Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Genci Fuga: Arti në “Rënie të lirë”, financimi i projekteve jashtë kontrollit

Postuar: 19/05/2019 - 08:07

Artistë të ndryshëm shprehen se kërkesat janë të shumta për projekte artistike, por asnjë nga strukturat shtetërore nuk ka qenë përgatitur për këtë ditë. Përballë këtyre problemeve ata presin më shumë nga institucionet në vend edhe pse gjendja është e vështirë për projektet e teatrit. Pedagog, aktor dhe regjisor Genci Fuga shprehet se sot nuk kemi edhe salla ku të takohet spektatori. Në intervistën për “SOT” mes të tjerave ai vijon se edhe ligji i sponsorizimeve mbetet problem, ku asnjë nga kompanitë private nuk sheh shtrëngim të investojë në art e kulturë. Lidhur me mungesën e transparencës në institucionet tona të artit, regjisori dhe aktori Genci Fuga pohon se nëse do të kishim vetëm mungesën e transparencës kjo do të ishte gjysma e së keqes, por sipas tij kemi dhe rënie të artit dhe kulturës në vend.

-Shfaqja " Historia e kopshtit zoologjik" pas Tiranës në Korçë. Ju jeni pjesë e shfaqjes për ju si aktor çfarë sjell në jetën artistike vepra e Albee?

Kam gjithnjë emocione të veçanta kur duhet të performoj jashtë Tiranës. Në gjithë eksperiencën time, kam vënë re, se ndaj të njëjtës pjesë teatrale, qytete të ndryshme kanë pasur “reagime” të veçanta. Shpresoj që shfaqja të ndiqet dhe të “rezonojë” pozitivisht edhe për qytetarin korçar! Korça po kthehet destinacion teatror. Duke ardhur me më të mirën e dramaturgjisë, regjisë dhe interpretimit, “pres” më të mirën e Korçës. Vepra “Historia e kopshtit zologjik” (Zoo Story), flet për rëndësinë e komunikimit njerëzor. Flet se çfarë ndodh kur mungon të kuptuarit e njëri- tjetrit. Flet për atë aspekt njerëzor që na ka humbur të gjithë neve (si njerëzim).

-Jeni dy aktorë në skenë dhe duke qene se ju jeni dhe pedagog i arteve si e shikoni në teatër Kristianin?

Arti skenik shqiptar rendit shumë emra që kanë bërë epokën e artë të skenës e ekranit, që vijnë nga Korça! Për mua kjo (emrat korçarë të skenës e ekranit) nuk është rastësi. Kristianin e konsideroj nga “Ambasadorët” më “të fortë” të Korçës në skenën aktuale shqiptare. Sigurisht, që nuk është i vetmi, por, parashikoj, më jetëgjatët e shumë domethënës. Si pedagog i UA, jam krenar për shumë e shumë emra të rinj që po dalin, dhe Kristiani është njëri prej tyre, mbase me më fat, pasi në një kohë të shkurtër ka arritur të krijojë një CV artistike sinjifikative. Ndihem shumë mirë me Kristianin në skenë (dhe është i katërti projekt që ne jemi në skenë bashkë). Ndihem shumë mirë edhe si partner edhe si pedagog (në fund të fundit, ne nuk trajnojmë vetëm studente, por edhe partnerët tanë të ardhshëm).

-Me Eni Janin një tjetër bashkëpunim teatror për ju sa rëndësi pati kjo zgjedhje, pra vepra teatrore për në skenë?

Eni ka “kodin” e saj për të komunikuar me spektatorin. Këtu duhet kërkuar “pse-ja” e zgjedhjes së Enit të kësaj vepre. Ne jemi në kulmin e grupimeve shoqërore si shoqëri (grupime shoqërore, gjinore, politike, ekonomike, identitare, etj). Mbase, kemi harruar të jemi “të veçantë” (në historitë tona, botëkuptimi ynë, fatet tona) duke e pranuar tjetrin si të tillë, të ndryshëm dhe po aq të çmuar. Ky është mesazhi që Eni do të ndajë në këtë moment me publikun e gjerë. Larg epiteteve përgjithësuese, që nuk thonë asgjë!

-Ka kaluar mesi i muajit maj pra, sezoni artistik pak nga pak po vjen drejt përfundimit. Për ju çfarë spikati më tepër?

