Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Fatos Berisha: Projektet artistike të vlerësohen nga borde të pavarura, në vendimmarrje të përfshihen dhe artistët

Postuar: 07/11/2017 - 07:35

Jeta artistike në Kosovë dhe Shqipëri kërkon më shumë vëmendje dhe kujdes nga dy ministritë e Kulturës. Nuk janë të pakta problemet jo vetëm në institucionet publike të artit, por dhe në atë që quhet skena e pavarur kulturore. Regjisori i njohur Fatos Berisha pohon se skena e pavarur kulturore është pjesa e rëndësishme e jetës artistike, por që sipas tij është përballur me jo pak pengesa për zhvillimin e aktiviteteve. Regjisori në intervistën për gazetën “SOT” flet jo vetëm për problemet që janë në Kosovë, por dhe çfarë shikon në Shqipëri. Përgjegjësia sipas tij është e dy ministrive të Kulturës. Për teatrin ai pohon se deri tani është folur vetëm për rinovime dhe ka munguar një projekt nga fillimi për ndërtimin e teatrit. Kritika regjisori i njohur ka dhe për kalendarin e përbashkët kulturor, sipas tij veç tingëllon bukur dhe nuk ka atë zhvillim që presin artistët në Kosovë dhe Shqipëri. Për regjisorin Fatos Berisha, një ministër Kulture në secilin vend e ka detyrim të kujdeset për kulturën.

-Para disa ditësh në Tiranë për projektin tuaj me filmin “Cirku fluturues” ju zhvilluat audicione. Si po punohet për këtë projekt?

Për këtë projekt unë kam mbajtur audicione në Prishtinë dhe në Tiranë. Në Tiranë kam takuar një numër të madh aktorësh të Shqipërisë. Filmi im është një kooproduksion mes Shqipërisë dhe Kosovës i mbështetur financiarisht nga dy qendrat e filmit. Por dhe ngjarja e filmit ndodh në Shqipëri. Personazhet e filmit janë katër djem aktorë nga Kosova, që kanë një shfaqje në teatrin “Dodona” në Prishtinë, një histori që zhvillohet para luftës në Kosovë nga fundi i viteve ’90, ku mes një atmosferë shumë të tensionuar është një kohë e keqe. Këta katër djem janë të rinj dhe entuziastë sepse marrin një ftesë që të vijnë me shfaqjen e tyre në festivalin e të rinjve për teatër, që zhvillohet në Tiranë. Por në Kosovë çdo gjë është kaotike, mbyllet teatri “Dodona”. Një histori që është bazuar në një ngjarje të vërtetë dhe unë kam qenë një prej atyre katër djemve atë kohë në Kosovë. Aktorët duan të vijnë në Tiranë, duke menduar se po bëjnë edhe një xhest patriotik, sepse ka qenë një rrugë shumë e rrezikshme që të vije në Shqipëri ato vite pasi serbët nuk i jepnin pasaporta kosovarëve. Kjo rrugë është bërë ilegalisht në atë kohë. Ata nisen nga Mali i Zi shkojnë në Ulqin dhe kalojnë në Shqipëri ilegalisht me trafikantët e benzinës dhe naftës. E gjithë historia në film është një komedi e zezë, sepse ndodhin ngjarje të çuditshme, ngjarje qesharake por dhe tragjike. Një rrugëtim në film, i cili e përshkruan bukur gjithë atë kohë, por me një sfond të luftës së Kosovës, duke përcjellë fatin e 4 aktorëve që shkojnë në një rrugëtim. Këta mendojnë që po bëjnë një gjest të madh në kuptimin patriotik, por kur vijnë në Tiranë nuk e gjejnë veten të listuar as në festival. Pra ka qenë një udhëtim i kotë. Akoma nuk është vendosur përfundimisht për aktorët dhe xhirimet pritet të fillojnë në prill të vitit që vjen. Ndërkohë ne kemi aplikuar për financime dhe në qendrën e filmit në Kroaci, Mali të Zi dhe Maqedoni. Pra të kemi një produksion rajonal ballkanik, nëse ne marrim mbështetje prej tyre jemi të detyruar që të marrim dhe aktorë në këto vende. Prandaj ende nuk e kemi përfunduar zgjedhjen e aktorëve, janë mbi 30 personazhe në “Cirkun fluturues”.

-Çfarë po ndodh me skenën e pavarur kulturore në Kosovë, ku ju jeni dhe anëtar i bordit të rrjetit të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës. Sa ndihmohet skena e pavarur?

