Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Genci Fuga: Nuk kemi asnjë “instrument” për rritjen e cilësisë profesionale në teatro, “i paafti” është bërë “mjeshtër”

Postuar: 30/09/2018 - 07:55

Jeta artistike me probleme dhe artistët përballen me jo pak vështirësi në realizimin e projekteve. Për pedagogun, aktorin dhe regjisorin Genci Fuga përgjegjësia kryesore për këtë situatë shkon te Ministria e Kulturës. Në intervistën për “SOT” Fuga shprehet se Ministria e Kulturës duhet të gjejë mekanizma të pavarur për të realizuar politikat e saj dhe jo të shtojë departamente. Për pedagogun e arteve, në situatën e krijuar edhe me projektligjin e ri shihet që ka një organizim të ri të institucioneve kulturore, por dalin probleme dhe te buxhetet apo dhe shpërblimet. Me probleme për aktorin dhe regjisorin Genci Fuga janë dhe prodhimet në skenat e teatrove. Por sipas tij, me ligjin aktual bordet nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie dhe janë thjesht koperturë e drejtuesit ekzekutiv. Sipas aktorit Genci Fuga nuk kemi asnjë “instrument” për rritjen e cilësisë profesionale.

-Ju keni kundërshtime në projektligjin e ri të artit që ka përgatitur Ministria e Kulturës. Në analizën tuaj, çfarë keni parë me problem?

Sigurisht që janë bërë ndryshime. Jo aq radikale dhe autoritare si herën e parë (projektligji i përpiluar në fillim të vitit). Në rast se analizojmë projektligjin e propozuar shohim, që na shfaqet një organizëm i ri në drejtimin e Institucioneve Artistike e Kulturore, që quhet kolegj. Me sa duket, është një organizëm që dublikon bordet artistike, dhe i mënjanon ata në lidhje me vendimmarrjen. Ndërkohë, që aktivitetin e bordeve të deritanishëm e implikon edhe me impaktin financiar të veprave të miratuara. Shohim që në varësi të Ministrisë së Kulturës kanë kaluar institucione si Arkiva e Filmit dhe sidomos Biblioteka Kombëtare! Po ashtu shohim edhe shtimin e institucioneve të varësisë si Qendra e Veprimtarive Tradicionale. Ligjërohet zhdukja e Galerisë së vetme shtetërore, duke e kthyer në “Muze”. Biblioteka Kombëtare duhet të ketë një ndërvarësi “më të lartë” kundrejt “ekzekutivit”. Në pamje të parë mund të kuptohet me një lidhje më të ngushtë me “burimin financiar vjetor” pra MK. Por në këtë moment kemi ngushtuar në maksimum autonomin e këtyre institucioneve. I kemi kthyer shumë “më fleksibël” kundrejt rrymave 4 vjeçare si të politikave ashtu edhe të financimit, çka cënon rëndë peshën që kanë këto institucione kundrejt politikave të ndërrueshme. Me anë të këtij projektligji Ministria e Kulturës i jep të drejtën vetes, jo vetëm të origjinojë dhe zbatojë gjithë “programin” Edukimi përmes Artit, por (dhe kjo e dyta bie në sy) të ndërhyje në mënyrë brutale në autonominë e institucioneve të varësisë dhe programit të tyre, sa herë MK origjinon e finalizon një projekt të caktuar artistik apo kulturor. Nuk dua të hyj në analiza të thella përse na duhen institucione më të pavarura kulturore apo heqja e të drejtës së kërkesës për më tepër buxhet për projekte madhore (kjo do të shpjegohet në pikat më poshtë). Është njësoj sikur ministria e infrastrukturës të marr vetë përsipër projektimin e ndërtimin e rrugëve, pa qenë nevoja për të vepruar me anë të një ndërmarrje vartëse të saj. Kjo për mua është skandal. Po sikur të na qëllojë një ministër kulture që nuk është kaq “kompetent” për artin skenik? Si do ti bëhet me “studimet” dhe “planifikimet” e institucioneve qendrore artistike? Jemi në diskutim hipotetik se as ministria nuk është kompetente për këtë lloj arti, por edhe shumica e institucioneve nuk kanë studime e planifikime. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që ligji për artin është një gjë që nuk bëhet e çbëhet sa herë kemi (ose jo) numra fatsjellës në Parlament. Ky ligj duhet të mos jetë kaq “dritëshkurtër”. Dhe arrijmë tek pika më e nxehtë që janë “buxhetet” dhe “shpërblimet”.

