Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Hysen Sinani: Ministria e Kulturës vepron si shoqatë, ja e vërteta e panaireve dhe çmimeve të letërsisë

Hysen Sinani: Ministria e Kulturës vepron si shoqatë, ja e vërteta e panaireve dhe çmimeve të letërsisë

Postuar: 09/01/2015 - 08:25

Politikat për librin nga Ministria e Kulturës duket se janë larg asaj që presin autorët shqiptarë. Në fushën e letërsisë janë shumë probleme, dhe shkrimtarët shumë pak e gjejnë përkrahjen e dikasterit ministror. Për librin ndër vite është bërë pak, por dhe në fillimet e 2015, shkrimtarë dhe përkthyes kërkojnë që Ministria e Kulturës të ketë një rol më të madh në ndihmë të tyre. Shkrimtar dhe përkthyes i njohur, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Hysen Sinani pohon se shkrimtarët sot janë pa përkrahje institucionale. Në intervistën dhënë për gazetën, shkrimtari Hysen Sinani kundërshton dhe ndarjen e çmimeve të letërsisë nga Ministria e Kulturës, që sipas tij është një politikë e gabuar. Në letërsi Hysen Sinani është autor i tetë romaneve, si përkthyes ka realizuar përkthime nga më dinjitozet e letërsisë botërore si: “Për atdheun”, nga Blasko Ibanjez; “Maria Shapdëlenë”, nga Luis Hemon; “Madalena”, nga Henri Truaja; “Greqishtja për shqiptarët”, nga “Asimil”; “Jeta e Volterit”, nga Andre Morua; “Udhëtari i natës”, Maurizio Maggiani; “Një Xhinxhis Khan i ditëve tona”, Alberto Bevilacqua; “Krimet e mëdha të historisë”, Pierre Bellemare; “Shqisa jonë e gjashtë”, Charles Richet; etj. Është autor i fjalorit Greqisht-Shqip me 30 mijë fjalë dhe po përfundon dhe fjalorin Frëngjisht-Shqip, për të cilin pohon se do të përmbajë rreth 50 mijë fjalë.
 
-Jemi në muajin e parë të 2015. Si ka nisur ky vit për ju si shkrimtar dhe përkthyes?
 
Për mua ky vit është vazhdimësi për shkak të një pune të madhe që kam në duar. Këtë vit përfundoj fjalorin Frëngjisht-Shqip, dhe duke pasur një punë kaq të madhe me të cilën po punoj prej katër vitesh, është vazhdimësi. Por ndryshimi në çdo vit të ri, është ajo që njeriu shpreson se do të jetë më i mirë se viti i kaluar. Unë shpresoj që të dalë sa më parë në botim ky fjalor. Më pas mund të kemi plane të tjera, por tani unë jam i përqendruar vetëm në fjalor.
 
-Në vitin që lamë pas Qendra P.E.N e Shqipërisë, Qendër e "P.E.N International" në Tiranë, ju vlerësoi me çmimin "Përkthyesi i vitit 2014". Si e shikoni funksionin e qendrës?
 
“P.E.N Albania” është një organizatë shkrimtarësh shumë e mirë. Është një klub, që bashkon në gjirin e vet shkrimtarë të njohur, si Sadik Bejko, Ndue Gjika, Entela Kasi, Xhevat Lloshi në fushën e gjuhësisë, dhe mjaft të tjerë. Kjo qendër funksion me rregull që është shumë pozitiv, aq më tepër kur dimë mungesën e veprimtarisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilës i kanë marrë të gjithë bazën materiale mbi të cilën ajo organizonte veprimtarinë e saj. Ndaj roli i qendrës P.E.N, është mjaft i mirë dhe përkrahje për shkrimtarët, që këtë vit janë më të vetmuar se kurrë, më të vetmuar se vitin e kaluar, dhe më vetmuar se dhjetë vjet më parë.
 
-U shprehët se shkrimtarët janë pa përkrahje, çfarë mund të na thoni mbi rolin e Ministrisë së Kulturës?
 
