Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Enver Shëngjergji: Titulli “Mjeshtër i Madh” është bërë sikur po hamë mëngjes, drekë darkë, më shumë kemi tituj se krijues

Postuar: 13/01/2019 - 07:46

Krijimtaria muzikore e kompozitorit Enver Shëngjergji është e njohur dhe e vlerësuar në skena. Publiku i ka vlerësuar këngët e tij, dhe motoja në krijimtarinë muzikore ka qenë mbështetja në folklorin e pasur të popullit tonë. Në intervistën për “SOT” kompozitori Enver Shëngjergji tregon për krijimtarinë e tij ndër vite të skenat e festivaleve dhe jo vetëm. Flet për punën që bënin krijuesit e asaj kohe dhe shpreh keqardhjen që sot nuk kanë gjetur vlerësimin merituar nga institucionet. Me probleme për kompozitorin e njohur janë dhe këngët sot, dhe shprehet se dhe ato që janë krijuar dekada më parë nuk mund të transformohen, por të interpretohen siç kanë qenë. Në vitin 1970 kompozitori Ever Shëngjergji shkruajti këngën e parë, duke vijuar dekada me muzikën e tij si në këngën e lehtë, por dhe atë popullore. Sot ai shprehet se më shumë janë dhënë tituj se sa janë krijues, duke pohuar se nuk e do titullin “Mjeshtër i Madh”. Kompozitori Enver Shëngjergji ka lindur në Tiranë më 19 shtator 1948. Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve në vitet 1966-1969. Nga viti 1970 deri në vitin 1974 ka punuar pedagog në këtë institucion. Në vitin 1974, i dënuar si pjesëmarrës në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion dërgohet në minierën e qymyrgurit të Kërrabës. Në vitin 1979 kthehet në Tiranë, ku emërohet shefi i muzikës në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Në vitin 1992 - 1995 emërohet pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Për dekada me rradhë ka kontribuar me krijimtari në gjininë e këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Është vlerësuar me disa çmime në aktivitetet lokale dhe kombëtare, ndër të cilët mund të përmendim titujt e këngëve: “Udhëtuam së bashku”, "Mbrëmja e fundit”, “Vajzat e fshatit tim”, “Nën kurorën e ullirit”, “Lulet e mollës”, etj.

-Në krijimtarinë tuaj muzikore gjatë viteve si krijues çfarë shikoni?

Çdo krijues kur shikon krijimtarinë e tij ndër vite përveç kënaqësisë për atë që ka shkruar do të gjejë dhe momente, që do të kishte dashur t’i bëjë dhe më mirë. Siç thotë populli as e mira dhe as e keqja nuk kanë fund. Megjithatë në këto vite të moshës sime kur unë i rikthehem krijimtarisë sime muzikore, që kam shkruar ndër vite ndjej një kënaqësi. Kam lënë pesë gjëra, të cilët sot njerëzit i dëgjojnë me kënaqësi dhe më vjen mirë nga kjo për muzikën që kam shkruar ndër vite. Duan apo nuk na duan ne x apo y të na fshijnë si krijues të atyre viteve kot e kanë, sepse në fund të fundit unë Enver Shëngjergji do të mbahem mend për 3 çmime, që kam marrë në Festivalet e Këngës në RTSH. Kanë qenë çmimi i parë me këngën “Vajzat e fshatit tim” kënduar nga Alida Hisku në festivalin e 13, kënga “Nën kurorën e ullirit” kënduar nga Myfarete Laze dhe Lindita Theollori në festivalin e 19, për të vijuar me këngën fituese të çmimit të tretë “Lulet e mollës” kënduar nga Bashkim Alibali në festivalin e 24 në RTSH, dhe për të vijuar me çmime të tjera në festivalet në rrethe, në Koncertet e Majit, Anketat Muzikore siç ka qenë kënga ime e parë “Udhëtojmë së bashku” kënduar nga Naim Kërçuku me tekst të Spiro Gjikondit në maj të vitit 1970 fitues e vendit të parë. Por nuk kam munguar me krijimtarinë time dhe në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

-Kur u shprehët që dhe po të duan të na fshijnë nuk munden, kush janë për ju?

