Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Jorgo Papingji: Eksperimentimi në krijimtari po mbyt vlerat e këngës, tekstet kanë humbur idenë sociale

Jorgo Papingji: Eksperimentimi në krijimtari po mbyt vlerat e këngës, tekstet kanë humbur idenë sociale

Postuar: 20/09/2013 - 10:18

Është autori i 4200 teksteve të këngëve, që janë pëlqyer e kënduar në breza. Jorgo Papingjin e njohim si poetin e vargjeve në këngë hite të festivaleve të këngës së lehtë, popullore dhe moderne. Mjeshtri i Madh Jorgo Papingji tregon se të shkruarit e teksteve të këngës është pasioni i jetës së tij, dhe falë këtij pasioni sot krijimtaria e tij ka një vlerësim shumë të madh. Për mjeshtrin teksteve të këngës, vlerat janë ato që mbajnë gjallë një këngë, por sipas tij sot fatkeqësisht në shumë tekste këngësh ka jo pak probleme. Jo vetëm muzika, por dhe teksti i këngës lë për të dëshiruar. Në intervistën dhënë për gazetën, poeti i njohur Jorgo Papingji shprehet se sot shumë pak shikojmë tekste këngësh që kanë idenë sociale brenda tyre. Kjo sipas tij është një e metë e madhe, e cila ka bërë që të tilla këngë të mos kenë jetëgjatësi. E nëse ky problem ka pushtuar tregun muzikor, edhe për skenat e festivaleve poeti i njohur ka vërejtje, duke theksuar se shumë pak rëndësi i kushtohet edhe redaktimit letrar të tekstit të këngës. Një redaktim letrar sipas tij, do të thotë jo censurim por për ta sjellë këngën me sa më shumë vlera artistike.

-Jeni një nga poetët më të vlerësuar për tekstet e këngëve, me një krijimtari të pasur ndër vite. Por gjatë këtyre viteve pak këngë kanë jetëgjatësi, dhe jo pak problem janë dhe tekstet. Çfarë ju shqetëson ju si poet?

Ecuria e teksteve të këngës ka rrugën e vet, dhe gjatë rrugës ka gjëra të mira, ka gjëra mesatare, ka probleme. Problemi është në raportet midis teksteve të këngës që kanë vlera sociale, shoqërore, materiale, vlera të jetës së përditshme, dhe teksteve që synojnë më tepër në komercializim. Një gjë është fakt, që me zhvillimin e shoqërisë në sensin e komercit edhe tekstet gjithnjë dhe më tepër kanë humbur idenë sociale të tyre, idenë problematike të tyre. Ata gjithmonë dhe më tepër i afrohen vlerave komerciale, sepse kjo ka të bëjë dhe me shtëpitë diskografike, ka të bëjë me kërkesat e tregut. Gjithmonë dhe më tepër kanë rënë tekstet me përmbajtje të thellë shoqërore ose analitike në filozofi brenda. Tekstet janë më të lehta, ka përsëritje disa herë të së njëjtës fjalë, sepse kështu e do sot kënga që konsiderohet bashkëkohore. Për një këngë në përgjithësi, vlerat nuk maten me komercin e tyre, vlerat maten me sa njerëz përfshin një këngë, e sa njerëzve bëhet e tyre kënga. Nuk flas vetëm për një audiencë që ndjek ritmin e këngës, por flas për një audiencë që kërkon edhe përmbajtje, edhe filozofi, edhe vlera. Sa më shumë ti afrohesh një kënge me përmbajtje të gjithanshme dhe kryesisht sociale, problematike, siç është droga, dhuna, vlera e gruas, ku po shkojmë, ku po ecim, ku do të përparojmë, etj, aq më vlera ka kënga. I ikën momentalizimi, por do të bëhet më jetëgjatë që të trashëgohet brez pas brezi. Por janë dhe këngët që kanë një audiencë të caktuar, janë për disko, këndohen në një ambient shoqëror, por vijnë dhe ikin, nuk jetojnë gjatë. Nuk them se nuk duhen ato këngë, pasi njerëzit kanë kërkesa nga më të ndryshmet, por gjithmonë jam i bindur që sa më shumë njerëzve tu takojë ajo këngë, sa më shumë njerëz të ngacmojë ajo këngë, aq më vlera ka.

