Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ermir Grezda: Artistët në kushte mbijetese por GKA u ka mbyllur dyert, Mirela Kumbaron s’e njoh si ministre

Postuar: 06/10/2018 - 07:36

Skulptori Ermir Grezda do të prezantojë për publikun, disa nga veprat e tij të realizuara ndër vite. Këtë herë jo në mjediset e një institucioni shtetëror, por vetë artisti ka bërë një zgjedhje në një hapësirë për të prezantuar veprat e tij. Ai tregon se në këtë prezantim do të jetë dhe një promovim për  botimin, ku është treguar krijimtaria e tij ndër vite. Në intervistën për “SOT” skulptori i njohur ndalet dhe në problemet që kanë artistët. Sipas tij, jo vetëm që GKA nuk i njeh artistët e traditës, por dhe nga Ministria e Kulturës nuk gjejnë mbështetje. Ai tregon se nuk aplikoi për këtë aktivitet në ministri, pasi më parë ka marrë përgjigje negative. Po ashtu ai shpreh keqardhjen, që as në GKA nuk gjeti miratim për aktivitetin e tij. Në këto kushte që janë sot artistët, sipas skulptorit Ermir Grezda ata nuk e njohin ministren e Kulturës pasi nuk kanë pasur mbështetje. Ndërkaq që si Sekretar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Shqiptarë themeluar që në mars të 1992, skulptori Ermir Grezda thekson se Ministria e Kulturës deri më tani nuk ka treguar interes për kërkesat që ata i kanë bërë për takime dhe për të diskutuar mbi problemet e artistëve, që sipas tij nuk janë të pakta. Skulptori Ermir Grezda ndër vitet e krijimtarisë ka punuar në skulpturën monumentale, portrete në qeramikë dhe materiale të tjera, ndërsa shumë prej veprave të tij ndodhen në Kosovë, vendet Europiane dhe Sh.B.A

- Më 9 tetor jeni para publikut me skulpturat tuaja. Si vjen ky prezantim këtë herë me veprat tuaja?

E gjithë kjo krijimtari, që do të prezantohet për publikun përfshin aktivitetin që nga vitet ’70 deri në 2015. Duke qenë se po i afrohem moshës 70 vjeçare dhe kam rreth 45 vjet që merrem me skulpturën, jam munduar në këtë vit që të bëj dhe botimin tim special. Pas botimit të tim eti, vendosa që të përmbyll dhe unë aktivitetin tim duke bërë një botim për krijimtarinë time në skulpturë. Këtu përfshihen veprat më kryesore të krijimtarisë sime ndër vite. Në këtë botim janë kompozime, portrete dhe punë të ndryshme në vite, si dhe udhëtime dhe aktivitetet e mia në botë që janë të pasqyruar. Ky botim si dhe aktiviteti për mua është kuruar nga dr. Oltsen Gripshi, që shoqërohet me një mendim kritik mbi veprat e mia. Unë duke ditur peripecitë, që hoqa me  ekspozitën e tim eti, Galerisë Kombëtare të Arteve që e ka dhe për detyrë, iu drejtova më herët për aktivitetin, sepse kam qenë 22 vjet punonjës në galeri, nga vitet ‘70 deri në 1992 dhe pjesëmarrës në shumë aktivitete. Unë e ndjeja për detyrë të realizoja një ekspozitë, duke qenë veprat e mia më të përfaqësuara, dhe sipas rregullit një vit e gjysmë më parë iu drejtova me shkresë galerisë. Por kam marrë përgjigje, që nuk mundej ekspozita në GKA. Në GKA bordi miraton aktivitetin e saj, por ajo që unë mendoj është që ai institucion nuk hap dyert për artistët tanë. Edhe skulpturat e mia, që do të ekspozohen me datë 9 tetor do të jenë te një hapësirë jashtë tek Mak -Albania. Kërkova, që këtë aktivitet me veprat e mia ta bëja në GKA, dhe nuk më kthyen përgjigje pozitive. Kërkesë i kam bërë dhe drejtorit të kaluar, por dhe këtij aktual. Unë jam një artist me kontribut 45 vjeçar në fushën e skulpturës, si dhe pedagog në Lice, dhe se mendoja që do të ishte ky refuzim për aktivitetin tim. Nuk e kam ndjerë veten ndonjëherë më keq, kur nga GKA që unë punova marr përgjigje negative. Unë si artist shkoj hap ekspozitë në Itali, Firence dhe Venecia dhe në vendin tim nuk mundem. I njëjti drejtor që është sot në GKA i kam kërkuar disa vite më parë hapjen e ekspozitës së Qamil Grezdës në Kosovë, por as të kohë nuk e mori në konsideratë dhe nuk e njihte si artist, por dhe këtu nuk na njeh ne si artistë. Unë se kuptoj se çfarë qëndrimi mban drejtori kur nuk takon artistët, dhe mundohet që ti shmangë? Jemi artistë të traditës dhe nuk na njeh. Unë nuk di të jetë hapur një ekspozitë skulpture në GKA. Unë nuk jam një artist i ri, dhe jam në gjendje që të vlerësoj nivelin që prezantohet në GKA. Nuk kam ndonjë gjë me artin kontemporan, por me atë që përzgjedhin këta sikur i përzgjedhin me symbyllur. Kjo është një turp i madh, që GKA është larguar nga artistët e Shqipërisë.