Ky rrjet, që ne kemi në Kosovë është organizuar nga halli, sepse na ndodhi një katrahurë, ku ai kabinet që ka për mandat të kujdeset për kulturën edhe të pavarur e goditi rëndë skenën e pavarur kulturore. Ish ministri i Kulturës në Kosovë, e dëmtoi skenën e pavarur kulturore. Ne më pas krijuan këtë rrjet, që ka bërë bashkë rreth 25 organizata të pavarura të kulturës kryesisht në Prishtinë. Ne ndërkohë jemi zgjeruar. Ne u formuam për tu mbrojtur nga ata që duhet të na mbështesnin. Na goditën duke i prerë disave totalisht fondet dhe të tjerëve, duke i shkurtuar në mënyrë drastike buxhetet. Ne kemi luftuar shumë për skenën e pavarur kulturore gjë që pati dhe jehonë ndërkombëtare. Ministrat harrojnë se janë të përkohshëm, por artistët nuk janë. Tani me kabinetin e ri në ditën e dytë të punës është ftuar bordi i RIPAK për të biseduar. Kjo dëshmon për një qasje të re dhe pozitive. Ne do të shikojmë se si do të vijojnë punët, por fillimi duket i mbarë. Një qasje që ne na jep shumë shpresa.

-Ju e ndani kohën mes Tiranës dhe Prishtinës me projektet tuaja. Në Tiranë përfaqësues të skenës së pavarur kulturore kanë shprehur jo pak pakënaqësi ndaj Ministrisë së Kulturës. Si e shikoni këtë situatë?

Një ministër Kulture në secilin vend e ka detyrim të kujdeset për kulturën. Kultura nuk kupton vetëm institucionet shtetërore, që janë publike në varësi të ministrisë, por është dhe skena e pavarur kulturore. Madje për mua skena e pavarur kulturore së paku në Kosovë është pjesa më vitale, që prodhon kulturë dhe është nonsens nëse nuk ka kujdes për të. Tani unë nga përvoja në Kosovë, moskomunikimi me skenën e pavarur kulturore si në Shqipëri dhe Kosovës sjell vetëm dëm. Nëse mund të jap një këshillë, përfaqësues të skenës së pavarur kulturore të Shqipërisë duhet të jenë bashkë. Në Kosovë neve na ka bërë bashkë halli, sepse dhe ne jemi shqiptarë sikur ju në Shqipëri. Zëri i skenës së pavarur kulturore, i artistëve duhet të dëgjohet në Shqipëri. Ne në Kosovë bëmë si të thuash një luftë që e çoi zërin e skenës së pavarur kulturore atje ku duhet.

-Në Shqipëri ka pasur përfaqësues të festivaleve, që janë shprehur se Ministria e Kulturës jep buxhet poshtërues për aktivitetet...

Kjo ka ndodhur dhe në Kosovë, që financimet jo vetëm që kanë qenë të pakta për aktivitete, por me atë buxhet të vogël që kanë dhënë në një qasje që mendojnë t’u japin të gjithëve nga pak për t’i kënaqur, por në fund dalin të gjithë të pakënaqur. Unë jam kundra kësaj. Ajo që unë mendoj edhe në Shqipëri duhet të bëhen kriteret dhe komisionet apo bordet të jenë të pavarura për miratimin e projekteve të jenë të pandikuara nga politika dhe të përfshihen në vendimmarrje dhe artistët e skena e pavarur të jetë brenda këtyre komisioneve, sigurisht duke funksionuar mbi bazë të rregullave. Në Kosovë sipas bisedës me ministrin e ri do ta bëjmë vitin që vjen, e kemi shpresën. Por kjo duhet menduar dhe në Shqipëri. Nëse nuk dihet pse te ky projekt apo festival a shfaqje merr atë x apo y buxhet atëherë ka mungesë transparence. Ku është transparenca e ministrisë, me çfarë kriteri e masin vlerësimin e projekteve? Natyrisht që duhet të mbështeten dhe aktivitetet e reja, por duhet vëmendja dhe ndaj atyre që janë tradicionale, por që kanë arritur diçka në skenën e pavarur kulturore. Duhet transparencë në Shqipëri të fondeve publike, dhe bashkohem me artistët këtu që e kanë pohuar këtë gjë. Publikime të buxheteve, publikime të emrave të komisioneve dhe mbi çfarë bazash janë vlerësuar projektet. Kjo duhet të jetë mos të mungojë. Fatkeqësia është dhe në faktin, sepse kur shikojmë në fushata zgjedhore në gjithë ato debate të politikanëve që bëhen, vetëm fjala kulturë dhe art nuk përmendet. Gjithë atë zhurmë që bëjnë kultura pothuajse nuk përmendet, kultura nuk është në prioritet e nivelit lokal dhe atij qendror. Nuk e llogarisin artin dhe kulturën. Kjo është për të ardhur keq për ne si artistë, është si një bombë me sahat kur një shoqëri kulturën nuk e ka në asnjë prioritet atëherë ne do të krijojmë gjenerata të tëra me mungesë të konsumit të kulturës, sepse vetëm me arsim nuk mjafton. Njeriu i pakulturuar është po aq i rrezikshëm sa njeriu i paarsimuar. Ndaj është detyrë e ministrive të Kulturës, qeverive që ta kenë në vëmendje artin dhe kulturën. Ne shikojmë që kemi suksese me filmin shqiptar, por jo aq me teatrin. Këto suksese që po na ndodhin me filmin duhet të ishin dhe për teatrin. Vërejtjet që kam unë shkojnë për të dyja ministritë e Kulturës, edhe pse unë më shumë e njoh gjendjen në Kosovë. Por kam dhe një kritikë për kalendarin e përbashkët kulturor.