Janë ata organizatorë, që zhvillojnë aktivitete të ndryshme, por shumë dhe krijues të rinj që kanë marr në dorë organizimin dhe drejtimin e festivaleve dhe koncerteve që bëhen në vend, të cilët ose nuk duan apo kanë zili, këtë nuk di ta them, por fakti është që nuk na kanë shumë qejf. Kjo mospasje qejf për mendimin tim primar është që ata si organizatorë kanë frikë të ballafaqohen me krijimtarinë tonë, që mund të ribëjmë sërish. Ka një gjë që pothuajse në 28 vjet plejada e brezit tim iu largua këtyre eventeve. Në radhë të parë kush nuk u ngjit në skena. Këngëtarucë, kompozitorë, ahengxhi, dasmaxhi, etj, u ngjitën në skena, merr nga kompjuteri, nga bota, qep e arno dhe kjo bëri që unë apo dhe brezi im të konkurronte apo të kishte konkurrues me njerëz që nuk ishin askush. Pra krijuesit profesionistë u larguan sepse në skena të festivaleve hipi mediokriteti, kjo pas vitet ’90 dhe deri në 2000 nuk merrej vesh se çfarë kishte në festivale apo aktivitete muzikore që nuk gjen emrat si Lalo, Krajka, Peçi, Zacharian, Shëngjergji, etj, një plejadë artistësh që kanë lënë gjurmë në këngën shqiptare.

-Keni krijimtarinë tuaj dhe në muzikën popullore, çfarë përfaqëson për ju Ansambli Popullor?

Ka një gjë që në kohën e të madhit Panajot Kanaçi, Agim Krajka, Tish Daija, Çesk Zadeja që kanë drejtuar ansamblin, etj, bëhej një seleksionim i krijimtarisë, bëhej një dëgjim dhe afroheshin pranë ansamblit të gjithë vlerat e muzikës folklorike apo popullore qytetare dhe interpretoheshin në ansambël. Dikur kanë qenë në mos gaboj 16 çifte që kërcenin, orkestra super e kompletuar, artistët që ekzekutonin ishin virtuozë në instrumentin që luanin. Por ama ishte mendja dhe pena e gjeniut Agim Krajka që dinte në mënyrë profesionale dhe artistike me orkestracionet e tij që i ngrinte vlerat një krijimtarie të popullit.

-Jeni shprehur se ministrja në largim e Kulturës nuk ndihmoi artin dhe kulturën. Pse?

Kisha shkruar dikur për ministren Kumbaro, që do biesh një ditë nga fiku, por do biesh dhe emri jot nuk ka për tu përmendur më kurrë në jetë. Edhe nëse do të përmendet do të jetë vetëm për të keq, sepse i vure kazmën kulturës dhe artit në përgjithësi. Financoje të paktën çdo vit 160 projekte nga të cilat po ti shikosh të realizuar në popull nuk merreshin në vesh. Një herë i kam kërkuar a ka mundësi që ti si ministre të evidentosh vlerat monetare të të gjithë vitit të kaluar, që ti ke sponsorizuar, sa janë realizuar dhe si janë bërë. Një ministri që kishte mungesë transparence, ai fond ku shkonte dhe çfarë dilte në popull? E drejta e autorit keq. Në Europë është 250 mijë euro gjobë për vjedhjen e të drejtës së autorit, ndërsa tek ne merr kush të dojë. Në rradhë të parë tek ne nuk denjojnë të të pyesin për krijimtarinë jo më të të japin dhe vlerësim monetar që na takon si autorë. Ligji është bërë, por nuk zbatohet, askush nuk e vë ujin në zjarr.

-Ju i keni kërkuar më herët dhe ndihmë për një projekt për të zhvilluar një recital me krijimtarinë tuaj?

Ministrja Kumbaro nuk ka pasur as më të voglin respekt për t’u takuar me atë. Kam shkuar dy herë në ministri dhe nuk ka denjuar të më presë. Unë kam thënë ajo më shpejt pret një veteriner, se sa një artist. Dritëro Agolli ka thënë tek vepra “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që në Francë edhe francezi më injorant dhe më i humbur e di frëngjishten, ndërsa këtu në Shqipëri tek ne numërohen me gishtat dhe këta pretendojnë se e dinë. Ajo mund të njohë mirë Balzakun, por nuk njeh krijuesit shqiptarë.

-Klipet muzikore sot për ju, si janë?

