Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Genc Mulliqi: Në GKA ka vdekur ana muzeale, problem madhor varësia nga Ministria e Kulturës

Postuar: 08/03/2019 - 07:15

Galeria Kombëtare e Arteve është një institucion që nuk ka dinamizëm. Për skulptorin dhe piktorin Genc Mulliqi kjo është paaftësi e stafit të galerisë, por dhe e Ministrisë së Kulturës që deri tani nuk e ka kuptuar këtë problem. Në intervistën për “SOT” artisti dhe pedagogu i arteve Genc Mulliqi shprehet se për GKA ka shumë për të bërë, por duke qenë dhe një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës ka gjëra që çalojnë në punën e saj. Sipas tij, në Galerinë Kombëtare të Arteve ana muzeale ka vdekur, gjë e cila është shumë problem. Për artistin e njohur problem mbetet dhe fakti që reparti i artit bashkëkohor qëndron mbyllur në GKA, duke mos u ekspozuar veprat që janë në fond të pas viteve ‘90. Si skulptor Genc Mulliqi ndalet dhe në problemet që shikon me veprat e artit në Tiranë. Sipas tij duhet mirëmenduar vendi se ku vendosen veprat, sepse sot është kthyer në një qyet kaotik nga ndërtimet e shumta.

-Në punën tuaj si artist me krijimtarinë ku jeni fokusuar gjatë kësaj kohe, në planet tuaja a është një ekspozitë këtë vit?

Kam 6-7 muaj, që unë kam punuar vetëm pikturë, dhe ka qenë në përgjithësi një kërkesë e re. Unë kam punuar gjithmonë pikturë, por kjo ka një tjetër përqasje vizualisht të re me atë çka kam bërë unë deri tani. Megjithatë unë kisha një shtysë të brendshme dhe punoja pa pasur në plan një ekspozitë. Por para një muaji jam ftuar për të hapur një ekspozitë personale bashkë me një person tjetër në Perugia të Italisë nga një kurator italian, që do të jetë në muajin gusht. Por e shikoj tani që këto piktura, të cilat i kisha bërë pa plan për diçka janë shumë të përshtatshme për situatën atje, sepse është një ngarkesë e imja emocionale, që është hedhur aty dhe mendoj që është e çlirët nga çdo temë ose subjekti megjithëse kanë një situatë, e cila mund të lidhet me një koncept të caktuar. Por unë vazhdoj të punoj, sepse kam dhe projekte për të punuar në skulpturë. Në atë ekspozitën në Itali kërkohet jo vetëm pikturë prej meje, por kryesisht skulpturë. Edhe në ekspozitat më parë nuk i kam menduar këto kostot apo sikletet e dërgimit të punëve, që janë pak të sikletshme, por kur të vijë momenti do të zgjidhen. Unë tashmë kam krijuar një traditë në hapjen e ekspozitave jashtë shtetit dhe e gjej mënyrën deri dhe me valixhe i kam marrë punët. Kam bërë 3 ekspozita jashtë me skulptura, që unë i quaj ekspozita të bëra me valixhe sepse në dy udhëtime kam arritur të marr me vete 12 apo 13 punë gjithmonë në dokumentet, që jep Ministria e Kulturës. Quhen ekspozita me valixhe edhe pse duket për të qeshur, por kanë qenë të suksesshme dhe në anën fizike pra nuk është dëmtuar asgjë. Si dërgimin në ekspozitë apo kthimin e tyre e kam bërë po me valixhe.

-Çfarë ju shqetëson në Tiranë kur flasim për veprat e artit dhe hapësirat publike?

Nuk është futur ndonjëherë vepra e artit në Tiranë siç është gjatë kohës me Erion Veliajn. Unë këtë e pranoj, por ka dhe probleme. Në shumicën e rastit kemi vepra arti, që mund të mos rrinë në vendin e duhur, mund të jenë pa ndonjë interes vizual ose estetik, por e rëndësishme është që po bëhen dhe ka shumë. Kemi rastin e skulpturës trekëndëshe tek “Zogu i Zi”, që aty nuk qëndron mirë, në një vend që ka shumë zhurmë vizuale duhet të ishte një situatë më e qetë për atë vepër. Por po vihen vepra arti, dhe nuk dihet se kush është grupi apo paneli që vendos se ku do vendoset vepra. Unë e kam këtë kritikë, por fakti që në Tiranë vendosen vepra arti dhe ka shumë, ka njëfarë investimi në këtë drejtim edhe pse mund të jetë i vogël, tregon se ka vëmendje në bashki dhe kjo është pozitive. E lëvdoj Erion Veliajn dhe për sa i përket hapjes së rrugëve që ka bërë. Por për fat të keq këtë vitin e fundit e ka tepruar, mund të themi e ka qelbur me leje ndërtimi. Nuk ka bërë asnjë kryetar bashkie punë sa ka bërë Veliaj për Tiranën, por tani duket sikur thotë më lini rehat të bëj çfarë të dua, dhe kjo mua më shqetëson. Janë dhënë leje ndërtimi ngjitur me pallatet, në qendër të Tiranës. Unë e kuptoj te bulevardi i ri, sepse u hap dhe aty mund të jepen leje, por tani ne shikojmë që ka në çdo lagje. Të hysh te rruga Fortuzi shikon, të hysh në rrugica shikon që po bëhet pallat i ri, dhe ky është një shqetësim. Është ngushtuar jashtëzakonisht hapësira në Tiranë nuk del dot në rrugë. Pra Veliaj aq sa ka bërë të mira tani po e prish. U bë si ajo lopa, që mbush një kovë plot me qumësht dhe më pas i vë shkelmin në fund. Pra këtej vendos vepra arti, rregullo rrugë dhe të tjera, dhe tani prish shtëpi të vjetra dhe ndërto pallat. Veliaj ka të mira, por ka dhe të këqija në këtë problem.

