Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Enver Hyseni: Teatri u shkatërrua për hir të reformave, artistët janë lënë pa vlerësim

Postuar: 11/01/2019 - 07:34

Aktorët shprehen se deri tani ka munguar vlerësimi i merituar nga institucionet për aktivitetin e tyre artistik. Në reagimet e tyre artistë të ndryshëm pohojnë se për teatrin prej vitesh nuk është menduar sa duhet nga shteti dhe kjo situatë vijon ti përballë me jo pak probleme me jetën artistike. Aktori i njohur Enver Hyseni tregon se artistët janë me paga të ulëta dhe shteti nuk është shqetësuar se çfarë ndodh me ata. Në intervistën për “SOT” aktori Enver Hyseni flet për problemet që prej vitesh janë përballur artistët dhe që nuk gjetur ende zgjidhje, kjo sepse sipas tij nuk është menduar dhe nuk janë vlerësuar sa duhet nga institucionet. Me monodramën “Dome” aktori ngjitet në skenë mbrëmjet e datave 12 dhe 13 janar në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Një monodramë e veçantë që sjell për herë të parë teatrin dokumentar në skenën tonë. Shkruar dhe vënë në skenë nga Stefan Çapaliku, interpretimin e Enver Hysenit dhe muzikën e Haig Zacharian sjell vërtetësinë e jetës së një njeriu jetuar brenda tragjizmit dhe komikes së dy epokave.

-Ju vini në skenën teatrore në Tiranë me një monodramë premierë, që titullohet “Dome” shkruar dhe me regji nga Stefan Çapaliku. Çfarë vlerësoni nga ky bashkëpunim?

Unë në fillim në vitin 2008, ku thuhet dhe në këtë pjesë monodramë, Stefan Çapaliku erdhi si regjisor dhe si autor i një pjese që donte ta vinte në skenën e teatrit, por unë në atë pjesë nuk kisha rol. Aty ishte një shok i imi dhe aktor i njohur i teatrit tonë Bep Shiroka, që ai i kishte thënë Stefanit që a bën ta marrësh Enverin si sufler, por mua më vjen zor ti them sepse jemi të dy kolegë, dhe që të më bëjë ai suflerin. Dhe vjen Stefan Çapaliku më tregon dhe unë i them që për hatër të Bepit po e bëj këtë, por ty s’të kam njohur ende. Në atë pjesë duke punuar bashkë që u bë më shumë se një muaj punë ne filluam dhe shoqërinë dhe dilnim dhe në kafe dhe diskutonim për teatrin dhe jetën. Unë i tregoja historitë e mia pa vetëdije, që Stefan Çapaliku është dhe shkrimtar dhe këto do ti shkruante. Unë as e kisha këtë mendim. Por kur dola në pension para dy vitesh ishte Stefan Çapaliku që më soli si dhuratë këtë vepër monodramë, që quhet “Dome” dhe më tha që nëse nuk e bën ti si aktor në skenë këtë nuk e bën askush tjetër, sepse kjo është e personalizuar, aty janë të gjitha gjërat tuaja. Kështu prej kësaj jete që ne kemi qëndruar bashkë ka lindur dhe vepra që ai si autor e ka shkruar shumë bukur artistikisht, sepse ai se ka treguar si e kam thënë unë, por me ide brenda. Pra unë e kam treguar ngjarjen se si ka qenë, por më pas Stefani i ka futur brenda ide të tjera.

-Në skenë monodrama “Dome” vjen si pasqyrimi i një epoke, parë nga sytë e një njeriu të thjeshtë. Çfarë përcjell për ju?

Sidomos njerëzit që merren me art kanë për ta kuptuar mesazhin se si ky njeri çfarë jete ka pasur, se si i ka shkuar jeta dhe sërish ka rezistuar.

-Më shumë se katër dekada ne skena të teatrit, por me role dhe në kinematografinë shqiptare. Si ka qenë aktiviteti juaj artistik?