-Ku shkojnë kritikat tuaja për kalendarin e përbashkët kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Unë do të kisha pasur shumë dëshirë më së pari që ta di se çfarë është ai kalendari i përbashkët kulturor. Është një gjë që kur takohen ministrat thonë: e bëjmë kalendarin kulturore, por unë nuk e di se çfarë është. Mua më mungon informacioni dhe besoj si unë ka dhe të tjerë. Uroj të jem gabim, por nuk e di çfarë është kalendari kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ne duhet të jemi pjesë e kalendarit jo vetëm si fjalë mes ministrave. Kalendari i përbashkët kulturor tingëllon bukur dhe kaq, nuk e di se çfarë është. Çfarë ka në atë marrëveshje për kalendarin? Mendoj që kalendari kulturor deri tani ka qenë vetëm një improvizim. Më pas rrugës duke parë e duke bërë, shto ujë e shto miell. Ne jemi skena e pavarur kulturore, ne dimë që janë gjithë ato institucione dhe nuk dimë a është apo jo dhe skena e pavarur kulturore. Nuk e dimë nëse jemi pjesë e kalendarit me aktivitetet tona. Nëse nuk është skena e pavarur kulturore unë se di atëherë se çfarë qenka ai kalendar. Nëse flitet vetëm për institucione të shtetit atëherë është pa lidhje. Ne jemi të gjithë artistë, jemi të lirë. Unë pres që ta kuptojmë se çfarë është, kush dhe pse bëhet pjesë e atij kalendari.

-Si regjisor, te teatri sot qoftë në Shqipëri apo Kosovë çfarë ju shqetëson?

Unë dëgjova disa fjalë të aktorit Enver Petrovci në Prishtinë në mbyllje të festivali të teatrit. Ai tha teatrot ndërtohen nga mbretër ose shtete, por unë ende nuk di që është ndërtuar një teatër prej fillimit. Jo për rinovime, por prej zeros të fillojë ndërtimi i një teatri një institucion siç duhet.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2017 - 07:56

Miqtë dhe familjarët i dhanë lamtumirën e fundit kompozitorit Aleksandër Lalo, që u nda nga jeta në moshën 68 vjeçare nga një atak kardiak. Homazhet në nder të kompozitorit  u zhvilluan në hollin e RTSH-së, ku në sfond ishin kolonat zanore të Aleksandër Lalos.

Postuar: 21/11/2017 - 07:55

Komedia “I ligu për mend” nga Gjergj Fishta me regji të Altin Bashës pas Prishtinës vjen sonte në skenën e Teatrit Kombëtar.

Postuar: 21/11/2017 - 07:53

Specialistë të trashëgimisë kulturore pohojnë se Ministria e Kulturës kryen ndërhyrje minimale te monumentet dhe miraton dhe leje që janë në shkelje me ligjin.

Postuar: 20/11/2017 - 11:44

Po zhvillohen homazhet nisur në orën 11:00 në nder të kompozitorit të njohur Aleksandër Lalo, i cili u nda nga jeta pas një ataku kardiak.

Postuar: 19/11/2017 - 08:06

Juria e Panairit të Librit shpalli fituesit e edicionit të njëzet.

Postuar: 19/11/2017 - 08:05

Ekspozita "Tirana urbane grafike" u çel në Muzeun Historik Kombëtar me punime të autorit të njohur Rakip Shabani.

Postuar: 19/11/2017 - 08:01

Gjashtë dekada Ansambli Kombëtar u shënuan përmes koncertit në skenën e Teatrit Kombëtar.