Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gjergj Leka: Kënga qytetare po zëvendësohet me ahengun rumun dhe bullgar, tekstet janë mizerabël

Postuar: 13/08/2017 - 09:28

Në art është një amulli e llahtarshme dhe askush nuk po pyet se çfarë po ndodh. Një Ministri Kulture që nuk ka në vëmendje çfarë po ndodh me muzikën. Janë tekste këngësh që nuk merren vesh dhe mungon një kontroll për të pasur krijimtarinë e mirë në muzikë. Kjo është gjendja që është jo pak shqetësues për krijues të njohur të këngës, që me aktivitetin e tyre prej dekadash janë vlerësuar dhe po prezantojnë këngë të reja. Për kantautorin e njohur Gjergj Leka problemet sot janë të shumta, por kur asnjë nga institucionet nuk pyet kjo situatë do vazhdojë. Në intervistën për “SOT” kantautori pohon se këngët që janë të patrasmentueshme i gjejmë në ekrane televizive, tekste këngësh që nuk merren vesh dhe një muzikë që është dhe e vjedhur. E në këtë situatë kur mendohet se duhet të ndërhyjë Ministria e Kulturës kjo mungon. Kantautori i cili po zhvillon me jo pak angazhime muzikore këtë sezon vere pohon dhe një tjetër problem për këngën qytetare. Sipas tij sot kënga qytetare po humb pasi ata muzikantë që mendojnë vetëm paranë i japin aheng publikut. Me aktivitetin e tij në muzikë kantautori Gjergj Leka vijon të prezantojë këngë të reja. Larg problemeve që janë sot, si kantautor ai në secilën skenë që është apo dhe në sheshe të ndryshme me këngët e tij ka marrë duartrokitjet e publikut. Së fundmi ai sapo ka mbaruar këngën e re që ia dedikon artistëve shkodranë. Një këngë, e cila kantautori pohon se do ta këndojë për herë të parë direkt në qytetin e Shkodrës.

 -Si po kalon sezoni i verës për ju dhe aktiviteti juaj muzikor?

Gjatë këtij sezoni veror unë jam me “Maratonën e Këngës”, por kam dhe aktivitetin tim me koncerte të tjera. Me maratonën në çdo qytet që shkoj prezantoj diçka ndryshe dhe shikoj që priten shumë mirë nga njerëzit. Kjo sepse ne zakonisht ofrojmë vetëm muzikë për të rinjtë, kurse në sheshet që këndojmë janë të mbushur dhe me moshën 80 vjeç. Këtu u binda që është shumë publik që do këtë muzikë, por janë këngët qytetare që po humbin. Unë në secilin vend, që shkoj bëj një kolazh me këngë qytetare të atij qyteti. Ashtu siç i bëra Tropojës këtë vit i bëra këngë dhe Devollit, që quhet “Devolli im”. Ata nuk e prisnin, por kjo këngë është bërë si hiti i tyre. Maratona këtë vit ka qenë dhe e lodhshme, por po vijojmë me këngën. Ndërkohë unë po vijoj dhe koncertet e mia, që i zhvilloj vetë. Unë kam publikun tim dhe këndoj. Janë vende që unë shkoj çdo verë nga veriu në jug. Koncertet e mia zgjasin disa orë, por është një punë që e bëj me qejf edhe pse nuk kam ndonjë leverdi ekonomike. Më bën përshtypje, që është afruar dhe rinia shumë me këngët e mia.

-U shprehët se po humb kënga qytetare. Pse?

Kënga qytetare po humb, sepse sa vjen dhe po këndohet më pak, kemi kaluar te popullorja burimore. Por unë po shikoj që njerëzit e duan këngën qytetare. Kënga qytetare është qytetare dhe nuk është ahengu. Ahengun e duan ata muzikantët që të marrin ndonjë lek, por kënga e vërtetë dhe e dasmës është kënga qytetare. Më vjen keq, sepse ka dy tre vjet që shikoj se po humb kënga qytetare dhe është fatkeqësi.