Sezoni janar- maj 2019 ka qenë shumë intensiv, dhe sipari ka shfaqur para spektatorit vepra shumë të arrira artistikisht (kryesisht e kam fjalën për TKE K. Spahivogli). Ka pasur një ndjekshmëri të lartë nga publiku artdashës. Është kohë shumë e vështirë për veprimtari artistike, pasi ka pasur një tension shumë të lartë politik. Këto tensione politike bëjnë, që njerëzit të mprehin aspektin militant të tyre, jo atë qytetar. Teatri ka nevojë për qytetarinë dhe i shërben vetëm qytetarisë.

-Artistët shprehen se buxhetet e pakta nga ministria për projektet e teatrit vazhdojnë të jenë problem. Si ndikon kjo në shfaqjet që vihen në skena dhe vështirësitë për artistët?

Kemi buxhete shumë të ulëta, që janë “paspagime”, pra artistët më së pari janë “borxhlinj” të talentuar! Nuk kemi salla ku të takojmë spektatorin! Kemi një kërkesë shumë të madhe për projekte artistike dhe asnjë nga strukturat e shtetit nuk ishte përgatitur për këtë ditë. Nuk kemi një ligj për sponsorizimet e donimet në teatër. Asnjë nga kompanitë private nuk sheh shtrëngim të investojë në art e kulturë, dhe nga ana tjetër, kërkojnë klientë të kulturuar...

-Ky sezon u shoqërua me akuza në drejtim të institucioneve nga artistët dhe për mungesë transparence. Kjo situatë si ndikon, sa përgjegjësi kanë drejtuesit?

Po të kishim vetëm mungesën e transparencës, do të ishte vetëm një pjesë e të keqes dhe dëshpërimit...jemi në kushtet e “Rënies së Lirë” sa i takon artit! Jemi në situatën që na mungojnë disa institucione rregullatore kombëtare për këta të shkretë projekte, në një kohë që nuk po gjejmë fuqi brenda vetes për “të rishikuar” çmimin e orës së punës! Ne, si shoqëri, japim “dy kacidhe” për artin e kulturën! A jemi të sigurt ku po i japim? Kur jemi siguruar kemi pasur parasysh: personin aplikant (krijuesin, interpretuesin)? Spektatorin e mundshëm? Kualitetin Artistik? Se me “dy kacidhet” dhe situatën e infrastrukturës që kemi nuk i jemi përgjigjur asnjë nga pyetjeve më lart! I keni parasysh kujdestarët e kafshëve, nëpër kopshte zoologjike? Sa hyjnë në kafaz, përballen me kafshë të uritura, dhe gjëja e parë që bëjnë është: të hedhin ushqimin sa më larg vetes së tyre, që të uriturit të ndjekin e të shqyejnë ushqimin jo atë që e ndan atë. E ndërkohë që të uriturit ngelen po të uritur, se “tradicionalisht” nuk ka pasur ushqim të mjaftueshëm, kthehen tek personi që e hedh këtë ushqim. Por, kujdestari ndërkohë nuk është më në kafaz! Atij i ka mbaruar mandati! Do të duhet të presim në do të vij i njëjti kujdestar apo jo. Të kemi atë të vjetrin, që e ka parë se kujt ja ka hedhur copën e ushqimit, me shpresë se do të na favorizoj ne të uriturve të tjerë, kësaj radhe? Apo, të provojmë fatin me një kujdestar të ri, se mos na kap dhembi ndonjë gjë? Në këtë figuracion erdha duke punuar me “Historinë e kopshtit zoologjik”! Se unë e kam zakon të keq: Mendoj shumë! Kështu më thoshte regjisorja Eni Jani (qesh).

- Ju jeni shprehur herë pas here që duhet një tjetër strategji për teatrin nga ministria. Çfarë duhet bërë dhe sa janë marrë parasysh deri tani kërkesat e artistëve?