Ministria shqiptare e Kulturës, që nga viti 1991 e deri më sot nuk ka pasur asnjëherë program kulturor. Ka qenë një ministri pa program, edhe kur ka pasur shkrimtarë të shquar në krye si Vath Koreshi, edhe sot nuk ka pasur program kulturor. Është një Ministri Kulture, e cila merr përsipër gjoja të bëjë programe kulturore, të cilat nuk i ka bërë kurrë. Nuk ka një program të mirë kulturor për librin, për teatrin, etj. Ajo bën disa pseudoprograme, disa veprimtari, që duhet ti bëjë një shoqatë, veprimtari si panairi i librit që u bë në MHK, që nuk ka të bëjë fare me panairin, vetëm se bëjnë intriga dhe karshillëk me panairin ekzistues tradicional, ose japin çmime në letërsi. Nuk ka Ministri Kulture të japë çmime, sepse nga pikëpamja morale është e ndaluar të japë ministria çmime, domethënë t’u kërkojë shkrimtarëve të jenë skllevër të varur prej kësaj ministrie. Ministria nuk duhet të japë çmime, dhe nëse jep duhet ti japë të ndershme, jo të pandershme. Me sa jam në dijeni, që kur jepet një çmim për një shkrimtar të panjohur, pohuar nga askush, tregon se është i pandershëm, i manipuluar, apriori. Nuk është ministria në gjendje të vlerësojë as një talent të ri, as një talent të vjetër të zbuluar vonë, dhe as nuk e di se çfarë. Këtë duhet ta bëjë publiku, shtëpitë botuese, dhe aq më tepër duhet ta bëjë një organizatë shkrimtarësh dhe artistësh që i mungon Shqipërisë. Qëllimi për të asgjësuar Lidhjen e Shkrimtarëve është që të bëjnë këto gjëra të çoroditura, për të krijuar përshtypjen se çfarë po bëjnë. Atë çmim që dhanë ata të ministrisë, le t’ia jepnin qendrës P.E.N apo Lidhjes së Shkrimtarëve sepse ekziston dejure, por de facto nuk ka ndërtesë. Por dhe në shtëpinë time mund ti kishin ndarë më mirë ato çmime se sa të ndaheshin në zyrën e një ministreje jo kompetente për letërsinë. Ajo është përkthyese jo shkrimtare.
 
-Jeni përkthyes i njohur. Si e keni parë fondin e përkthimit që ndau një vit më parë Ministria e Kulturës? 
 
Nuk duhet të ketë fond për përkthimet, sepse duhet ti marrin përsipër shtëpitë botuese dhe ti shpërblejnë përkthyesit me tarifat që ka caktuar qeveria, jo me gjysmë çmimi.
 
-Sa janë tarifat e përkthimit?
 
Më 1997 u caktuan tarifat për përkthimin e letërsisë të huaj në gjuhën shqipe, 1000 lekë të reja me 2200 karaktere me hapësirë, dhe nga letërsia shqipe në gjuhë të huaj tarifa ka qenë 1200 lekë të reja me 2200 karaktere me hapësira. Shtëpitë botuese japin 500 lekë të reja apo 600 lekë të reja. Shtëpitë botuese nuk e zbatojnë këtë tarifë, i takon policisë tatimore që duhet ti bëjë këto kontrolle. Do të isha kureshtar të pyesja ministren, se sa është paguar për përkthimet e saj?
 
-Po flisni për mosrespektim të tarifave të përkthimit, por problemet në fushën e përkthimit janë të shumta. Vepra të ndryshme vijnë me shumë probleme tek lexuesit?
 
Heqja e redaktorit, korrektorit letrar, që do të thotë 100 lekë të reja njëri për faqe dhe 200 lekë të reja tjetri që shkon 300 lekë të reja, por shtëpitë botuese nuk paguajnë korrektor as redaktor, madje dhe përkthyesi i mirë merr gjysmë çmimi, kjo sjell probleme të shumta në veprat e përkthyera. Përkthimi është një procedurë e përgjysmuar. Një autor i madh mund të vijë mirë në gjuhën shqipe vetëm rastësisht, që do të thotë përkthim nga një përkthyes i pasionuar dhe i përgatitur që bën edhe punën e redaktorit dhe korrektorit, dhe përkthen për dëshirën e tij duke mos marrë parasysh shpërblimin.
 
-Si shkrimtar dhe përkthyes ju folët për disa probleme. Në fillim të këtij viti çfarë kërkoni nga politikat e Ministrisë së Kulturës për librin?
 