-Çfarë duhet bërë sipas jush?

Është shumë e thjeshtë. Njerëzit nuk duan të mendohen, pasi kënga qytetare, serenata, të fut në mendime ka dhe një dashuri të vuajtur, ka problematikë çdo këngë qytetare. Por unë mendoj që njerëzit kanë aq shumë halle sa nuk duan të mendojnë për problemet dhe hallet. Këngët qytetare shumica kanë kompozitor serioz, kështu që unë mendoj se ne bëjmë një gabim si muzikantë kur i japim aheng popullit në vend që ti sjellim këngën qytetare. Duhet që dhe ne si muzikantë ti sugjerojmë gjërat e mira popullit, gjë që asnjë nga artistët nuk po bën në muzikë dhe kjo është tragjike. Nuk është faji i popullit, sepse ai merr atë që i jep ti si muzikant. Pra është faji edhe i atyre muzikantëve që ne vend ti japin këngën qytetare i japin aheng popullit. Popullin e edukon artisti. Por nëse ti do ti japësh vetëm aheng, atëherë ai kujton se kjo është muzika që duhet ta ndjekë, por nuk është kështu. Sot kemi dhe probleme të tjera në muzikë, këngë që janë të patransmetueshme, por i gjejmë në ekrane televizive. Ne po flasim për artin, muzikën dhe se di pse nuk pyet dhe Ministria e Kulturës.

-Çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës?

Ne po flasim për kulturë dhe kjo që po ndodh në muzikë është ta shkatërrosh kulturën. Këto gjëra duhet të ndalohen me ligj. Ne nuk kemi sot asnjë komision etike dhe këto që e mendojnë veten këngëtare por nuk janë, dalin në televizionet tona. Ai që ka marrë një licensë ka të drejtë të transmetojë çdo gjë? Le të dalë dhe ta hedhë këngën në yotube, por jo për ekranet tona se është skandaloze.  

 -Dhe të gjitha këto probleme që ju pohuat për ju si është tregu muzikor?

Ne nuk kemi treg muzikor. Ne që kur e përdorim këtë fjalë gabojmë, sepse treg do të thotë që të kesh institucionet. Ti përgjigjen institucionet dhe të kesh mundësinë e promovimit si artist. Ne këtë nuk e kemi, atëherë përse duhet të themi treg muzikor kur nuk kemi. Njerëzit i nxjerrin vetë gjërat në yotube ose paguajnë për të shfaqur klipin. Më thoni, ku do të promovohet kënga? Ne nuk kemi se ku ta promovojmë këngën. Treg jashtë Shqipërisë ti si artist nuk ke, askush nuk merret me distribuimin e muzikës dhe promovimin. Ndaj nuk mund të flasim sot për treg muzikor në Shqipëri. Klikimet, shumica e këngëtarëve i blejnë. Kush është sot njësia matëse për të kuptuar që është një këngë e mirë? Nuk kemi njësi matëse. Ndaj dhe sot dëgjon vetëm këngë me të bërtitura dhe nuk ka këngë që ta mbash mend dhe ta këndosh të nesërmen. Këto ndodhin në një vend si Shqipëria që jemi ne dhe nuk kemi treg. Kosova sot është shumë më mirë se sa ne dhe për distribuimin. Problemet në Shqipëri vijnë sepse shumica e atyre që shkruajnë këngë nuk janë muzikantë. Muzika tek ne bazohet vetëm në një teknikë, që ta jep kompjuteri të gatshme dhe nuk ka të bëjë fare që të jesh muzikant për të bërë ato këngë që dëgjohen sot. Nuk ke individualitet. Kur çon këngë jashtë nuk thotë njeri që janë shqiptare, sepse po i marrin të gatshme nga Rumania, Bullgaria. E përsëris, treg kemi atëherë kur përgjigjet si për të mirat dhe të këqijat. Nuk mund të bëjmë çfarë të duam për muzikën dhe ndaj përmenda dhe Ministrinë e Kulturës. Ka zyrat e saj që mund të bëjnë kontrolle, që dhe ato tekste këngësh që janë aq të ndyra nuk duhet të dalin. Le ta mbajnë atë këngë nëse duan, ta mbajnë për vete ata që e bëjnë, por jo të na e publikojnë në ekrane televizive.