Klipet muzikore të kohëve tona ishin vetëm një ilustrim, filmime. Vaçe Zela apo Bujar Qamili kanë bërë dhe të tjerë, ndoshta nuk mund të quhen tamam klipe, por ishin në natyrë. Por sot çfarë shikojmë? Klipet e sotme më mizerabël, klipe me kallashë, klipe lakuriq, etj. Nuk e di nëse mund të quhet ky art që edukon. Arti ka një qëllim të edukojë dhe jo të shkatërrojë. Këta me këto klipe nuk nxjerrin në pah atë që është kryesoja, krijimtaria muzikore.

-Çfarë problemesh ka te krijimtaria muzikore sot?

Në përgjithësi muzika shqiptare është shumë e paktë ajo që me të vërtetë sot mban aromën shqiptare, të gjitha janë të vjedhura. Janë të punuara me kompjutera, njerëz që kanë bërë nga 6 muaj kurse kitare janë dhe kompjuteristë shumë të mirë. Këngëtarë që qajnë se i kanë lënë dashnoret, këngëtare që qajnë se i ka lënë dashnori, por si nuk pashë një këngë të fillojë dhe të martohen, por vetëm qajnë. Pra një art që nuk i shërben kombit, popullit, zor se do të jetojë dhe mbahen mend këta lloj kompozitorësh dhe teksteshkruesish. E kam thënë dhe herë, që nuk janë këngët me tak e tuke. Pra kemi një lloj banaliteti që në vend të edukojë po çedukon, në vend që rinia të marrë gjënë më të mirë të artit nuk e gjen. Nuk e dimë çfarë mund të edukojë kjo lloj krijimtarie. Por mes këtyre problemeve sigurisht që kemi dhe krijimtari të mirë, dhe të mohosh të renë që është e mirë është nihilizëm. Unë si takoj as këtij brezi, por ne kemi sot dhe krijues të shkolluar dhe të mirë, kemi këngëtare me vokal të shkëlqyer. Mirëpo ka një gjë, që dhe këto këngëtaret e mira me të drejtën për t’u ushqyer e harxhojnë nganjëherë vokalin e tyre dhe me këngë që nuk kanë vlerë. E dyta, krijimtarinë tonë e kanë kënduar dhe do vazhdojnë ta rikëndojnë dhe të tjerë, por si ka mundësi që mos ti riprodhojnë siç i kemi shkruar ne? Por do ti vënë ndonjë bisht si e si për të treguar që po e bëjnë moderne. Jo more zotërinj, ne i kemi shkruar ato këngë dhe nëse jeni të zot këndojeni siç e ka kënduar Vaçe Zela, Gaqo Çako, Alida Hisku, Parashqevi Simaku dhe të tjerë dikur.

-Ju e keni shkruar këngën e parë në vitin 1970 dhe ishte ajo me titull “Udhëtuam së bashku”. Dekada krijimtari muzikore, titullin Mjeshtër i Madh” e keni marrë?

As nuk e dua atë titull. Unë nuk kam asnjë fletë lavdërimi jo më titull. Por atë titull nuk e dua. Nuk mund të jetë Çesk Zadeja, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, Agim Krajka, Feim Ibrahimi “Mjeshtër i Madh” dhe të jetë dhe Enver Shëngjergji po “Mjeshtër i Madh”. Ama nuk mund të ketë shenjë barazimi midis Enver Shëngjergjit dhe Cajes, Dylit, etj, që këndojnë në kafe e kabare, këtë s’e pranoj dot. Pra është bërë ky titulli “Mjeshtër i Madh” sikur po hamë mëngjes, drekë dhe darkë. Më shumë kemi tituj se sa kemi krijues.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/04/2019 - 08:02

 Premiera e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me skenar dhe regji të Kushtrim Bekteshit u shfaq në teatrin Poshka në Strugë.

Postuar: 21/04/2019 - 08:00

Ekspozita “Peisazh në akuarel” sjell për publikun 60 punime në pikturë nga piktori Kr

Postuar: 21/04/2019 - 07:58

 Në teatro problemet me aktivitetin artistik janë dhe nga puna që bëhet për të sjellë veprat

Postuar: 20/04/2019 - 08:06

Festivali ndërkombëtar operistik “Marie Kraja” nisi mbrëmë edicionin e 17 në Tiranë.

Postuar: 20/04/2019 - 08:02

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar, gjimnazi “Ismail Qemali” organizoi aktivitet

Postuar: 20/04/2019 - 08:00

Filmi i animuar në vendin tonë përballet me jo pak probleme.