Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Jetmira Lubonja: Kinematografia dhe teatri janë harruar, nuk kemi më regjisorë si dikur

Postuar: 21/08/2018 - 07:43

Roli i parë në kinema për aktoren Jetmira Dusha (Lubonja) ishte në filmin “Mëngjese të reja”, prodhim i 1980. Pas rolit të parë në kinema të tjera personazhe në filmat e atyre viteve janë interpretuar nga aktorja Jetmira Dusha (Lubonja). Filmi dhe teatri me angazhimin artistik si dhe personazhet e interpretuara i dhanë asaj vlerësimin e publikut. Kanë kaluar dekada, por aktorja tregon punën që bëhej ato vite me filmin, ku sipas saj spikaste profesionalizmi dhe regjisorët kishin përgatitje. Në intervistën për “SOT” aktorja Jetmira Dusha tregon se me keqardhje shikon që sot nuk ka më përgatitje dhe punë si dikur, kjo sipas saj ndikon jo pak dhe në cilësinë e filmit, apo dhe në teatër. Përgjegjësi për situatën që po kalon arti sot sipas aktores nuk kanë vetëm institucionet, por dhe vetë artistët duhet të jenë më kërkues. Filmi dhe teatri sipas aktores duket se sot janë lënë në harresë dhe institucionet përgjegjësi pak vëmendje kanë për artistët.

-Aktiviteti juaj artistik me filmin dhe teatrin ka nisur dekada më parë. Si e kujtoni angazhimin, por edhe rolin e parë në kinema më 1980?

Fillimet e mia drejt artit kanë nisur me poezinë, që kur kam qenë fëmijë. Merrja pjesë në Pallatin e Pionierit dhe isha zgjedhur dhe për të recituar në Pallatin e Kongreseve. Nga këtu ka nisur dhe angazhimi im me jetën artistike. Vite më pas fillova studimet në Akademinë e Arteve. Roli im i parë në kinema ka qenë Nora në filmin “Mëngjese të reja” më 1980 me regji nga Muharrem Fejzo. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë dhe me regjisorin Muharrem Fejzo. Në ato vite për kinemanë shqiptare dhe kishe tjetër vëmendje për e realizimin e filmit krahasuar me çfarë ndodh sot.

-Diskutohet shumë për kinemanë shqiptare dhe problemet, ju punën me filmin ato vite si e kujtoni?

Filmi shqiptar ka pasur interes në atë kohë. Unë që nga vitet ’80 kam qenë aktore e teatrit, por me kinoprovat që bëheshin ato vite kam pasur rastin të luaj disa filma, dhe mes tyre jam edhe me role kryesore. Përmend këtu filmin “Mëngjese të reja”, “Ëndërr për një karrige”, por dhe të tjerë me role të dyta. Po atë kohë punohej shumë me filmin, por dhe mirë. Punohej me aktorin, regjisori punonte me filmin për një kohë të gjatë dhe më pas fillonte xhirimin. Kjo ka qenë kryesorja, që regjisorët në atë kohë kishin një eksperiencë nga regjisori më i mirë. Pra nëse punonte me filmin Kristaq Dhamo apo Dhimitër Anagnosti do të mbanin nga dy asistentë regjisorë me filmin, që ishin të rinj, të cilët pas shumë vitesh do të merrnin përsipër realizimin e filmit. Nuk duhet sa të mbarosh shkollën të nisësh të xhirosh filmin artistik. Nuk mund ta bësh dot pa pasur një përgatitje dhe eksperiencë. Dikur ata që merrnin të bënin një film artistik kishin eksperiencën e një regjisori që kishin punuar më parë, njëlloj si puna e një specializimi që mund të bësh sot. Ajo që unë shikoj sot dhe më vjen keq për këtë është që mbarojnë shkollën gjejnë mënyra për t’u financuar për filmin dhe nisin xhirimet. Kjo nuk është e drejtë, sepse ti si regjisor nuk ke akoma eksperiencën, që duhet me kinemanë. Puna që bëhej në Kinostudio ka bërë që filmat e asaj kohe kanë mbetur në publik. Edhe kohët sot mund të ketë dhe filma të mirë, por se di pse ka humbur interesi për kinemanë, mbase nuk bëhet dhe përzgjedhja e mirë e shumë aktorëve.

-Si ndikon kjo?

