Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ferdinand Hysi: Arti dhe teatri janë lënë në mëshirën e fatit, mungojnë festivalet dhe konkurset

Postuar: 09/10/2019 - 08:09

Jeta artistike dhe kulturore në vend përballet me probleme të ndryshme. Autorë të dramës shprehen se duhet bërë shumë më tepër për të pasur vepra shqiptare në skenat teatrore. Sipas tyre, mungojnë konkurset dhe festivalet nga institucionet. Në intervistën për “SOT”, dramaturgu i njohur Ferdinand Hysi shprehet se është lënë pas dore arti dhe jeta artistike në vend. Sipas tij, duke qenë në plan të parë politika dhe zhvillimet e saj, arti dhe në veçanti teatri janë lënë në mëshirën e fatit. Për dramaturgun e njohur Ferdinand Hysi sot duhet të gjenden format dhe mënyrat për ta stimuluar dramën shqipe më shumë dhe për ta bërë konkurruese jashtë kufijve të saj. Këto ditë në skenat tona teatri “Mërgimtari” i Kroacisë prezantoi veprën “Lopata e artë” shkruar nga Ferdiand Hysi. Një bashkëpunim, që autori e vlerëson jo pak. Me veprat e tij si dramaturg Ferdinand Hysi shprehet se është munduar që të trajtojë tema, të cilat prekin disa nga plagët e shoqërisë.

 

-Vepra juaj "Lopata e artë" është shfaqur në skena të ndryshme. Si erdhi bashkëpunimi me regjisorin Leonard Hamitaj?

Drama "Lopata e artë", në fakt monodramë, ku angazhohen dhe dy aktorë të tjerë, është vënë në skenë nga teatri shqiptar "Mërgimtari" në Kroaci, nën regjinë dhe interpretimin e Leonard Hamitaj. Ky bashkëpunim lindi pas vënies në skenën të "Tri mendje në ankand" në gjuhën kroate, vitin e kaluar nga kjo trupë. Premiera e monodramës u shfaq në gjuhën shqipe (më vonë do vihet dhe kroatisht) në teatrin “Petro Marko” në Vlorë dhe më pas në një turne të suksesshëm në Tiranë, Durrës dhe Fier. Unë si autor i dramës shpreh vlerësimin tim për punën e Leonardit si regjisor i pjesës, por dhe interpretimin e tij, ku spikati mendimi, plastika dhe llogjika e të çuarit të idesë deri në spektatorin e fundit. Sinqerisht ishte një punë me shumë pasion, dashuri dhe profesionalizëm, gjë që u reflektua dhe shumë spektatorë e ndoqën shfaqjen.

-Në këtë vepër ju keni pohuar është drama e njeriut të thjeshtë. Çfarë ndodh me kohën sot?

"Lopata e artë" është drama e njeriut të thjeshtë, e një varrmihësi, që gjitha jeta e tij ka kaluar nëpërmjet një kalvari vuajtjesh, përçmimesh, indiferentizmi dhe kur papritmas, pasi vdes e sheh veten të nderuar me një dekoratë "Lopata e artë", i përcjell me një ceremoni të madhe, me një fjalim të kryetarit të bashkisë dhe i veshur me rroba, që nuk i kish parë sa ishte gjallë. Me dyshimin e madh se kush ishte ai në të vërtetë, ai para se të vdiste, apo ky i ceremonisë, çohet nga varri të zgjidh këtë dilemë. Drama thërret fort: “Nderojeni dhe vlerësojeni njeriun sa është gjallë, se pasi vdes nuk ka më asnjë rëndësi për atë vetë”. Pikërisht në kohën e sotme ky fenomen është bërë më i prekshëm, ku shpesh luhet me jetën dhe personalitetin e njeriut, deri në hipokrizinë e një shoqërie që pasi vdes, për interesat e saja, të dhuron atë që ta ka mohuar më parë.

-Me veprat tuaja dhe më parë në skena keni përcjellë mesazhe për shoqërinë, keni prekur problematika jo pak. Si dramaturg çfarë mund të na thoni?

