Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gazmend Leka: Kumbaro viktimë e “jeniçerëve” që kërkojnë përfitime personale, përhapi indiferencën si murtajë...

Postuar: 10/12/2017 - 09:53

Piktori Gazmend Leka pohon se 2017 që po shkon drejt fundit do ta memorizojë si viti i Tasos, pasi kryefjala në krijimtari ka qenë cikli prej 21 pikturash “Taso”. Me pjesëmarrje në ekspozita të ndryshme me veprat e tij, por dhe ekspozita personale Gazmend Leka është një nga emrat e vlerësuar në artin pamor në vend. Në ekspozitën “Nëntori” piktori u prezantua me tablonë “Lutja” për të cilën pohon se e konsideron si një ndër veprat më të dashura të tij. Në muajin e fundit të vitit piktori i njohur flet jo vetëm për aktivitetin e tij artistik, por ndalet dhe te problemet e artistëve. Kritikat shkojnë në drejtim të Ministrisë së Kulturës, që sipas tij ka raste që financohen projekte individuale, disa prej të cilave gati - gati nuk sjellin asgjë në hartën e kulturës shqiptare dhe qëndron indiferente ndaj piktorëve shqiptarë. Në intervistën për “SOT” piktori Gazmend Leka pohon se me ekspozitën “Nëntori” në 20 vjetor ministria iu dhuroi artistëve një copë mur dhe një gozhdë për të varur pikturat. Piktori flet dhe për GKA dhe problemin me buxhete e pakta që nuk lejon të blihen vepra arti nga piktorët.

-Ekspozita “Taso”, e cila u çel para disa kohësh në galerinë FAB dhe më pas ekspozita “Nëntori” duket se kanë qenë prezantimet tuaja të fundit për këtë vit me pikturën. Jemi në muajin e fundit të 2017, si ka qenë aktiviteti juaj artistik përgjatë një viti, puna juaj ku ka qenë e fokusuar me pikturën?

Studio ime këtë vit ka qenë e mbarsur me piktura dhe me cikle të reja, por unë periudhën njëvjeçare që po lë pas, do t’a memorizoj si vitin e Tasos, pasi kryefjala për 2017, ka qenë cikli “Taso” prej 21 pikturash. Ky është dhe kalendari im. Jetën time krijuese, e kam të ndarë sipas një kalendari personal. Viti “ Nostradamus”, viti “Ikarus”, viti “Black Box”, viti “Molla”, viti “Natura Morta” dhe së fundmi viti “Taso”. Është një kalendar shumë më kuptimplotë për mua, sesa një kalendar numerik. Kjo lloj ndarje, m’a ngjyros jetën në ndalesat e njëpasnjëshme dhe i jep kuptim asaj. Por, krahas ciklit të fundit, kam ngjizur edhe disa cikle paralele, sikurse “Jeta si një teatër”, apo projektet për “Cikli i Kreshnikëve”, apo përgatitja për perfomancën, shoqëruar me bisedën e hapur “Kuq e zi, geni i shqiptarëve” etj. Ndërkohë, po vinte ekspozita “Nëntori 20” në Tiranë dhe ekspozita vjetore “Vilson Kilica” në Fier. Tek “Nëntori 20” ekspozova pikturën “Lutja”, që e konsideroj si ndër pikturat më të dashura të mijat.

-Po flasim për ekspozitat, por edhe këtë edicion, në 20 vjetor “Nëntori” nuk gjeti mbështetje nga Ministria e Kulturës. Një ekspozitë në jubile, e cila nga Ministria e Kulturës mori falas vetëm sallën e muzeut kombëtar. Në gjykimin tuaj çfarë mund të na thoni?