-Jeni shef i departamentit të skulpturës në fakultet, sipas jush ka vepra arti që mund të hiqen?

Mund të ketë një situatë ku ka të tilla vepra. Unë ju përmenda veprën që është te “Zogu i Zi” por dhe me sa kam pyetur te komuniteti artistik përreth nuk e pëlqejnë. Nuk kam asgjë për skulptorin vetë dhe ai njihet që merret me atë lloj mënyre se si e trajton skulpturën, por nuk është e thënë që duhet të jetë kudo. Po ai artist ka një punë te presidenca dhe aty vepra e tij qëndron më mirë dhe nuk pengon shikimin, por ajo që është te Ringu estetikisht nuk duket mirë. U hoq Shqiponja atje që në fakt nuk kishte ndonjë vlerë në kuptimin artistik dhe mund të ishte bërë diçka tjetër. Ajo u akuza në kuptimin e estetikës si diçka e pavlerë që duhet të jetë aty, që për hir të së vërtetës është simboli ynë kombëtar dhe e mira është të jetë kudo. Por nuk ka pse të kthehet si një zmadhim të monedhës aty, pra kishte një problem esteti, vendi jo i saktë apo dhe të tjera. Unë jam që të ekzistojë një mendim profesional për veprat dhe të pyeten dhe artistët kur vendosen. Unë nuk po them të hiqen veprat e artit, sepse akti i heqjes është i shëmtuar. Por më mirë të mendohet të rregullohet diku tjetër një gjë më mirë në vijim. Ndaj nuk mund të them që të kthehemi dhe ti heqim ato, aq më tepër që nuk po i zëvendësojmë sepse ne kemi një varfëri në këtë pikë. Por është shumë e vështirë në Tiranë, që të vësh një skulpturë që të duket mirë.

-Pse?

Është e vështirë sepse situata arkitektonike, urbanistike e Tiranës është kaotike. Përshembull është vënë monumenti i presidentit amerikan Ëilson dhe ai si vepër nuk është keq, por duket keq aty sepse ka një pallat ngjitur nga pas dhe kjo e dëmton. Kjo ndodh në gjithë Tiranën. Për mua është shumë e vështirë Tirana për të mbajtur veprën publike. Te blloku po bëhet një tjetër pallat, të tjerë që po vijojnë. E imagjinoni dot trafikun? Edhe pse janë më të pashme si ndërtime, po ku do ecësh është shumë siklet.

-Qendra e realizmit të veprave të artit që merrej me mirëmbajtjen dhe restaurimin në gjithë vendin sipas drejtorit të saj ka kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës. Sa është shqetësuese kjo sipas jush për veprat?

Ky mendoj se është një problem i zgjidhshëm. Nëse ajo ndërmarrje do të punojë vetëm për Bashkinë e Tiranës do të ishte një absurditet, sepse ajo ka qenë ndërmarrje shtetërore që punonte përshmbull dhe derdhjen në bronz të një vepre. Gjithsesi unë besoj që do të ketë një zgjidhje në këtë drejtim. Pra bashkia do jetë aq e arsyeshme ta lejojë të punojë këtë ndërmarrje dhe më gjerë. Besoj do jetë problem shkresash, le ti kalojë Bashkisë së Tiranës, por nëse i duhet dhe një qyteti tjetër le të merret, ndaj se shikoj problem të pazgjidhshëm.

-Si e shikoni GKA sot?

