Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Jorgo Papingji: Në 25 vjet këngët humbën tekstin, për t’u mbështetur gjithmonë e më tepër te abuziviteti

Postuar: 26/05/2019 - 07:42

Poeti njohur Jorgo Papingji në krijimtarinë e tij në tekstet e këngëve të ndryshme ka marrë shumë vlerësime. Janë të shumta tekstet që ka shkruar në këngën e lehtë, atë popullore si dhe këngët për fëmijë, duke u vlerësuar me dhjetëra çmime në festivale të ndryshme. Edhe këto ditë poetin “Mjeshtër i Madh” Jorgo Papingji e gjejnë duke shkruar tekste këngësh, që siç tregon gjithmonë e mban me vete bllokun e tij. Poeti tregon se vijon gjithmonë të jetë në linjën e tij të të shkruarit tekste këngësh. Në intervistën për “SOT” poeti shprehet se ngelet partizan i fabulës në krijimtarinë e tij në tekstet. Por ai shpreh shqetësimin që sot ka jo pak probleme me këngët. Sipas poetit këngët për disa vite vijuan ti largoheshin gjithmonë dhe më shumë fabulës dhe u mbështetën te abuziviteti gjë që sipas tij është e gabuar edhe pse situata vitet e fundit ka përmirësime. Sipas poetit të njohur është koha ajo që ka bërë largimin nga rregullat në krijimtari.

-Ju gjejmë duke shkruar tekste këngësh, dhe jeni shprehur se si autor do të vazhdoni të shkruani gjithmonë në linjën tuaj. Për ju çfarë është sot problem në tekstet e këngëve?

Unë jam pjesëmarrës në 40 festivale të këngës në RTSH pa shkëputje, 40 festivale fëmijësh që çdo vit marr pjesë dhe aq më tepër e kam testuar punën që kam bërë. Unë vazhdoj të shkruaj tekste, vazhdoj të shkruaj në linjën time. Kam qenë dhe ngelem partizan i fabulës, partizan i mospërsëritjes disa herë të të njëjtit motiv, të të njëjtit material, siç gjithë këtë periudhë 25 vjeçare gjithmonë e më tepër këngët kanë filluar jo vetëm të thjeshtëzohen, por dhe të humbin fabulën tekstet. Kanë filluar gjithnjë e më tepër ti largohen fabulës, gjithmonë e më tepër të mbështeten te abuziviteti, që do të thotë te përsëritja disa herë e të njëjtës fjalë, të cilat e humbin vlerën e vërtetë të tekstit. Por e bëjnë vetëm utilitare, që të mos ketë shumë fjalë, që njerëzit që e dëgjojnë për ta pasur në vesh përsërisin dhjetë herë të njëjtën fjalë dhe kështu u bënë dhe këngëtarë. Për fat të keq kështu dhe disa kompozitorëve u ka pëlqyer ky lloj materiali dhe pëlqim pas pëlqimi hap pas hapi këto lloj këngësh filluan të zhvillohen. Filluan të hyjnë me një bërryl dhe më pas filluan ti nxjerrin jashtë këngët e mira dhe me përmbajtje që i dedikohen një problemi social, një marrëdhënie, dhe kanë një fabul brenda që fillon dhe mbaron dhe nuk lihen më përgjysmë. Për hir të tingëllimit, për hir të materialit që përsëritet fabula harron se çfarë ka ndërmend të thotë dhe i kushton vëmendje pikërisht motivit që është i pranuar në biznes, që shitet. Kënga është tekst i muzikuar ose muzikë e tekstëzuar. Nëse këto nuk i përgjigjen njëra -tjetrës kanë gjysmën e vet mangët.

-Çfarë sjell kjo?

Kur mungon teksti, kjo këngë nuk është e plotë ka vetëm muzikë, që nuk është e fjalëzuar, dhe gjithmonë kur ta dëgjojë njeriu do të thotë: çfarë desh të thoshte, ku e kishte fjalën kjo këngë. Nëse njeriu arrin të dëgjojë një këngë dhe të thotë për çfarë bën fjalë atëherë kënga nuk i fiton më vlerat e veta. Kjo ka ardhur gjithmonë duke u dobësuar. Duke u dobësuar teksti për pasojë muzikimi i atij lloj teksti është me mangësi, nuk ka përmbajtje, nuk ka çfarë të thotë. Nuk përkthen gjuhën e tekstit në gjuhën muzikore, kjo sjell paplotësmërinë e këngëve të krijuara që i largohen melodisë, kuptimit dhe mban për bazë vetëm ritmin, që mban gjallë ambiente siç janë diskot, pabet, apo ambiente të tjera publike. Këto plotësojnë detyrën që kanë për biznesin që diskot apo pabi do të tërheq njerëz që të kënaqen, por jo të kënaqen me atë që thotë kënga as me vlerat e saj, por me tonalitetin komercial, që ka ai institucion që e përdor. Kënga përdoret gjithnjë e më tepër në institucione komericiale ku bëhet biznes, ku shpenzohet, ku sasia e njerëzve është e madhe dhe ata që janë aty nuk i kushtojnë shumë vëmendje se çfarë thotë kënga. Por kanë vëmendje a të merr me vete ai ritëm, që të rrish sa më gjatë dhe të kërcesh sa më shumë e të harrosh sa shpenzon. Por kjo që thashë nuk do të thotë që në morinë e këngëve, që kanë mbytur radio dhe televizionet në jetën e përditshme janë të gjitha kështu. Por ka dhe këngë që janë të bukura vërtetë dhe marrin patentën e jetëgjatësisë së vet. Ne kemi shumë pak këngë me jetëgjatësi, e korrin suksesin e momentit. Më pas kanë një jetëgjatësi 1 mujore dhe nuk këndohen më pas.