Duke mos marrë ata aktorë që janë më të mirët kjo sjell probleme me cilësinë e filmit. Por nëse mendon të bësh film dhe me ato para që gjen merr në role ata që janë të afërt me ty si regjisor dhe i jep dhe më pak para si dikë tjetër që mund të ishte më profesionist kjo është e keqe. Ato vite më kujtohet që dhe në teatër vinin nga Këshilli Artistik dhe na zgjidhnin që në shkollë, të shikonin dhe në provime, dhe më pas do të vendosej nëse do ishe apo jo aty ku duhej. Ndërsa sot mbarojnë shkollën dhe asgjë më pas. Më vjen keq për teatrin dhe për faktin që aktorët nuk janë të punësuar diku. Një ditë ai do të kërkojnë pensionin po ku do ta marrë kur të plaket? Sot aktorët janë me kontrata shumica, janë shumë pak me trupën e aktorëve. Aktori nuk është i siguruar me punën e tij, kjo për shkak të politikave që ndiqen në institucione, në art dhe kulturë. Por gjëja e parë që mendoj, të ndërtohet një teatër i ri kombëtar, dhe të mos jemi më me këtë gjendje që është sot ai institucion. Teatri Kombëtar ka dalë jashtë përdorimit me kohë dhe është gjynah, që rrihet në atë batak. Kjo sepse për vite e vite munguan investimet, mungoi vëmendja dhe sot ka arritur në atë gjendje. Unë jam për tu bërë një Teatër i ri Kombëtar. Teatri duhet të bëhet, sepse askush nuk e ka pronën e vet.

-Filmi përballet me probleme, por realizimet e asaj kohe në Kinostudio siç thatë dhe ju kanë mbetur në publik...

Unë kam vite që nuk jam angazhuar me filmin, por më vjen shumë mirë që prodhimet e asaj kohe me kinemanë shqiptare i shikojnë dhe sot. Më vjen mirë që kur takoj njerëz në rrugë dhe thonë: tani sa pashë filmin tënd. Kjo sjell gëzim për ne aktorët e asaj kohe. Unë jam larguar prej vitesh nga kinemaja. Ndodhi që emigrova jashtë dhe më pas kur u ktheva punova si koordinatore për kulturën te Qendra Kombëtare e Kulturës. Unë e kam lënë pjesën time në kinema, por nuk u largova shumë prej filmit. Jam marrë me dublime filmash, jam marrë me serialet për fëmijë, etj, pra nuk jam larguar fare nga filmi, sot më vjen keq për gjendjen që është kinematografia shqiptare. Jo vetëm për filmin shqiptar, por dhe për teatrin nuk e kthen njeri vëmendjen. Te teatri flitet sot për një godinë të re dhe shumë mirë, por sa probleme të tjera janë ndër vite duke e lënë në harresë. Pa buxhete për projektet artistike në skena, pa vëmendje për aktorët, festivale të teatrit që duan tjetër kujdes, etj, të gjitha tregojnë që për ndër vite nuk është menduar. Edhe kinemaja shqiptare vijon me jo pak probleme. Pak buxhete siç pohojnë kineastët sot me filmat, probleme me përgatitjen e atyre që duhet të merren me filmin, etj. Unë dikur e kam pasur ëndërr teatrin dhe filmin, por nuk kam më interes për të parë një film të ri apo një shfaqje të re. Jo vetëm sot diskutohet cilësia, por dhe vëmendja e shtetit, e Ministrisë së Kulturës për artin është pak. Ndoshta ajo që duhet të bëjë më shumë ministria të ketë konsultime me artistët, problemet janë askush nuk i dëgjon.

-Ju pohuat rëndësinë e përgatitjes për filmin dhe teatrin dhe problemin me regjisurën, pohuat dhe se duhen specializime, po institucionet sa përgjegjësi kanë?

Një student nuk mundet kurrsesi të jetë regjisor i një filmi artistik pa kaluar disa vite punë më parë me projekte të tjera. Ti çojnë regjisorët e rinj për t’u specializuar dhe jashtë, këtë duhet të mendojë dhe ministria. Ministria përkatëse tre vetë për teatrin mund ti çojë jashtë ti specializojë, të jenë në vendet më të mira dhe kur të vijnë këtu bëjnë diçka me vlerë. Sot në teatër dhe në kinema kemi probleme me përgatitjen e regjisorëve. Ata presin nga aktori, por vetëm ai nuk ka çfarë të bëjë kur ti si regjisor nuk di vetë. Për teatrot në rrethe duket sikur kanë marrë fund.

