Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Fatbardh Marku: Nuk kemi Teatër Kombëtar, artistët në vështirësitë më të mëdha të përjetuara ndonjëherë

Postuar: 21/03/2019 - 07:24

Artistët shprehen se jeta artistike duket më e gjallë vetëm në kryeqytet, ndërsa nëpër qytetet e tjera është mjaft e vogël. Me problemet që shoqërojnë aktivitetin artistik jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe artistët pohojnë se nuk mund të flitet për politika në art dhe kulturë. Skenografi i njohur Fatbardh Marku pohon se artistët janë mbase në vështirësitë nga më të mëdhatë të përjetuara ndonjëherë. Në intervistën për “SOT” skenografi Fatbardh Marku në lidhje me mungesën e transparencës në Ministri të Kulturës shprehet se nuk ka asnjë rast, që komuniteti artistik të jetë vënë në dijeni të buxhetit apo shpërndarjes së tij për projekte të miratuara, si dhe të vlerave të pritura artistike apo të arritura nga mbështetja financiare të tyre. Problem për skenografin është dhe shkëputja e Ministrisë së Kulturës nga teatrot në rrethe me arsyetimin se kjo gjë i takon pushtetit vendor, që sipas tij solli dhe bllokim të jetës artistike. E gjithë jeta e Fatbardh Markut si skenograf ka qenë e lidhur ngushtësisht me jetën artistike të teatrit e filmit, ku ka marrë kënaqësi nga realizimet dhe rezultatet e arritura. Ai është nderuar me disa trofe, si dhe ka qenë pjesë e disa spektakleve fituese në festivale kombëtare apo ndërkombëtare.

-Ju jeni kritik mbi situatën në art dhe kulturë. Sipas jush çfarë ka ndodhur dhe si kanë ndikuar politikat nga Ministria e Kulturës?

Nuk mund të flitet për politika në art. Dua të jem i drejtpërdrejtë me ju. Vetëm një herë në gjithë jetën time artistike kam ndjerë ekzistencën dhe lidhjen me Ministrinë e Kulturës. Atëherë në detyrën e drejtorit të Qendrës së Artit të qytetit tim Elbasan, kërkova një mbështetje ekonomike për të bërë të mundur realizimin e spektaklit “Balada e Romeo dhe Xhuljetës” përshtatur kjo kryevepër në ditët e sotme, bashkëpunim ky me një trupë teatrale italiane. Kjo mbështetje u arrit edhe falë ndërhyrjes së një deputeti të kohës. Herë të tjera ekzistencën e kësaj ministrie e kam ndjere nga tre apo katër telefonata, ku më kanë kërkuar të marr pjesë në takime ku ata do mbanin disa tema. Kur i kam pyetur nëse do kërkonin edhe mendimin tonë më janë përgjigjur se nuk do ketë diskutime, kështu që kuptohet se u jam përgjigjur negativisht. Këto ditë në shtypin e ditës lexova se kjo ministri po mbështet disa vepra të trashëgimisë kulturore. Sigurisht gjë që duhet vlerësuar, por që gjithsesi është brenda detyrave të saj. Ajo që më bën të mos dakordësohem është se krenohen me mbështetjen e një aktiviteti teatral për shkollat e mesme, detyrë kjo që duhet të jetë e Ministrisë së Arsimit dhe Drejtoria Rajonale Arsimore. Gjithashtu dyshoj se a duhet të krenohen edhe për projektin e fshatrave turistike kur këtë mund ta bëjë ministria përkatëse. Pra siç shihet mbështetja për artet është minimale për të mos thënë zero. Vitin e kaluar u ringjall mbas afro 15 vjetësh Festivali Mbarëkombëtar Teatror. Ky festival u ringrit thjeshtë për të përligjur se në Teatrin Kombëtar nuk mundesh të realizohen aktivitete të kësaj rëndësie si dhe për të promovuar teatrin “ArTurbina” si një nga mrekullitë më të mëdha të arkitekturës të destinuara për teatër.

 -Një nga akuzat që artistët përsërisin në drejtim të ministrisë është dhe mungesa e transparencës me projektet dhe buxhetet. Për ju, sa është shqetësuese?