-Jeta juaj ime artistike është 60 vjeçare duke shkruar tekste këngësh që janë vlerësuar ndër vite, ju si e shikoni këtë treg sot muzikor me këto probleme që ju përmendët?

Unë besoj se koha ka bërë largimin nga rregullat. Sigurisht që mua më vjen keq kur ndodh kjo. Nga një farë normimi i asaj që duhet të quhet kush është kënga jonë, cila është kënga jonë, kush është këngë e bukur, por sot kujtdo që i teket bën muzikë, kujtdo që i teket bën një klip, kushdo që ka një studio private realizon këngën si ta ketë qejfin, dhe këto nuk i nënshtrohen ndonjë site dhe vlerësimi paraprak që ia vlen për t’u transmetuar ose nuk ia vlen. Sigurisht që televizionet dhe radiot janë  private, por ka dhe një politikë shtetërore që mund të bëhet për ruajtjen e kulturës dhe artit tonë. Unë meqë jam partizan i atyre këngëve që kanë pasur jetëgjatësi të madhe në Shqipëri, kur dëgjoj një këngë që i afrohet atyre si dikur dhe ka kulturë tjetër brenda, dhe është në vijueshmëri të këngëve tona të bukura dhe kaq të dashura për publikun ndër vite mua më vjen mirë. Kohët e fundit po shikoj që gjithmonë dhe më tepër po nxjerr kokë largimi nga këngët komerciale dhe afrimi të këngët që janë muzikë dhe tekst i vërtetë, që kanë fabul brenda, e fillojnë një tregim dhe mbarojnë, nuk e lënë në gjysmë rruge. Më vjen mirë që kanë filluar të duken gjithmonë dhe më tepër pas një periudhe kalimtare, që hynë dhe dolën këngë të ndryshme. Tani kjo nuk është me shumicë dhe këto vitet e fundit ka filluar të nxjerri kokën ajo lloj kënge që unë mendoj që duhet të ishte baza e tekstit  dhe këngës sonë të mirëfilltë shqiptare.

-Ju keni bashkëpunuar me këngëtarë të njohur ndër vite për këngët tuaja. Sot si i shikoni këngëtarët e rinj?

Nuk mund të them të njëjtën gjë që them për këngët edhe për këngëtarët. Edhe sot kemi zëra shumë të mirë për këngët, zëra në rritje, por ka dhe zëra që i kanë kaluar dhe pritshmëritë e zërave që ne kishim dikur dhe dëgjohen mrëz jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë. Por duke transmetuar çdo ditë shumë këngë, të cilat bazë kanë superpozimin dhe nuk kanë zërin e këngëtarit dalvivo po regjistrimin e atij, e ke të vështirë të përcaktosh kush ka zërin e tij, dhe këtu abuzojnë ata që nuk kanë zë, sepse kanë studiot që i rregullojnë zërin. Dalin zëra të mrekullueshëm pa e pasur atë zë. Ndaj nuk mund të them për zërat në përgjithësi, por dua të them që zëra në veçanti ka shumë dhe ka në rritje. Kultura e të kënduarit duke qenë në kontakt me botën dhe kompozimeve bashkëkohore, studiot bashkëkohore dhe regjistrime të mira kultura e të kënduarit për mua nuk është me nivelin e këngëve, është më lart, dhe po flas të atyre këngëtarëve që këndojnë me zërin e tyre.

-Gjashtë dekada me krijimtarinë, sa jeni vlerësuar nga institucionet?