-Çfarë ndodh sipas jush me buxhetet dhe shpërblimet?

Me anë të këtij ligji nuk ka më vend për “surpriza financiare”. Gjithçka përcaktohet nga ministria. Dihet që institucionet e varësisë kanë “pavarësi artistike” por “autonomi financiare”. Këtyre institucioneve ju është hequr e drejta të marrin përsipër projekte të mëdha që mund të kushtojnë më shumë se 40 përqind e buxhetit vjetor. Atributin e këtyre projekteve e merr përsipër MK, por pa qenë nevoja e një “reference” nga Këshilli i Ministrave. Këshilli i Ministrave “zhvishet” edhe nga e drejta që të japë qofte edhe një mendim sesa mund të kushtoje një regjisor apo aktor në territorin shqiptar. Kjo kompetencë i kalon ministrisë dhe institucioneve, që do të negociojnë me artistët. Kujdes! Ligji nuk ka folur fare për “dysheme” apo “tavan” pagesash, apo çmime referenciale të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Gjithçka do të jetë “negociatë” pa refereca + apo - . Kush mendoni ju se do të fitoje? Ministria e institucionet apo individët e kontraktuar?! Në qoftë se janë negociatorë “të fortë” e marrin shërbimin “me 0 lekë”. Në qoftë se ti si individ fiton mos duhet të “sillesh mirë” me Ministrinë e Kulturës apo drejtorët? Dhe në rastin e dytë, imagjinata ime nuk ndalet. Fillon të krijojë 1001 kombinacione politike, ekonomike e financiare, penalisht të dënueshme dhe varrosëse të individualitetit artistik. Ne bëjmë ligje se nuk besojmë. Nuk kam besë tek një ministër se nuk e di se kush do të jetë ministri i rradhës! Prandaj bëhen ligjet! Po sikur (largqoftë) ministri të mos dojë të “na shoh me sy” çfarë të bëjmë ne që do të na duhet të “negociojmë”?

-Jeni shprehur se problem për cilësinë artistike janë institucionet e mangëta, bordet e përgjegjësia e tyre në nivel kombëtar e lokal. Çfarë po ndodh me teatrin në vend?

E kujt është përgjegjësia kur prodhimi artistik nuk ka impaktin e duhur? E regjisorit? Aktorët? Buxhetet e ulëta? Apo, e atyre që e miratuan? Me ligjin aktual bordet nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie. Janë thjeshtë koperturë e drejtuesit ekzekutiv. Ata mund të vazhdojnë të gabojnë pa “i hyrë gjemb në këmbë”. Nuk kemi asnjë “instrument” për rritjen e cilësisë profesionale, as morale, as financiare. Kategorizimi i pagave të aktorëve dhe regjisorëve bëhet “me vjetërsi në punë”, e jo mbështetur në “aftësitë individuale profesionale”. Përveç “egos” se CV-ve personale të aktorëve, nuk shoh asnjë mekanizëm tjetër të nxitjes së rritjes profesionale e zhvillimit të karrierave. Aktorët nuk i ndalon asgjë të përdorin moton: “Zot na lër kështu si jemi”.

-Nga artistët është pohuar se sot mungon dhe përgjegjësia dhe disiplina në jetën artistike si dhe promovohen të paaftit. Çfarë sjell kjo?

Theksoj që aktualisht jemi në mungesë totale të strategjisë së zhvillimit profesional, të institucioneve të kualifikimit artistik, të sistemit të vlerave, të mundësisë të zhvillimit të karrierave, etj. Duke pasur një situatë të përgjithshme tepër të veçantë, nuk kemi arritur të adaptojmë sisteme të vendeve të tjera. Me gjithë që, çdo vend ka zhvilluar sistemin e tij, mbështetur në kushtet e tij specifike. Para viteve ’90 njerëzit mbanin “rradhë” qoftë edhe për bukën, dhe ndëshkoheshin ata që “hynin pa rradhë”. Sot kemi një situatë që nxit atë “që futet pa rradhë”. E në këtë aspekt, “i paafti” bëhet “mjeshtër”.

- Sa përgjegjësi ka Ministria e Kulturës dhe çfarë duhet bërë për ta ndryshuar këtë gjendje?

