BREAKING NEWS

A do shkarkohet Ilir Meta? Pandeli Majko tregon dy arsyet pse mazhoranca është e lëkundur

A do shkarkohet Ilir Meta? Pandeli Majko tregon dy arsyet pse mazhoranca
x

kultura-intervista

Endri Sina: Prodhojmë zëra të talentuar, por mungon kultura për të çarë vetë përpara...

Endri Sina: Prodhojmë zëra të talentuar, por mungon kultura
Për të pasur një sukses të shpejtë në muzikë, sot mjafton të bësh plagjiatura apo vjedhje të melodive muzikore që janë të njohura në shtete të tjera. Ajo që po ndodh sot me krijimtarinë muzikore shqiptare ka shqetësuar jo pak dhe profesionistët e muzikës. Emrat e njohur që prej vitesh kanë sjellë këngë, të cilat janë vlerësuar në publik dhe në skena të ndryshme, pohojnë se vulgariteti në muzikë në radhë të parë ka ardhur nga komercializmi. Në debatin e gazetës për krijimtarinë muzikore, që prej ditësh kompozitorë të njohur jap mendimet e tyre dhe atë se çfarë duhet të bëjë shteti për të dalë nga kjo gjendje, këtyre mendimeve i bashkohet dhe kompozitori i njohur Endri Sina. I njohur dhe i vlerësuar në muzikën serioze, në skenën e festivaleve të ndryshme të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, kompozitori Endri Sina pohon se ajo gjendje që është sot në vendin tonë në të gjithë formimin e saj por dhe në ekonomi përcillet jo pak dhe në krijimtari. Për kompozitorin e njohur të flasësh sot për muzikën e mirëfilltë, më parë duhet që shteti të investojë për këtë krijimtari që në bazën e saj ka profesionalizmin, ka ritmin origjinal muzikor dhe jo atë të vjedhur. Në intervistën dhënë për gazetën, kompozitori i cili me këngët e tij ka promovuar emra të njohur të këngës, pohon se edhe mediat duhet të tregojnë më shumë kujdes në promovimin e këngëtarëve. Sipas tij, nëse sot themi që nuk ka vëmendje për provimin e profesionistëve, kompozitori Sina shprehet se dhe në tv kërkojnë më shumë komercin në muzikë. Me vlerësime për ata që përcjellin muzikën e bukur dhe këngën e pastër shqiptare në publik, për kompozitorin Endri Sina shteti është ai që duhet të rregullojmë me nismat ligjore jo vetëm se sa hapësirë duhet të zërë krijimtaria shqiptare në tv apo radio, por dhe të ketë më shumë kontroll ndaj piraterisë. 
 
-Krijimtaria muzikore shqiptare ka shumë probleme. Jo pak artistë pohojnë se profesionalizmi në krijimtari po duket shumë pak, dhe ajo që cilësohet vulgare po merr më shumë vend se sa një krijimtari me vlera. Ju si mendoni?
 
Vulgariteti në muzikë vjen nga gjithë formimi i shoqërisë, ose gjendja aktuale që është Shqipëria. Mos harrojmë se dhe gjendja ekonomike është ajo që ndikon në gjendjen kulturore. Jemi në një periudhë ku komercializmi është në plan të parë dhe jo vetëm në fushën e artit. Është një lloj marketingu në çdo gjë, dhe vetë ky komercializëm do të ndikojë në vulgaritete të shumta. E kuptoj vulgaritetin në kuptimin, që disa muzikantë të muzikës së lehtë dhe për interesa të tregut dhe të një interesi të suksesi të shpejtë, shpesh bëhen imitacione, ose plagjiatura të stileve që janë të momentit në botë. Shpesh importohen edhe me melodi të njëjta, me stile dhe ritme të njëjta. Kjo i jep një lloj suksesi sepse është ndërkohë muzikë e kohës, çfarë bëhet në treg, por është dhe vulgare sepse është një vjedhje, por dhe nuk mund të ketë lidhje me muzikën shqiptare. Shumica e këtyre krijimeve bazohen direkt që të krijojnë përnjëherësh në suksesin e shpejtë. Por kjo ndodh dhe me videoklipet që ne shikojmë në televizione. Më shumë me figura dhe prezantime femrash apo këngëtaresh, që shumica janë dhe pseudokëngëtare, që interesohen për komercialitetin dhe jo për vlerat artistike. 
 
-Ju jeni profesor në Fakultetin e Muzikës. Si e shikoni brezin e ri, sa janë të interesuar për vlerat në muzikë?
 
Rikthemi sërish te ekonomia. Derisa ajo është e dobët, gjëja e parë që duket është shteti, i cili duhet të interesohet të promovojë vlerat dhe nuk i mbështet nga ana materiale. Duhet të ketë nisma që të investojnë në veprimtari artistike, muzikore, veprimtari profesionistësh në muzikë, që kanë dhe vlera kombëtare, një detyrim ky edhe i Ministrisë së Kulturës. Edhe studentët e rinj kur dalin nga bankat e shkollës nuk hyjnë dot në këtë fushë sepse nuk ka treg. Kur nuk ka investime në këtë drejtim, nuk kanë se çfarë të shkruajnë për muzikën serioze, por dhe tek muzika e lehtë që ne e cilësojmë të mirë. Edhe ajo që është e mirë në muzikë e ka të vështirë të eci në treg. Dhe do të shkojë detyrimisht në ato vlerat e shpejta të suksesit që janë imitacionet, vulgaritetet, etj, që janë shumë më të kërkuara se sa një muzikë që është më e mirëfilltë.
 