Unë kam qenë 43 vjet në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, por dhe me role në filma. Vetë mënyra e ndërtimit tim si strukturë fizike edhe mendore, ka qenë zakonisht për të luajtur role pozitive të karakterit fshtaresko-malësor. Këto ishin rolet që unë shprehesha më shumë emocione, që janë njerëz të mirë dhe që kanë një shpirt shumë të pastër dhe janë të vendosur për atë që duan të bëjnë dhe thënë. Por jo te ata heronjtë me shpatë në dorë, nuk kam qenë në këto personazhe. Unë kam luajtur në 5 filma artistikë para viteve ‘90 dhe pas ndryshimit të sistemit dhe me role të tjera në filma.  

-Jeni aktiv në skenën e teatrit prej vitesh me role, por çfarë ju shqetëson për problemet që po kalon arti?

Teatri në vend ka shumë probleme. Nëse flasin vetëm për Tiranën ju mbase dini më shumë se sa është bërë për teatrin, por ajo që them është se teatrot në rrethe janë lënë në një mënyrë që nuk është pyetur. Unë e kam dhe një monolog në këtë monodramë ku tregoj problemet. Unë pasi mbaroj monologun vdekjes së babait shkoj dhe shtrihem, e filloj e them që sa role më kanë mbetur, dhe tani që futet periudha e demokracisë nuk kam asnjë rol prej vitit 1989 deri në 1992. Unë vazhdoj duke pohuar nga 1997... e me radhë dhe se di se çfarë është bërë me mua atë kohë. Dhe prej kësaj qetësie më kalon një shpërthim, që se di fare se çfarë është bërë me mua atë kohë. Por në monodramë unë vijoj se di që teatri u shkatërrua për hir të reformave demokratike, erdhën dhe na thanë se ishim tepër, se merrnim rroga të pamerituara dhe se askush nuk kishte më nevojë për ne. Deri këtu e çon Stefani idenë. Pra shteti nuk shqetësohet, sidomos kur bëhet fjalë për teatrot e rretheve absolutisht nuk ka vëmendje. Për mua është krejt një nënvlerësim, pra mundeni dhe mos me qenë. Nuk i prish ndonjë punë shtetit dhe sikur mos të ketë teatër Shkodra apo në rrethe të tjera si Gjirokastra, etj. Por teatri kërkon vëmendje, artistët janë lënë pa vlerësimin që meritojnë.

-Sa janë problem dhe pagat e artistëve sipas jush?

Pagat e artistëve në rrethe janë mizerabël. Por artistët si në Tiranë janë dhe në rrethe, por që kanë më pak vlerësim. Unë si artist nuk pata dikur mundësi që të mbaroja shkollën e lartë, por dhe ata që janë me shkollë të lartë kanë diku te 3 mijë apo 4 mijë lekë të reja më shumë. Por një aktor deri kur del në pension as 300 mijë lekë të vjetra nuk ka marrë tamam, sepse u ndalonte përqindja. Unë e kisha rrogën 270 mijë lekë të vjetra dhe pensionin e kam 254 mijë lekë. Merreni me mend që për ato lekë unë kam dalë në punë gjithë këto vjet. Kjo është krejt skandaloze. Ne vërtetë sot i kemi teatrot në rrethe që janë në varësi të bashkive, por dhe shteti duhet të tregojë vëmendje, ndaj Ministria e Kulturës  duhet të ndihmojë. Nëse një bashki duhet ta bëjë teatrin që të funksionojë tamam duhet t’i ketë kujdes aktorët.

-Çfarë i kërkoni Ministrisë së Kulturës si artist?

Në tërë vendin janë 7 a 8 teatro. Unë them që Ministria e Kulturës duhet ti ketë primare, dhe bashkia të jetë ndihmëse e saj të teatri. Shteti prej më shumë se njëzet vjetësh i ka lënë pas dore artistët dhe teatrot. Janë probleme, që janë prej vitesh dhe jo sot. Nuk është bërë sa duhet për jetën artistike, për të investuar në teatro. Shteti nuk i quan teatrot dhe më vjen keq nga kjo gjendje. Edhe kolegët e mi që unë takoj janë të revoltuar, por duhet të punojnë dhe janë të pakënaqur. Ministria e Kulturës nuk ka bërë gjë te teatrot me përjashtim ndonjë turne jashtë, që na kanë ndihmuar pak, por për të punuar në vend nuk është bërë asgjë.

