe keqardhjen për situatën që janë krijuesit në Shqipëri. Në intervistën për “SOT” kompozitori Edri Sina tregon se nga qeveritë shqiptare ndër vite nuk është mbështetur krijimtaria muzikore serioze. Sipas tij, jeta artistike dhe kulturore është e varfër dhe në fushën e muzikës nëse do të vijojë kjo gjendje mund të çojë drejt mbylljes së shkollave të muzikës. Për kompozitorin Endri Sina muzika serioze është lënë në gjendje të keqe, dhe e gjithë kjo periudhë gati 30 vjeçare ka krijuar një boshllëk të madh në kulturën muzikore shqiptare. Sipas tij, jeta muzikore në vend është shumë e varfër dhe interesi i shoqërisë për të zgjedhur profesionin e muzikantit apo krijuesit profesionist nuk ka më interes dhe të ardhme.

-Në aktivitetin tuaj jeni angazhuar me një tjetër projekt për muzikën në Kinë. Për çfarë bëhet fjalë?

Projekti i Kinës me 16 vendet e Europës Lindore ka tre vjet, që po zbatohet. Unë isha përzgjedhur nga kompozitorët për të qenë pjesë e këtij projekti. Deri tani kam shkruar dy vepra, që janë ekzekutuar. E para, në shtator të 2017 është luajtur në Hangzhou në ceremoninë e  inaugurimit të kampusit të konservatorit, dhe e dyta është luajtur në muajin tetor në Pekin me Forbidden City Chamber Orchestra. Janë krijime që janë bazuar mbi orkestrat tradicionale kineze, dhe që kanë të bëjnë me instrumentet popullorë tradicionale. Janë orkestra të mëdha me instrumente kinezë, por që mund të lozin dhe Bethoven, Shtraus, etj. Janë orkestra që kanë një tingëllim interesant dhe tepër të veçantë. Kërkesa prej tyre ishte që ne të krijonim vepra muzikore, të cilat të interpretoheshin nga këto instrumente. Sigurisht që muzika ime është me intonacione shqiptare, muzikë ballkanike, por që dëgjohet me tingëllime dhe instrumente, që nuk janë në Europë. Kam projekt dhe për një vepër të tretë, që besoj të luhet nga vjeshta tjetër në festivalet kineze.

-Sa e vlerësoni ju këtë projekt të Kinës, që synon dhe përhapjen në Europë?

E shikoj si një projekt ambicioz, kanë një opsion shumë të mirë për të përhapur kulturën e tyre.

-Para pak ditësh një kantautor ju cilësoi si një nga krijuesit më të aftë në fushën e muzikës, por që pohoi se talentet shqiptare po i merr bota. Këtu nuk kanë vlerësim nga shteti. Çfarë mund të na thoni?

Kultura muzikore dhe arti në Shqipëri nuk po pëson ngritje, por ngrirje me tendenca të rënies.

-Kur thoni rënie të kulturës muzikore, çfarë keni parasysh?

Çfarë roli zë arti dhe muzika në shoqërinë tonë? Muzika e mirë, ajo profesioniste? Jo muzika e konsumit, sepse kjo gjithmonë do ta ketë tregun e saj. Përkrahja dhe subvencionimi i artit serioz është vërtetë për të dëshiruar. Investimet duhet të rriten në fushën e muzikës. Të paktën të jemi në krahasueshëm me fqinjët. Ne kemi buxhetet më të ulëta në krahasim me Maqedoninë apo Kosovën. Këtë ne po e ndjejmë vazhdimisht. Ministria e Kulturës na ka dhënë subvencionime, por ai buxhet është shumë i ulët, nuk mjafton. Detyrimisht në këtë situatë është edhe tendenca  e njerëzve për tu larguar nga vendi. Muzika serioze është lënë në gjendje të keqe, dhe e gjithë kjo periudhë gati 30 vjeçare ka krijuar një boshllëk të madh në kulturën muzikore shqiptare.

-Institucionet kanë hapur konkurse për vepra muzikore në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Si janë për ju?

Në rastin e konkursit të RTSH për krijimin e një sinfonie, kriteret ishin qesharake. Kurse në konkursin e shpallur nga Ministria e Kulturës kriteret ishin të sakta, por koha është e pamjaftueshme për të krijuar vepra të mëdha muzikore. Të paktën, koha minimale për vepra të përmasave të tilla të ishte një vit. Konkurse, që janë me vepra të mëdha muzikore duan kohën e vet të domosdoshme. Minimalisht të punosh një vit. Zakonisht veprat e mëdha bëhen me porosi direkt nga institucionet shtetërore apo private. Gjashtë muaj kohë për të përfunduar veprën muzikore në rastin e konkursit të Ministrisë së Kulturës është shumë pak, vetëm nëse ka pasur dikush ndonjë vepër gati atëherë është fati i tij. Unë vetë si kompozitor nuk marr mund të marr pjesë në konkurs, për shkak të këtij afati të shkurtër. Por siç kam pohuar dhe më parë, pranë Radios dhe TOB duhet të ketë buxhete të caktuar për të porositur vepra të reja nga autorët.

-Mosmbështetja e krijimtarisë muzikore çfarë sjell?