Të gjitha programet që thotë Ministria e Kulturës po i bëj, me sa kam vënë re janë thjesht propagandistikë për të krijuar përshtypjen se ç’po bëjnë. Por me sa di unë nuk ka sponsorizime, ose janë sponsorizime të pjesshme të një autori për të thënë se kemi sponsorizuar njëzet të tillë. Kam dëgjuar që është një revistë letrare poetike, që e sponsorizon Ministria e Kulturës, por me sa më kanë treguar, nuk i kanë qarkulluar paratë dhe duket se autori e bën me paratë e tij. Po të hysh në brendi, duket se çdo gjë është një karnavaleskë, një gjë e sajuar, një burleskë bajate. Para më shumë se dhjetë vitesh, kam bërë një shkrim për politikat kulturore të dikurshme, që në fakt ato politika duke i parë me këto të sotmet kanë qenë më të mira, sepse ato kishin disa tema të politikave kulturore, por sot unë nuk kam dëgjuar për tema apo tituj të politikave kulturore. Kultura është më e vështirë se ndërtimi i rrugëve, sepse në kulturë përfshihet edhe ideja e një libri filozofik, krijimi i një valleje kombëtare me motive nga e gjithë Shqipëria, prodhimi i një filmi, etj, ndërsa rruga ka vetëm 4-5 parime dhe bëhet. Rruga të jep gjithë ato para, dhe kultura nuk ka, vetëm se të merr. Prandaj sa të ketë klasë politike me koncepte për të ngrënë dhe për të mos dhënë që të hanë të tjerët, nuk do të ketë kulturë në Shqipëri. Shqipëria mund të pranohet ndoshta në BE pas 20 vjetësh, nga pikëpamja kulturore do jetë gjithmonë lagje e jashtme, e prapambetur e paaftë për të konkurruar, me përjashtim të individëve gjenialë që shpërthejnë në terrene të tjera, por për këtë si takon ministrisë që të mburret. Kur flasim për librin, ministria duhet të krijojë kushte ligjore që të mos pengojë bashkimin e shkrimtarëve. Tek ne shkrimtarët botojnë për llogari të tyre. Në asnjë histori në botë nuk do të gjesh rastin e shkrimtarit që boton me paratë e tij librin. Fillon botimi i vërtetë kur shtëpia botuese e merr një autor dhe e shpërblen sipas mundësive. 
 
-Në vitin që lamë pas u zhvilluan panairi tradicional i librit dhe një tjetër festival arti dhe libri. Si i patë këto dy aktivitete?
 
Panairi tradicional i librit u sabotua nga ai modernisti, që u zhvillua në MHK. Por as ky modernisti nuk bëri gjë, po ashtu dhe ai tradicionali. Besoj këtë vit që kemi hyrë do të jetë një paralajmërim katastrofik për të dy panairet. Panairi tradicional më duk stoqesh, por dhe ai që financoi ministria ishte më pak se panair stoqesh.
 
-Si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, çfarë mund të na thoni sot për LSHA?
 
Lidhja sot ekziston, por funksionon më mirë në rrethe se në qendër. Në Tiranë ka një problem me të cilin ka 7 vjet që merret, është gjygji për çështjen e ndërtesës me shtetin shqiptar. Procesi ka shkuar në Gjykatën e Lartë, dhe mund të kërkojë 1 apo 2 vjet të mbarojë në gjykatë dhe çështja do shkojë në Strasburg. Ne si LSHA ngulim këmbë që na takon jo vetëm ndërtesa, por e gjithë baza materiale, që është shkatërruar e Lidhjes. Këtë do ta zgjidhë gjygji ndërkombëtar, sepse ai shqiptar nuk besoj. Ne po presim që të mbarojë procesi në Gjykatën e Lartë, sepse ose gjykata e rrethit apo ajo e lartë humbën dosjen e LSHA. Tani u përsërit dosja dhe do të kalojë dhe 2 vjet derisa të shqyrtohet. Ne e kemi këtë proces dhe nuk heqim dorë. Intervistoi: Julia Vrapi
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 42

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në skenën e teatrit të qytetit të Korçës.

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “

Postuar: 08/12/2018 - 07:36

Shfaqja “Unë kam gjithmonë një shami në xhepin tim” bën bashkë artistët shqiptarë dhe

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mo

Postuar: 07/12/2018 - 07:41

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX të Ditëve të Albanologjisë.