-Tregu ka probleme, por dhe në televizione pothuajse ka humbur promovimi i profesionistëve të vërtetë apo jo?
 
Televizionet kërkojnë gjëra që janë komerce. Kjo ndikon në çdo gjë, madje edhe në mediat e shkruara. Edhe organet e shtypit të shkruar nuk merren me veprimtaritë e mirëfillta artistike, por merren me jetën private apo se si janë veshur? Por ky nuk është lajm kulturor, dhe këtë shikoj dhe në gazetat që janë të njohura në vend. Kur mediat kryesore nuk i japin një vend të caktuar një muzike të mirë, atëherë çfarë mund të presim? Ka shumë pak muzikantë të mirë që po mundohen të mbajnë diçka të mirë në muzikë, por është shumë e vështirë, dhe kjo për të gjitha ato probleme që përmendëm më parë.
 
-Si kompozitor ju jeni një emër i njohur dhe i vlerësuar. Muzika që ju keni shkruar jo vetëm ajo serioze por dhe në këngë ka marrë vlerësime edhe në skenat e festivaleve. Sa e vështirë është mbijetosh në këtë treg muzikor, që siç pohuat dhe vetë ka shumë probleme?
 
Një fakt është, që krijimtaria e mirë muzikore mbetet. Është shumë e vështirë sot, pasi jo të gjithë gjejnë mundësi për të vënë vepra të mira në skenë. Por në krijimtari, mbesin materiale muzikore dhe këngë që kanë pasur në vëmendje profesionalizmin, kanë mbetur motive. Gjëja e parë në krijimtarinë time ka qenë ajo profesionale dhe nuk janë të bazuara në materiale të thjeshta.
 
-Sipas jush, a duhet të caktohet me ligj se sa duhet të transmetohet krijimtaria shqiptare në tv apo dhe radio kombëtare?
 
Patjetër që duhet. Kjo duhet bërë nga të gjithë ata që duan të mbrojnë artin nacional. Një ligj i cili vendoset nga parlamenti, dhe nisma i takon Ministrisë së Kulturës. Për ato radio dhe tv që janë kombëtare krijimtaria muzikore shqiptare duhet të ketë një shtrirje më të madhe. Për çdo gjë që ndodh në muzikë, në art, duhet patjetër që për problemet e ndryshme të ketë më shumë kontroll nga shteti. Institucionet duhet që me anë të nismave ligjore të rregullojnë jo vetëm se sa hapësirë duhet të zërë krijimtaria shqiptare në tv apo radio, por dhe të theksohet vëmendja e investimeve tek ajo që është profesionale në krijimtari. Tjetër problem, është dhe e drejta e autorit në muzikë, që sot nuk respektohet.
 
-Si kompozitor i vlerësuar në muzikë ju e dënoni plagjiaturën, nuk e pranoni mungesën e profesionalizmit. Po për tekstet e këngëve, çfarë mund të na thoni?
 
Janë jo pak probleme tekstet në këngë. Ka pasur pak krijimtari të mirë qoftë nga poetët në Shqipëri apo dhe në Kosovë, por nëse e shikojmë me vëmendje, në 80 për qind tekstet e këngëve janë vulgaritet i gjallë. Qëllon që shpesh i bëjnë tekstet e këngëve në momentin e fundit, dëgjojmë fjalë që të habisin. Është problem, sepse ne për muzikantët kemi shkollë por për ata që shkruajnë tekste nuk ka.
 
-Jeni kompozitori që në skenën e Festivalit të Këngës RTSH ju sollët këngëtaren e njohur dhe të re Elhadia Dani. Duke përjashtuar raste të tilla të suksesshme, si i shikoni zërat e rinj? 
 
Ne si vend jemi një burim zërash të talentuar, por ajo që mungon është kultura e tyre për të vazhduar, për të çarë vetë përpara. Ne na pëlqejnë sepse dalin me hite të njohura dhe ata i imitojnë në mënyrë perfekte në konkurse të ndryshme që zhvillohen. Por kur vjen puna për të dhënë materiale të reja fillojnë dhe çalojnë jo pak emra, sepse gjithçka lidhet me kulturën, formimin, veç kësaj shumë zëra të rinj duan të kapin krahun e suksesit të shpejtë dhe marrin materiale që nuk e nxjerrin vokalin e tyre në dritë. Pra sjellin materiale me pak gjëra, që janë efektoze por ai material nuk i përshtatet vokalit të tyre. Ishte fat i Elhaidës që konkurroi në atë konkurs atje dhe ishin materiale të mira ku ajo nxori vokalin e saj. Intervistoi: Julia Vrapi