-Por ka pasur dhe artistë që janë shprehur se përballë kërkesave për ekspozita në GKA jo çdo kush duhet të ekspozojë. Sipas tyre, duhet një lloj klasifikimi. Ju si mendoni?

Ata që janë artistë të realizmit, që është një art pa kufi, dhe nuk është i përcaktuar as me sistemin socialist. Arti ka varitete të ndryshme, që secili gjen vetveten. Këtu bëhet fjalë vetëm për artin kontemporan, ne pjesa tjetër e artistëve jemi fshirë nga GKA. As Janaq Paço, as Zajmi, apo dhe të tjerë, nuk i është hapur dera dhe janë dhe themelues të galerisë. E ka dhe statusi i GKA. Janë këta emra që dhuruan vepra dhe krijuan galerinë me në kryer Odhise Paskalin. Janë këta artistë që krijuan pinokotektën e parë shqiptare. Një nga këta emra është dhe im atë dhe me shumë përpjekje të jashtëzakonshme mezi iu hap dera më parë për 10 ditë në GKA. Kjo është një turp. Doja vjet që të mos ekspozoja, por duke qenë 100- vjetor nuk e bëja dot. Ajo ekspozitë ishte sikur hapi një derë dhe mbylli një dritare. Nuk është normale, që për këta që janë profesorë të hapësh ekspozitën për 5 apo 10 ditë. Është trup. Një galerinë kombëtare duhet të ketë një axhendë të një kualiteti të lartë përzgjedhës.

-Çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës për artistët dhe problemet që pohoni?

Ministria e Kulturës ka një ekip miqsh të dashur, që vetëm ata mund të aplikojnë dhe marrin financim nga ajo për projektet. Nuk kemi botime për autorët e Shqipërisë për ata që janë themelues, nuk kemi hapje të aktiveve, as mbështetje financiare, asgjë. Unë i kam shkruar Ministrisë së Kulturës më parë edhe si sekretar i  shoqatës të artistëve, që janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe diaspora. Ne si shoqatë e themeluar, që në 1992 kemi bërë disa aktivitete më parë që ishin mbarëkombëtare, me të cilën Ibrahim Kodra u njoh dhe u prezantua dhe në Shqipëri sepse ai jetonte në Itali dhe nuk kishte të drejtën e hyrjes. Por shoqata jonë bëri që ai të vinte dhe të ekspozohej këtu. Ne i kemi bërë letra për problematikat, funksionin e shoqatës, dhe janë përgjigje që më janë kthyer: ne do ju konsiderojmë për t’ju mbështetur, dhe asnjë lloj mbështetje. Kemi bërë letra për aktivitete, dhe vetëm na kanë ftuar ja dy herë në takimet që bën ministria për legjislacionin. Ekziston një vakum shumë i madh, jo vetëm midis shoqatës sonë, por të gjithë artistët nuk kanë ndihmë. Unë kam aplikuar dikur në ministri, por nuk kam marrë mbështetje për projektet.

-Po për këtë vit aplikuat?