Duke njohur autonominë shumë të dobët që kanë institucionet e artit nga ministria, ajo merr përsipër edhe përgjegjësitë direkte të situatës së krijuar. E kam theksuar dhe e theksoj: Ministria nuk bën punën e një qendre apo fondacioni për artin! Ministria e Kulturës duhet të ngrejë (ose gjej) mekanizma të pavarur për të realizuar politikat e saj. Jo të shtojë departamente, por të realizojë marrëveshje shumëpalëshe me institucionet e saj apo të pavarur. Trumbetohet me të madhe “edukimi përmes artit”, që në të vërtetë është një nismë shumë e mirë! Mos çështjet e edukimit mund ti mbulonte më mirë Ministria e Arsimit? Mos duhej luftuar që në sistemin arsimor të kish vend për kuadrin profesional që mbulon MK? Mbas rezultateve të “projektit pilot”, mos duhet të ishim në fazën e konsolidimit dhe institucionalizimit të marrëdhënieve të MA dhe MK, e të mos vazhdonim me mendësinë e një OJF-je?

-Dhe sipas jush, si kanë ndikuar deri tani politikat që pretendon ministria në jetën artistike, pasi edhe ju pranoni se janë shumë probleme?

Në rast se investimet e mëdha, që janë bërë në Shqipëri, për muzetë e artin skenik, mbajnë “vulën” e Këshillit të Ministrave, pra jo të Ministrisë së Kulturës, mbetet të them që aspektet e reformave apo politikave të ndjekura kanë qenë të gjitha të gabuara, dhe në disa raste me kundërvajtje ligjore. Reforma e trumbetuar dekantoi thjeshtë në heqjen e “shpërblimit të figurës artistike”, dhe ngushtimit të afatit të kontratës individuale.

-E gjithë jeta artistike e Teatrit Kombëtar tashmë është zhvendosur te “arTurbina”, skena që përdoren dhe për shfaqje të institucioneve të tjera. Si e shikoni sot “arTurbinën”, sa është e përshtatshme për teatrin?

Është përdorur shpesh termi: gjërat e përkohshme bëhen të përjetshme. Uroj që sa më parë, “arTurbina” të mbetet e përkohshme për Teatrin Kombëtar. Teatër është bërë edhe në rrugë. Teatri Kombëtar nuk bëhet e nuk duhet të bëhet “në rrugë të madhe”. As në vatra kulture apo atelie teatror, sado modern të jenë. Është për të ardhur keq që gjithë diskutimi për hapësira, ku mund të luhet teatër, të përfundojë: ishte ngrohtë apo kishte kondicioner. Kjo flet për një varfëri, që kam frikë po na deformon në gen.

-Jeni shprehur më herët se i bëni thirrje institucioneve kombëtare të kulturës, duke filluar me Ministrinë e Kulturës, ruani spektatorin. Pse?

Themi bëhet teatër kur kemi: 1 aktor, 1 “skenë” (apo vend veprimi) dhe 1 spektator. Kaq i rëndësishëm është spektatori për teatrin. Duhet ta ngulitim shumë mirë në mendjen tonë se edhe spektatori (si fenomen) ka ligjësitë e tija. Sa më mirë të kuptojmë spektatorin, aq më shumë shanse do të kemi ta shtojmë edhe në sasi edhe në cilësi. E kemi “përkthyer” gabim shprehjen teatri është për të gjithë. Teatri duhet t’u flasë e komunikojë me të gjithë ata që janë atë natë të dhënë, në atë sallë të dhënë, në atë shfaqje të dhënë. Pra, jo për të gjithë! Teatri është vetëm për qytetarin “special”, që është i hapur të diskutojë mendimet e tij me atë çka ai sheh në realitetin skenik! Jo për të gjithë! Ne do të kishim qenë shumë më ndryshe që të gjithë qytetarët ti kemi “special”, por kurrsesi të barabartë me “të gjithë”. Ai që vjen në teatër kurrsesi nuk është njësoj me “të gjithë”. Vetëm ai “bekohet” me katarsisin shpirtëror të teatrit.

 -Ministria ka nisur takimet me grupet e interesit për strategjinë e kulturës, çfarë prisni?

Ftesën!

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në skenën e teatrit të qytetit të Korçës.

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “

Postuar: 08/12/2018 - 07:36

Shfaqja “Unë kam gjithmonë një shami në xhepin tim” bën bashkë artistët shqiptarë dhe

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mo

Postuar: 07/12/2018 - 07:41

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX të Ditëve të Albanologjisë.