E kam thënë dhe më parë ai është një institucion muzeal, i cili ka një koleksion dhe nuk është se ne kemi koleksione si GKA me dhjetëra në vend. Por është i vetmi që ne kemi, pavarësisht me ato që janë ku dikush i pëlqen apo një pjesë jo. Por aspekti muzeal është injoruar dhe nuk e shikoj faj të drejtori. Kjo sepse drejtori atë background ka dhe është zgjedhur vetëm për tu marrë me artin bashkëkohor, sepse ai nuk e njeh artin e traditës në Shqipëri. Ai ka bllokuar pjesën muzeale të këtij institucioni, është një muze në rradhë të parë dhe është me rëndësi për të ekspozuar dhe artin bashkëkohor. Ai drejtor duhet të ishte një pjesë e atij institucioni, por tashmë ai është drejtori dhe mendon këtë sepse nuk e njeh pjesën tjetër. Faji është kush e ka zgjedhur. Në atë institucion duhej të ishte dhe një tjetër që të merrej me pjesën muzeale. Pjesa muzeale duhet të jetë dinamike në GKA. Ka një problem që një muze nuk është i vdekur siç është tek ne. Tek ne pjesa muzeale e GKA nuk ndryshon me vite, por duhet të jetë aktive. Ka një koleksion prej më shumë se 4 mijë veprash me sa mbaj mend unë, por ai koleksion duhet të ketë një prezencë dinamike. Një linjë ndryshon një herë në 5 apo 6 muaj. Përshembull ta zemë linja e lindjes, për një periudhë kohe duhet të ketë një prezantim më të madh vetëm me vizatimin e kombinuar me pikturën që është aty. Më pas e rifreskon, dhe vijon sërish me veprat. Por ky është një problem që ka qenë dhe më parë. GKA nuk ka dinamizëm dhe kjo është paaftësi profesionale e gjithë stafit të galerisë dhe të Ministrisë së Kulturës, që nuk e kupton këtë problem.

-Artistët pohojnë se Galeria Kombëtare e Arteve iu ka mbyllur dyert, ju si e shikoni?

Ai është një institucion që nuk mund të bëjë shumë ekspozita në vit, ndoshta pak por të jenë kualitative. Është e vërtetë që ndoshta nuk i ka afruar shumë artistët, por unë nuk e di kush ka aplikuar, këtë duhet ta dijë drejtori i GKA. Unë vetë nuk kam kërkuar aty të hap ekspozita vitet e fundit. Por e vërteta është që GKA çalon në këtë pikë, një institucion që ana muzeale është e vdekur. Kur vjen një turist i huaj dhe shikon GKA aty do të shikojë artin tonë dhe aty nuk shkon për një artist të huaj që rri disa muaj aty në ekspozitë. Në Shqipëri ka dhe një pjesë të artit, pas viteve ’90 që nuk besoj është shumë fond i madh në GKA dhe ai nuk është hapur kurrë. Më vjen keq që dhe kati i sipërm ai i repartit të artit bashkëkohor është mbyllur. Se di pse e kanë bërë, ndoshta mos të shikojnë kush janë artistët bashkëkohorë që janë gjallë dhe krijojnë. Por problemi që kanë institucionet tona është që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës, është që gjithmonë i ka nën kontroll. Në kohën që unë kam qenë drejtor në GKA isha në një kohë të shkurtër që nuk arrita të stabilizoja shumë, por unë doja të shkëpusja ndërhyrjet që vinin nga ministria. Ka një defekt të madh që GKA, si çdo institucion tjetër kulturor nuk ka pavarësi në vendimmarrje, por është e varur nga ministria. Kjo do të thotë që çfarë do lloj ministrash kulture që vijnë ndonjëherë dhe të pakulturuar ndikojnë në institucion, ndikojnë dhe në atë që quhet axhenda. Unë kujtoj që në kohën time kam pasur urdhra për ekspozita të artistëve të paaftë. Por duke qenë i varur je i detyruar. Janë hapur dhe unë kam reaguar. Por kjo është një gjë që nuk ndodh në institucionet e artit në botë. Tek ne arsyeja që ka mbetur kështu është e thjeshtë, sepse në të gjithë institucionet duhet të kënaqen njerëzit e partive politike.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/05/2019 - 07:26

Festivali ndërkombëtar i kukullave “PiF Albania -Sunshine” mbërrin në edicionin e dytë në Tiranë.

Postuar: 21/05/2019 - 07:25

Vepra teatrore "Medea" mbrëmjen e së martës dhe të mërkurës vjen në skenë për publikun

Postuar: 21/05/2019 - 07:24

Piktori i njohur Agim Sulaj shprehet se nga Galeria Kombëtare e Arteve ruan vetëm kujtime të buku

Postuar: 19/05/2019 - 08:10

Nga janari deri në muajin mars të këtij viti 18950 persona kanë ndjekur shfaqjet e TOB.

Postuar: 19/05/2019 - 08:09

Komedia “Art” vepër shkruar nga Yasmina Reza po shfaqet këto ditë në skenën e teatrit

Postuar: 19/05/2019 - 08:07

Artistë të ndryshëm shprehen se kërkesat janë të shumta për projekte artistike, por asnjë nga str

Postuar: 18/05/2019 - 07:59

Data 17 maj shënon dhe 55 vjetorin e krijimit të baletit “Delina”.