Në memorien time nuk ka asnjë rast, që komuniteti artistik të jetë vënë në dijeni të buxhetit apo shpërndarjes së tij për projekte të miratuara si dhe të vlerave të pritura artistike apo të arritura nga mbështetja financiare të tyre. Besoj se ju kujtohet një konstruksion inoksi në sheshin “Avni Rustemi” pranë Pazarit të Ri. Një konstruksion që askush nuk e dinte se çfarë përfaqësonte, kur ishte vendosur dhe çfarë funksioni kishte. Dhe një ditë ajo strukturë nuk u gdhi më në atë shesh. Ashtu siç ishte shfaqur, po ashtu ishte zhdukur dhe kërrkush nuk e vuajti largimin e saj. Por a e dini ju se sa kishte kushtuar? Asnjë nuk mund të përgjigjet. Ajo ishte vepër arti. E imagjinoni që një ditë në mëngjes te sheshi të mos gdhihet “Skënderbeu”? Sigurisht që të gjithë do pyesin...Ku?…Si?…Pse? E pra ajo ngrehinë inoksi kishte kushtuar shumë më shumë se vepra e Paskalit etj.

 -Ju jeni skenograf i vlerësuar i teatrit. Në syrin tuaj, si zhvillohet teatri sot në vend, çfarë mungon?

E gjithë jeta ime ka qenë e lidhur ngushtësisht me jetën artistike të teatrit e filmit, ku kam marrë kënaqësi të jashtëzakonshme nga realizimet dhe rezultatet e arritura. Jam nderuar me disa trofe personale si dhe kam qenë pjesë e disa spektakleve fituese në festivale kombëtare apo ndërkombëtare. Tani në përgjigje direkt të pyetjes suaj mund t’ju them se jeta artistike duket më e gjallë vetëm në kryeqytet, ndërsa nëpër qytete është mjaft e vogël për shumë arsye ku më kryesorja është shkëputja e Ministrisë së Kulturës nga kjo jetë nën arsyetimin se kjo gjë u takon pushtetit vendor. Implementimi në mënyrë mekanike e kësaj praktike perëndimore solli, për mendimin tim, bllokimin total të jetës artistike. Pa dashur të glorifikoj vitet e para ’90-tës, por kishte 12 trupa profesioniste me detyrë që të realizonin 5 deri 6 premiera në vit. Pra kishte mbi 70 të tilla, ku çdo trupë merrte pjesë në festivale me arritjen më të mirë dhe që më tej çdo trupë shkonte në turne në qytete të ndryshme. Pra edhe profesionalisht kishte ballafaqime artistike nga ku padyshim kishte arritje artistike të niveleve të kënaqshme. Sot? Artistët janë mbase në vështirësitë nga më të mëdhatë të përjetuara ndonjëherë. Unë personalisht admiroj përpjekjet e tyre titanike për të realizuar ëndrrat dhe pasionin për të prodhuar art edhe pse janë të pavlerësuar sa artistikisht, po aq edhe ekonomikisht. Edhe ai pak vlerësim ekonomik nëpërmjet një vlerësimi simbolik për arritjet dhe figurën artistike, në vitet e fundit është hequr duke i bërë si rrogëtarë të thjeshtë. Por a janë artistët të tillë, thjesht rrogëtarë? Kurrë.

-“Udha e shkronjave” dhe “Plumba Perandorit”, ishin filmat e parë televizivë që siç jeni shprehur dhe vetë keni bërë skenografinë. Çfarë mund të na thoni mbi punën tuaj dhe vështirësitë e atyre viteve?

Sigurisht që puna për këto dy filma ishte ndër punët më të bukura, që pata fatin të isha pjesë. Vështirësitë sigurisht që ishin të niveleve më të larta, por jo organizative, sepse angazhimi i administratës dhe teknikës ishte i plotë. Vështirësitë ishin artistike si dhe do të me duhej të rindërtoja e ktheja kohën mbi 100 vjet pas për të krijuar atmosferën e besueshme të viteve 1850 si dhe dramacitetin e subjektit të filmit. Për këtë u piketuam vetëm në territore të thepisura dhe pyje sa më të pashkelura. Ndërsa vështirësitë e “Plumba Perandorit” ishin disa fish më të larta, si për masivitetin po ashtu për skenat e panumërta në numër. Shto këtu edhe kostumografinë për të cilën isha po unë i ngarkuar, kuptohet që ishte një vepër e vështirësive nga më të lartat jo vetëm për kinemanë tonë, por për këdo shoqëri kinematografike. Për këtë ishte edhe detyrë e bukur.

-Për ju, si është sot kinematografia shqiptare. Sipas jush, çfarë duhet pasur në vëmendje në krijimtarinë me filmin?