-Folët për jetëgjatësinë e këngës, dhe shumë këngë që janë krijuar dekada më parë dhe sot kanë mbetur te publiku. Pse më herët keni pohuar se për krijimtarinë sot jemi ende në fazën e eksperimentimit? 

Nëse 45 vitet e kaluara para ndërrimit të sistemit problem në tekst ishte politizimi i tepruar, sot po me të njëjtën dozë është problem komercializimi. Sa mund të quhet e tepruar pjesa e politizimit të teksteve të këngës në 45 vite të epokës që lamë pas, aq mund të quhet dhe tani komercializimi i problemeve. Vlerat komerciale gjatë këtyre viteve dolën shumë në pah, por nuk dolën për të treguar vetëm veten e tyre, por dolën duke fshirë dalëngadalë vlerat universale që ka kënga, vlerat artistike. Sot kënga ka një strofë, vjen refreni i cili përsëritet jo vetëm njëherë, p.sh të thash, të thash, të thash,.. më the, më the, më the...ti, ti, ti, etj. Jetëgjatësia është ajo që e vlerëson këngën. Ne na vjen mirë kur dëgjojmë “100 këngët e shekullit”, që dëgjohen jo vetëm nga moshat e vjetra dhe mesatare, por dhe nga të rinj. Dhe nga të gjithë dëgjojmë të njëjtën gjë: paskeni pasur këngë të bukura. Prandaj jetëgjatësia e këngës është ajo që i jep vlerën, dhe kryesor është dhe teksti, por kur teksti nuk thotë gjë, se merr vesh këngën, nuk ke çfarë pret nga ajo. Nëse në një festival dëgjon, çfarë tha kënga, aty kënga vdes. Gjatë këtyre 20 viteve ka pasur dhe vlera. Ka pasur kërkime nga emra të caktuar, të cilët ose vazhdojnë dhe ruajnë karakterin e krijimtarisë së tyre, ose vazhdojnë kërkojnë në gjurmët e atyre vlerave që ishin themeluar. Ne do të vuajmë akoma. Ishim në një vend të mbyllur, u hap dera dhe hynë të mirë dhe të ligj, të bukur dhe të shëmtuar, dhe ne menjëherë të prirur të kapim sa më shumë gjëra nga ato që nuk i kishim prekur me dorë filluam të eksperimentonim. Ne jemi akoma në fazën e eksperimentit me tekstet e këngës, ashtu si jemi dhe në muzikë, por koha do të bëjë të vetën. Me kohë kjo do të kalojë. Unë nuk jam kundër eksperimenteve, kanë vendin e tyre, por jo duke mbytur eksperimentimi vlerën.

-Përmendët disa nga problemet e teksteve të këngëve për të rritur, po tekstet e këngëve për fëmijë sa i kanë ruajtur vlerat? 

Tek festivalet e këngës për fëmijë, tekstet vazhdojnë të ruajnë autoktonitetin e tyre, kanë botën e fëmijëve, e ruajnë linjën e tyre. Mund të kenë ndryshuar pak në muzikë, por janë me problemet e fëmijëve. Krijuesit e teksteve të këngës për fëmijë janë më të kujdesshëm se sa krijuesit e teksteve për këngët e të rriturve.

-Folët për këngën e lehtë, por çfarë mund të na thoni mbi këngën popullore, vlerat që kanë tekstet?

Edhe në këto këngë ka një sërë problemesh që qëndrojnë në këngën popullore. Problemet nisen që nga përdorimi pa kriter i këngëve të vjetra ndër vite, orkestrimi i tyre në mënyra bashkëkohore që e sjellin këngën në kohë, por kënga herë e pranon dhe herë nuk e pranon të sjellurit në kohë. Në një pjesë e mirë të teksteve mungon filozofia popullore, shpeshherë ka mospërputhje të tekstit me muzikën. Pra ka një kakofoni, e cila nuk ta përcjell mirë në vesh këngën popullore.
-Ju përmendët jo pak probleme, por jeni një nga autorët teksteve që vijoni të qëndroni ende suksesshëm me këngën. Si ndiheni nga kjo?
 Ndjehem mirë që unë nuk kam dalë akoma nga moda ( qesh).  Edhe këtë periudhë të re të zhvillimit të artit në vendin tonë unë vazhdoj të jem jo vetëm pjesëmarrës me këngën, por pjesëmarrës i suksesshëm i vlerësuar pothuaj nga viti në vit me çmime, ashtu si jam vlerësuar dhe më përpara. Kjo më bën të bindem që puna ime është në vijë të drejtë. Ndër vite kam mbi 4000 mijë tekste këngësh, këtu flasim për muzikë të lehtë, popullore, këngë për fëmijë, për vodvil, shoë, etj.