Unë jam munduar që në veprat e mia të trajtoj tema, të cilat prekin disa nga plagët e kësaj shoqërie, që përjetojmë, duke përdorur si mjet sarkazmën, ironinë duke i qëndruar stilit të një drame satirë. Në këtë drejtim them kam tentuar sado pak që veprat e mia, jo vetëm të jenë të pëlqyeshme artistikisht për spektatorin, por të kenë dhe një mendim, të thonë një problem, pse jo dhe të akuzojnë dhe të vënë gishtin në plagë dhe fenomene që janë sot të prekshme, reale dhe konkrete, për njeriun dhe fatet e tij në shoqërinë që jetojmë. Në fund të fundit unë mendoj se ky është dhe roli i artistit në kohën e sotme.

-Çfarë po ndodh sot për artin? Si e shikoni zhvillimin dhe problemet që ndesh jeta artistike?

Në realitetin, që po jetojmë sot, si në të gjitha fushat, unë përjetoj si të mënjanuar dhe të lënë më shumë pas dore artin dhe jetën artistike në vend. Duke qenë në plan të parë politika dhe zhvillimet e saj, në mendimin tim, arti dhe në veçanti teatri, se ai më dhemb më shumë, janë lënë në mëshirën e fatit, të lënë mënjanë, në përpëlitjet e disave që duan të mbijetojnë e ndoshta kanë mbetur thërrimet e dëshirave të tyre për teatrin. Për mua kjo është shumë shqetësuese dhe me pasoja. Mungojnë festivalet, mungojnë konkurset, lëvizjet e trupave në qytete të ndryshme. Unë flas nga këndvështrimi im si dramaturg, jashtë institucioneve dhe ndoshta nuk i njoh mirë të gjitha problemet reale, por ky perceptim ndeshet me këdo se takoj dhe bisedon për probleme të përbashkëta.

-Autorë të ndryshëm janë shprehur se mungon drama shqipe në teatro. Pak pjesë shqiptare vihen në skena. Sa është kjo shqetësuese për ju?

 Problemin e mungesës së dramës shqipe tek ne unë e kam thënë dhe më parë disa herë. Ndoshta duke qenë vetë autor i kësaj dramë, dikush mund të mendojë se kjo që po them natyrisht nuk është objektive, por unë jam i bindur, që drama shqipe, ajo që është, të paktën në sa si, ekziston por problemi është se ne pak merremi me të, si nga ana institucionale ashtu dhe nga ana e disa regjisorëve. Mungojnë konkurset letrare për dramaturgjinë, stimulimi i teatrove profesionistë nëpërmjet festivaleve për dramën shqipe, forma të ndryshme për ta nxitur atë dhe nëpërmjet shkollave të mesme, por dhe tek vetë Akademia me studentët e saj. Një gjë është qartë. Kjo nuk duhet të mbetet në thjesht dëshira apo nxitje instiktive. Për mua ky duhet të jetë një obligim kombëtar. Një problem nuk zgjidhet me mohimin e thjesht dhe pa përgjegjësi "nuk kemi dramë shqipe ", por me pohimin që e kemi dramën shqipe dhe të gjejmë format dhe mënyrat për ta stimuluar atë më shumë për ta bërë dhe konkurruese jashtë kufijve të saj.

-Ju pohoni si problem dhe mungesën e festivalit për dramën shqipe. Edhe autorë të tjerë janë shprehur për këtë problem, duke kërkuar vëmendjen e Ministrisë së Kulturës. Mungesa e një e festivali çfarë sjell?