Kam titullin “Mjeshtër i Madh”. Pas këtij titulli që mbahet në mur dhe këtë vit është i teti, nuk është marrë kërkush që ta shqyrtojë dhe ti vërë vleftën. Unë kam tetë vjet që e zotëroj titullin dhe nuk marr pension të veçantë, në një kohë që ka të tjerë që sa kanë filluar hapin kanë marrë dhe titullin dhe pensionin. Unë megjithëse kam tetë vjet që e kam titullin nuk kam bërë asnjë përçapje, që çfarë bëhet me mua. Unë kam plot katër vjet që kam qenë i sëmurë dhe nuk është kujtuar njeri, që ky njeri i sëmurë me këtë titull a u mjekua, a u shtrua në spital, a kishte ndonjë nevojë për mbështetje financiare? Unë nuk kam shkuar të interesohem dhe ata nuk kanë pyetur. Nëse deri në fund të jetës sime nuk do zbatohet ndonjëherë ana e mbështetjes financiare le të iki dhe unë si të gjithë paraardhësit e mi. Unë sot kam pensionin 26 mijë lekë të reja prej të cilave në këto 4 vite nuk përballonte dot shtrimin në spital dhe medikamentet, që duheshin për të kuruar sëmundjen time.

-Për ju, sa pranë ka qenë Ministria e Kulturës për artistët?

Është vërtetuar që dikush nga artistët ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me Ministrinë e Kulturës dhe dikush mund të marrë dhe projekt, dikush ka një trajtim tjetër, festohet ditëlindja, etj. Por unë kur kisha 75- vjetorin para dy vitesh me përjashtim të miqve të mi nuk u kujtua askush që të më urojë me një mesazh. Me mua nuk ka ekzistuar vlerësimi i institucioneve. Unë mendoj që janë kaq shumë tekste saqë kushdo që do të dëgjojë do thotë se nuk ka mundësi të ketë kaq shumë. Unë i kam kaluar 3500 tekste këngësh. Kam gjithsej pesë çmime të para të festivalit të këngës së lehtë në RTSH, 6 çmime të dyta dhe 5 të treta po të RTSH që janë në 40 pjesëmarrje pa shkëputje në këto festivale. Kam 32 çmime në festivalin kombëtar të këngës së fëmijëve ndër vite, nga të cilat 8 janë të para dhe pjesa tjetër 9 dyta dhe pjesa tjetër të treta. Për këtë gjë unë doja të kisha një kontakt me ministrinë që ti thosha çfarë do ti që të bëj unë që ai titull i dhënë “Mjeshtër i madh” të përfitoj dhe pensionin që përmban ky titull. Doja t’i thoja çfarë kam lënë mangët dhe çfarë janë më shumë ata që e kanë marr pensionin se sa unë.

-Edhe në krijimtarinë e këngëve popullore ju keni jo pak tekste këngësh. Për ju çfarë duhet të ketë vëmendje në këtë krijimtari?

Unë jam përpjekur që të ruaj këngën popullore, karakterin e saj. Jo më kot unë jam krijues dhe flamurtar i krijimit të këngëve të Tiranës. Janë rreth 50 këngë të krijuara nga unë, të vlerësuara dhe të kënduara. Unë e testoj zakonisht këngën në popull kur e pëlqen populli dhe thotë po kjo është këngë e Tiranës unë them se kam bërë gjë të mirë. Kontributi im në këtë fushë ka qenë i pashkëputur. Kam bërë këngë të Tiranës, të Korçës, të Shkodrës dhe më gjerë. Krijimtaria popullore do më shumë kujdes se muzika e lehtë. Në radhë të parë nuk duhet vënë dorë, sepse sot ka një tendencë që merret krijimtaria popullore e viteve të kaluara dhe luhet me tekstin dhe orkestracionin dhe ritmin që ka kënga. Të gjitha këto për mua e prishin këngën, sepse sjellin një këngë të viteve të kaluara me ritëm dhe orkestracion tjetër dhe kujtojnë se është këngë e re, por ajo nuk tingëllon.  

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/08/2019 - 07:38

Regjisori i njohur Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Xhuvani ndërroi jetë në një spital në Romë.

Postuar: 15/08/2019 - 07:36

Në vilën e ish diktatorit, Cine Tarkovsky fton për një bashkëbisedim të hapur me fituesin e Palme

Postuar: 15/08/2019 - 07:35

Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk ësht

Postuar: 14/08/2019 - 07:33

Teatri i Kukullave ka përfunduar turin  “Erdhi Teatri”, duke shëtitur fshatra të

Postuar: 14/08/2019 - 07:31

“Shkodra Jazz Festival” mbërrin këtë vit në edicionin e dhjetë.

Postuar: 14/08/2019 - 07:30

Numri i turistëve, që vizituan qytetin e Beratit gjatë muajit korrik 2019 ishte rreth 1 300 vizit

Postuar: 14/08/2019 - 07:28

Festivali i Regjisorëve të Rinj mungon në jetën artistike.