Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gjergj Prevazi: Financat për artin më të ulëtat në Ballkan, skenat teatrore të ndahen me Skenën e Pavarur Kulturore

Postuar: 23/10/2018 - 07:26

Buxheti i ulët për realizimin e projekteve në jetën artistike i vendos në vështirësi organizatorët. Për shfaqje të ndryshme, festivale e më gjerë ata shprehen se përveç buxhetit janë dhe të tjera probleme me të cilat përballen. Për koreografin Gjergj Prevazi njëkohësisht dhe drejtues i “Albania Dance Meeting- Festival” nga Ministria e Kulturës duhet menduar një rregullator, që aktivitetet që janë të pavarura të kenë më shumë akses në skenat e institucioneve. Për “SOT” koreografi Prevazi shprehet se institucionet e shtetit, por dhe ata që zhvillojnë aktivitete të pavarura marrin buxhet shtetëror. Për këtë qëllim ai kërkon një lloj rregullatori, por pa abuzime që duhet ta bëjë Ministria e Kulturës. Pjesë e intervistës me koreografin e njohur janë dhe zhvillimet e jetës artistike në skenat në Prishtinë. Ai shprehet se atje trajtimi për artistët është më i mirë krahasuar me Shqipërinë. Prevazi këto kohë është përqendruar në edicionin e 13 të “Albania Dance Meeting- Festival”. Festivali ka nisur në ditët e para të tetorit dhe për një muaj e gjysmë shfaqjet janë jo vetëm në skenën e Tiranës dhe Durrësit, por dhe në Prishtinë. Drejtues artistik, koreografi Gjergj Prevazi pohon se këtë vit festivali ka risi, si edhe një tematikë të larmishme, që lidhet me realitetin në Europë.

-Ka nisur para disa ditësh edicioni i 13 i festivalit “Albania Dance Meeting- Festival”. Për ju si drejtues i tij, si ka qenë deri tani pritshmëria e publikut që ka ndjekur shfaqjet në skena?

Ne kemi zhvilluar deri tani disa shfaqje. “Albania Dance Meeting- Festival” nisi me datë 2 tetor në skenë te “arTurbina” me një shfaqje e ardhur nga Zvicra me titull “Linga”, që kishte të përfshirë në vetvete edhe katër kërcimtarë shqiptarë. Kjo si pjesë e një projekti që ne si festival e kemi nisur vitin e kaluar si trajnim dhe kjo si shfaqje është dhënë në fillim në Gjenevë dhe Lozanë, më pas në festivalin tonë. Shfaqjet janë pritur relativisht mirë. Ne kemi shfaqje te “arTrubina”, të Universiteti i Arteve, në teatrin e Durrësit, si dhe  në teatrin “Dodona” në Prishtinë. Risi këtë vit është një rezidencë, që ne i kemi ofruar një grupi studentësh nga Akademia e Kulturës e Letonisë, të cilët kanë qenë rezidencë në Durrës, dhe kanë eksploruar, kanë parë dhe njohur vendin, kanë performuar në hapësirat publike. Deri tani në festival kanë qenë rreth 60 performues përveç stafit teknik, një shifër relativisht e lartë në raport dhe me vitin e kaluar. Audienca jonë është e kënaqshme, por në shfaqjet tona dihet që nuk thyhen xhamat. Qëllimi i festivalit tonë ka qenë njohja e audiencës shqiptare me dansin kontemporan. E rëndësishme është që pas 13 vitesh festival, që nisi atëherë kur në Shqipëri ku lloj arti nuk ishte fare i njohur, ai ka ndikimin e tij në jetën kulturore të kryeqytetit, por dhe në Durrës apo dhe Prishtinë në Kosovë. Pra sot publiku shqiptar e njeh artin dhe dansin kontemporan dhe konsumon të njëjtat performanca në kuptimin estetik të fjalës, dhe që konsumohen dhe në audiencën evropiane dhe më gjerë.

-Festivali juaj që zhvillohet në disa qytete prej pesë vitesh nuk mungon dhe në skenën e Kosovës. Çfarë ka sjellë deri tani ky bashkëpunim?