Festivali me dramën shqipe i organizuar nga institucionet mbahet mend, që ka qenë ai i vitit 2012, që ishte për Pavarësinë. Pas këtij festivali nuk pati më, por dhe ai u bë pas një shkëputje të madhe, ku i fundit ishte zhvilluar në 2004 në Tiranë dhe 2005 në Vlorë. Në 2004 ishte dhe për dramën shqipe dhe aty mora çmimin “Aleksandër Moisiu” si autor për veprën teatrore “Shtëpia e Ujkut”. Në 2012 për Pavarësinë i parapriu dhe një konkurs, që u hap nga Ministria e Kulturës për dramën shqipe. Atë kohë që unë isha dhe vetë në ministri, u paraqitën gati 60 autorë dhe u vlerësua drama e autorit Bashkim Kozeli, që u vu në skenën e Teatrit Kombëtar, më pas u bë dhe festivali në nëntor të vitit 2012. Pas kësaj unë nuk di të ketë më konkurse për dramaturgjinë shqipe, që të konkurrojnë dhe të rinjtë. Në Akademi kam vënë re, që te punimet e studentëve nuk vënë ndonjë pjesë nga drama shqipe. Gjithmonë me drama të huaja dhe gati të përsëritura gjithmonë. Problemi qëndron, që nuk e merr njeri përsipër për ta zgjidhur. Të gjithë flasin, e dimë që nuk ka dramë shqipe në skena, por asnjë nuk e merr përsipër për ta zgjidhur këtë problem. Ne duhet ta kemi dramën shqipe në skena. Nga një festival që paraqiten 10-12 vepra, sikur 1-2 vepra të dalin themi që kemi realizuar diçka. Por po thamë nuk ka, nuk bëhet, etj, nuk ka për tu bërë kurrë. Në Gjilan është një festival, që vlerësohet drama shqipe. Duhet patjetër, që të stimulohet drama shqipe. Por dhe teatrot kryesorë duhet të kenë në programin e tyre, që patjetër të vihet në skena dramë shqipe. Këtu i lihet në dëshirën e regjisorit. Ta vësh dramën shqipe është e vështirë, sepse do të përballesh për herë të parë me publikun, kurse kur merr një dramë të huaj duket sikur e kanë më lehtë. Por ne dhe kur shkuam në Vjenë me “Tri mendje në ankand”, gjëja e parë që na thanë, nuk ju duam të vini më dramë të huaj, por me tuajën. Te ne shumë trupa teatrore dhe kur gjejnë mundësinë për të dalë jashtë në skenat e huaja shkojnë me vepra të huaja dhe jo shqiptare, që teatri jonë të vazhdojë me dramën e tij. Në të gjithë drejtimet nuk punohet për dramën shqipe, por vetëm ankohemi. Në kaq vite unë nuk po dëgjoj një formë se si do bëhet për tu zgjidhur ky problem. Ka qenë dikur Festivali i regjisorëve të rinj dhe unë e kam propozuar vetë të bëhet edhe festivali i dramaturgëve të rinj. Para disa vitesh u bë një konferencë teatrore për teatrin dhe u tha që do të bëhej një festival për dramën shqipe një herë në Shqipëri dhe një herë në Kosovë. Ajo u quajt konferenca e parë e dramës shqipe dhe asgjë nuk u bë më pas.

-A po shkruani një vepër tjetër teatrore?

Në fakt kam 2 -3 vepra të tjera, që i kam në proces shkrimi. Le tua lëmë kohës dhe mundësive reale të realizimit të tyre, natyrisht dhe dëshirës së regjisorëve për tu marrë me dramën shqipe.

 

 Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/11/2019 - 07:42

E hëna për muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”, është dita që i kushtohet publikimit të materialeve të arkivës.

Postuar: 12/11/2019 - 07:39

Panairi i Librit në Tiranë mbërrin në edicionin e tij të 22.

Postuar: 12/11/2019 - 07:38

Kalaja e Beratit është vizituar nga 131.157 vizitorë në dhjetë muaj.

Postuar: 12/11/2019 - 07:35

Drama “Zogu i Zi” vjen këtë fundjavë për publikun në skenë te “ArTurbina”

Postuar: 10/11/2019 - 07:50

Piktori i njohur Anastas Kostandini i vlerësuar me aktivitetin tij brenda dhe jashtë vendit, së f

Postuar: 10/11/2019 - 07:48

Shfaqja “Collective Trip 7.0” vjen në skenë për publikun me interpretimin e artistëve

Postuar: 10/11/2019 - 07:47

 Për kinematografinë në vend flitet shumë, por me probleme janë dhe prodhimet e filmave të r