Atëherë: di që para disa vitesh ishte krijuar një grup pune për të përpiluar strategjinë kombëtare të artit. Nuk e di se kush ishte pjesë e këtij grupi dhe ku ka arritur puna me këtë grup, se ne nuk kemi asnjë lloj drafti për të lexuar (jo më për të bërë rekomandime). Di që edhe tani jemi në fazën që po listohen emra për të draftuar një lloj strategjie kombëtare. Emrat mbahen “sekret” se mbase, nuk janë të gjithëpranuar, kështu që edhe puna e tyre do të mbahet sekret se nuk do të jetë e gjithëpranuar. Pra, jemi ende larg fillimit të punës për të pasur një strategji kombëtare të gjithëpranuar për artin e kulturën. Këmbëngul që asnjë nga forcat politike nuk është e qartë për rolin e artit dhe kulturës në jetën e vendit tonë. Duke qenë të paqartë, janë fokusuar në zgjidhjen e “të përditshmes” së elektoratit të tyre, jo të qytetarit. Në këto kushte nuk pres asnjë vullnet politik apo qoftë edhe ndonjë iniciativë tjetër të krijojë shinat e duhura të zhvillimit të artit e kulturës, të gjithëpranuara e të pandikuara nga ndryshimet qeveritare, pra strategjia. Kjo strategji do të duhet të krijojë instrumentet e saj, pra institucionet e pavarura që zbatojnë këtë strategji afatgjatë. Por më e rëndësishmja do të ishte këndvështrimi i kësaj strategjie. Apo, thënë ndryshe: ku duam të arrijmë mbas 10 apo 20 vjetësh me artin e kulturën në Shqipëri? Të gjithë mund të thonë: kemi halle të tjera! Dhe kjo është shumica vendimmarrëse! Si i bëhet? Kush mund të ishte një institucion i gjithëpranuar që të mund të krijonte një “listë” të qartë veprimesh (apo institucionesh të tjera) që të garantonte nivelet më të larta të kulturës e artit në vend? Cili “institut studimor” do ta merrte përsipër këtë detyrë? Deri tani fola vetëm për fillimin e punës për strategjinë! Mbasi të mbaronte dhe të kishte bërë edhe një sërë tavolinash të gjera me të gjithë grupet e interesit, të shkonte në kuvend për të kthyer në ligje mekanizmat veprues të strategjisë. Pas miratimit në Kuvend, të fillonte të funksiononte, të paktën në drejtimin e duhur, puna për ngritjen kulturore dhe artistike në Shqipëri. Më vonë të shikoheshin përqindjet e GDP-së, që do të shpenzoheshin në vit për artin, pasi të ishim të qartë që tani se me çfarë cilësie artistike do të rriten apo do të shijojnë fëmijët tanë. Privatisht, jam duke nxitur shoqata politikëbërëse (jo artistike) për të organizuar tavolina diskutimi të përhershme në lidhje me krijimin e strategjisë kombëtare për artin e kulturën. Por kjo është një iniciativë private, që thjeshtë do të nxisë personat që hartojnë politika, të mendojnë edhe në këtë drejtim. Personalisht, mund të analizoj, që jemi në fazën kur arti, kultura e arsimimi janë mjetet, që do të na japin një identitet të qartë qytetar!

-Projektligji i artit duket se u harrua qoftë nga ministria apo dhe artistët. Nuk flitet më dhe nuk dihet sa janë marrë parasysh vërejtjet e bëra. Ju çfarë mund të na thoni, keni pasur vërejtje mbi projektligjin?

Më vijnë në mend batuta nga filma të ndryshëm: Qeveria ka halle! Nuk do të merret me ju! Personalisht, kam vërejtjet e mia si për draftin e parë, por edhe për draftin e dytë që u bë së bashku me shoqata që prezantonin interesa krijuesish e interpretësh! Përsëris! Do të ishte fatalitet që të ndërmerrej ndonjë hap legjislativ strategjik, siç është ligji i organizimit të artit e kulturës në Republikën e Shqipërisë, pa marrë mendimin e kualifikuar në këtë drejtim. Nuk e kuptoj si mund të bëhet një ligj pa pjesëmarrjen në grupin e punës të mendimit të Universitetit të Arteve, që, momentalisht, është edhe avantguarda e mendimit, krijimit dhe interpretimit tek ne!

 Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/09/2019 - 07:36

Teatri i Operës dhe Baletit e çel sezonin artistik në sheshin “Skënderbej”.

Postuar: 17/09/2019 - 07:35

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” çel sezonin artistik me shfaqjen te

Postuar: 17/09/2019 - 07:33

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina është përcjellë me inte

Postuar: 17/09/2019 - 07:32

Filmat shqiptarë për restaurimin e tyre kërkojnë një projekt dhe fond të veçantë nga shteti.

Postuar: 15/09/2019 - 08:00

Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" çel stinën teatrore të shfaqjeve për

Postuar: 15/09/2019 - 07:59

Vepra “Këngëtarja tullace” shkruar nga autori Eugene Ionesco pritet të vijë premierë

Postuar: 15/09/2019 - 07:57

Dekada në skenë baritoni Ylber Gjni është një nga artistët e vlerësuar me aktivitetin e tij artis