BREAKING NEWS

Propozimi i papritur i Silva Binos: Të mbyllim sërish fundjavat!

Propozimi i papritur i Silva Binos: Të mbyllim sërish fundjavat!
x

kultura-intervista

Eriona Gjyzeli: Të veçantat e Euridiçes në skenën operistike...

Eriona Gjyzeli:  Të veçantat e Euridiçes në skenën
“Orfeo e Euridiçe” është opera e parë premierë e vitit 2014 që shfaqet në Teatrin e Operës dhe Baletit. Një vepër që ka angazhuar disa nga artistët më të njohur operistikë, ku mes tragjizmit dhe dashurisë do të sjellin në skenë operën që deri më tani i kishte munguar skenës shqiptare. Roli i Euridiçes interpretohet nga sopranoja Eriona Gjyzeli-Dragoicea, një nga zërat e vlerësuar të skenës operistike, e cila këtë herë pas tetë vitesh që rolin e ka interpretuar në skenën e Akademisë së Arteve e sjell për publikun e TOB. Në një intervistë dhënë për gazetën, sopranoja tregon emocionet dhe të veçantat që i fal roli i Euridiçes në këtë vepër premierë. Për sopranon, roli ka të veçantat nga drama e tij, por dhe muzika e veprës përcjell shumë emocione. Regjisori Nikolin Gurakuqi në prezantimin e premierës, e cilësoi sopranon Gjyzeli si një nga zërat e bukur të operës dhe me një performancë të vlerësuar artistike, vlerësim që vjen në vijim të karrierës së saj operistike. Më shumë se një dekadë në skenën e TOB, sopranoja Eriona Gjyzeli -Dragoicea ka interpretuar në role dhe vepra të kompozitorëve të njohur botërorë, mes tyre përmendim: Adina te “L'elisir d'amore”, Lui te “Turandot”,  Pamina te “Die Zauberflote”, Despina te “Cosi fan tutte”, Nannetta në “Falstaff”, etj. 
 
-Premiera e operës “Orfeo dhe Euridiçe” ju rikthen në skenën operistike me një rol të cilin ju e keni interpretuar tetë vite më parë në skenën e Akademisë së Arteve. Këtë herë si vjen Euridiçe para publikut?
 
Për mua pas tetë vitesh vjen si një rol shumë herë më i pjekur, shumë herë më i konsoliduar, më i përtypur nga ana emocionale përveç anës vokale. Kam kënaqësinë që pas tetë vitesh këtë rol ta debutoj dhe në skenën e TOB. Ky rol në skenën e teatrit vjen me ndryshimin, se nga ajo që unë kam kënduar para tetë vitesh ka qenë në përmasat e një opere koncertale, ndërsa në TOB vjen si një vepër e plotë. Nuk është vetëm kënaqësi, por është një rritje profesionale, vazhdimi i punës me profesorin tim Nikolin Gurakuqi, i cili është dhe regjisor i veprës, por dhe nën banketën e dirigjentes italiane Margherita Colombo. Kam një kënaqësi që pas një vazhde pune si në operën “Cosi fan tutte” ashtu dhe në dy koncerte recitale, që janë mbajtur në Prishtinë dhe në Tiranë, të debutoj sërish në skenë me kolegen dhe mikeshën time Sonila Baboçi.
 
-Një vepër që ka njohur suksesin në skenat e huaja, ku triumfon dashuria dhe gjithçka vjen në kohët e sotme. Cilat janë emocionet e një sopranoje? 
 
Vepra në konceptin regjisorial vjen në ditët e sotme. Ju më pyetët pse triumfon dashuria? Sepse ajo është shumë e fortë mes Orfeut dhe Euridiçes. Dhe Amore shfaqet për herë të fundit në skenë ku është Orfeu, të cilin e gjen shumë të pikëlluar, dhe në këtë vepër është Orfeu i ditëve moderne, ka një pistoletë në dorë për ti dhënë fund jetës së tij, por ndalohet nga Amore. Ajo i thotë unë do ta rikthej Euridiçen dhe ju do të bashkoheni dhe njëherë. Ky është triumfi i dashurisë, ku Orfeu dhe Euridiçe kthehen me njëri-tjetrin. Një vepër ku është tragjizimi dhe triumfi i dashurisë.
 
-Prej 11 vitesh jeni në skenën e TOB, roli i Euridiçes çfarë sjell në galerinë tuaj të personazheve?
 
Është një rol që mban një peshë jo të barabartë me Orfeun. Ai e fillon dhe e përfundon operën, ndërsa unë shfaqem në aktin e tretë të operës, aty filloj së kënduari ndërsa në dy aktet e tjera jam si figurante. Në aktin e tretë është ngarkesa artistike që unë mbaj si soprano. Në galerinë e roleve të mia ka një pjesë të veçantë, sepse Euridiçe vjen nga një kompozitor si Gluck, një kompozitor që është jo shpesh është i pranishëm në galerinë e repertorit të teatrove. Më vjen mirë që në CV time Euridiçe bën pjesë. Një rol që më pëlqen shumë, më pëlqen dramaturgjia e rolit, muzika, dhe këtë herë që e luaj nga ana aktoriale. Muzika e tij dhe në momentet që unë nuk këndoj më krijon disa drithërima të lehta. Është një muzikë e trishtë, muzikë që të fut në një gjendje ndoshta dhe abstrakte të të ndjerit. Nuk mund të shpjegosh dot në çdo moment se si ndjehesh, por vorbulla të rrëmben. Muzikë e trishtë, vajton Orfeu për humbjen e Euridiçes, kaq e fortë është dashuria e tyre.
 
