Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Helidon Haliti: Galeritë e arteve pas ’90-ës janë eliminuar, arroganca është bërë institucion, duhet rinovuar fondi i GKA

Postuar: 24/09/2019 - 07:33

Punët e 400 artistëve nga 60 shtete janë prezantuar për publikun në Bienalen Ndërkombëtare të Akuarelit “Self-Portrait” në Muzeun Historik Kombëtar. Bienalja zhvillon edicionin e tretë të saj dhe sipas kuratorit Helidon Haliti, prezantohen mjeshtrat e akuarelit me punët e tyre. Në intervistën për “SOT” piktori i njohur Helidon Haliti flet për punën që bëhet për organizimin e këtij aktiviteti, që zhvillohet një herë në dy vjet në vendin tonë, duke sjellë për publikun vepra të artistëve të huaj, por dhe shqiptarë. Piktori tregon se janë jo pak artistë që kërkojnë të marrin pjesë me punët e tyre, ndërkohë që sot Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit merret si shembull. Piktori i njohur Helidon Haliti vlerësuar si mjeshtër i akuarelit brenda dhe jashtë vendit ndalet dhe te problemet, që hasin sot artistët në aktivitetin e tyre. Ai shprehet se problemi qëndron te fakti çfarë bëhet sot me pikturën. Për piktorin edhe sallat e ekspozimit janë të pakta, ndërsa mungon dhe dialogu mes institucioneve dhe artistëve për zgjidhjen e problemeve.

-Në edicionin e tretë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit “Self-Portrait” në Muzeun Historik Kombëtar prezantohen punët e 400 artistëve. Si kurator, sa rëndësi ka për ju zhvillimi i bienales?

Në fillime ishte thjesht një pasion dhe dëshirë, për të bërë një ekspozitë të thjeshtë dhe për të ngjallur një teknikë të harruar. Por ne nuk e kishim menduar asnjëherë, që do të vinim me përmasa kaq të mëdha. Me përmasa që ishte 200 artistë vitin e parë, dhe më pas mund të fusnim dhe 600, 800 apo 1000 artistë, por sigurisht ne bëmë seleksionime. Njëkohësisht që ne mendonim që mediumi i akuarelit ishte harruar, unë kuptova që ishte harruar dhe tek unë informacioni mbi akuarel. Akuarelistët në botë janë jashtëzakonisht të organizuar, por ne na duhej vetë që ti sillnim në Shqipëri, njëkohësisht asnjëherë se kishim menduar që jemi bërë sot brandi më i rëndësishëm në kampin e akuarelit. Bienalja jonë merret për shembull, dhe kjo jo për vetë faktin të aftësive të mia apo stafit tim, por sepse ky medium ishte tejet i paeksploruar dhe ata që e përkrahin ose insistojnë tek ky medium janë artistë të mirë, por nuk janë organizatorë të mirë. Ne shfrytëzuam këtë rast për ta bërë Shqipërinë një qendër shumë të rëndësishme fillimisht të këtij mediumi, më pas si unë kam thënë në të gjitha intervistat e mëparshme, që të kalojmë dalëngadalë në mediumet e ashpra. Akuareli vetë ka një stacionim të tillë, pra fillon një teknikë e brishtë që mëson akuarelin dhe dëshira të shtohet për të filluar kontrolluar teknikat e tjera. Ndaj ne u hodhëm natyrshëm në një tematikë të caktuar, ndërkohë që dy edicionet e tjera e kishim lënë të lirë. Në këtë edicion të tretë ne futëm “Self-Portrait”, pra pikërisht për ta dalluar edhe gjininë por dhe teknikat, sepse dhe vetë gjinia e portretit është më e vështirë se sa vetë peizazhi, ku vitet e para ne kemi pasur më shumë peisazhistë. Pra ishte më shumë një lloj tendence turistiko-artistike, se sa artistiko-kuratoriale. Këtë vit erdhi diçka shumë më serioze dhe u kthye në një perceptim artistiko-kuratorial, për të shkuar me një tendencë edhe më të përparuar edhe me pretendime më të mëdha, si prurja tashmë e mjeshtrave të jashtëzakonshëm të portretit. Një nga ata ishte imperialisti Jose Luis Corell, që është gjë e rrallë që ndodhet në Shqipëri. Ne për të krijuar diferencën i dhamë dhe një hapësirë personale, ku ai solli në Tiranë gjashtë punë të paekspozuara, por bëhet fjalë që një nga veprat e tij zgjat deri në një vit punë, sepse është vetë teknika e tillë. Hapat që ne kemi bërë duken të ngadalshëm, duken të sigurt, por në fakt arritjet kanë një shkëlqim maksimal.