“Siç po duken bathët”, as nuk pres të ketë një mbështetje serioze, sikurse e meritojnë 28 piktorët e të gjitha moshave dhe për më tepër, që ndër ta, ka artistë me një krijimtari shumë të pasur e të larmishme ndër vite. Ministria e Kulturës edhe si mbështetëse projektesh, duhet të jetë e qartë për çka ka ndodhur në historinë e pikturës shqiptare pas viteve ‘90. Është prurja më e madhe e piktorëve në grup. Shumë nga bashkësitë e artistëve që lulëzuan pas viteve 90, u tretën si mirazhe. I vetmi grup në këto 20 vjet, mbeti “Nëntori”. Kur sheh që financohen projekte individuale, disa prej të cilave gati - gati nuk sjellin asgjë në hartën e kulturës shqiptare, nuk ka se si mos të bëjë përshtypje kjo indiferencë ndaj 28 piktorëve shqiptarë, veprat e të cilëve janë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve si asete kombëtare. Kjo indiferencë, përhapet si murtajë. Fillon si një thashethem për gjunjëzimin e pikturës përballë shprehjeve të reja bashkëkohore dhe së fundmi, ushqehet e mbahet gjallë nga zërat prej jeniçeri, që nuk njohin as nënë e as babë, por që kanë për qëllim vetëm një gjë, nguljen e flamurit në bedenat e Ministrisë së Kulturës, për të përfituar financime personale. Më pas “mendimet e vyera” institucionalizohen dhe indiferentizmi zbret deri tek firma e ministres, e cila bëhet “viktimë” e pëshpëritjeve, nënqeshjeve, mohimeve të tyre ndaj pikturës “mjerane”. Së fundmi, të duket normale që askush nga ministria të mos duket në sallën e ekspozitës, qoftë edhe për të përshëndetur “festimin” e një viti të tillë të veçantë, sikurse viti jubile i formimit të grupit. Piktorë në moshë të thyer, që kanë qenë dikur artistët më të mirë të vendit, e që meritojnë të ekspozojnë në sallat e GKA, “katandisen” për të ardhur keq, duke kruajtur xhepat e pensionit të vockël, për t’u shfaqur përpara publikut, që vite e vite me radhë i ka ndjekur me kërshëri, respekt, deri në adhurim. Në sallën e ekspozitës sheh vetëm  artistë pjesëmarrës, dashamirës e artdashës të shumtë dhe tek- tuk ndonjë media miqësore. Pas një kohëzgjatje banale prej disa ditësh, e padenjë për një ekspozitë, bërë me mund, indiferenca zë shtratin e vet të vërtetë. U dhuroi artistëve një copë mur dhe një gozhdë për të varur pikturat. 

-Jemi në kohën kur pritet të emërohet drejtori i ri i GKA. Një konkurs që ka sjellë në garë disa emra për drejtues. Çfarë kërkoni për GKA nga drejtuesi i ri që do të vijë dhe nga Ministria e Kulturës?  

Kam folur shumë për Galerinë Kombëtare të Arteve, pasi vite me radhë, kam pasur edhe përgjegjësinë e të qenit anëtar në Këshillin Artistik. Kjo përgjegjësi, më ka bërë të shprehem me ndjeshmëri, si në këtë organizëm, ashtu edhe në media, vetëm atëherë kur kam parë deformim të institucionit. Për fat të keq, deformimi vinte nga drejtuesit, të cilët shumë shpejt mbas emërimit të tyre, e konsideronin galerinë si feudin e tyre. Për shumë arsye institucioni më i madh i Arteve të Bukura, ka funksionuar si një i sëmurë me emfizemë, që nuk ngopej me frymë. Së fundmi, dëgjova për konkursin e përzgjedhjes së drejtorit te ri. Është një sjellje normale institucionale sipas rregullores. Konkursi është i hapur për të gjithë dhe ata që kanë hyrë në garë, mbajnë mbi shpatullat e tyre një krijimtari apo eksperiencë të qëndrueshme në art. Nuk ka pse mos të përzgjidhet më i miri ndër të mirët! Por jam kurioz se ç’do të ndodhë më pas, për më tepër që nga një “thashethem” i bukur, dëgjova se Ministria e Kulturës e ka vënë GKA në prioritetet e saj. Ky është më së fundmi një lajm shpresëndjellës! Drejtuesi i ri i GKA. nuk ka nevojë të “shpikë” një GKA të re, mjafton të hedhë vështrimin tek qëllimi i krijimit të saj. U ndërtua në funksionin e një Muzeu Kombëtar, për të konservuar, mirëmbajtur dhe ekspozuar pasurinë e patundshme të artistëve shqiptar. Kjo pasuri u trajtua me kujdes para viteve 90, me një linjë ekspozicionale, e cila më pas, vit pas viti u nëpërkëmb nga kapriçot e drejtuesve, deri aty sa krijimtaria pas viteve 90 u “zhduk”, me përjashtimin e vetëm të një rasti ringjalljeje të linjës, kur drejtonte Rubenc Shima. Kjo, mendoj se është detyra imediate e drejtuesit te ri. Kur GKA do mbushet me frymë, do ketë vend edhe për projektet e stafit të studiuesve, që pak u është lënë vend ta thonë profesionalisht fjalën e tyre. Gjithashtu, të ketë në vëmendje dhe rimbledhjen e gjithë veprave të shpërndara në vilat qeveritare dhe në zyrat, deri në Presidencë! Nuk besoj se ndodh në ndonjë vend të botes kjo sjellje ndaj një Muzeu Kombëtar! Institucionet duhet të formojnë koleksionet e tyre të pavarura, duke blerë vepra arti apo duke dhënë porosi tek artistët. Është detyrë të stimulohet më parë një vepër arti, sesa një urinore e artë në zyrë, të cilën do ta kishte zili edhe Marsel Dyshamp (Marcel Duchamp). Po nuk startoi kështu, pak shpresë kam se do rimëkëmbet siç i ka hije.

