BREAKING NEWS

Lombardia merr frymë,  bie numri i të vdekurve me 77 më pak dhe numri i infeksioneve 107 më pak

Lombardia merr frymë,  bie numri i të vdekurve me 77 më pak
x

kultura-lifestyle

Ervin Bejleri: Teatri në mjerim, aktorët janë kasta më pak e paguar e klasës punëtore...

Ervin Bejleri: Teatri në mjerim, aktorët janë kasta më pak e
Një artist, i cili sa herë ndodhet në skenë rrëmben vëmendjen dhe duartrokitjet e publikut. Me personazhe nga më të ndryshmit, ka arritur të ketë vlerësimin e spektatorit dhe kritikës. E gjitha kjo falë një punë të madhe, me dëshirë dhe zemër kur shprehet vetë aktori Ervin Bejleri. Në skenën e teatrit ka spikatur dhe me monodramën “Të gjithë janë të çmendur”, ku u mirëprit jo vetëm në Tiranë, por dhe në salla të tjera teatrore, sipas aktorit ishte një pjesë shumë e bukur nga ana dramaturgjike ku ka dhënë maksimumin e tij në vepër. Në vijim të punës së tij me teatrin, publiku e gjen aktorin e njohur në premierën e dramës “Mallkimi i fukarenjve” që po shfaqet këto kohë në Teatrin Kombëtar, një pjesë që sipas tij është aktuale dhe për realitetin sot. Por si çdo artist profesionist, edhe Ervin Bejleri shprehet se nëse flasim për artin, teatrin në përgjithësi, problemet vazhdojnë. Në intervistën e tij, aktori tregon se është vetëm dëshira  madhe e njerëzve të teatrit, e regjisorëve, aktorëve, skenografëve e kostumografëve, që punojnë dhe kanë pasionin për të vazhduar përpara dhe për të dalë në shfaqje që nuk po stopon teatrin.
 
Me monodramën “Të gjithë janë të çmendur” ju u mirëpritët shumë në skenën e teatrit, jo vetëm në Tiranë por dhe në skena të tjera. Monodrama kishte një rikthim të saj, pasi premiera ka qenë kohë më parë. Duartrokitje dhe vlerësime. Si protagonist i saj, përballë këtij publiku si u ndjetë, dhe e prisje këtë vlerësim?
 
Unë që kur kam mbaruar shkollën gjithmonë e kam pritur vlerësimin, sepse kam dhënë maksimumin tim në skenën e teatrit në punë me rolin, me kolegët, dhe në punën me regjisorët. Kam qenë gjithmonë i prirur ta prisja entuziazmin e publikut dhe vlerësimet e mira. Një aktor për këtë duhet të punojë, të ketë pritshmëritë e veta të mira. Një aktor nuk mund të punojë kot dhe të mendojë që çfarë rëndësie ka nëse e vlerëson apo jo publiku. Një aktor punon që të ketë dhe vlerësimin e publikut por dhe të kritikës, të kolegëve, regjisorëve. Kjo është dhe merita e penës së Naun Shundit, që  e ka shkruar këtë vepër dhe njëkohësisht ka bërë dhe regjinë. Nauni ka pjesën e tij, regji dhe shkrimin e veprës, unë si aktor kam pjesën aktoriale. Ne ishim dy në atë vepër. Një gjë shumë e bukur nga ana dramaturgjike dhe unë pa modesti e them, që dhe unë si aktor kam dhënë maksimumin tim në atë vepër.
 
Monodrama është një gjini e vështirë e teatrit. Ju vetë, si e shikoni këtë për ta përcjellë pjesën para publikut?
Teatri është gjini e vështirë, që më pas ndahet në role, në peshën që kanë ata, ndahet më pas në figurën artistike sa të vështirë e ke dhe sa futen ato brenda gamës dhe aftësive të tua aktoriale, dhe për mendimin tim çdo aktor duhet të rrezikojë dhe duhet të tentojë dhe provojë qoftë dhe atë gjë që ai mendon se është e pamundur. Dhe sa i përket monodramës, futet në atë zhanër të teatrit që është e vështirë. Je vetëm në skenë, gjithçka që ndodh në skenë në gjithë aspektin dramaturgjik të veprës ti duhet ta sjellësh i vetëm. E fundit që për publikun është e para, por për ne aktorët është e fundit, është mësimi i tekstit. Mësimi i tekstit për mua është shqetësimi i fundit, sepse është diçka “rutinë” për ne aktorët.
  
