Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ermir Grezda: Artistët nuk kanë minimumin e mbështetjes, kemi kyçur studiot për shkak të taksave

Postuar: 13/02/2019 - 07:34

Artistët vazhdojnë të shprehen se nga Ministria e Kulturës nuk është treguar interes për problemet që i shoqërojnë në aktivitetin e tyre krijues. Herë pas here në reagimet e tyre ata kanë pohuar pakënaqësitë ndaj institucionit të Galerisë Kombëtare të Arteve, që sipas tyre nuk i pranon për ekspozita. Në këtë situatë ata kërkojnë që Ministria e Kulturës duhet të rregullojë problemet që kanë artistët me këtë institucion. Sekretar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Shqiptarë themeluar që në mars të 1992, skulptori Ermir Grezda shprehet se qëndrimet e tij janë në vijim me ato të artistëve të tjerë më parë, ku Ministria e Kulturës deri më tani nuk ka treguar mbështetje për problemet që sipas tij nuk janë të pakta. Në intervistën për “SOT” skulptori shprehet dhe për problemet që janë me studiot e artistëve. Ai tregon se para viteve ’90 kishte tjetër vëmendje për aktivitetin e tyre krijues, ndërsa sot nuk po munden dot që të përballojnë as shpenzimet me energjinë apo dhe të tjera kërkesa që kërkon aktiviteti i tyre. Në këtë situatë skulptori i njohur shprehet se prej vitesh është larguar nga puna në studio, pasi është shumë e vështirë me kushtet financiare që përballen artistët. Skulptori Ermir Grezda ndër vitet e krijimtarisë ka punuar në skulpturën monumentale, portrete në qeramikë dhe materiale të tjera, ndërsa shumë prej veprave të tij ndodhen në Kosovë, vendet Europiane dhe SHBA.

-Si po vijoni me krijimtarinë tuaj?

I kam mbyllur të gjitha ato, që quhen pjesë të krijimtarisë.

-Pse?

Arsyeja e vetme është ajo financiare pse e kam bërë këtë. Duke qenë se prej shumë kohësh arti dhe artistët nuk po gjejnë minimumin e domosdoshëm të mbështetjes, nuk është e mundur dot që me atë mundësi pensioni që kemi ne të vazhdojmë krijimtarinë tonë. Kjo është elementi bazë. Me sakrificat që kemi bërë ne si artistë, apo dhe qoftë duke marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare jashtë ku shitej ndonjë punë, me këto mundësi minimaliste ne kemi vazhduar deri më sot. Në 70 vjetorin tim unë e përmbylla me një ekspozitë vjet krijimtarinë time, por duke parë dhe situatën e cila nuk na favorizon. Një sallë ekspozitash ka një pagesë, që shkon 40 mijë apo 50 mijë lekë të reja, pagesë të kornizave duhet, pagesë të posterit të ekspozitës, dhe më pas po të merresh me të gjitha pjesët e tjera na del një shumë që nuk është e përballueshme për ne si artistë. Prandaj veçanërisht ekspozitat e skulpturës në vend janë me pikatore, janë shumë -shumë pak. Marrim rastin e Kristo Krisikos, që është në skulptorët me autoritet dhe ka një jetë të tërë që punon në Greqi dhe ka një mundësi ndryshe nga artistët shqiptarë që janë këtu, por dhe për atë ishte një sakrificë e madhe ekspozita këtu. Të gjithë ato vepra që vuri dhe ekspozim, ku një pjesë të tyre i realizoi të gjitha në metal, por këto shpenzime të artistëve nuk gjejnë një pasqyrim që vepra të shkojë diku në një institucion që të blihet e krijohet një balancë midis shitjes së një vepre dhe shpenzimeve që nxjerr artisti. Është një situatë shumë e vështirë për ne, kjo është pjesa më e qenësishme përderisa këtu nuk ka shitje. Ekspozimi në të kaluarën për ne ka qenë falas dhe kishim ekspozita. Pjesëmarrja jonë si artistë ishte e lirë. I bënte shteti ekspozitat dhe i organizonte, si veprat ua çonte institucioneve apo ministrive të ndryshme. Pra shpërndaheshin veprat që ishin pjesë e ekspozitave dhe ndihmonin artistët në mënyrën financiare. Por pas viteve ‘90 kjo gjë nuk ekziston më në vendin tonë. Ose në raste të ndonjë njohje që ndodhin, por janë shumë sporadike dhe të parëndësishme. Çështja tjetër është problemi me studiot e artistëve.