Jo nuk kam aplikuar për ekspozitën, duke parë se çfarë më ka bërë deri tani. Arti figurativ ka shumë probleme, por ne si artistë po mbijetojmë në këtë situatë që është tepër komplekse. Mua më vjen mirë që një nga artistët e mi shkon në pavionin e Venecias, por pjesa tjetër e artistëve nuk kanë asnjë mbështetje nga Ministria e Kulturës për aktivitetin. Artistët sot siç ju thashë janë për mbijetesë.

-Jemi në muajin tetor, por asnjë lajmërim për konkursin “Onufri” nga GKA?

Konkursi “Onufri” është shoqëruar gjithmonë me probleme. Mblidhen një grup artistësh vijnë disa anonimatë të ftuar nga individë, që ne nuk i dimë dhe shikojmë vetëm veprat. Një paradoks që as kolegët e mi që janë profesionistë dhe pedagogë nuk dinë çfarë të thonë. Konkursi “Onufri” ka qenë në vitin 1998 i bërë nga Edi Muka i bërë në mënyrën më të mirë. Janë realizuar disa konkurse “Onufri” më parë dhe ka qenë me nivel, por më kalimin e viteve ai humbi shumë si aktivitet dhe ekspozitë. Janë humbur shumë aktivitete ndër vite. Kemi bërë kërkesë si artistë dhe për të pasur hapësirë në Pallatin e Kulturës, por asgjë nuk është bërë. Aty ka lloj- lloj zyrash, zyra nga bashkia, ka biznese dhe asgjë nuk është për artistët. Aty çfarë nuk ka, por vetëm Pallat Kulture nuk është.  Merr bashkia zyra atje dhe asnjë hapësirë për artistët. Ne si artistë nuk kemi funksion, ambient jo, mbështetje jo dihet.    

-Më herët ju jeni shprehur dhe për problemet e studiove të piktorëve, çfarë po ndodh?

 Po kërkoj privatë, që të më ndihmojnë që ta rregulloj studion, sepse është katastrofë. Por nuk është vetëm studio ime, por dhe e autorëve të tjerë. Ne si artistë nuk kemi më mbështetje nga institucionet. Ne jemi jetimë. Në të ashtuquajturin sistemi i kaluar, ai na jepte studio, materiale, paguan elektrikun, etj. Sot ne energjinë e kemi sikur jemi biznes për të paguar. Nuk ka trup më të madh, që në gjendjen që janë artistët në anën financiare të paguajnë sikur janë biznes. Ne nuk na pranojnë as për ekspozitë në GKA, apo të kemi ndonjë botim nga institucionet, jo më të presim për studiot ndihmë nga Ministria e Kulturës. Është turp që artistët kanë mbetur në këtë situatë. Nga ministrja Kumbaro nuk pres më asgjë. Unë se njoh atë si ministre Kulture. Kam vite dhe më parë që shkruaj letra, i jam drejtuar ministrisë për problemet e artistëve dhe nuk marrim përgjigje, jo vetëm tani por dhe vite më parë me të tjerë ministra. Por dhe me Kumbaron ne nuk kemi asnjë lloj komunikimi. Unë një letër i kam dërguar në kryetarit të Firences dhe do të hapë një ekspozitë për veprat e tim eti, dhe të kthejnë përgjigje kur marrin letra. Do të hapet ekspozita në Akademinë e Firences për tim atë si një nga ish studentët.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 13:55

Aktori i njohur i skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare,  Neritan Liçaj tregon se është bërë pjesë e këtij profesioni prej rreth 25 vitesh dhe pavarësisht këtij fakti thotë se ende nuk di shumë rreth tij.

Postuar: 21/10/2018 - 07:47

Aktori i njohur italian Michele Placido është shprehur për Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar shem

Postuar: 21/10/2018 - 07:46

Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” prezanton për publikun më shumë se 180 gravura

Postuar: 20/10/2018 - 07:44

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen &

Postuar: 20/10/2018 - 07:42

Më skenar dhe regji nga Gjegj Xhuvani ka mbaruar xhirimi i filmit “Liqeni im”.

Postuar: 20/10/2018 - 07:41

 Orkestra Simfonike e Vlorës vjen me një koncert në teatrin “Petro Marko” me ras