 

-Një problem i GKA  është dhe fakti që pre vitesh nuk po mundet dot të blejë vepra nga piktorët shqiptarë për shkak të mungesës së buxhetit. Sa shqetësuese vijon të jetë kjo për ju?

Është asfiksi për GKA. Është një nga dëmet më të rënda edhe për historinë e arteve të bukura shqiptare. Është fenomen i pas viteve ‘90. Kohë pas kohe, pasurimi me vepra i fondit të GKA u harrua, a thua se nuk kishte ekzistuar kurrë si traditë, prandaj sot nuk ka një drejtpeshim për periudhat që ekspozohen. Rëndon realizmi socialist, ose më mirë të themi, se vetëm ai ekziston. Këtë sjellje mund ta pagëzosh me shumë emra, por unë po zgjedh vetëm njërin...Atentat. Është atentat ndaj artit, artistëve dhe ndaj historisë së artit shqiptar!

-Ekspozita dhe konkursi “Onufri” e vetmja që merr buxhet nga ministria, për ju ku janë problemet në zhvillimin e saj dhe çfarë duhet të ndryshojë?

Është një traditë e mirë e ministrisë që vazhdon të financojë “Onufrin”si aktivitet. Ishte shumë i rëndësishëm. Sot, “Onufri” me gjithë makiazhin që i bëhet me “kuratorët” e huaj që zbresin si me parashutë e që largohen me xhepin plot, pa kuptuar asgjë për prurjet në artin shqiptar, me gjithë “përzgjedhjen” e tyre me pikatore, përballë një cunami veprash dhe artistësh, aktiviteti është katandisur në një qenie atrofike. Kalon pa lenë asnjë gjurmë, përveçse disa çmimeve që shpërndahen përpara një hiçpubliku. Të ishte për një aktivitet tjetër, nuk do të flisja kështu, por “Onufri” u deformua sipas orekseve të atyre që nuk kanë dëshirë të kuptojnë se çfarë ndodh vit pas viti në Shqipëri. Kam folur aq shumë, sa nuk ka më kuptim të shtoj qoftë edhe një fjalë. Kujt i duhet ky “Onufër”?! Shqipërisë jo e jo. Ndonjë studiues arti, vite më vonë, po të hapë dosjet e aktivitetit për të kuptuar dhe shkruar për fenomenin shqiptar në art, nuk do njohë të vërtetën dhe historikun e krijimit vit pas viti, përveçse disa emrave sporadik që duken dhe zhduken si me magji nga horizonti artistik.

-Në intervista me piktorë të ndryshëm, ata pohojnë se mungon vëmendja e ministrisë për të ditur se ku janë sot studiot e tyre dhe me çfarë problemesh përballen në aktivitetin krijues. Çfarë kërkoni?

Artistët janë në gjendje shumë të keqe dhe të deprimuar. Dolën nga e shkuara pa një “pasuri” veç veprës së tyre, që po u kalbet në studio dhe kjo, jo për faj të pazotësisë së tyre. Shumë u dorëzuan. Një pjesë tjetër zgjodhi rrugë më të lehta e pa shumë investime. Nuk them se vetëm Ministria e Kulturës e ka detyrë të detyrueshme, por për mua duhet ndërtuar një master- plan, jo vetëm për të mbështetur krijuesit në ekspozimet brenda vendit, por edhe për t’i çelur ato jashtë, pse jo në galeritë më prestigjioze, si përfaqësuese të vendit, për të mos u tretur nëpër qoshet e metropoleve si jetime. Jemi vend me shtrirje gjeografike të vogël, por në çdo hartë do ta gjesh Shqipërinë fizike, ndërkohë që Shqipëria shpirtërore mungon, a thua se nuk ka ekzistuar kurrë.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 40

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/12/2018 - 07:48

Artistët e teatrit të Operës dhe Baletit me veprën “Carmen” në skenën e teatrit të Beogradit.

Postuar: 16/12/2018 - 07:47

Galeria Kombëtare e Arteve këtë vit deri tani asnjë njoftim për ekspozitën “Onufri”.

Postuar: 16/12/2018 - 07:46

Kalendari artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka dhënë rezultatin, që presin artistët.

Postuar: 15/12/2018 - 22:57

Shekulli i 20-të i hapi rrugën medias masive, me të cilën e gjithë bota jeton në moment ndryshi

Postuar: 15/12/2018 - 07:50

Në Bibliotekën Kombëtare u zhvillua dje ceremonia për Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë “Lumo

Postuar: 15/12/2018 - 07:49

Tragjikomedia “Hollyshit” vjen këtë mbrëmje për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar

Postuar: 15/12/2018 - 07:42

Në muajin e fundit të këtij viti artistët shprehen se vijuan të njëjtat probleme me jetën artisti