-Çfarë kërkoni për studiot e artistëve?

Studiot e artistëve kanë një shpenzim siç është korrenti, që është me çmimin e shitjes si dyqan me aktivitet. Pra nuk e ka çmimin e energjisë që harxhojmë në shtëpi, por është me çmim biznesi, konsiderohet si biznes nga shteti. Në këtë situatë ne artistët jemi sërish mes problemeve. Ne si artistë nuk kemi më mbështetje nga institucionet. Në të ashtuquajturin sistemi i kaluar, ai na jepte studio, materiale pune, paguante elektrikun, etj. Por sot në gjendjen që janë artistët me probleme në anën financiare i duhet të paguajnë sikur janë biznes. Ne nuk na pranojnë as për ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, apo të kemi ndonjë botim nga institucionet, jo më të presim për studiot ndihmë nga Ministria e Kulturës. Edhe unë e kam studion, por kam njëzet vjet që kam punuar në Lice apo dhe vende të ndryshme që të mos paguaj, sepse nëse unë do të paguaj tarifën 50 mijë lekë të vjetra të korrentit i bie që në fund të vitit unë të mos jetoj dot. Me studiot e artistëve shteti duhet të gjejë forma të zgjidhjes për korrentin, ujin, etj. Tani do të vendoset dhe taksa. Si do të zgjidhet problemi i taksës së studiove për artistët, sepse nëse nuk ke krijimtari shitëse dhe çfarë do të bësh? Krijimtaria shitëse nuk është e përditshme apo e përmuajshme. Ndodh një herë në vit apo dy vepra apo asnjë. Por me këtë nuk mbulon dot shpenzimet e krijimtarisë jo më për të tjera shpenzime në studion e punës.

-Po për Galerinë Kombëtare të Arteve çfarë kërkoni?

Unë bashkohem me atë që kanë pohuar dhe kolegë të tjerë më parë, që jemi gati të dalim me një peticion dhe kërkesë legjitime tonën, sepse Galeria Kombëtare e Arteve ka humbur marrëdhënien me artistët. Ne jemi bashkëthemelues, veprat tona janë pjesë e pasurisë kombëtare dhe ne nuk gjejmë ekspozim. Një nga arsyet që unë shkova të ekspozoja te ish Sheraton me veprat e mia në tetor të një viti më parë ishte, sepse Galeria Kombëtare e Arteve nuk më hapi derën.

-Ju, a kishit bërë një kërkesë më parë për ekspozitën tuaj në GKA?

Unë një vit e gjysmë më parë për të qenë brenda rregullores në GKA kam bërë kërkesë atë kohë. Por përgjigja që unë mora ishte mes të tjerave që ju jeni artist i vlerësuar, por në pamundësinë tonë iu rekomandojmë të hapni diku tjetër ekspozitën. Por këto lloj formash që shko atje për ekspozita, ku ashtu si unë dhe të tjerë artistë që kemi probleme nuk na pret drejtori. Tani së fundmi unë kam kërkuar që të kem fotografi të veprave të mia që janë në fondin e GKA, dhe përgjigja që marr është, që kjo është kërkesa që ju duhet të plotësoni sepse GKA merr leje të Ministria e Kulturës për të bërë fotografimin e veprave. Unë këtë e kam bërë gati dhe do të pres atë praktikë që ka GKA për të cilën ne jemi bashkëautorë për sa i përket imazhit, sepse vepra në të kaluarën është blerë si vepër, pra të drejtën e blerjes dhe jo të imazhit. I takon GKA në të njëjtën kohë të më marrë mua leje nëse do ta publikojë imazhin dhe jo ti marr unë asaj. Por GKA sillet me ne sikur ne nuk jemi pjesë e saj.

-Në këtë situatë, çfarë i kërkoni Ministrisë së Kulturës për këtë institucion?