Ju me këtë shfaqje keni qenë dhe në salla të tjera teatrore në qytete, ku ka probleme, infrastruktura, financimi, etj. Çfarë duhet të ndryshojë për zhvillimin e tij?
Teatri në përgjithësi është në mjerim në Shqipëri. Aktorët janë kasta më pak e paguar e klasës punëtore shqiptare. Jo rastësisht e them klasë punëtore, sepse fatkeqësisht në terminologjinë e fjalës klasë punëtore nuk është zhdukur akoma në Shqipëri. Aktorët janë ajo klasë punëtore, që është më pak e paguar. Me një rrogë, e cila me këto çmime që janë sot nuk mbulon as shpenzimet personale që mund të ketë një individ për të jetuar normalisht. Nuk mund të them që kam vajtur në një teatër të caktuar, dhe diku kam gjetur luks e diku varfëri. E rëndësishme është, që njerëzit në skena ku ne kemi vajtur si artistë kanë pasur dëshirë të na ndihmojnë, si teknikët, drejtorët, inxhinierët e zërit apo inspektorët e skenave na kanë ndihmuar, por nga ana financiare, ana ekonomike, arti shqiptar, e sidomos teatri është në një gjendje të mjerueshme.
 
Prej kohësh edhe artistë të tjerë, njerëz të artit dhe kulturës kërkojnë më shumë vëmendje, por problemet vazhdojnë. Ju çfarë kërkoni nga institucionet?
Teatrin mund ta rimëkëmbë vetëm shteti, por këtu nuk kanë forcë ende. Kjo sepse nuk ekzistojnë edhe kompanitë private, sponsorë privatë, edhe nëse ka sponsorë privatë ekzistojnë në forma shumë të vogla për një shfaqje të caktuar. Ndaj çdo regjisor apo aktor që merr përsipër të vendosë një shfaqje në skenë do të jetë i detyruar që të gjejë 2-3 sponsorë, sepse shteti apo dhe bashkitë kanë një kuotë shumë minimale për financimin e një shfaqje teatrore. Si të gjithë artistët e tjerë edhe për mua, infrastruktura dhe financimi i teatrit është problem, sidomos financimi. Kjo sepse teatër mund të bësh dhe në rrugë, por po nuk pagove? Është çështje mbijetese. Këtu të gjithë ata që merren me teatër mbijetojnë me këtë profesion. Një aktor di të bëjë vetëm aktorin, nuk mund të jetë inxhinier apo të bëjë ekonomistin. Aktori e ka shumë të kufizuar aktivitetin. Dhe shteti duke e kufizuar akoma dhe më tepër mundësitë e tij financiare, i bie sikur e lë në rrugë. Por është vetëm dëshira  madhe e njerëzve të teatrit, e regjisorëve, aktorëve, skenografëve dhe kostumografëve, që punojnë dhe kanë pasionin për të vazhduar përpara dhe për të dalë në shfaqje që nuk po stopon teatrin. Nëse do të mungonte ky vullnet i tyre dhe kjo dëshirë, arti dhe teatri në vend do të kishte marrë fund. Fatkeqësia e kësaj, është që shteti jo vetëm tani por gjithmonë e ka kuptuar këtë dhe vazhdon t’ia shtrëngojë lakun në fyt, kjo sepse profesioni i regjisorit dhe aktorit është tepër emotiv dhe pasionant. Pasioni dhe emocioni janë gjëra nga të cilat dhe aktori e regjisori nuk mund të shkëputen. Të mëdhenjtë e shtetit kanë kuptuar këtë dhe vazhdojnë dhe shtërngojnë lakun, sepse nuk mund të lësh diçka që ti ke dëshirë, pasion, e ke jetën tënde. Ndaj ti si aktor je i detyruar të punosh dhe me një kuotë minimale pagese, dhe të lodhesh në punë pa fund, sepse ti je aktor dhe mbushesh vetëm nga ana shpirtërore, por nuk është vetëm kjo e rëndësishme, pasi njeriu nuk mund të jetojë vetëm me frymë dhe anën shpirtërore.  Minimalja një aktor duhet të mbajë një familje, këtu aktorët nuk arrijnë të mbajnë as familjet e tyre nga ana financiare. Këtu aktorët nuk po arrijnë të mbajnë as veten e tyre jo më familjen. Aktorë të punësuar Shqipëria ka jashtëzakonisht pak, ndërkohë që Akademia e Arteve vazhdon  prodhon dhe nxjerr talente të rinj. Duhen shtuar projektet, duhet hapur qesja e buxhetit e Ministrisë së Kulturës, që të fillojë të financojë më shumë shfaqje. Por sot me këtë popullsi që ka Tirana minimumi i duhen 8-9 salla teatri që nuk i ka.
 