-Ju rëndësi i jepeni dhe demonstrimit, që bëjnë artistët me punët e tyre. Çfarë sjell kjo?

Në demonstrimet LIVE ne kemi futur një risi shumë të madhe, sepse për herë të parë në të gjithë botën në 2017 u bënë me ekrane led. Teknologjia ndihmoi, ku rritej cilësia e pasqyrimit e aktivitetit, rritej cilësia e pasqyrimit të filmimeve, sepse kërkojnë kamera shumë të specifikuara dhe njëkohësisht u rrit cilësia edhe e arkivimit të aktivitetit. Pra duke filmuar gjithçka ti dhe arkivon për t’ia lënë brezave. Ndërkohë që për shumë arsye të ndryshme, si kjo rënie tërmetit pjesëmarrja sivjet në demonstrimet LIVE ka qenë tejet e ulët, sepse dhe vetë Muzeu Historik Kombëtar kishte pësuar krisje dhe çarje. Ne i arkivojmë demonstrimet, sepse artistët punuan me një seriozitet të madh. I kemi regjistruar dhe mund t’ia japim shkollave falas, duke i treguar se si ka punuar një mjeshtër. Për të shkuar më pas tek ajo që quhet piktura dhjetë metër, që ishte me tematikë Tiranën, ku ne iu bashkuam aktivitetit “Shqipëria pa makina” etj.

-Jeni mjeshtër i akuarelit, me vlerësime edhe jashtë Shqipërie, keni pohuar më herët se kjo gjini është harruar në vendin tonë. Çfarë ka ndodhur ndër vite?

Unë jam evidentuar pasi e nisa këtë aktivitet. Pra unë nuk e kam ndaluar akuarelin ndonjëherë, por zhvillimi i kakofonisë në vetvete pas viteve ‘90, ku vetë tregu i panjohur krijoi kakofoninë e tij, vetë investimet e ardhura nga jashtë krijuan kakofoninë e tyre, vetë kërkesat e brendshme të tregut ishin të paqarta, atëherë domosdoshmërisht lind një braktisje. I pari që pësoi këtë gjë ka qenë teknika e akuarelit, për pasojë që më pas filloi të shembeshin edhe teknika të tjera si vaji. Por u zëvendësua me një teknikë të një teknologjie tjetër, që është akriliku, por qëllon që ka bazë uji. Pra nëse ti nuk e njeh akuarelin mirë nuk mund të njohësh teknikën e akrilikut. Kështu që, ajo që unë nisa të investoj në këtë solli shumë efikasitet. Sot ke shumë nxënës, që pikturojnë lirshëm akuarel, më vonë ata mund të vazhdojnë dhe paraqitjet e tyre në botë. E rëndësishme është, që Shqipëria zë një vend të rëndësishëm sot në fazën e akuarelit.

-Ka piktorë shprehen për probleme me aktivitetin e tyre. Për ju, sa ndihmohen nga institucionet ?

Piktorët nuk ndihmohen, janë një minoritet i rëndomtë dhe nuk ka asnjë lloj ndihme, por këtu është çështja e pikturës. Piktorët mund të jenë një minoritet, por piktura nuk është minoritet në të gjithë botën. E zëmë se të vijnë sponsorë apo investitorë, dhe thonë që ne nuk na intereson piktura. Pra nuk flitet për piktorët, por me pikturën çfarë bëhet? Ajo që unë sjell është, që ne duam të mbajmë gjallë pikturën në vetvete, ndërkohë që nuk bëhet nga institucionet e tjera. Institucionet përkatëse të kenë të paktën salla ekspozimi, që janë minimizuar shumë, sidomos me hyrjen e menaxhimit të rrjetit të galerisë së arteve, ajo është një karshillëk elitash i panevojshëm. Sot mund të jetë një elitë, nesër mund të zëvendësohet me një tjetër. Nëse vazhdojmë kështu ne djegim breza të tërë, ndaj unë ringjall brezat në këtë bienale. Një ngushtësim i distancës mes brezave. Me pavionin e nostalgjisë sjell pikturë, që të vitit 1952 të Hasan Reçit dhe deri te ditët e sotme të Vangjo Vasilit. Pra ne bashkojmë brezat si Sali Shijaku, Skënder Kamberi, Jorgji Gjikopulli, etj, kjo është e rëndësishme.

-Mungesën e aktiviteteve të organizuara nga institucionet, piktorët e shohin me shqetësim. Çfarë mund të na thoni?