-Problemi me tekstet e këngëve është pohuar prej shumë emrave të njohur të muzikës. Sipas tyre kanë humbur shumë tekstet. Për ju sa shqetësuese është?

Tekstet e këngëve janë mizerabël. Vetëm tekste kënge nuk kemi, madje te tekstet jemi shumë më keq se sa te muzika. Nuk ka më poetë, që shkruajnë tekste sot si dikur. Janë të rrallë. Ata që i bëjnë këto tekste sot që nuk merren vesh, kur flasim ne, thonë po ku dini ju.

-Ju i takoni artistëve që keni një aktivitet të vlerësuar në krijimtarinë muzikore. Prezantoni këngë të reja, përcillini mesazhe përmes tyre, tekste dhe muzika vlerësohet. Por sa ju vjen keq për gjithë problemet sot?

Keq më vjen, por unë aktivitetin tim muzikor po e vazhdoj dhe do ta mbroj. Problemi është si nuk merret njeri për të ndaluar disa gjëra, sepse po i japin krahë të bëjnë pisllëqe nga më të ndryshmet. Në art në Shqipëri është një amulli e llahtarshme. Unë nuk e kuptoj se si ka mundësi që Ministria e Kulturës nuk pyet, sepse përshembull te teatri është një komision që shikon veprat para se të jenë në skenë, por në muzikën komerciale nuk ekziston asgjë. Nuk ekziston një zyrë që të thotë çfarë është ky pisllëk, që kjo këngë është e patransmetueshme. Atë lloj kënge nuk e këndon as Gjergji, as të tjerët, por të gjithë i dinë dhe askush nuk flet.

-Sapo keni publikuar këngën tuaj më të re. Jeni shprehur se ia dedikoni artistëve shkodranë?

 Kam bërë një këngë dedikuar miqve të mi artistë shkodranë, që nuk janë më mes nesh. Për herë të parë do të këndohet ditën e mërkurë më 16 gusht në Shkodër në “Maratonën e Këngës 2017”. E kam publikuar dhe kush dëshiron ta dëgjojë direkt e pres të mërkurën në sheshin e Shkodrës.

 

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 24

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2017 - 18:57

Ngjyrat e ngrohta dhe penelat e freskët në teknikën e akaurelit të piktorit të famshëm shqiptar, Helidon Haliti, janë duke u shfaqur në një ekspozitë në Kinë.

Postuar: 19/09/2017 - 07:50

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se kandidatura zyrtare e Shqipërisë për kategorinë e “Filmit Më të mirë të Huaj”, në edicionin e 90-të të Academy of Motio

Postuar: 19/09/2017 - 07:45

“Liria shpirtit” vjen përmes 15 veprave në pikturë nga artistja Blerta Xhomo.

Postuar: 19/09/2017 - 07:41

“Portugal International Film Festival” në edicionin e shtatë në programin zyrtar solli 44 filma në pesë kategori.

Postuar: 19/09/2017 - 07:39

Ministrja Mirela Kumbaro me prezantimin e parë sërish si titullare në Ministrinë e Kulturës zhgënjeu artistët.

Postuar: 17/09/2017 - 07:57

Ende nuk po zbatohet marrëveshja mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, për tekstet në gjuhën shqipe të vitit shkollor 2017 -2018.

Postuar: 17/09/2017 - 07:55

Trupa artistike e shfaqjes “Zbutja e kryeneçes”, mirëpriti gjatë provave të zhvilluara në sallën “Kadri Roshi” të Teatrit Kombëtar, Ambasadoren Jiang Yu.