-Ju për më shumë se një dekadë keni qenë në Teatrin Kombëtar, pohoni se ka probleme por dhe në rrethe teatri ka marrë fund. Pse?

Sepse kanë pasur një teatër në çdo qytet dhe shikohej ato vite, sot gati janë shuar dhe kanë mbetur shumë pak shkëndija të vogla. Përgjegjësia jo vetëm te ministria, por dhe te bashkitë që i kanë këto institucione në varësi. Mos japin fonde vetëm për ndonjë koncert, pasi teatri tregon kulturën e një vendi.

-Aktiviteti juaj me filmin nisi që në vitet ’80, jeni larguar, por një ofertë për role në kinema do ju rikthente?

Unë jam angazhuar jo vetëm me filmin artistik me metrazh të gjatë, por dhe disa me metrazh të shkurtër. Në gjendjen që jam sot nuk besoj se do të kem rikthim me kinemanë, sepse siç ju pohova jam marrë me të tjera aktivitete. Kam qenë koordinatore e kulturës te Piramida, jam marrë shumë me aktivitetet rinore të gjithë Tiranës, veprimtari të tjera si dhe panaire libri. Nëse do ishte sot një propozim për rol nuk besoj se do të pranoja, sepse tani jam e fokusuar me angazhime të tjera që duan vëmendjen time.

Aktiviteti artistik ndër vite

Jetmira (Dusha) Lubonja pas përfundimit të Akademisë së Arteve, më 1980 fillon punën si aktore në Teatrin Popullor ( sot Teatri Kombëtar). Roli i saj i parë në teatër do të jetë Dea në shfaqjen “Tragjedia e fundit e Deas”, i cili dhe pse episodik u vlerësua dhe u mor mjaft me seriozitet nga aktorja e re ato vite. Po në 1980 ajo do të luajë dhe rolin e parë në kinema tek filmi artistik “Mëngjeze të reja”, rol kryesor së bashku me aktorin tjetër Kastriot Çaushi. Sipas shkrimeve kritike ndër vite cilësia e aktores Jetmira Dusha ka qenë puna me seriozitet e roleve, pa dallim si personazh kryesor apo dytësor, duke ditur të futet në brendësi të tyre. “Ta interpretonte atë në mënyrë që të mbetej i paharrueshëm”, shkruan kritika për rolet e saj. Si aktore ka spikatur dhe në gjininë e komedisë. Përmendim “Pas vdekjes” më 1980, “Ëndërr për një karrige” 1984, apo tek teatri me shfaqjen “Martesa e avokatit”. Në kinema pas filmit të parë “Mëngjeze të reja” me rolin e Norës, Jetmira Dusha vijoi si aktore dhe me filmat si “Pas vdekjes” 1980, “Kur xhirohej një film” më 1981, “Ëndërr për një karrige” 1984, “Pesha e kohës”, “Shpresa”, “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Kronika e atyre viteve”, dhe me të tjerë tituj për të mbërritur te filmi “Djali elastik” 1989. Pas rolit të parë në teatër më 1980, ajo u angazhua dhe në shfaqjet si “Zonjëza Lulushe”, “Valsi i Titanikut”, “Në prag të jetës”, etj. Në vitet ‘90 ajo emigroi në Gjermani, pas disa vitesh u rikthye dhe filloi angazhimin e asaj aktivitetet në Qendrën Kombëtare të Kulturës në Tiranë.

 Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 3. Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 12:27

Regjisorja dhe aktorja Eliona Thomaraj shprehet se që nga viti 1947 teatri rezistoi për disa dekada. Por për aktoren sot po harrohet se çfarë iu intereson artistëve.

Postuar: 20/09/2018 - 10:18

Komedia e trishtë “Babai” me regji nga Spiro Duni dhe një kast aktorësh të njohur për

Postuar: 20/09/2018 - 10:15

Muzeu Historik Kombëtar ka publikuar të dhënat për numrin e vizitorëve gjatë periudhës janar-gush

Postuar: 20/09/2018 - 10:13

“Tirana International Film Festival” (TIFF) pritet të zhvillojë edicionin e 16.

Postuar: 19/09/2018 - 07:51

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit prezantoi të martën në mbrëmje përzgjedhjen e dytë me filma të

Postuar: 19/09/2018 - 07:50

Drama “Peng” shkruar dhe me regji nga Saimir Gongo pritet të jetë premierë te “

Postuar: 19/09/2018 - 07:48

Ekspertë nga Europa Nostra, organizata kryesore e trashëgimisë në Europë dhe Instituti i Bankës E