Në kuptimin e sasisë së veprave muzikore, ne kemi një rënie të madhe. Para ’90 një rol të madh në krijimtarinë muzikore kishin Dekadat e Majit, që në vetvete ishte një lloj propagande që i duhej pushtetit të asaj kohe. Pra ajo kohë nxiste kompozitorët që të shkruanin, edhe pse kishte shumë kufizime,qoftë ideologjike, qoftë profesionale sa i përket koherencës dhe pranimit të mundësive dhe teknikave të reja të kohës, por solli sasi të madhe veprash, dhe kompozitorësh. Shumë vepra të asaj kohe kanë ngelur në fondin e artë të krijimtarisë muzikore shqiptare. Pas ’90, me prishjen e Dekadave të Majit u eliminua përkrahja dhe nxitja e shtetit për krijimtarinë muzikore. Në këto kushte ra edhe interesi i kompozitorëve për të shkruar vepra muzikore. Ky vakum sa vjen dhe thellohet dhe do të ndikojë edhe në traditën e shkollës muzikore, edhe në interesimin e nxënësve dhe studentëve për tu bërë kompozitorë dhe muzikantë. Jeta muzikore në vend është shumë e varfër dhe interesi i shoqërisë për të zgjedhur profesionin e muzikantit apo krijuesit profesionist nuk ka më interes dhe të ardhme. Edhe në Akademinë e Arteve kemi shumë pak prurje, ka shumë më pak interes.

-Kur pohoni që nuk ka interes, çfarë sjell kjo?

 Prurjet janë të pakta, për shkak të jetës artistike që është shumë e varfër. Parashikimet më pesimiste mund të çojnë dhe në mbylljen e shkollave së muzikës, por dhe drejtime të tjera të artit kanë rrudhje. Kjo sjell shumë pak kandidatë për në shkollë, dhe ata me pak interesa. Janë vetëm 20 përqind e tyre, që e mendojnë të rëndësishëm këtë profesion. Të tjerët e bëjnë thjesht për të marrë një diplomë mësuesi. Akademia e Arteve është institucioni i vetëm i lartë muzikor në vend. Më përpara për 4- 5 vende për degën e kompozicionit në Akademinë e Arteve konkurronin 20- 30 veta, sot për 4 vende vijnë dy veta. Kjo është një tablo pesimiste. Kjo situatë vjen për shkak të varfërisë së jetës kulturore në vend. Mendoj që do të vijë një periudhë, që do të shkojmë drejt mbylljes së shkollave të muzikës. Duhet një interesim i madh për artin dhe kulturën në vend. Kjo deri tani ka munguar. Qeveritë shqiptare ndër vite dhe ministritë përkatëse se kanë pasur në vëmendjen artin dhe kulturën. Duhen shtuar orët e artit dhe të muzikës që në shkollën 9- vjeçare dhe jo ti shkurtosh ato. Ne, sot kemi një kryeministër me formim artist, i cili në politikën e tij të qeverisëse tij shkurtoi orët e artit muzikor në shkolla. Me përpara bëhej dy orë muzikë, tani bëhet një orë në javë. Kishim orë arti dhe në shkollat e mesme dhe ato i shkurtuan. Nëse vijon kështu nuk do të ketë më njeri interes për artin. Në SHBA dhe në Europë në gjimnaze apo 8 -vjeçare bëjnë çdo ditë një orë muzike. Duke u bërë art, bëhesh qytetar dhe më i mirë. Duke u bërë qytetar më i mirë rritet dhe mirëqenia e një populli. Shembull është një vend i varfër si Venezuela, e cila filloi një projekt gati 30 vjeçar për edukimin me artin, duke investuar shteti në blerje instrumentesh për fëmijët e varfër, shtim të orëve të artit dhe muzikës nëpër shkolla, hapje orkestrash për fëmijë dhe të rinj, gjë që solli dhe një  ndryshim cilësor në edukimin e rinisë dhe qytetarëve të saj. Unë do të doja ky projekt të bëhej dhe në Shqipëri.

-Dhe me këtë gjendje çfarë po ndodh me muzikën serioze në vend?

Nëse nuk kemi investim, nuk do të shkruhet muzikë. Nëse nuk shkruhet muzike, shkolla nuk ka pse të nxjerrë kompozitorë dhe muzikantë të tjerë. Nuk do të kemi më shkolla artistike, dhe të gjithë shtresat nuk do të interesohen më për artin. Nëse ndodh kjo do të kthehemi në një popull injorant për artin dhe pa të ardhme krijuese për të lënë diçka në kulturën botërore. Më vjen keq të pohoj, por në këtë pikë jemi.

-Ju zhvilloni Festivalin e Romancave, i cili dikur u ndërpre dhe ju e rikthyet. Me rikthimin e tij sa është mbështetur nga Ministria e Kulturës?

Për rikthimin e Festivalit të Romancës duhet përshëndetur mbështetja e Ministrisë së Kulturës, Fondacionit Fan Noli dhe Bashkisë së Tiranës. Sigurisht, buxheti që arrijmë të marrim është shumë modest, shumë i vogël, por gjithsesi kompozitorët dhe interpretuesit janë përsëri të interesuar që të marrin pjesë. Është shumë e nevojshme dhe alarmante rritje e buxhetit të qeverisë për artin dhe për muzikën në veçanti. Çdo gjë duhet bërë, që të investohet dhe promovohet kultura shqiptare. Ne kemi kërkuar prej vitesh nga Ministria e Kulturës një fond të krijimtarisë muzikore shqiptare, por ende nuk është krijuar.

-Në fushën e teatrit dhe filmit, si janë angazhimet tuaja?

Kam qenë dhe jam tepër i angazhuar në fushën e muzikës së dramës dhe filmit dhe kam akoma disa prej tyre, që duhet ti përfundoj brenda këtij viti.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në skenën e teatrit të qytetit të Korçës.

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “

Postuar: 08/12/2018 - 07:36

Shfaqja “Unë kam gjithmonë një shami në xhepin tim” bën bashkë artistët shqiptarë dhe

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mo

Postuar: 07/12/2018 - 07:41

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX të Ditëve të Albanologjisë.