-Regjisori Nikolin Gurakuqi gjatë një prezantimi mbi veprën, ju cilësoi si një nga zërat më të bukur dhe me një performancë të bukur artistike. Çfarë do të thotë për ju ky vlerësim në një premierë që pritet të vijë në TOB?
 
Jam një nga të përkëdhelurat e profesorit, dhe pagëzimi i emrit tim nga profesori është gioa (gëzim). Një përkëdhelje jo vetëm të rastit, sepse këtë thirrje të tij nuk e dëgjoj vetëm në produksion, por kudo që ndodhem brenda teatrit, jashtë teatrit. Nuk është pak, më vjen mirë që vlerësimet e regjisorit janë të tilla në planin e realizmit të asaj se çfarë kërkohet nga mua si interpretuese. Mua personalisht profesori më lë shumë hapësirë për rolin, më lë fushë veprimi për në skenë.
 
-Më shumë se një dekadë soprano në opera. Një karrierë me role të para në kryeveprat operistike. Ka qenë e vështirë për ju të mbani të njëjtin sukses në jetën artistike?
 
Unë jam rritur në teatër. Sapo jam diplomuar e kam filluar këtu rrugëtimin e profesionit tim dhe ka vazhduar atje ku sot ndodhem. Kam shumë për të bërë, nuk kënaqem kurrë me veten time. Ka ëndrra në sirtar, por koha është ilaçi më i mirë për ato. Më vjen shumë mirë nga bashkëpunëtorët e teatrit sidomos nga regjisori Nikolini, nga puna e vazhdueshme me të, nga veshja e personazheve të ndryshme dhe të larmishme që unë kam realizuar në teatër, më ka bërë që një nga vlerësimet më të rëndësishme për mua është që nuk përsëris rolet, nuk përsëris veten me rolet që kam kënduar. Larmia e tyre ekziston ashtu siç janë të shkruar, por dhe ndryshe të interpretuar. Gjithmonë kërkoj të veçantën, dhe jo të përsëris veten në role ashtu si isha te një Despin të jem në një Euridiçe. Më pëlqen shumë teatri, harxhoj kohë duke parë dhe filma artistikë, dhe më vjen mirë që arrij të kuptoj çfarë duhet dhe çfarë është esenciale për të qenë e ndryshme dhe interesante, e kërkuar nga publiku: çfarë emocioni do të përcjellë këtë herë si figurë dhe zë.
 
-Në karrierën tuja operistike numërohen jo pak role, si soprano ku e gjeni më shumë veten në role në opera, tek ato që kanë dramën, tragjiken, apo dhe veprat që vijnë me nota komike?
 
Mua më pëlqejnë të gjitha rolet. Nuk bëj dallime. Jo për modesti, por më duhet akoma të vazhdoj rrugëtimin tim.
 
-Një jetë artistike me jo pak angazhime, kush janë rolet ju doni të realizoni në të ardhmen në karrierën tuaj?
 
Janë shumë. Mezi pres që të luhet në skenë opera “La Boheme” në rolin e Mimisë, doja shumë që në skenë të vihej dhe opera “Dasma e Figaros” dhe të isha në rolin e Suzanës, etj.
 
-Me një rol në një vepër ku triumfon dashuria. Si është Eriona në jetën reale?
 
Super e dashuruar, nga mëngjesi deri në darkë. Dashuria ime gdhihet dhe ngryset me mua. Unë jam shumë e përkëdhelur nga dashuria.
 
-Pas angazhimit tuaj në operën “Orfeu dhe Euridiçe”, çfarë mund të na zbuloni për karrierën tuaj në vijim?
 
Ky vit që në fillim ka nisur mbarë. Pas operës “Cosi fan tutte” në rolin e Despinës, isha në një koncert recital bashkë me dy koleget e mia, sopranon Sonila Baboçi dhe pianisten Ardita Bufaj në Prishtinë dhe Tiranë, ishte koncerti “Tinguj pranverorë”. Pas Euridiçes që publiku do të dëgjojë të interpretuar nga unë ditën e diel, në vijim jeta artistike do të jetë me koncerte, paketa të këndshme, sepse unë ndaj dhe jetesën mes Prishtinës dhe Tiranës. Por shumë gjëra janë ende të pavendosura, jam gjithashtu e ftuar dhe në shkollën verore “Esma Internation-Summer Music Academy” në Prishtinë që të punoj me artistë dhe këngëtarë të zhanrit klasik. Intervistoi: Julia Vrapi