Gjatë këtyre ditëve po merrni të tjera duartrokitje me dramën “Mallkimi i fukarenjve” në skenën e Teatrit Kombëtar.
Personazhi juaj vjen këtë herë si pronar i një club-i. Çfarë prezanton ky rol në shfaqje?
Premiera erdhi fundjavën që kaloi në Teatrin Kombëtar për të vijuar dhe në ditë të tjera në skenë. Një dramë sociale e autorit Sam Shepard me regji nga Kastriot Çipi. Një pjesë që flet mbi mjerimin, mbi përpjekjen e një familje në mjerim, që duhet të mbijetojë në realitetin që e rrethon. Ata përpiqen të mbijetojnë, gjë që fatkeqësisht e bëjnë dhe shumë familje në Shqipëri. Një vepër teatrore shumë aktuale dhe sjell të njëjtat probleme edhe pse është shkruar në vitet ’70 në Amerikë  është aktuale dhe sot. Personazhi im këtë herë është një prej atyre, që ne e shohim përditë, qoftë dhe nga gazetat apo kronikat televizive. Një pronar club-i, i cili problemet e tij i zgjidh në mënyra jo shumë korrekte, jo shumë njerëzore. Ai shfrytëzon fatkeqësinë e kësaj familjeje, duke arritur ti blejë pronën dhe tenton ti nxjerrë jashtë nga shtëpia. E njëjta gjë që mund të ndodhë dhe sot, që vjen dikush dhe të nxjerr nga shtëpia, edhe pse këta lloj tipash kanë filluar të kamuflohen më bukur, të futen në parlament, kanë filluar të bëhen më të sofistikuar, nuk janë më kaq direkt sepse punojnë me njerëz të tjerë, punojnë më kontrata, me letra më shumë, por janë po të njëjtët njerëz, janë po ata që të shfrytëzojnë.
 
Jemi te teatri, por dhe me filmin publiku ju ka parë në role të ndryshme. Përballë angazhimit me kinemanë, cilat janë projektet me të cilat je marrë së fundmi në film?
Kam pasur fatin që jam angazhuar dhe me disa projekte filmi jashtë Shqipërie. Filmi më i fundit ishte ai që është xhiruar në Rumani. Një nga produksionet më të mira filmike, që unë kam bërë në jetën time, ku kisha rolin kryesor. Filmi ishte një prodhim rumuno-italian, me aktorë mjaft të njohur amerikanë si Bruce Davison, që ka fituar një “Golden Globe” dhe njëherë i nominuar për “Oscar”. Filmi quhet "The Slider", ku luanin krah meje Tom Sizemore i njohur nga filmat (The heat), (Saving private Ryan) (Natural born killers), Darryl Hannah nga (Kill Bill 1/2), Bruce Davison nga (The X-Men), Maia Morgenstern  nga (The passion of Christ), Hal Yamanouchi nga (The Wolverine), (The way back). Aktualisht po pres të filloj xhirimet me një film të regjisorit Kushtrim Bekteshi, “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”. Kam përfunduar një pjesë të xhirimit të serialit “Skënderbeu” në “Digitalb” dhe në qershor do të rifillojmë xhirime të serive të tjera në vazhdim.
 
Në aktivitetin tuaj artistik keni sjellë personazhe të ndryshme. Ndiheni i lodhur?
Unë sa më shumë kohë që kalon, aq më pak lodhem shpirtërisht me këtë profesion që bëj, dhe nuk kam për tu lodhur kurrë, sepse ky është profesioni që dua të bëj deri në fund të jetës.
 
Intervistoi: Julia Vrapi