Në festivalin e këtij viti janë 4 shfaqje në Kosovë. Ideja për të çuar shfaqje dhe në Prishtinë është e vjetër që në fillimet e festivalit, sepse dhe audienca kosovare është e panjohur me dansin kontemporan, dhe punët e mia ku unë kam vënë disa shfaqje atje kanë qenë gjithmonë të mikpritura. Kjo ka qenë shtysë pse unë e kam zgjeruar programin e festivaleve dhe në Prishtinë. Që nga viti i kaluar ne kemi pasur një përkrahje fillimisht nga komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës së Kosovës natyrisht me terma shumë minimal, por ka filluar një lloj përkrahje edhe atje. Mendoj se është e rëndësishme bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë, por në përgjithësi për gjithë hapësirën mbarëshqiptare, që sa më shumë të jetë e mundur për të prekur qytete dhe vende ku pikëtakimi ndërmjet kulturës së hapësirave tona dhe kulturës evropiane të jetë sa më i madh dhe më i gjerë. Ne do të dëshironim që programi i festivalit të shtrihej dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

-Pse jeni këtë vit vetëm në Tiranë dhe Durrës me shfaqjet e festivalit?

Mungojmë në skena të tjera për shkak të buxhetit të limituar. Kur janë buxhetet e ulëta na limitojnë dhe ne në organizimin e një programi, që të paktën të ishte shtrirë në qytete kryesore të vendit si Shkodra, Korça, Fieri, Elbasani, Vlora, që e kanë potencialin dhe mundësinë për të mirëpritur festivalin dhe shfaqjet tona.

-Në bashki janë dhe drejtori që merren me artin dhe kulturën. Sa keni kërkuar ndihmë?

Gjithmonë është e vështirë. Bërja e një politike gjithëkombëtare nuk mund ti lihet në barrë drejtorisë së kulturës të një qyteti, pra duhet të jetë një strategji më e përfshirë. Në këtë kuptim ne na janë gjendur kryesisht institucionet e huaja edhe pse ne e kemi përkrahjen e Ministrisë së Kulturës. Falë edhe mbështetjes së institucioneve të huaja në Tiranë si Instituti Italian i Kulturës, Ambasada Hungareze, një sërë organizmash zviceranë që kanë përkrahur shfaqjet nga vendi që vijnë dhe e kemi bërë të mundur zhvillimin e festivalit.

-Ju jeni pjesë e Skenës së Pavarur Kulturore, çfarë po ndodh përballë problemeve që ju pohoni?  

Skena e Pavarur Kulturore në opinionin tim është në proces. Ne i kemi parashtruar kërkesat tona në Ministri të Kulturës. E rëndësishme është që është hapur një dialog. Nëse flasim për SPK, ajo është në suport të të gjitha aktiviteteve të pavarura apo indipendente. Ne themi të pavarura, por kemi një varësi. Varësia jonë janë institucionet, që na financojnë. Por ne paratë, suportin, nuk kemi ku ta gjejmë përveçse te institucionet tona shtetërore, ato lokale dhe biznesi. Pra krijimi i një platforme, e cila është pjesë e një strategjie gjithëkombëtare për zhvillimin e kulturës dhe integrimi i sugjerimeve shumë të rëndësishme që SPK ka dhënë pranë Ministrisë së Kulturës, unë besoj se kultura jonë i ka potencialet për të bërë dhe një hap më vendimtar përpara në rolin, që duhet të ketë në zhvillimin e shoqërisë.

-Dhe cilat janë problemet e kulturës në vend?

Ju i dini problemet, më baziket janë ato të financimeve. Shkalla e financimit të projekteve kulturore është minimale. Në përgjithësi fondi i kulturës në Shqipëri është i ulët. Nëse nuk jam gabim, me sa di ne e kemi rreth 13 milionë euro në total. Kosova e di që buxhetin për artin dhe kulturën e ka diku te rreth 32 milionë euro dhe Maqedonia e ka 64 milionë euro. Pra ne nëse do të krahasohemi me Ballkanin dhe vendet që nuk janë më të pasuara se sa ne, financat për artin dhe kulturën janë shumë të ulëta. Unë kuptoj fare mirë mundësinë që ky buxhet ofron, por nga ana tjetër krijimi i disa lehtësirave të tjera, i një bashkëpunimi i një kuadri marrëveshjeje do të ndihmonte.