Nuk ka asgjë të organizuar mirë. Duhet të kuptojmë, që kjo punë nis nga investitorët. Nëse ka prodhim investitorët janë më të interesuar ti afrohen, nëse prodhimi ulet ata largohen vetvetiu dhe i hidhen një objekti tjetër. Ne shikojmë se fillimisht shkatërrohet në përgjithësi një zhanër, përshembull piktura. Nuk ka salla ekspozimi për tu matur me njëri-tjetrin. Nuk ka aktivitete, përvjetorë, por kemi disa grupime artistësh, ku secili krijon atë “elitën” e vet dhe bën një aktivitet në vit. Por te ne nuk ka blerje. Nuk ka fonde për të rinovuar fondin e 30 vjetëve. GKA ka 30 vjet, që nuk blen vepra. E treta, dhe më e rëndësishme është që të gjitha galeritë e arteve, pas viteve ‘90 janë eliminuar në një mënyrë ose në një tjetër, ndërkohë që dyqanet e kornizave funksionojnë. Pra privati mundohet ta mbajë gjallë. Ndërkohë që disa breza nuk shkojnë dot jashtë të maten me artistë të huaj, unë i sjell në Shqipëri që ata të maten dhe të ndihen optimistë, të ndjehen të motivuar. Por unë sjell supermjeshtra, që dialogojnë me mjeshtrit shqiptarë.

-Sipas artistëve ka munguar edhe dialogu për problemet e tyre me institucionet. Ju vetë çfarë kërkoni?

E mira do të ishte një debat i hapur ndërmjet atyre, që bëjnë aktivitete siç jemi ne pra “VizArt” dhe institucionet përkatëse si Ministria e Kulturës, Galeria Kombëtare e Arteve, ti kuptojmë se çfarë kanë ndërmend të bëjnë. Nëse ata promovojnë një lloj arti tejet inteligjent dhe të kohës siç ishte ekspozita e shkëlqyer e fundit e Pacit dhe jemi dakord me këtë, por jemi edhe të detyruar të debatojmë, të kuptojmë se ku e çon, sepse tre muaj më parë kishim Kol Idromenon në GKA. Pra nuk është se ata janë kundër pikturës, por janë kundër piktorëve, ose kundër atyre që i quajnë mesatare të ulët, ndoshta janë pro elitave. Unë nuk kam asgjë kundër kësaj mënyre të menduari, sepse lehtësisht mund të thonë ok, ty të mbështet ministria, bashkia dhe të kemi ty Helidon e vazhdoje këtë punë, MHK e ke gati dhe ne do të përkrahim këtë gjë. Unë nuk kam asgjë kundër, por ama duhet të ulemi të diskutojmë, të jemi të qartë dhe të kuptojmë, ndoshta nuk është e nevojshme të flasin të dy palët një gjuhë shqipe shumë të pastër, por mund të kemi një gjuhë konceptuale shumë të qartë. Ne gjithsesi informohemi edhe pse duket si artistë tradicionalë. Ne mundohemi hap pas hapi të ndjekim me mjetet kontemporane, mjetet e reja, që ti pasojmë ato në breza dhe të kuptojmë, që ajo është thjesht një evolim, por jo shkatërrim. Unë mendoj se një dialog, që ka munguar do ta ndihmonte këtë situatë. Por arroganca është bërë institucion, sepse ironia më e madhe e di kush është bërë në Shqipëri, që gjermani vishet si partizan dhe partizani vishet si gjerman, vetëm gomari është gomar. Kur hap një institucion të si rasti i COD thotë institucion për dialog, por dhe GKA po ta vësh re në platformë thotë jemi të hapur për dialog. Por nëse ti i zgjedh vetë artistët nuk ka dialog, pra bordi është jashtë loje, nuk është dialog por monolog. Është e lehtë të bësh ekspozitë të një autori, duke pasur kishën pas, ambasadat pas, dhe është shumë e vështirë të bësh një ekspozitë me 400 artistë.  

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 08:02

Ekspozita “Vetmia e engjëllit- La solitudine dell’Angelo” u çel për publikun në Muzeun Historik Kombëtar.

Postuar: 20/10/2019 - 08:01

Ekspozita “Post-Avangarda Lindore” me punët e tre artistëve nga Shqipëria u hap në ga

Postuar: 20/10/2019 - 07:59

Në festivale të ndryshme poeti i njohur Jorgo Papingji është vlerësuar me krijimtarinë e tij.

Postuar: 19/10/2019 - 07:28

 Orkestra e Harqeve e qytetit të Vlorës, nën dirizhimin e Oleg Arapit, vjen këtë mbrëmje me

Postuar: 19/10/2019 - 07:27

Komedia “Karagjozi” shkruar nga Skënder Guri erdhi premierë në skenën e teatrit Metro

Postuar: 19/10/2019 - 07:25

 Teatri Kombëtar këtë sezon artistik e çeli me veprën teatrore “Xhelatët”.

Postuar: 19/10/2019 - 07:24

Ministria e Kulturës nuk mbështet krijimtarinë muzikore shqiptare.