Janë shprehur disa artistë për problemet që ka GKA si Sadik Kasa, Adrian Devolli, Robert Përmeti etj. Unë ashtu si të tjerë artistë bashkohem me mendimin që ne i kërkojmë një takim ministres së Kulturës për këto probleme me GKA, sepse ne jemi pjesë e këtij institucioni. Ministrja duhet të rregullojë të gjitha marrëdhëniet që ka galeria me artistët, sepse është kthyer si pronë personale. Ministrja të thërrasë artistët dhe drejtuesin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe të diskutohet për këtë probleme. Unë i kam shkruar Ministrisë së Kulturës më parë edhe si Sekretar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Artistëve Figurativë, që janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe diaspora. Ne si shoqatë e themeluar, që në 1992 kemi bërë disa aktivitete më parë që ishin mbarëkombëtare, me të cilën Ibrahim Kodra u njoh dhe u prezantua dhe në Shqipëri, sepse ai jetonte në Itali dhe nuk kishte të drejtën e hyrjes dhe shoqata jonë bëri që ai të vinte dhe të ekspozohej këtu. Ne i kemi bërë letra për problematikat, funksionin e shoqatës, dhe janë përgjigje që më janë kthyer: ne do ju konsiderojmë për t’ju mbështetur, dhe asnjë lloj mbështetje. Ekziston një vakum shumë i madh, jo vetëm midis shoqatës sonë, por të gjithë artistët nuk kanë ndihmë. Unë kam aplikuar dikur në ministri, por nuk kam marrë mbështetje për projektet. Po ashtu vite më parë i kam kërkuar si Sekretar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Artistëve Figurativë, që ministria dhe GKA të krijojnë mundësinë, që në Pallatin e Kulturës të na jepet një ambient. Qyteti i Tiranës nuk ka një sallon arti që mendoj se duhet të jetë te Pallati i Kulturës, sepse është qendra dhe është pjesa më e qenësishme për tu ekspozuar veprat në këtë godinë. Por dhe me ish ministren e Kulturës Mirela Kumbaro nuk kemi pasur asnjë përgjigje për problemet dhe kërkesat tona. U mbyll dhe konkursi “Onufri” dhe thuhet që ishte propozim i galerisë i bordit dhe miratim i Ministrisë së Kulturës. Por si mbyllet “Onufri” në GKA pa u diskutuar dhe me ne artistët? Si ka mundësi që vendime të tilla merren pa grupin e artistëve? Ministria e Kulturës ka përgjegjësi me çfarë ndodh në atë institucion. Vërtetë që GKA është e pavarur, por është pjesë e buxhetit të shtetit dhe ministria ka detyrim të kërkojë zgjidhjen e të gjitha problemeve që shprehen artistët. Është një mbyllje dere totale e artistëve në GKA, asnjë lloj pasqyrimi dhe se si do të vijojë aktiviteti në galeri. Dikur në GKA kishte aktivitete qoftë kombëtare dhe ndërkombëtare tani asgjë, është fshirë. Më e keqja nxjerrin dhe publikojnë aktivitete me fëmijët dhe i quajnë si aktivitetet e vitit në galeri. Ministria e Kulturës të marrë në shqyrtim situatën e GKA sot dhe të artistëve.

-Si është trajtimi i artistëve sot, sa i përket projekteve?

Shoqatat e artistëve nuk kanë financime. Ne jemi të asfiksuar. Shoqatat e artistëve nuk funksionojë, arti dhe artistët të asfiksuar nga shteti. Nëse Ministria e Kulturës në projektet saj nuk zhvillon takime me artistët nuk di problematikën tonë, ose e di dhe bën sikur se di, atëherë çfarë do të bëjnë artistët?

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/08/2019 - 07:54

Kisha e Shën Kollit në fshatin Vodicë të Kolonjës do të restaurohet. Prej disa ditësh kanë nisur punimet.

Postuar: 18/08/2019 - 07:52

Autoritetet shqiptare janë vënë më në fund në lëvizje për të ndalur rrënimin e Kalasë së Gjirokas

Postuar: 15/08/2019 - 07:38

Regjisori i njohur Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rënd

Postuar: 15/08/2019 - 07:36

Në vilën e ish diktatorit, Cine Tarkovsky fton për një bashkëbisedim të hapur me fituesin e Palme

Postuar: 15/08/2019 - 07:35

Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk ësht

Postuar: 14/08/2019 - 07:33

Teatri i Kukullave ka përfunduar turin  “Erdhi Teatri”, duke shëtitur fshatra të

Postuar: 14/08/2019 - 07:31

“Shkodra Jazz Festival” mbërrin këtë vit në edicionin e dhjetë.