-Çfarë lehtësirash kërkoni?

Për hapësirat teatrore përshembull që janë pronë e Ministrisë së Kulturës, duhet të na jepen në bazë të marrëveshjeve sidomos për aktivitetet, që kanë krijuar traditën. Në mendimin tim këto nuk duhet lënë në raportet individuale ndërmjet x drejtuesi festivali dhe një drejtori teatri. Nëse ne ministria na financon me x buxhet, që sigurisht do të donim të ishte më shumë, së paku të mos kemi probleme karshi teatrove dhe skenave. Në logjikën time një institucion pse është publik nuk ka pse të ketë përparësi me një tjetër, që është indipendent. Të dy i marrin financat nga shteti dhe janë kontributorë të kulturës në vend. Ministria e Kulturës unë gjykoj që është e aktorëve që operojnë në skenën e Shqipërisë, dhe duhet të ketë një marrëveshje që ne të kemi akses në skena dhe hapësirat teatrore në Shqipëri. Ministria është rregullator kryesor i kësaj pune, kush mund të jetë tjetër? Unë e kuptoj që Teatri Kombëtar ka ngarkesat e veta, teatrot e tjerë po ashtu, Akademia e Arteve ka të vetat, por një kuadër ligjor apo një rregullore e brendshme duhet, natyrisht pa abuzuar. Në vend ka mungesë skenash, kjo dihet. Ne duam një rregullator që të jetë i mirëkuptueshëm me të gjitha palët. Për ne nuk ka rëndësi se kush krah është në pushtet, por ka rëndësi që të avancojë kultura shqiptare. Çështja është që të institucionalizohet qasja e Skenës së Pavarur Kulturore karshi hapësirave skenike publike, të ketë pothuajse të njëjtën status me atë që kanë vetë institucionet publike. Ne bëjmë të njëjtën gjë dhe operojmë në të njëjtën fushë, paratë i marrim nga i njëjti buxhet, që është nga shteti.

 -Ju keni bashkëpunime për shfaqjet në Prishtinë. Atje si është trajtimi i artistëve krahasuar me Shqipërinë?

Kosova ka dukshëm shpërblime për artistët disa fish më të larta se sa Shqipëria për projektet. Flas nga eksperienca ime personale. Kosova është një shtet i ri, natyrisht që ndjehet një dëshirë më e madhe për ti çuar gjërat përpara, por dhe ata kanë problematikat e veta. Janë problematika që janë të çështjeve tradicionale, kulturore, të komunikimit midis njerëzve, të institucioneve, teknologjisë, etj. Por nga eksperienca ime personale në punën e fundit me premierën “Kumt” unë i kam pasur pothuajse të gjitha kushtet për të krijuar një shfaqje profesionale. Ka qenë një shfaqje sfidë për vetë ansamblin “Shota”. Ka qenë një qasje tjetër skenike, dhe për ata ka qenë një sfidë që ata e përballuan me shumë vullnet, me shumë dëshirë dhe institucionalisht të shkojnë drejt sfidave të reja.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2018 - 07:41

 Fundjava sjell në skenën e teatrit “Metropol” veprën teatrore “Ditari i Ana Frank”. Drama është mirëpritur nga publiku.

Postuar: 17/11/2018 - 07:39

  Ekspozita “Breza në artet figurative” vjen në edicionin e katërt në Muzeu

Postuar: 17/11/2018 - 07:37

 Në edicionin e 21 të Panairit të Librit shkrimtari Ismail Kadare ishte me lexuesit për prez

Postuar: 17/11/2018 - 07:35

 Autorë të njohur me vepra të suksesshme prezantohen këto ditë në edicionin e 21 të Panairit

Postuar: 16/11/2018 - 17:08

Shqipëria do të përballet me Skocinë ditën e shtunë në takimin e vlefshëm për Grupin 1 të Ligës

Postuar: 16/11/2018 - 07:27

Në Pallatin e Kongreseve, Shoqata e Botuesve Shqiptarë organizoi konferencën "Sfidat e lexim

Postuar: 16/11/2018 - 07:25

Teatri “Zihni Sako” në qytetin e Gjirokastrës në 50 -vjetorin e tij ka sjellë dhe edi