Mbas 38 vjetësh pata rastin të rikthehem në kinema si skenograf falë ftesës së regjisorit Namik Ajazi. Të bësh një film është gjithmonë e njëjta gjë, kamera, prozhektor, teknikë, operatorë, garderobë, etj. Produksioni dhe emocionet janë po ato: Të krijimit. Dikur ne nuk e vrisnim mendjen për problemet ekonomike. Unë si skenograf as e dija sa kushtonte një objekt apo një projekt që doja të realizohej. Jepja projektet, i detajoja ato dhe skenat vinin të realizuara në kohën dhe vendin e duhur. Sot, në çdo skicë apo projekt që do më duhej të bëja më kujtohej gjithmonë të bëja kujdes për vlerën e tyre ekonomike. Kjo gjë ne krijuesit na stopon, frenon në imagjinatën tonë. Për këtë gjë unë admiroj të gjithë krijuesit që me shumë përpjekje realizojnë filma, teatër, etj, dhe arrijnë deri atje sa të fitojnë edhe çmime ndërkombëtare si në rastin më të fundit për filmin “Streha mes Reve”. A e imagjinoni dot sikur këta krijues të mos mendonin për ekonominë e filmit, por të merrnin krijuesit dhe interpretuesit më të mirë se çfarë veprash do të realizonin.

 -Në vitin 1974 keni bërë skenografinë e dramës “Lumi i vdekur” në Teatrin Kombëtar. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Mbasi realizuam dramën “Votra e Huaj” në teatrin Bylis-Fier, vepër e cila u hodh poshtë e nuk u shfaq për gabime ideologjike sipas pikëpamjeve të kohës, regjisorja Drita Agolli më fton të shohim mundësinë për realizimin e dramës “Lumi i Vdekur” të Jakov Xoxës. Këtë roman unë e njihja mirë mbasi e kisha kaluar shpesh herë në duar duke lexuar. Më pëlqente dhe e mirëprita ftesën, duke i thënë në atë çast se si mund ta bënim e ndërtonim spektaklin, duke u mbështetur te objekti i qerres. Ajo e mirëpriti me entuziazëm këtë. I kërkoi Kudret Velçës të bënte dramatizimin, i cili edhe ai e mori me entuziazëm dhe kështu entuziazmi nuk na ra deri sa në 1976 vepra doli në skenë. Ishte vërtetë një ngjarje e madhe e jetës artistike, por edhe kjo vepër u kritikua nga udhëheqësi.

-Po sot, sipas jush si zhvillohet jeta artistike e Teatrit Kombëtar?

Në rradhë të parë duhet të pyesim se kush janë detyrat e Teatrit Kombëtar. A i kemi të qarta këto?A mund të quhet kombëtar një teatër, që mbas 20 shfaqjeve të një vepre ta harrojë atë? A ka në repertor ky teatër qoftë edhe një vepër të realizuar një vit më parë? A mundet ky teatër të japë shfaqje në qytete të tjera të Shqipërisë e ta qarkullojë atë? Jo. Asgjë nga këto ky teatër nuk mundet ta bëjë. E pra ky teatër nuk mund të quhet kombëtar. Teatrit i janë hequr shumë nga kushtet teknike, që ne skenografëve na shërbenin për të realizuar skenografi sa më shprehëse dhe funksionale. Kështu sot në të dy teatrot me prapashtesën kombëtare mungon rrotativa, e cila edhe mund të bëhet portative, por vetëm kur skena është e ndarë në segmente, të cilat ngrihen sipas kërkesave të një projekti. Gjithashtu mungojnë magazinat e dekorëve mbi skenat, ku fshihen dekorët të cilat nuk shërbejnë për një tablo të caktuar por, shërbejnë për tjetrën. Në këto kushte të mangëta edhe skenografët janë të detyruar t'u përshtaten, duke ulur edhe vlerat artistike.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/06/2019 - 07:30

 “Annie” vlerësuar si një shfaqje për të gjithë familjen rikthehet mbrëmjen e sotme për publikun te “arTurbina”.

Postuar: 15/06/2019 - 07:29

Filmi aksion “Balkan Blood” pritet të vijë premierë për publikun në ekranin e kinemas

Postuar: 15/06/2019 - 07:28

Dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli shprehet se në teatrin shqiptar ka vullnet, ka para, por

Postuar: 14/06/2019 - 07:38

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se gjatë inspektimeve në institucione të ndryshme të

Postuar: 14/06/2019 - 07:37

Drama “Të korrat e gjelbërta" shkruar dhe me regji nga Bruno Shllaku vjen mbrëmjen e s

Postuar: 14/06/2019 - 07:35

Festival “Open on Tour”, ideuar dhe realizuar nga balerinët Enada Hoxha dhe Gerd Vaso

Postuar: 14/06/2019 - 07:33

Qendra Kombëtare e Kinematografisë me rregulloren e re fut në këshillin miratues të projekteve ed