-Një krijimtari të madhe keni dhe për këngët në skenën e festivalit të RTSH. Kur pas kaq vitesh dëgjoni këngë që ju i keni shkruar tekstet, mendoni se mund të ishin dhe ndryshe?

E kam ndjerë veten mirë në festivalin e RTSH, nga bashkëpunimet që kam pasur, sepse kam trajtuar gjithmonë tema sociale, kam trajtuar dashurinë, kam qenë i kujdesshëm të mos evidentoj shumë sensin politik. Edhe për tekstet e këngëve para ndërrimit të sistemit, mendoj që nuk kam pse të heq asgjë. Në krijimtarinë time kam pasur parasysh që një vepër artistike bëhet në rrethana të caktuara, me njerëz të caktuar dhe ambient të caktuar, kohë të caktuar. Unë sot nuk mund të shkruaj këngën “Në aksion u njohëm bashkë ne të dy”, pasi kohët kanë ndryshuar.

-Meqë po flisni për festivalin në RTSH një aktivitet që ju e vlerësoni për rëndësinë e tij, si punohej për krijimtarinë e festivalit më herët dhe çfarë nuk shikoni sot?

Për mua festivali i RTSH mbetet aktiviteti më i rëndësishëm për këngën në vendin tonë. Mund të jenë dhe festivale të tjera, por ai i RTSH ka rëndësinë më të madhe. Megjithatë ajo që më shqetësonte mbi festivalin e RTSH vite më parë që duhet të ishte drejtpërdrejt kënga dhe jo me playback, tashmë nuk ekziston më në këtë festival dhe kjo gjë më gëzoi. Kjo sepse një nga sukseset që ka pasur festivali i RTSH ndër vite ka qenë pikërisht kjo, ishte drejtpërdrejt, origjinal, me zëra të pakamufluar. Tjetër gjë që duhet të rikthehet në këtë festival të RTSH është dhe mjeshtri i vokalit, që ka qenë vazhdimisht në këtë festival, kanë qenë njerëz profesionistë, siç ishte Rozmari Jorganxhi. Në festival duhet të rikthehet dhe një redaktor letrar, i cili gjithmonë ka qenë i atashuar në redaksinë  e muzikës në RTSH, redaktori nuk duhet të ketë funksion të censurës, por redaktim artistik, redaktim letrar tekstit të këngës për të mos i dhënë monotoni teksteve, dhe për ti dhënë ngjyra të ndryshme.  

-Cilët janë projektet e momentit me këngën për poetin Jorgo Papingji?

Tani që po flasim kam bërë tekste për dy këngë për festivalin e këngës popullore që do të jetë në muajin tetor. Janë dy tema interesante, që do të interpretohen nga këngëtarë të njohur. Njëra nga këngët i kushtohet kostumit popullor të Tiranës, dhe tjetra ka temën e marrëdhënieve fetare  në Shqipëri, ku edhe pse me besime të ndryshme shqiptarët kanë shkuar gjithmonë mirë. Intervistoi: Julia Vrapi

 

 
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/01/2019 - 07:59

Kompozitori i mirënjohur, prof. Kozma Lara u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare. Homazhet në nder të tij u zhvilluan në Universitetin e Arteve.

Postuar: 20/01/2019 - 07:57

Teatri Metropol ka nisur këtë vit artistik me shfaqjen “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervi

Postuar: 20/01/2019 - 07:56

Viti që ka nisur e gjen aktorin Genci Fuga në punë për një tjetër projekt teatror.

Postuar: 19/01/2019 - 12:11

Një varr bosh gjendet e në oborrin e Ministrisë së Kulturës në Kinostudio.

Postuar: 19/01/2019 - 11:59

Jonida Beqo rikthehet në krye të drejtimit të Qendrës Kulturore Tirana dhe Teatrit të Metropolit

Postuar: 19/01/2019 - 07:42

 Mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës komedia "Boeing Boeing" pret publikun në sall

Postuar: 19/01/2019 - 07:41

 Dy artistët e njohur Helidon Gjergji dhe Fatos Qerimaj për publikun u prezantuan me perform