-Ju vini në skenën e teatrit me një monodramë dhe vepër shqiptare. Një nga problemet që pohojnë artistët është dhe mungesa e dramës shqipe në skena. Çfarë duhet bërë sipas jush që të kemi më shumë vepra shqiptare?

Problemet tona mund të jenë më shumë në skena. Mund të shkruhen vepra shqiptare me jetën dhe problemet që kalojmë ne sot, që po kalon shoqëria jonë. Edhe aktorët e bëjnë shumë mirë sepse është aktuale dhe e dinë.

-Pas monodramës si do të vijojë aktiviteti juaj artistik?

Unë e kam thënë që ditën që kam dalë në pension se nuk do të luaj më, por nëse arrij të bëj në skenë monodramën që ka shkruar Stefani për mua do të jetë fitorja më e madhe. Megjithëse një regjisor shqiptar nga Maqedonia meqë donte të më merrte me zor në shfaqjen tij më tha që do të jem pa gjuhë në pjesë. Dhe atij ia bëra veprën, por kjo monodramë do të jetë përfundimi im.

Aktiviteti artistik

Enver Hyseni lindi në Shkodër më 1 Gusht 1951. Merr mësime aktrimi në Institutin e Lartë të Arteve për një periudhë të shkurtë (1973-1974) dhe i ndërpret studimet për arsye ekonomike. Më 1975 nis punën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku edhe pensionohet më 2016. Në këtë periudhë dyzetvjeçare luan më se gjashtëdhjetë role në teatër e katër në filma. Punon me regjisorë si Serafin Fanko dhe shquhet për role karakteresh. Zëri tipik dhe plastika e brendshme e bëjnë një aktor krejtësisht të veçantë dhe interesant. “Dome” është një monodramë e shkruar enkas për aktorin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hyseni. Shkrimi i saj është produkt i një vëmendje të zgjuar gjatë bisedave të gjata mes autorit dhe aktorit ndër procese pune apo ndenje të rastësishme. Ajo që i ka bërë përshtypje autorit gjatë këtyre bisedave ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën, së cilës i përkisnin. E kanë përshtypur gjithashtu edhe thjeshtësia e tregimit e veçanërisht mungesa e mllefeve dhe inateve. Si çdo person tjetër edhe Enver Hyseni e ka jetuar kohën e vet herë ndër margjina e herë në kryeradhë; e ka jetuar brenda tragjizmit dhe komikes; e ka jetuar në varfëri dhe në lavdi; vetëm dhe me shokë; me mish e me shpirt. Pra autori ka dashur të shkruajë e më vonë të ndërtojë një shfaqje të thjeshtë, “shfaqje aktori”, një shfaqje që të ngjasojë si një akt rrëfimi, pse jo edhe kërkimi ndjesë, pardoni, si një gjest që kaq shumë i mungon shoqërisë sonë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/01/2019 - 07:34

Sopranoja Ermonela Jaho do të luajë sërish “La Traviatën” e famshme të Verdit, në Operën Mbretërore në Londër.

Postuar: 18/01/2019 - 07:33

Galeria e artit FAB nis vitin artistik me ekspozitën personale të piktorit Maks Velo.

Postuar: 18/01/2019 - 07:32

Artistët shprehen se për problemet që prej kohësh shoqërojnë Galerinë Kombëtare të Arteve ata do

Postuar: 17/01/2019 - 07:35

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore shkruan se Mirela Kumbaro u largua nga drejtimi i M

Postuar: 17/01/2019 - 07:34

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivoli”  në vijim të sezonit artist

Postuar: 17/01/2019 - 07:32

Filmi “Streha mes reve” vazhdon turin në qytetin e Shkodrës, ku u shfaq në kinema Mil

Postuar: 17/01/2019 - 07:31

Instituti i Historisë këtë vit mes aktiviteteve që do të zhvillohen dy konferenca shkencore ia ku